A duhet subvencionuar bujqësia jonëë

A duhet subvencionuar bujqësia jonëë

A duhet subvencionuar bujqësia jonëë
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

Gjithmonë në Shqipëri kur flitet për fshatarësinë, ajo përmendet në një farë mënyre me keqardhje dhe ndjenjë faji. Me thënë të vërtetën gjendja e fshatarësisë shqiptare me të vërtetë lë për të dëshiruar dhe është në pikë të hallit. Kjo pasi në fshatra mungojnë shumë prej gjerave më minimale si uji, dritat apo të tjera gjera të infrastrukturës e cila zakonisht është e përqendruar në qytete. Për mos të folur pastaj që bujqësia dhe blegtoria janë në kushtet e mesjetës ku gjithçka bëhet me duar dhe vegla primitive me minimumin e mekanikës bujqësore dhe kimikateve.
Kjo gjendje e keqe interpretohet shpesh si një përgjegjësi publike që justifikon shumë dendur subvencionimet apo favorizimet jo vetëm në Shqipëri por shumë shpesh edhe në vende të tjera. Mirëpo gjendja e fshatarësisë shqiptare në një farë mënyre është dëshmi e dështimit të sistemit të mirëqenies sociale që ka për qëllim rishpërndarjen dhe ndihmën e drejtpërdrejtë dhe jo vendosjen para konkurrencës të kësaj popullsie dhe rehabilitimin e rregullave të ekonomisë së tregut. More...
Forma e parë e manifestimit të këtij lloji favorizimi apo subvencionimi është proteksionizmi i mallrave bujqësor. Ndryshe nga prodhimet e tjera apo shërbimet e ofruara nga të tjerë operatorë ekonomik në një vend, prodhimet bujqësore trajtohen pothuaj gjithmonë në mënyrë të privilegjuar duke ngritur barriera ndaj importeve që vijnë nga jashtë. Janë të shumtë në Shqipëri që pikëllohen se po blejnë mollë apo domate nga jashtë ndërkohë që nuk e vrasin mendjen se blejnë një celular finlandez nokia apo një biletë avioni të një linje ajrore të huaj.
E njëjta situatë mund të thuhet edhe për subvencionet që iu bëhen fshatarëve. Shumica e subvencioneve dhe inkurajimeve ekonomike të mundshme bëhen për bujqësinë dhe jo për sektorë të tjerë ekonomikë që mbase mund të jenë më rentabël dhe të kenë potencial për t’u zhvilluar. Mirëpo ndryshe nga bankat private të cilat japin kredi për biznese që dëshmojnë se kanë mundësi për të ecur përpara, kreditë e favorizuara apo subvencionet për fshatarësinë jepen vetëm me motivin e gjendjes së keqe ekzistuese të tyre pacaka se kjo ndihmë nuk ka për të zgjidhur gjendjen e tyre. Shpesh kjo ndihmë që iu bëhet fshatarëve ka thjesht një rol lehtësues të përkohshëm por kurrsesi nuk i bën bizneset bujqësore detyrimisht konkurruese. Që një biznes të bëhet konkurrues duhet që t’i nënshtrohet garës në treg dhe për të provuar në do ecë apo jo duhet që të përballet me konkurrencën menjëherë dhe jo të favorizohen apo subvencionohen në kushte artificiale. Kjo pasi sapo ky subvencionim apo favorizim të hiqet, gjithçka kthehet si më parë. Kjo është situata në vendet e Bashkimit Evropian sot ku ndihma dhe subvencionimi ndaj bujqësisë është aq e madhe dhe aq e gjatë sa ka krijuar një varësi të rëndë ndaj tyre dhe në momentin kur këto ndihma dhe subvencionime hiqen, fill pas falimentojnë edhe ndërmarrjet bujqësore të ndihmuara. Mirëpo subvencionimi i mallrave nga vendet e Bashkimit Evropian i heq edhe ato pak shpresa të zbehta prodhimit shqiptar pasi edhe po të subvencionohet bujqësia shqiptare ajo prapë do e ketë të vështirë që të konkurrojë prodhimet e subvencionuara evropiane.
