Iluzionet për “Despotin e ndritur”

Iluzionet për “Despotin e ndritur”

 

Iluzionet për “Despotin e ndritur”
Botuar tek Gazeta Panorama
 

 

Në Evropën e shekullit të 18-të reagimi ndaj absolutizmit monarkik i frymëzuar nga humanizmi çoi ne lindjen e rrymës së Iluminizmit. Mes iluministëve spikaste Monteskje i cili në librin “Fryma e Ligjeve” mendonte se problemi I kohës qëndronte tek përqendrimi I pushtetit tek një monark I vetëm, dhe bënte thirrje për një kushtetutë të mirë si themeli I një shteti modern. Edhe pse Monteskje ndikoi tek baballarët themelues të Amerikës, ndikimi I tij mbeti për një kohë të gjatë i kufizuar në Evropë. Superioritetin e ndikimit e mori në atë kohë mendimi i Volterit i cili besonte se zgjidhja qëndronte tek “Despoti i Ndritur”. Sipas Volterit shteti ka nevojë për një legjislator të fortë, një mbret absolut i cili te jetë I ndriçuar (që të kuptojë se cilat janë gjërat e nevojshme) dhe të kenë vullnetin për të nisur dhe çuar deri në fund reformat përparimtare  të nevojitura. Volteri mbante rregullisht lidhje me monarkë të ndryshëm si Frederikun e dytë të Prusisë, Jozefin e dytë Austrisë dhe Katerinën e madhe të Rusisë duke ndikuar që ata të shndërroheshin në despotë të ndritur që do të përdornin pushtetin e tyre absolut për të vënë në jetë idetë iluministe. More...
Mirëpo historia ka treguar se për të ndërtuar një shtet të përparuar nuk është e mjaftueshme që të kemi despotë të ndritur, por duhet ndërtuar një sistem qeverisës liberal demokratik. Fatkeqësisht parabola e despotit të ndritur përjetohet sot fuqishmin në realitetin politik shqiptar, ku qytetarët kanë humbur besimin tek sistemi qeverisës. Qytetarët shqiptarë kanë treguar se dëshirojnë ardhjen në pushtet të një dore të fortë e të përparuar, pra të ndritur, duke shpresuar që vetëm një despot i ndritur do të bënte të mundur një ndryshim të menjëhershëm pozitiv. Vetëm kështu mund të shpjegohet mbështetja e beftë masive që i është dhënë disa individëve në një kohë të shkurtër pas daljes së tyre si protagonistë në publik. Kjo gjë është e dëshmuar me përqindjen e lartë të votave që mori pretendenti për fronin gjatë referendumit për monarki si dhe me mbështetjen e madhe dhënë ndaj Majkos, Metës dhe së fundmi Ramës.
Në një sistem demokratik padyshim që roli i liderit është tejet I rëndësishëm, si për linjën e politikës që zgjidhet të ndiqet dhe si për këmbënguljen që duhet për të çuar reformat deri në fund. Porse në sistemin e liberal demokracisë nuk mund të pritet që të vijë nga qielli një despot mjaftueshëm i ndritur, dhe mjaftueshëm I ndershëm që të meritojë mbështetjen e qytetarëve. Pavarësisht nëse një lider vjen në pushtet me vullnetin e shumicës, kjo nuk e autorizon atë të ketë një pushtet absolut. Dhe këtu vlen të theksohet se demokracia sjell me të vërtetë legjitimitet por nuk është aspak zgjidhje nëse nuk shoqërohet me masat institucionale që janë aplikuar nga liberalët që ndoqën Monteskjenë. Sundimi i shumicës, pra demokracia në formën e saj të pastër mund të çojë në “Tiraninë e shumicës” , ku vullneti i shumicës robëron pakicën ose individët që nuk bien dakord me shumicën. Shtënia në dorë e mbështetjes së shumicës së elektoratit në një zgjedhje nuk justifikon dhe legjitimon çdo masë të marrë nga partia e zgjedhur. Dihet fare mirë se diktaturat më të egra që ka përjetuar njerëzimi kanë ardhur në pushtet duke përdorur demokracinë. Qoftë nazistët e Hitlerit dhe qoftë bolshevikët e Leninit dhe Stalinit janë futur në qeveri falë mbështetjes së shumicës.
Për të shmangur këtë degjenerim të mundshëm të demokracisë, është hartuar edhe kushtetuta e cila përcakton kufijtë e veprimtarisë së lejueshme të qeverisë dhe të drejtat themelore të individit. Pra që në thelb të shtetit qëndronte sundimi I ligjit dhe jo i despotëve , të ndritur në rastin më të mirë, dhe obskurantist në rastin më të dendur. Konstitucionalizmi në një farë mënyre shërben si një fre për të penguar arbitraritetin dhe abuzimet e përfaqësuesve të shumicës dhe garanton të drejtat e pakicës si dhe sferën private të jetës. Për të penguar që pushteti të jetë I përqendruar në dorën e një individi apo pak njerëzve, liberalët amerikanë si Xheferson dhe Medison krijuar nocionin e ndarjes së pushtetit. Ata e ndanë shtetin në tre hallka të pavarura nga njëra tjetra:  ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori, për të bërë të mundur jo vetëm profilizimin e këtyre pushteteve për hir të efikasitetit, por ç’është më e rëndësishmja duke bërë të mundur  që këto pushtete te kontrollonin dhe ekuilibronin njeri tjetrin (check and balance).  