QORRSOKAKU I LIBERALIZIMIT SOCIALIST TE ARSIMIT TE LARTE
Botuar tek gazeta Panorama
Â
Â
Me afrimin e vitit të ri shkollor, çështja e liberalizimit të shkollave të larta është bërë mbizotëruese në debatin publik. Edhe pse për maturantët e sapodalë nga shkollat e mesme kjo çështje tingëllon e ëmbël pas shmang ethet e provimeve të pranimit, për shumicën tjetër të popullsisë kjo duket gjë e çuditshme dhe tepër e befasishme. Kjo pasi këtë tezë të liberalizimit ata e dëgjuan për herë të parë në fushatën e PD-së dhe e panë pak kohë më pas të vënë në jetë nga qeveria socialiste pa kurrfarë parapërgatitje. Por ndryshe nga çuditë e tjera që zgjasin vetëm tre ditë, pasojat e kësaj çudie kanë për të zgjatur shumë. Është e çuditshme edhe për ata që merren me arsimin të cilët e dinë se edhe në vende të zhvilluara si Anglia, përqindja e maturantëve që shkojnë në shkollë të lartë vërtitet tek 50%. Ne me lëvizjet e fundit ne po përpiqemi ta bëjmë 100%, ndërkohë që e kemi tashmë 74%.
Disa nga argumentet që po përdoren në favor të liberalizmit në një farë mënyre qëndrojnë. Është e dobishme për vendin që të kemi më shumë student dhe procedurat e deritanishme të përzgjedhjes së studentëve që futen në shkollën e lartë kanë lënë shumë për të dëshiruar. Nga njëra anë konkurset i kanë hapur rrugën një korrupsioni masiv për të siguruar marrjen e të drejtës së studimit duke ia hedhur konkursit. Nga ana tjetër kanë çelur një treg jo dhe aq të moralët të kurseve të shtrenjta të parakonkursit të organizuara nga pedagogë të cilët i mësojnë studentëve ato çështje e ato përqasje që ata do të përfshijnë në tezat e konkurseve të pranimit. Dhe këto dy pasoja i kanë bërë konkurset të pabesueshëm dhe jo efikas Nëse përdoret mesatarja atëherë lindin dy probleme të tjera. Nga njëra anë është qesharake që të privohet nga e drejta për të studiuar për inxhinieri, një maturant që ka mesatare të ulët sepse ka marrë nota të ulta në letërsi dhe fizkulturë. Nga ana tjetër mesatarja e marrë nga një maturant i fshatit Lapardha të Beratit apo Vlorës, nuk ka të njëjtën vlerë me mesataren e dalë nga shkollat e mesme të kryeqytetit ku kërkesa e llogarisë është shumë më e lartë. Porse problemi i numrit të ulët të studentëve në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë problemi i mungesës së një sistemi efikas të përzgjedhjes së studentëve që futen ne universitet, nuk e gjejnë zgjidhjen më efikase tek një politike që shqyen dyert e shkollës së lartë pa bërë paraprakisht ndryshime të tjera thelbësore në organizimin, menaxhimin dhe financimin e këtyre shkollave.