Po të analizohet pse është e prapambetur gjendja e fshatarësisë shqiptare, padyshim filli gjendet tek parcelizimi që erdhi si pasojë e ligjit të shumëpërfolur të tokës që erdhi në fuqi në fillimin e viteve nëntëdhjetë.  Mirëpo edhe pse ka kaluar një dekadë e gjysmë qëkurse toka është parcelizuar, zor se shikohet ndonjë proces përqendrimi të tokës. Dhe në kushtet kur zotërohet vetëm një sasi e kufizuar toke, natyrisht që është e vështirë të investosh shumë për aq pak. Pra nuk ia vlen të blesh mekanikë bujqësore moderne po qe se zotëron, të themi, dy hektar, e njëjta gjë me investimet në irrigacion apo plehra, insekticide e pesticide. Maksimumi ku mund të investohet siç është vënë re, është serra të cilat me sa duket janë ende rentabile, për sa kohë ka proteksionizëm ekonomik ndaj importeve. Për prodhimet e tjera bujqësore thjesht nuk ka mundësi që të bëhen investime serioze sepse vështirë se mund të jenë rentabile dhe të justifikojnë paratë e hedhura. Aq më tepër që investimet në bujqësi janë afatgjata dhe nevojisin shumë kohë për t’u shlyer.
Dy ndër arsyet që si të thuash mbajnë gjallë shpresën e shqiptarëve janë përvoja e tyre në Greqi apo Itali dhe kujtesa e së kaluarës. Një pjesë e mirë e shqiptarëve emigrantë në Greqi dhe Itali punojnë në bujqësi dhe kjo jep iluzionin se fare mirë mund të prodhonin atë që punojnë atje edhe në Shqipëri, pa ditur që prodhimi bujqësor grek subvencionohet në mënyrë bujare nga fonde strukturore të BE-së si pjesë e politikës së përbashkët bujqësore. Kujtesa e së kaluarës ka të bëjë me faktin që shumëkush mban mend faktin që shqiptarët eksportonin në Evropën Perëndimore mallra bujqësore dikur dhe kjo sipas tyre mund të përsëritet me pak ndihmë nga qeveria. Mirëpo ajo që ata nuk kuptojnë është se ato mallra ishin rentabile, pra dilnin me fitim në kushtet kur bujqit punonin si bujkrobër që nuk kishin mundësi të zgjidhnin punën, rrogën dhe vendbanimin, punonin në fusha me grurë dhe hanin misër, prodhonin në serra për eksport domate e kastravecë në dimër dhe mund t’i hanin këto perime vetëm në behar. Në kushtet  e quasi-skllavërisë padyshim që bujqësia është fitimprurëse sikurse janë shumë me fitim disa kompani kineze që përdorin punën e detyruar të burgosurve të cilët paguhen me qindarka. Mirëpo në kushtet e sotshme shqiptare këto rrethana janë të pamundura njëherë e mirë.
Por edhe sikur ta zëmë se subvencionimet ndaj fshatarësisë të kishin efekt afat-mesëm, se po të investohet mjaftueshëm e të pritet bujqësia jonë do të ringjallet. Por kemi një dimension tjetër të botës rurale shqiptare që duhet lënë pas dore. Duke subvencionuar ne i japim shpresa fshatarëve dhe i lidhim me tokën, i vëmë në pritje. Por a është mirë që të nxisim fshatarët shqiptar që të rrinë e presin në fshat duke i dekurajuar për rrjedhojë që të kërkojnë fat më të mirë në qytet dhe të shijojnë të mirat dhe rehatinë që sjell jeta urbaneë A është jetë për t’u pëlqyer jeta e fshatrave tona, edhe në rastin kur bujqësia ecënë Mbase duke subvencionuar bujqësinë ne pengojmë vijimin e procesit të natyrshëm të urbanizimit të shoqërisë shqiptare duke e lënë atë në prapambetje dhe disnivele të jashtëzakonshme. Kjo është një tjetër arsye pse shteti duhet të heq dorë nga subvencionimi i bujqësisë shqiptare, subvencionim që kryhet qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë me fonde, kredi të lehtësuara apo investime publike dhe qoftë në mënyrë të tërthortë me tarifa të larta doganore, kuota dhe rregullime të tjera.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top