Kontrolli dhe presioni ndaj qeverisjes përforcohet nga votat e lira periodike që mund ta heqin një qeveri qe abuzon si dhe nga prania e pluralizmit politik, pra opozitës e cila mund të zëvendësojë ata që qeverisin keq. Duke patur parasysh faktin që shteti është  boll I plotfuqishëm  për të hequr pronën, hequr jetën dhe hequr lirinë, ata ngritën zërin për një shtet sa më të vogël (small government). Sepse një shtet sido që të jetë ka shumë  mundësi që të bëj dëme dhe mbajtja e një shteti të vogël është një garanci që edhe dëmi I shtetit të jetë I vogël.
Këto janë me pak fjalë tiparet thelbësore të sistemit liberal demokratik të qeverisjes. Për fat të keq qytetarët tanë nuk besojnë tek sistemi dhe nuk e kuptojnë se problemet tona vijnë si pasojë e mosfunksionimit të institucioneve të sistemit. Bile thënë më saktë jo nga mosfunksionimi por nga paralizimi dhe çaktivizimi i institucioneve që garantojnë funksionimin e sistemit.
Problemet e sotshme qytetarët nuk duhet t’i shohin vetëm tek fakti që aktorët që luajnë pjesën  teatrale të qeverisjes luajnë keq duke shpresuar që zgjidhja të jetë zëvendësimi I aktorëve nga aktorët e së njëjtës trupë (kupto këtu parti politike) apo të një trupe tjetër (opozita). Por tek fakti që skenari I qeverisjes nuk përkon me institucionet e liberal demokracisë. Kjo do të thotë që nuk ka rëndësi nëse Berisha është i ndershëm, Nano hipertolerant dhe Rama novator ose të kundërtat e këtyre pohimeve Kjo sepse si thoshte Lordi Akton: “Pushteti ka prirjen të korruptojë këdo dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute” (Power tends to corrupt, and absolute power corrupts absolutely).  
Sistemi I demokracisë moderne nuk ecën përpara me shpresën se ata që vijnë në pushtet do të jenë njerëz me mirësi, aftësi dhe me integritet të lartë por duke patur institucione që kontrollojnë dhe garantojnë integritetin dhe efikasitetin e tyre. Nëse një shumicë qeveris keq atëherë zgjedhjet e lira dhe të ndershme do e zgjidhnin këtë çështje duke e zëvendësuar qeverinë me opozitën. Po ashtu qeveritarët nuk qeverisin mirë thjesht pse janë vetë të mirë, por sepse ekziston presioni i votës së lirë e cila do I penalizonte ata për një qeverisje jo-efikase. Sa motivim e përgjegjësi kanë qeveritarët për të qeverisur siç duhet kur zgjedhjet në Shqipëri nuk janë bërë të lira e të ndershme prej një dekadeë Problemi i korrupsionit nuk vjen sepse qeveritarët janë shpirtkazmë e malum per se, por sepse qeveria nuk kontrollohet dot nga gjyqësori I cili duhet të jetë i pavarur dhe frymëzuar vetëm nga ligji. Ndërkohë në Shqipëri është më se e qartë sot që ekzekutivi e kontrollon gjyqësorin dhe kur gjyqësori nuk funksionon atëherë kuptohet që qeveritarët nuk kanë frikë nga ndëshkimi për abuzimet e bëra.  Po kështu qeverisja duhej të mbështetej tek kushtetuta dhe jo arbitrariteti i shumicës në pushtet, veçse tek ne sot kushtetuta përdoret si plastelinë në varësi të vullnetit të shumicës. Për ta ilustruar këtë mjafton të përmendet që kodi elektoral, i cili është një ndër kodet themelorë përbërës të konstitucionalizmit, është hedhur e përdredhur sipas qejfit vetëm pak muaj para zgjedhjeve.
Me pak fjalë unë dëshiroja të nxisja lexuesit  që të nxirrnin mësime nga historia dhe të depersonalizonin vizionin e tyre politik. Ata duhet që mos të shikojnë vetëm individët që ofrohen por edhe alternativat. Për të mirën e tyre dhe të vendit ata duhet ta rikthejnë besimin tek institucionet e sistemit dhe duke filluar me votën e lirë ata të ndëshkojnë ata që i kanë bllokuar këto mekanizma vetërregullues të liberal-demokracisë. Ky sistem nuk është i përsosur por siç thoshte Çërçilli është sistemi më i keq përveçse çdo sistem tjetër që është provuar (përfshi këtu despotizmin e ndritur). E përderisa nuk ka më të mirë atëherë le ta rilegjitimojmë sistemin dhe të mbështesim atë politikë e ata politikanë që premtojnë se do ta rivënë në punë liberal-demokracinë shqiptare.
 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top