Korrupsioni: përgjegjësi e elitave dhe barrë e shumicës

Korrupsioni: përgjegjësi e elitave dhe barrë e shumicës

 

Korrupsioni: përgjegjësi e elitave dhe barrë e shumicës  

Botuar tek gazeta Shekulli

 

Lufta kundër korrupsionit, mbajtur si flamur nga Partia Demokratike gjatë fushatës, padyshim qe ngriti edhe aspiratat dhe dëshirat për të parë sa më shpejt rezultate të prekshme. Dhe në fakt sulmet e para kundër qeverisë vijnë kryesisht në këtë drejtim, duke kërkuar llogari për faktin që burgjet nuk janë mbushur me njerëz të korruptuar. Ata që bëjnë këto sulme e shikojnë korrupsionin me një prizëm shumë të ngushtë duke pritur që korrupsioni të zvogëlohet në këtë vend nëpërmjet ndëshkimit. Kjo i shkon përshtat edhe një prirje që prokuroriale që mbizotëron në vendin tonë ku ka shumë persona që e pëlqejnë hakmarrjen si të ishte sporti i dytë kombëtar pas futbollit. Pavarësisht nga fakti që organet qeveritare kanë dërguar tashmë shumë padi dhe kallëzime për abuzime dhe se nuk varet nga ekzekutivi procedimi i mëtejshëm i çështjeve të korrupsionit, shumë analistë po përpiqen ta portretizojnë këtë situatë si mospërmbushje të premtimit të luftës kundërkorrupsion. Mirëpo korrupsioni është një fenomen shumë më i komplikuar e për rrjedhojë edhe lufta kundër tij është i ndërlikuar dhe nuk mund të përbehet vetëm prej denoncimeve dhe ndëshkimeve. Këto të fundit padyshim që janë pjesë e pashmangshme e çdo përpjekje për të siguruar shtetin ligjor, por nuk janë gjithçka.

Ajo që vlen të theksohet është se niveli i lartë i korrupsionit nuk është një fabul e krijuar, por një realitet i hidhur që ndikon në mënyrë vendimtare tek cilësia e jetës së shqiptarëve. Në përgjithësi kostoja e korrupsionit ndikon në mënyrë vendimtare tek ngadalësimi ose frenimi i rritjes ekonomike. Në një studim të bërë disa vite më parë nga Paulo Mauro është nxjerrë se nivelet e larta të korrupsionit janë të shoqëruara nga nivele të ulta të rritjes së GDP-së. Kështu pasi mori në shqyrtim situatën e 106 vendeve, Mauro nxorri si rezultat se nëqoftëse një vend do ta përmirësonte indeksin e korrupsionit me 20% atëherë niveli i investimeve do të rritej çdo vit me 4% dhe rritja vjetore e GDP-së do të shtohej me 1.5%. Korrupsioni ndikon gjithashtu tek cilësia e shërbimeve që merren nga publiku, pasi zyrtarët e korruptuar do ti përqendrojnë aktivitetet e tyre atje ku marrja e mitës është më e lehtë dhe më pak e dallueshme. Ai ndikon tek ndjenja e sigurisë pasi korrupsioni shkatërron sistemin e rendit publik dhe zbatimit të ligjit. Po ashtu niveli i lartë i korrupsionit dekurajon investimet si pasojë e arbitraritetit, paparishikueshmërisë dhe pasigurisë që shkaktohet prej tij.

Por ka disa të tjerë që mendojnë se korrupsioni është një çështje kulturore, që të gjithë shqiptarët nuk janë të ndjeshëm ndaj korrupsionit. Në fakt pandjeshmëria e shqiptarëve është e kuptueshme duke patur parasysh se korrupsioni në Shqipëri është shndërruar në një sistem i përditshëm dhe shqiptarëve për hir të mbijetesës iu është regjur lëkura duke e duruar. Pavarësisht nga gjithpërfshirja në forma të ndryshme korrupsioni, duke variuar nga kontrabanda deri tek shtënia në dorë e disa shërbimeve elementare duke paguar një ryshfet, korrupsioni mbetet për t’u luftuar. Dhe gjithpërfshirja nuk duhet përdor si alibi për të imunizuar ata që janë përfituesit të drejtpërdrejtë nga korrupsioni, të cilët janë pikërisht ata që kanë pasur edhe fuqinë dhe detyrën për ta ndaluar, por që nuk e kanë ndaluar. Dhe bëhet fjalë për ata titullarë të institucioneve shtetërore të cilët duhet edhe të ishin gardianët e sistemit dhe të vetmit që mund të bënin diçka kundër tij. Pjesa tjetër e popullsisë me të vërtëtë mund të ketë qenë e përfshirë, mirëpo ka qenë e detyruar dhe nuk e ka pasur të mundur që ta shmang. Pra përgjegjësit kryesor të korrupsionit janë ose njerëzit që kishin për detyrë të siguronin zbatimin e ligjit, ose politikanët që kishin pushtetin për të bërë reforma ligjvënëse ose përfituesit kryesorë më  masiv të tij. Ndërkohë shumica tjetër është viktimë e një sistemi ku ata ishin të shantazhuar të jepnin ryshfet. Dhe bëhet fjalë për atë shumicë qytetarësh që mbase ka rastisur të pagojë një mjek për një serum bërë fëmijës së vet, apo kanë paguar një zyrtar për të marrë në mënyrë të përshpejtuar një pasaportë që i takonte por që po ti vonohej i digjte dokumentet në Greqi;