Dhe kjo politikë mund të konsiderohet një qorrsokak për arsye që janë ndryshe nga ato që përmenden sot dendur. Sot pretendohet nga shumë se shteti nuk ka ambiente dhe pedagogë për të përballuar një liberalizim të plotë. E vërteta është se për të përballuar futjen e gjithë maturantëve në shkollën e lartë, mjafton që shteti të shkrijë institutet kërkimore të varura nga akademia e shkencave (gjë që e kanë bërë shumë kohë më para vendet e tjera ish-komuniste) dhe të vëri ndërtesat e tyre dhe personelin e tyre shkencor në funksion të departamenteve universitare. Problemi i vërtetë qëndron tek shpejtësia me të cilën zbatohet liberalizimi i arsimit të lartë dhe tek shpërfillja e shumë implikimeve dhe pasojave të pakëndshme që do të shkaktojë ky liberalizim. Pra nuk është çështja se a mund të realizohet liberalizimië Por çështja është sa i dëshirueshëm është liberalizimië Përpara se të bëhet ky liberalizimi duhet të qartësohet roli i shtetit në lidhje me arsimin e lartë. A duhet të jetë shteti thjesht pronar dhe menaxhues i institucioneve të arsimit të lartë, thjesht financues i arsimit të lartë,  apo të dyja bashkë siç ndodh tek neë
 Që shteti është një menaxhues dështak këtë gjë e kemi provuar mjaft mirë në kurrizin tonë si pasojë e 50 viteve të komunizmit kur gjithë ndërmarrjet ishin shtetërore. Prandaj edhe përkrahet procesi i privatizimit, sepse biznesi privat bën të mundur kost-efektivitetin e një ndërmarrje. Po të aplikohet i njëjti parim tek arsimi i lartë, atëherë shihet që është e kotë që shteti të japë arsim të lartë përderisa ka sipërmarrës që kanë hapur shkolla të larta private dhe ka të tjerë që kanë dëshirë të hapin të tilla nëse i pranohen kërkesat. Përjashtim këtu mund të bëjnë ato degë që janë të një rëndësie të veçantë për vendin tonë si degët albanologjike (historia, arkeologjia, gjuhësia) dhe ato ushtarake, si dhe ato degë që përndryshe vështirë se do të tërhiqnin kapital privat për t’u hapur, si filozofia apo sociologjia. Ka shumë degë të tjera për të cilat ka boll njerëz që janë të gatshëm të paguajnë që të futen ose për të cilat ka syresh që janë të gatshëm të investojnë që t’i hapin si shkolla. Dhe këtu lidhet edhe roli i dytë që luan sot shteti në arsimin e lartë, ai i financimit të tij.
Arsimi i lartë është fakultativ dhe është në një farë mënyre investim i sigurte për një individ pasi ata që mbarojnë shkollën e lartë pritet të marrin të ardhura më të lartë dhe të arrijnë një status shoqëror më të lartë se të tjerët. Kur shteti nuk paguan për bukën e njerëzve e cila është më e domosdoshme për një njeri, atëherë pse u dashka që të paguajë për universitetinë Dhe kjo gjë dihet prandaj shumë njerëz janë të gatshëm të paguajnë për t’u arsimuar në universitete. Disa vite më parë kur u vendosën kuota studentësh me pagesë, u pa e qartë se numri i studentëve që janë të gatshëm për të paguar për të ndjekur disa kurse si juridiku, gazetaria etj. ishte shumë herë më i lartë se kuotat e caktuara për ta. Prandaj këtyre të fundit iu duhej që përveçse të ofronin para, të merrnin edhe një sasi të kënaqshme pikësh në konkurs. Gatishmëria dhe mundshmëria për të paguar shkollën e lartë shikohet edhe nga numri jashtëzakonisht i madh i studentëve që janë futur në shkollë part- time me pagese. Prandaj duhet flakur tutje miti që arsimi i lartë duhet të jetë falas për të gjithë dhe se shqiptarët nuk kanë takat që ta paguajnë. Ç’faj kanë familjet që nuk kanë fëmijë ose që nuk i çojnë fëmijët në universitet që me taksat e tyre të paguajnë shkollën e 1.5% të popullsisë së privilegjuar që ndjekin arsimin e lartëë Ç’kusur kanë familjet që duan ti çojnë fëmijët në shkolla private apo shkolla jashtë vendit që të paguajnë dyfish për arsiminë Në fakt qënia falas e universitetit është një ndër shkaqet e cilësisë së ulët ta shkollave tona. Shumica e studentëve nuk janë të përkushtuar se nuk e paguajnë vetë mësimdhënien por buxheti i shtetit, dhe nuk kanë ç’të humbasin prandaj i lënë pas dore detyrat e shkollës dhe nuk ndjekin rregullisht orët e mësimit, gjë që nuk ndodh kur ata ndjekin ndonjë kurs me pagesë të kompjuterit apo të gjuhëve të huaja. Bile shumë studentë abuzojnë dhe e shikojnë arsimin si një shtojcë të adoleshencës ose veprimtari zbavitëse shoqërore, si diçka që duhet bërë për të mos u ndarë nga shokët e gjimnazit.
