Politika e jashtme shqiptare si pjesë e politikës së brendshme

Politika e jashtme shqiptare si pjesë e politikës së brendshme

Politika e jashtme shqiptare si pjesë e politikës së brendshme

botuar tek gazeta e se shtunes
 

Kriza politika ku është zhytur vendi nxorri sërish në pah dobësinë e jashtëzakonshme të institucioneve në Shqipëri në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë brishtësinë e demokracisë shqiptare. Sakaq në vende si Rumania dhe Bullgaria me të cilët e nisëm në një kohë rrugëtimin drejt demokracisë, kanë mbi gjysëm dekade që i bëjnë zgjedhjet pa nevojëne vëzhguesve ndërkombëtarë. Është vërtetë pikëlluese fakti që në Shqipëri rregullat e lojës, pra procesi elektoral, diskutohet dhe ndryshohet shumë pak kohë para fillimit të lojës. Ose që pas çdo ndeshjeje të zhvillohen apo organizohen rregulla të reja loje që nuk i lënë mundësi rregullave ekzistues të konsolidohen. Dhe kësaj radhe konflikti mbi ditën e zgjedhjeve dhe teknikalitetet që e shoqërojnë atë lënë të mendosh se shqiptarët nuk janë edhe aq të aftë për të përqafuar (aq më tepër pas manipulimeve të shqiptarëve të Maqedonisë herën e kaluar) demokracinë gjë që nuk i kontribuon aspak sigurimit të pavarsisë së Kosovës. More...
Kjo situatë ka rishfaqur sërish rolin vendimtar të aktorëve ndërkombëtarë me peshë në vendin tonë dhe ka vënë në dukje mungesën e sovranitetit të shtetit tonë dhe paaftësinë aktorëve kryesorë politik për të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrat për të cilat janë mandatuar. Vendi ynë e ka tronditur tashmë njëherë opinionin publik ndërkombëtar me ato që ndodhën në vitin 1997 që vinin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dëmtimi i mekanizmit  demokratik të zgjedhjeve dhe nga paaftësia e elitës politike shqiptare për të zgjidhur problemet nëpërmjet kompromisit.
Për pasojë vendi ynë, edhe pse vendi më homogjen në Evropë me pothuaj 98% të popullsisë etnikisht shqiptare, nuk ngeli pa u përfshirë në vorbullën e dhunës dhe konfliktit që karakterizoi rajonin e Ballkanit gjatë viteve 90-të, edhe pse për shkaqe e arsye krejt ndryshe nga vendet e tjera fqinje. Ndërsa në vendet e tjera BE-së, SHBA-së dhe NATO-s i është dashur për të ndërhyrë edhe ushtarakisht për të zgjidhur konflikte mes etnive të ndryshme në Shqipëri është dashur që të ndërhyjë të zgjidhë probleme Brenda të njëjtës etni. Prej operacionit ALBA dhe mosfunksionimit të procesit demokratik që siguron legjitimitetin e brendshëm, partitë politike në Shqipëri janë mjaftuar vetëm me legjitimitetin e jashtëm. Në fakt aktorët ndërkombëtarë, vetëm emrin kanë të tillë sepse për hir të vërtetës duhet thënë që ata janë aq shumë pjesë e procesit të brendshëm politik në vendin tonë sa fare mirë mund të quhen palë.
Ende sot, 9 vite pas katrahurës famëkeqe të vitit 1997, dy partitë politike shqiptare presin nga perëndimi për t’i dhënë zgjidhje problemeve të shkaktuara prej tyre. Dhe sot shikohet që partitë politike shqiptare më shumë përpiqen të justifikohen para ndërkombëtarëve sesa të fitojnë mbeshtetjen e opinionit publik shqiptar. Në kushtet e një shteti funksional aktorët politikë kryesorë, pra qeveria dhe opozita do të kujdeseshin më shumë për t’u treguar të përgjegjshëm para elektoratit shqiptar pasi në fund të mandatit atyre do iu duhej që t’u jepnin llogari. Për sa i përket ndërkombëtarëve, me ta këta aktorë normalisht do të përpiqeshin që të vepronin në interes të elektoratit shqiptar apo në interes të shtetit shqiptar.
Procesi i bërjes së politikës së jashtme nënkupton sigurimin në ambjentin ndërkombëtar të realizimit apo ndjekjes së interesave kombëtarë shqiptarë  të llojeve nga më të ndryshmet, duke variuar, ekonomik, politik, kulturor, strategjik etj.
Si pasojë e anomalisë së institucioneve shqiptare dhe paaftësisë së aktorëve ndërkombëtarë, në vendin tonë ndodh krejt e kundërta, politika e jashtme në fakt nuk është  një politikë e mirëfilltë, e kulluar e jashtme por është vazhdim ose shtojcë e politikës së brendshme.
Aktorët në Shqipëri i shikojnë ndërkombëtarët si priftërinj nga të cilët duhet marrë bekimi për një politkë një qëndrim të caktuar. Çdo takim që bëhet me personalitete të huaja qoftë nga kreu i qeverisë e qoftë nga kreu i opozitës nuk ka hiç të bëjë me ndonjë përpjekje për të realizuar interesa shqiptare jashtë vendit, por për të siguruar mbështetjen e të huajve brenda Shqipërisë ose për t’u portretizuar tek shqiptarët si aktorët që gëzojnë mbështetjen nga jashtë. Ndërkombëtarët jo vetëm që nuk konsiderohen nga dy partitë politike kryesore shqiptare si mediatorë të cilët ndihmojnë dy palë për të negociuar, por si arbitër të cilët gjykojnë cila palë e ka keq dhe cila ka të drejtë. Në këto momente dy palët jo vetëm që nuk çojnë në mend të lëshojnë pe apo të negociojnë me njera tjetrën por rrinë duke pritur udhëzime nga “Perënditë e Olimpit” sesi duhet të veprojnë, ndërkohë që bëjën “politikë të jashtme” që të sigurojnë favoret e këtyre hyjnive. Në të tilla rrethana jo vetëm që nuk mund të shpresojmë për një përfaqësim të interesave shqiptare në terrenin ndërkombëtar por mund të thuhet vetëm medet për vendin tonë ku sovraniteti i shtetit shqiptar nëpërkëmbet në mënyrë të vetëdijshme dhe vullnetare nga politikanët shqiptarë të cilët i kanë shndërruar aktorët ndërkombëtarë në Shqipëri në palën e tretë të vërtetë dhe rreken që të shtienë në dorë mbështjetjen e tyre për qëllimet e politikës së brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top