Vota të hapura për të siguruar institucione të hapura dhe të përgjegjshme

Vota të hapura për të siguruar institucione të hapura dhe të përgjegjshme

Vota të hapura për të siguruar institucione të hapura dhe të përgjegjshme
Botuar tek gazeta Standard
 

Para pak ditësh u votua për procedurën e votimit të hapur për emërimin apo shkarkimin e drejtuesve të disa institucioneve të caktuara. Në fakt kjo çështje hap një debat bërë edhe qindra vjet më parë kur kanë qenë përfshirë njerëz si Monteskje, Bentham, Mill etj, në lidhje me rëndësinë e votës së fshehtë dhe votës së hapur. Për sa  i përket votës së fshehtë të zgjedhësve  të thjeshtë, tanimë ekziston pothuaj një konsensus i plotë që vota e një votuesi duhet të jetë e fshehtë në mënyrë që qytetari të mos kërcënohet apo dëmtohet për qëndrimin e vetë politik. Mirëpo sikurse ligjet e mikroekonomisë nuk janë detyrimisht të barazvlefshme me ligjet e makroekonomisë e për rrjedhojë këto të dyja trajtohen veçmas, po ashtu edhe zgjedhësit duhet të trajtohen ndryshe nga të zgjedhurit. More...
Zgjedhjet e përgjithshme konsistojnë vetëm në agregimin e preferencave individuale të qytetarëve në lidhje me një vendim që ata gjykojnë se i shkon për shtat interesit të tyre vetjak. Ndryshe nga zgjedhësit, të zgjedhurit, pra deputetët, përfaqësojnë interesin e zgjedhësve e prandaj vendimet e tyre duhet të bëhen haptazi në mënyrë që elektorati të dijë se si përfaqësohen ata nga deputeti i tyre. Dhe po ashtu sikurse kërkohet me ligj që qeveria dhe ministri të ndryshme duhet të bëjnë publike një vendim para publikut që ndikohet prej këtyre vendimeve, ashtu edhe deputetët duhet të zbatojnë të njëjtat standarde transparence dhe llogaridhënie duke treguar haptazi se për çfarë votojnë ata.
Një argument që përdoret kundër votimit të hapur është se deputeti në këtë mënyrë e ka të vështirë që të dali nga linja e partisë, prandaj edhe drejtuesi i grupit parlamentar të PS-së Majko, citoi anekdotën e Enver Hoxhës. Mirëpo deputetëve iu takon që në më të shumtën e rastit të ndjekin linjën e partisë. Dhe kur nuk e ndjekin atyre iu takon që ta bëjnë atë publike për hir të transparencës dhe llogaridhënies. Aq më tepër po të kihet parasysh se 40 deputetë të parlamentit shqiptar janë të tillë vetëm si pasojë e emërimit të partisë, pra janë deputetë vetëm sepse një parti i ka caktuar ata si të tillë. Po kështu të paktën 60 deputetë të tjerë janë zgjedhur në zona të sigurta për partitë e tyre, domethënë jo aq për meritën e tyre sesa për meritë të partisë që i ka vënë në listën e kandidatëve për deputet duke i emëruar de facto deputetë sikurse edhe proporcionalistët. Për rrjedhojë besnikëria e tyre ndaj partisë që i ka caktuar aty është më se e nevojshme dhe e natyrshme.
Mirëpo edhe deputetët që janë të zgjedhur falë meritave të personalitetit të tyre ose atyre qe janë të pavarur, kanë se kujt t’i japin llogari. Ata nuk janë çifligarë që mund të bëjnë ç’të duan në distriktin e tyre por duhet tua tregojnë vendimmarrjen e tyre votuesit. Sepse vetëm në këtë mënyrë votuesit mund të informohen për këndvështrimet dhe veprimet e personit që ata kanë zgjedhur. Dhe ky është parimi i parë i demokracisë përfaqësuese, pra që njerëzit duhet ta kenë të mundshme që të shqyrtojnë veprimet e gjithë vendimmarrësve. Elementi i sekretit bie ndesh me thelbin e demokracisë. Besnikëria apo përmbushja e interesave të elektoratit mund të shikohet vetëm nëpërmjet procesit të votimit dhe jo nga replikat, debatet apo interpelancat. Deputetët janë ndryshe nga zgjedhësit sepse ata kanë një varësi vertikale ndaj zgjedhësve, pra duhet të japin llogari vertikalisht tek personat që i kanë votuar