Edhe pse gjithë  segmentet e shoqërisë mund të jenë të përfshirë në korrupsion, pra edhe pse shumë të varfër apo pjesëtarë të tjerë të shtresave të ulta mund të japin e marrin mitë, duhet të vihet në dukje se mitmarrja është një dukuri elitare. Me zhvillimin e korrupsionit mund të krijohet një situatë si kjo jona, ku një grup individësh paratë e fituara nga korrupsioni përpiqen të paguajnë për të mbajtur pozicionet e tyre zyrtare e për rrjedhojë të përfitojnë në mënyrë të vazhdueshme nga pjesa tjetër e shoqërisë.  Në kushtet kur institucionet ligjore janë të dobëta, anëtarët e këtij rrjeti elitar kanë imunitet e nuk tremben nga ligji. Gjithashtu një pjesë e mirë e njerëzve që janë të lidhur me këta nuk paguajnë të njëjtat taksa që paguajnë të tjerët, bile përkundrazi janë mbledhësit kryesorë të mitës. Zyrtarët e vegjël që janë mbledhësit më të shpeshtë të mitës nuk guxojnë t’u kërkojnë ryshfete të fortëve me pushtet, bile i paguajnë ata që të sigurojnë imunitet në postet e tyre. Për rrjedhojë barra kryesore e korrupsionit bie mbi ata që janë më të dobët. Shumë të varfër detyrohen të përfshihen në korrupsion sepse nuk kanë alternativa të tjera, ndërsa ata që mund të ndryshojnë situatën dhe kanë mundësi zgjedhje janë elitat. Prandaj viktimat kryesore janë të varfrit pasi korrupsioni vetëm thellon pabarazinë shoqërore.

Kjo ndodh në radhë të parë sepse korrupsioni dëmton progresivitetin e taksimit pasi ata që paguajnë ryshfet dhe bëjnë evazion fiskal, paguajnë vetëm taksat fiks e nuk paguajnë për fitimin e padeklaruar prej tyre, ose thjesht nuk paguajnë gjë. Korrupsioni bën që baza e taksapaguesve të ulet dhe për rrjedhojë shteti të mbledhë vetëm paratë e të ndershmëve dhe taksat e buxhetorëve si mësuesit, të cilët apriori janë të paguar keq. Zvogëlimi i buxhetit të shtetit bën që të pakësohen edhe shërbimet publike nga të cilat përfitojnë kryesisht të varfërit e jo të pasurit. Të pasurit e kanë më të lehtë të paguajnë shërbimet private. Familjet me të ardhura të vogla paguajnë një përqindje më të lartë të të ardhurave të tyre për ryshfetet.

Ndikimi i niveleve të larta të korrupsionit, tek thellimi i pabarazisë tek një ekonomi, demonstrohet qartë nga një studim i Bankës Botërore i vitit 2000. Në këtë studim koeficientët GINI të të ardhurave për frymë (ky koeficient mat pabarazinë e të ardhurave) u krahasuan me rezultatet e Indeksit të Korrupsionit të nxjerrë nga Transparency International, dhe u pa se nivelet më të ulta të  korrupsionit ishin statistikisht të lidhura  më nivele të ulta të pabarazisë (koeficienti ishte rreth 0.72%). Dhe ky fakt shihet lehtë në kushtet e Shqipërisë ku polarizimi social është tejet i madh. Si pasojë e korrupsionit të zhvilluar në Tiranë ka një shtresë sociale që i lejon vetes të blejë , ende pa u ndërtuar, apartamente me çmime të krahasueshme me Evropën Perëndimore, ndërkohë që me të ardhurat e tyre të ndershme shumica e shqiptarëve nuk mund të blejë në një vit më shumë se dy metra katrorë të këtyre apartamenteve. Për këtë arsye ka syresh që kanë përfituar nga status-quo-ja e deritanishme e që rrezikojnë privilegjet e tyre abuzive nga reformat anti-korrupsion. 

Prandaj kjo është arsyeja pse kryeministri thekson që luftën kundër korrupsionit e ka filluar nga vetja, pasi është elita shtetërore ajo që është përgjegjësja kryesore për korrupsionin. Po ashtu sikurse peshku qelbet nga koka, edhe shteti duhet pastruar nga koka për të vazhduar me pjesët e tjera. Sepse po qe se nuk sigurohemi që krerët e institucioneve shtetërore janë të pakorruptuar, atëherë çdo ndëshkim apo burgosje i mitmarrësve të mëparshëm do të mbetet statistikë dhe nuk do të kontribuojë në çmontimin e sistemit të korrupsionit. Vetëm nëpërmjet ripërtëritjes së elitave të Shqipërisë dhe vënien e tyre nën pushtetin e ligjit mund të bëjmë të mundur të vendosim sundimin e ligjit.

Përveç dëmeve ekonomike dhe politike, rreziku tjetër që vjen nga mosprekja për një kohë të gjatë e korrupsionit për një kohë të gjatë është rreziku social. Nëse mosndëshkimi i korrupsionit mbizotëron, të korruptuarit e dikurshëm shndërrohen në heronjtë e mëvonshëm dhe parimet e ndershmërisë dhe të të qenurit punëtor, bëhen të përçmuara. Fatmirësisht shumica e popullit shqiptar me verdiktin e datës 3 korrik 2005 tregoi se edhe pse i madh, dëmi i korrupsionit është i kthyeshëm dhe i zgjidhshëm. Dhe ç’është me e rëndësishmja dëshmoi se shumica e njerëzve në Shqipëri duan ta heqin qafe korrupsionin ndërkohë që vetëm një pakicë ishte për status quo-në. Në tre korrik shumica e shqiptarëve dëshmoi bindshëm se do ndershmërinë dhe jo ryshfetin, dhe hodhi poshtë alibinë antropologjike që shumë persona përpiqen të përdorin për të fshehur korrupsionin e tyre. .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top