Vesi i proletariatit

Vesi i proletariatit

Vesi i proletariatit
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

 

Kudo nëpër Shqipëri dëgjohet të përseritet pareshtur shprehja “nuk paguhem sa duhet”. Janë të panumërt njerëzit të cilët ndihen të pakënaqur me pagën që marrin dhe që ankohen duke ia veshur fajin punëdhënësit. Mirëpo se si mund të matet në mënyrë objektive se sa “duhet” të jetë paga e këtyre personave që këta të ndihen të kënaqur askush nuk e thotë. Sipas të pakënaqurve rroga e përshtatshme duhet të respektojë nivelet e “larta” të “vlerës”, “rëndësisë”, “standardeve” të kontributit që ata japin, pra “duhet” të jenë sa t’u teket punëtorëve që të quhen rroga të padrejta. Përndryshe, e gjithë marrëdhënia konsiderohet si një marrëdhënie shfrytëzimi dhe punëdhënësit thirren kapitalistë të pashpirtë dhe të pandershëm që kinse nuk humbasin rast për të abuzuar me proletarët e vuajtur, thua se punëdhënësi po i mban me zor punëtorët. Mirëpo lind pyetja: nëse duke u bërë kapitalist qenka kaq e lehtë që të nxirren lehtë paratë duke shfrytëzuar pa shumë mund të tjerë dhe duke ditur faktin që në vendin tonë është goxha e lehtë të hapësh një biznes, atëhere çfarë i pengon këta rrogëtarë të shndërrohen në sipërmarrësë A mos vallë sepse në realitet nuk është dhe aq e lehtë me qenë biznesmenë A mos vallë sepse rehatia e një pune me rrogë do të zëvendësohet nga ankthi dhe stresi i një biznesi që gjithmonë ngelet në mëshirën e tregut apo peng i tekave të konsumatorëveë More...
Një retorikë kjo padyshim e skalitur thellë në shoqërinë shqiptare gjatë pesë dekadave të komunizmit që shpresonim ta kishim hedhur tërësisht prapa. Në kushtet e Shqipërisë ata fatlumë që kanë një vend pune, në vend që të përpiqen të punojnë sa më mirë e të bëjnë karrierë, më shumë  e kalojnë kohën duke u qarë për rrogat paçka se ka rreth 30% të popullsisë tek ne që nuk kanë fare punë. Fatkeqësisht tregu ynë i punës nuk ka ngelur i paprekur nga deformimi i thellë i ekonomisë së tregut dhe në perceptimet e shumë shqiptarëve ende nuk kuptohet roli i pashmangshëm që ka mekanizmi ofert-kërkesë në përcaktimin e çmimit të një pune. Mjafton të shkohet tek ushtari i panjohur për të parë se të gjithë ata që kërkojnë punë kërkojnë të njëjtën pagesë paçka se dikush është më i aftë apo i bëshëm e për rrjedhojë më i përshtatshëm për një punë. Bile edhe kur kalon dita, prapë shumë syresh preferojnë që të mos pranojnë fare që të punojnë sesa të ulin çmimin për pagesën.
Për rrjedhojë të kësaj prirje ankuese që gjendet në Shqipëri, imazhi shpërfillës dhe përçmues ndaj sipërmarrësve punëdhënës nuk po rehabilitohet ende. Janë të rrallë ata që kanë arsyen dhe kurajën që ta shohin çështjen me të tjera lente duke vlerësuar faktin që sipërmarrësit janë të paktën duke hapur vende pune, gjë që zë prioritetin kryesorë. Zakonisht marrëdhënia midis punëtorëve dhe punëdhënësve shikohet me paragjykim duke favorizuar apriori punëtorët, ndërkohë që punëdhënësit përçmohen dhe shikohen me dyshim. Mirëpo po të bëjmë një analizë të marrëdhënieve tipike mes një punëdhënësi dhe punëtori del qartë se më i favorizuar është punëtori sesa punëdhënësi.
Kështu rroga është një shpërblim i matshëm, i prekshëm, real dhe konkret dhe për të bihet dakord pas një negocimi me punëdhënësin. Ky i fundit detyrohet të japë si rrogë aq sa të mundet në kushtet e tregut të lirë dhe të kërkesë ofertës që ekziston në tregun e punës.
Mirëpo punëdhënësi e jep rrogën për një pozicion me shpresën se puna në pozicion do të jetë e përmbushur. Padyshim që në kontratën e punës mund të vendosen me detaje termat e referencës apo përshkrimi i punës, megjithatë këto detaje nuk janë të matshme, prekshme dhe konkrete sa ç’është rroga e cila përmblidhet në një numër të vetëm.
Gjithashtu kur në një kontratë përcaktohet rroga, ajo ngelet e pandryshueshme dhe është jashtëzakonisht e lehtë për një punëtor që të dalloje se nuk po i jepet haku. Mjafton që të shohë se në bordero po firmos për një shifër tjetër për të kuptuar se pala tjetër e kontratës, pra punëdhënësi, nuk është duke iu përmbajtur kontratës. Fare lehtë punëtori mund të marri një kopje të borderosë ose një balancë nga banka për sasinë e parave të derdhura si rrogë në llogarinë e punëtorit, si dhe kopjen e tij të kontratës së punësimit, dhe të shkojë e ta hedhë në gjyq punëdhënësin për mosrespektim kontrate.
Pra po të bëhet krahasimi punëtori e ka të mundur të sigurojë  maksimumin nga punëdhënësi në formën e një rroge të prerë e të matshme porse për punëdhënësin nuk është aq e lehtë pasi nuk mund të jetë kurrë i sigurtë nëse është duke siguruar maksimumin nga punëtori. Asnjëherë nuk mund të sigurohet një punëdhënës që punëtori është duke punuar me maksimumin e kapaciteteve, aftësive apo vullnetit dhë që po jep maksimumin e rendimentit për pozicionin ku është vënë paccka se vetë punëdhënësi ka dhënë si rrogë maksimumin që mundte për atë vend pune. Pra punëtori mund të jetë në një punë, ta marrë rrogën e plotë sipas kontratës, por të mos jetë duke punuar me zellin e duhur për atë vend pune. Atëhere çfarë ndodh me punëdhënësin nëse punëtori bën sikur punon. Ndryshe nga rasti i mësipërm punëdhënësi e ka shumë të vështirë që të provojë se punëtori nuk po i përmbahet kontratës duke mos dhënë maksimumin në punën ku ai është pajtuar.  Këtu mund të përjashtohen disi punët me normë që më shumë se pozicione të mirëfillta punësimi ngjajnë me kontrata shërbimesh ku blihet vetëm produkti dhe jo krahu i punës.
Gjithësesi ajo që vlen të vihet në dukje është se ndryshe nga ccfarë mendohet, në një marrëdhënie kontraktuale mes një punëtori dhe një punëdhënësi, është punëdhënësi ai që është më i disfavorshmi pasi punëtori ka më shumë hapësiër për t’i bërë bisht kontratës pa u vënë re dhe pa u lagur. Kjo është arsyeja pse në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës punëdhënësi që e kuptuan këtë problem preferuan që të vendosnin rroga më të larta dhe të motivonin punëtorët duke iu dhënë aksione pra duke i bërë pjesë të pronës së kompanisë. Ata e panë se është më mirë që t’i motivosh punëtorët duke i dhënë një copë të fitimit me aksione ose duke i joshur me rroga më të larta nëse ata rrisin produktivitetin, sesa ti mbikqyrësh ata dhe t’i detyrosh të punojnë me zor për të zbatuar kontratën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top