Të gjithë për pavarësi të plotë

Të gjithë për pavarësi të plotë

Të gjithë për pavarësi të plotë
Botuar tek revista Klan
 Pasi u krijua përshtypja që pakoja e Ahtisarit do të ishte edhe pilula e fundit e hidhur që do të gëlltisnin kosovarët për të arritur pavarsinë dhe do t’i jepte fund kllapisë së sistemit aktual hibrid që është vendosur në Kosovë prej daljes së rezolutës 1244, e gjithë situata përmbyset dhe rifillon nga e para në një spirale pasigurie dhe paqartësie. Kokëfortësia e Serbisë ëshë me të vërtetë shëmbullore dhe tronditëse dhe dëshmon për një shoqëri të sëmurur rëndë nga nacionalizmi i tepruar që noton kundër rrymës së integrimit evropian dhe atlantik. Askujt nuk mund t’ja priste mendja që Serbia do të refuzonte kulaçin e ofruar nga komuniteti ndërkombëtar që në rastin konkret konsistonte në një proces të përshpejtuar integrimi në BE dhe NATO dhe në asistencë bujare. Lidhja e serbëve me territorin është aq e ngushtë sa ata  ishin të gatshëm të refuzonin premtimin e integrimit pa kurrfarë hezitimi sikurse pa kurrfarë hezitimi nuk nguruan të fusnin veten në konflikt me gjithë botën e qytetëruar gjatë vitit 1999. More...
Megjithatë në kushtet kur Serbia është duek mos pranuar planin Ahtisari, shqiptarët kanë rënë në grackën e diplomacisë së sofistikuar serbe duke e mbrojtur me aq zell pakon e Ahtisarit, sikur ajo të kishte qenë lule. Në fakt duhet thënë që ajo pako nuk ishte aspak e favorshme për shqiptarët por ishte maksimumi që teoricienët ndërkombëtarë mund të zhvasnin nga të drejtat e vetëvendosjes së shqiptarëve dhe maksimumi i privilegjimit që mund t’i bëhej një minoriteti pa degjeneruar plotësisht konceptin e pavarsisë dhe pushtetit të shumicës.
Mjafton të përmendet fakti që serbët përbëjnë diku tek 6% të popullsisë dhe ndërkohë do të shtinin në dorë kontrollin e një numri të konsiderueshëm komunash me disa mekanizma gerrymandering që iu jepnin atyre një shumicë absolute minimale të brishtë në disa territore ku banojnë edhe shqiptarët. Në pak fjalë nëpërmjet këtij lëshimi Serbët do të kontrollonin rreth qeverisjen vendore të rreth 40% të territorit të Kosovës. Dhe bëhet fjalë për një sistem qeveritarë jashtëzakonisht të decentralizuar ku qeverisja e mirëfilltë do të bëhej në nivel vendor. Kjo pasi qeverisja qendrore do të ishte nën darrën e shumë kufizimeve të tjera dhe do të ishte nën një kontroll permanent të komunitetit ndërkombëtar. 
Mirëpo shtyrja e vendosjes së statusit përfundimtar të Kosovës me 120 ditë të tjera në fakt e vë në pikëpyetje edhe planin Ahtisari i cili në fakt ishte skaji i kompromisit që mund të bënin shqiptarët për hir të pavarsisë. Mirëpo këto negociata po nxjerrin alternativa apo skenare të reja në fakt jashtëzakonisht të hidhura për shqiptarët. E gjithë kjo situatë sjell një ndjenjë të hidhur deja vu të krahasueshme me atë që ndodhi në Rambuje. Shqiptarët u detyruar të firmosnin propozimin e Rambujesë i cili në fakt  ishte i disfavorshëm për shqiptarët pasi garantonte integritetin territorial të Jugosllavisë. Por edhe asokohe, edhe pse shqiptarëve iu desh që të toleronin ndjeshëm e të përkuleshin ndaj presionit ndërkombëtar duke firmosur një marrëveshje aspak të favorshme për aspiratat e kosovarëve, prapë se prapë serbët nuk e firmosën atë marrëveshje, dhe ajo që ndodhi më tej ishte një katastrofë e vërtetë humanitare e mirëdokumentuar.
Në këto momente ironikisht, politikanët shqiptarë me durim të sosur janë duke himnizuar me të padrejtë pakon e Ahtisarit sikur ajo të ishte ujdia më e mirë e mundshme për shqiptarët. Në fakt ajo ishte krejt e kundërta, ujdia me e keqe për shqiptarët në kushtet e një shteti sovran. Megjithatë kosovarët e konsideruan si një kosto të tolerueshme për hir të qëllimit të pavarsisë finale. Mirëpo në kushtet kur serioziteti i negociatave është në pikëpyetje dhe pressingu vjen duke u shtuar në kurriz të interesave të shqiptarëve, kërcënimi me një shpallje të njëanshme të pavarsisë duket si rrugëdalja e vetme nga kjo lëvizje cirkulare ku vallen e heq Rusia me Serbinë. Në këtë situatë kosovarët duhet të marrin sërish në duart e tyre frenat e fatit të tyre duke marrë një iniciativë kurajoze e duke mos lëshuar pe. Fundja po qe se Sllovenët a Kroatët do të kishin dëgjuar komunitetin ndërkombëtar asokohe nuk do e kishin shpallur vetë pavarsinë dhe mbase do kishin ngelur ende brenda Jugosllavisë po të mos kishin pasur kurajo që të shkëputeshin nga kompeksiteti i inferioritetit ndaj ndërkombëtarëve.
Mirëpo kur thuhet shpallje të njëanshme të pavarsisë kësaj radhe kjo deklaratë duhet të bëhet duke folur për një pavarsi të plotë, për të krijuar një shtet sovran demokrat i cili do të garantojë standardet me të larta të respektimit të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të minoriteteve në veçanti. Pra nëse Serbia nuk pranon as pakon Ahtisari, kosovarët duhet të shpallin pavarsinë e njëanshme të plotë dhe të përdorin këtë lëvizje si kërcënim, si alternativë ndaj kokëfortësisë së serbëve, e jo të kërcënojnë me adoptimin unilateral të pakos Ahtisari sikurse po dëgjohet të flitet tani. Kosova meriton të jetë shtet i pavarur fundja në OKB ka të paktën 34 shtete me sipërfaqje më të vogël se Kosova dhe ka të paktën 56 shtete që kanë popullsi më të vogël se ajo e Kosovës. Ky duhet të jetë edhe qëndrimi zyrtar i Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët duhet ta dëshmojnë mbështetjen e palëkundur e pakompromis për pavarsinë e Kosovës duke dalë në manifestimin e pasdites së datës 15 nëntor që zhvillohet tek sheshi Nënë Tereza.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top