për të përfaqësuar interesat e tyre. Bile në vende si Britania dhe SHBA-ja studimi i të ashtuquajturës voting track, pra ecurisë së votimit në të kaluarën, është një ndër institucionet bazë për të gjykuar cilësinë e të zgjedhurit në një distrikt. Ndërkohë zgjedhësit nuk kanë pse të japin llogari tek fqinji apo një qytetar tjetër i zonës së tyre të votimit duke votuar haptazi. Pra dallimi është i qartë, zgjedhësit kanë një përgjegjësi horizontale dhe votojnë në interesin më të mirë të vetes ndërsa deputetët kanë një përgjegjësi vertikale duke përfaqësuar interesin e elektoratit. Rasti i vetëm mbase i tolerueshëm ku varësia horizontale ngatërrohet me varësinë vertikale dhe merr një tjetër dimension është rasti i votimit për të hequr imunitetin e një deputeti tjetër. Pra rasti kur deputeti nuk mban përgjegjësi vetëm para zgjedhësve të cilët kanë të drejtë ta rivotojnë ose jo, por mbajnë përgjegjësi për vlefshmërinë e mandatit edhe para sojit të tyre, dhe mbase në këtë rast ekziston një argument i rëndësishëm për votimin e fshehtë në parlament. 
            Votimi i fshehtë jo vetëm që çarmatos votuesin e thjeshtë nga mundësia për të vënë para përgjegjësisë të deleguarin e tyre, por i jep deputetit mundësi të jashtëzakonshme për abuzime apo korrupsion . Milli thoshte se “anëtari i parlamentit që ka një interes për të abuzuar në favor të vetes me pushtetin që atij i është besuar, duhet të pengohet. Pengimi arrihet nëpërmjet fuqisë së transparencës”. Dhe rasti tipik i korruptimit apo tradhtisë ndaj votuesve ka qenë votimi i deputetëve të disa partive të vogla të djathta në favor të kryeministrit socialist gjatë kohës kur e djathta ishte në opozitë.
Madje edhe nga ana teknike, votimi i hapur është  jo thjesht transparent për hir të llogaridhënies, por edhe më pak i manipulueshëm. Imagjinoni sa kontestime votimesh do të shfaqeshin nëse edhe votimet në parlament do të bëheshin të fshehta sikurse bëhen votimet e përgjithshme të zgjedhësve të thjeshtë.  
            Argumenti kryesor që po përdoret është se nëpërmjet votës së hapur deputetët mund të kërcënohen nga hakmarrja apo presioni për një çështje të caktuar. Mirëpo e vërteta është se deputeti e ka për detyrë që të mbaj qëndrim për bindjen e tij dhe duhet të jetë i gatshëm që të ballafaqojë përgjegjësinë apo pasojat e një qëndrimi. Vetë roli i deputetit është një rol publik me përgjegjësi i cili duhet të merret mirë parasysh paraprakisht nga kushdo që bëhet kandidat për deputet. Edhe nëse deputetët mund t’i ekspozohen pasigurisë apo kërcënimeve nëpërmjet bërjes publike të votimeve apo qëndrimeve të tyre, ata zotërojnë një mbrojtje të privilegjuar nga ligji për shkak të detyrës. Kjo është arsyeja pse deputetët kanë instrumentin mbrojtës të imunitetit, pikërisht për të shmangur kërcënime në lidhje me qëndrimet e tyre apo mënyrën se si ata votojnë. Ky është qëllimi i vërtetë për të cilin ekziston imuniteti, dhe jo të përdoret si licencë për të vjedhur apo abuzuar me ligjin.
            Dobia e transparencës për hir të ndershmërisë dhe llogaridhënies dhe jo thjesht legjitimitetit (pra komunikimit me zgjedhësit dhe mirëpërfaqësimit të vullnetit të elektoratit) , është i padiskutueshëm. Po të mund të votojnë fshehurazi, deputetët do ta kenë shumë më të lehtë që të korruptohen nga aktorë të ndryshëm dhe të votojnë  një vendim pa u marrë vesh e mbajtur përgjegjësi. Prandaj votimi i hapur duhet parë në vazhdën e sigurimit të transparencës nga çdo institucion publik, dhe kjo e fundit nuk duhet parë vetëm si detyrim i ekzekutivit por edhe si detyrim i legjislativit dhe gjyqësorit.
 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top