Dikush mund të thojë se ka njerëz që pa shkollën falas, nuk do mund t’a paguanin universitetinë Në një rast të tillë unë personalisht do të preferoja përdorimin e sektorit të kreditimit për arsimin, por, medet, e di që shumica dërrmuese, nëpërmjet sistemit të demokracisë përfaqësuese, do vendoste ndryshe dhe do parapëlqente që të subvenciononte disa segmente të caktuara të shoqërisë. Mirëpo mbështetja e këtyre segmenteve të kufizuara të shoqërisë nuk do të thotë që të hapen shkolla enkas për ta (pra nuk justifikon rolin e parë të shtetit dmth të zotërimit dhe menaxhimit të institucioneve të arsimit të lartë), por mund të realizohet duke paguar drejtpërdrejtë pjesëtarë të këtyre grupeve nëpërmjet bursave, dhe këta të fundit të lejohen të shkojnë në shkollën që duan. Futja e një sistemi subvencionimi pozitiv nëpërmjet bursave ose kuponëve që iu jepen të varfërve apriori, në fakt do të ndihmojë në rritjen e konkurrencës e për rrjedhojë cilësisë së shkollave. Këta të varfër duke vendosur që t’i shpenzojnë bursat apo racionet e mbështetjes që marrin nga shteti në shkollën që ofron shërbimin më të mirë për ta (qoftë kjo edhe jashtë vendit), në këtë mënyrë detyrojnë shkollat që të konkurrojnë dhe përmirësojnë cilësinë. Mirëpo deri më sot të drejtat e studimit dhe bursat për këto minoritete vendoseshin në mënyrë arbitrare e me përpikmëri nga shteti.
Për rrjedhojë, me disa përjashtime (për të përmbushur këto përjashtime mjafton universiteti publik i Tiranës), ndërhyrja e shtetit në arsimin e lartë në kushtet e një shteti të lirë demokratik është e pajustifikuar. Prandaj të hapësh një universitet të ri në Berat dhe një në Fier do të thotë që të paguash me taksa publike ndërtimin e një ndërmarrje publike për prodhimin e një malli që fare lehtë e me një cilësi shumë më të mirë mund ta prodhojë një ndërmarrje private. Prandaj liberalizimi nuk do bëj gjë tjetër veçse do deformojë tregun shqiptar, dhe do pakësojë mundësinë që të tërhiqet kapitali privat në arsimin e lartë (është e natyrshme që rritja e pranimit tek fakulteti juridik do të dëmtojë në mënyrë të drejtpërdrejtë fakultetin juridik privat Luarasi.. Kjo gjë do të thotë që fatura publike e paguar për arsimin e lartë do jetë me e lartë dhe biznesit privat nuk do t’i jepet mundësia ta lehtësojë atë nëpërmjet shkollave private. Do të thotë që nuk do të shijojmë rritjen e cilësisë dhe larmisë së ofertës që realizon oferta private. Sa të lehtë e ka që të konkurrojë një shërbim si arsimimi privat, kur konkurruesi bën dumping e ta jep atë falas. Është njësoj sikur para restorantit tuaj dikush të hapi një mensë që jep ushqim falas. E vetmja mënyrë që të mbijetohet është shndërrimi i restorantit në luksoz. Mirëpo kjo gjë nuk mund të bëhet lehtë për arsimin pasi nëse shkollat e larta private bëhen shkolla luksi numri i atyre shqiptarëve që mund të paguajnë këtë luks zvogëlohet aq shumë sa që mund të mos jetë i mjaftueshëm sa ta mbajë këtë shkollë hapur (kjo është mbase një ndër arsyet pse shkollat e larta private shqiptare sot kanë kaq pak studentë). Plus që ata që janë shumë të pasur mund të shkojnë shumë më lehtë jashtë vendit prandaj shkollat private të larta e kanë si shansi të vetëm për të ecur pasjen si klient të shqiptarit të mesëm dhe jo të atij shumë të pasur. Prandaj për dëmin që i bën tregut kjo politikë, vetëm politikë liberalizimi nuk meriton të quhet, pasi liberalizmi si kuptim klasik ka dorën e fshehtë të tregut dhe jo ndërhyrjet e shtetit.
Ky artikull nuk pretendon që të shpjegojë problemet e arsimit apo zgjidhjet e tyre, por thjesht synon të tregojë se implikimet e kësaj politike janë shumë të mëdha prandaj një reformë e arsimit të lartë kërkon një studim më të kujdesshëm e më të plotë. Prandaj kjo politikë etatiste e pseudo-liberalizimit të arsimit të lartë është një qorrsokak nga ku bëjmë mirë të dalim tani qe jemi ende pa u futur mirë.
Â