Ideologjizimi i Partisë Socialiste: Më në Fund
Botuar tek gazeta Panorama
Një ndër të rejat më të fundit në jetën politike shqiptare ka qenë padyshim krijimi i fondacionit politik Qemal Stafa si një fondacion politik që synon të ideologjizojë Partinë Socialiste. Mbase emri në fakt lë vend për paqartësi, partia së cilës i shërben quhet parti socialiste e themeluar në vitin 1991 mirëpo Stafa ka qenë komunist i partisë së themeluar në 1941. Gjithsesi qëllimi duket e qartë, nevoja për t’i dhënë një ngjyrë, një identitet dhe një platformë politike partisë socialiste.
Artikulli titullohet më në fund, sepse pothuaj tre vite më parë kur me kolegët e mi filluam që të përpiqeshim të ideologjizonim debatin publik në përgjithësi dhe ndikonim në ideologjizimin drejt liberalizmit të partisë demokratike në veçanti, përpjekja jonë hasi shpesh në goxha rezistencë e kundërshtim. Prandaj vlen që të nxirret në pah fakti që kjo përpjekje tanimë po përfshin edhe të majtën duke kompletuar në një farë mënyre hapësirën e debatit ideologjik në politikën shqiptare. Për më tepër kësaj radhe kjo përpjekje vjen e institucionalizuar dhe shumë më serioze e konkrete sesa ka qenë përpjekja e Partisë Demokratike.
Tre vite më parë debati publik dominohej kryesisht nga një ligjërim shterp që përmendte koncepte amorfe si reforma standarde, matrica apo strategji ose stigmatizonte opozitën destruktive, konfliktin e interesit, anshmërinë etj. Bile jo vetëm që idetë bazë universale politike shikoheshin me përçmim por edhe vetë angazhimi konkret nëpër struktura dhe mbajtja e qëndrimeve të qarta politike konsiderohej si blasfemi.
Prandaj është për t’u vlerësuar që më në fund aktorë të shoqërisë civile si Erion Veliaj e kuptojnë që ndryshimet thelbësore politike nuk vijnë me mjete apo aktivitete paralele ndaj partive sikurse janë tryezat e rrumbullakëta, fletëpalosjet, peticionet, parakalimet mediatike të ngjyera me metafora a sarkazëm si dhe deklaratat e papërmbajtura patetike në emër të popullit apo interesit të publikut. Po kështu vlen për t’u përmendur fakti që më në fund e kanë treguar haptazi anësinë apo preferencën politike majtas individë që deri dje pretendonin paanshmëri apo objektivitet duke u maskuar prapa mburojës së statusit të shërbimit civil, shoqërisë civile apo ekspertizës profesionale.
Por ajo që padyshim meriton  të theksohet është se ideologjizimi i partive dhe debatit politik ka një dobi të jashtëzakonshme për zhvillimin e demokracisë shqiptare. Me ideologjizim politik të partive nënkuptohen pak a shumë dy aspekte së pari parashtrimi i një destinacioni, qëllimi, objektivi apo utopie politike. Pra bëhet fjalë për parti politike të cilat kanë nxjerrë në pah një apo disa synime për t’u realizuar duke pretenduar që këto synime janë superiore dhe meritojnë zotim intensiv politik të strukturuar në parti politike për t’u realizuar. Dhe këtu mund të variojnë brenda spektrit politik qëllime të tipit ndërtimi i ekonomisë së lirë të tregut, minimizimi i diferencimit apo pabarazisë sociale apo ruajtja apo theksimi i traditës apo vlerave të caktuara. Së dyti bëhet fjalë për programin, rrugën, instrumentet, itinerarin apo taktikat që përdoren për të realizuar një objektiv. Pra objektivi mund të jetë apo mos të jetë pikë dallimi për dy parti, por këto parti mund të dallojnë për nga rruga apo programi politik që kanë vendosur të ndjekur për të realizuar një objektiv të caktuar politik. Kështu për zhvillimin ekonomik liberalët do të parapëlqenin privatizimin, decentralizimin e vendim-marrjen apo derregullimin ndërkohë që socialistët do të ishin më shumë për një angazhim aktiv të shtetit në ekonomi, për rishpërndarje sociale apo vendosjes së masave të rrepta kontrolluese apo rregulluese në ekonomi. Â
Shqipëria karakterizohet për nga mungesa e ideologjisë dhe e koherencës së identitetit politik të aktorëve dhe partive politike. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme sepse gjithçka në veprimtarinë politike ngelet në dorë të arbitraritetit të aktorëve dhe partive dhe votuesit nuk e dinë nëse kur votojnë në një anë politike vullneti i tyre do të respektohet. Po të shihen sesi janë organizuar partitë politike kryesore shqiptare nuk shikon shumë dallime lidhur me mënyrën e organizimit, strukturimin dhe procesin e vendimmarrjes, identitetin partiak, ideologjinë, çështjet ku përqendrohen, mënyra e bërjes së karrierës brenda tyre, rrugët që ndiqen për rekrutimin dhe fushatimin. Gjithashtu është e vështirë të shikohen dallime lidhur me ndryshore të tipit domethënia e statusit social ekonomik, përkatësia krahinore, urbane, fetare e kështu me radhë.
Ajo që mund të konsiderohet e përbashkët dhe mund të përkufizohet me vija të trasha është se anëtarësia e partive politike është kryesisht e angazhuar për qëllime përfitimi material, në termat politik rent seekers, përfitues nga pushteti. Pra anëtarë të cilët janë angazhuar kryesisht për të siguruar pozicione, ofiqe të privilegjuara, tenderë apo kontrata të majme nga qeveria, politika apo ligje e rregullime favorizuese nga pushteti si dhe imunitet apo mburojë për veprimtari të paligjshme. Janë të paktë idealistët apo dishepujt e një kauze në partitë e ndryshme politike. Po të ishin më të shumtë partitë nuk do të ishin kaq amorfe apo fluide dhe nuk do të bënin lavjerrësin për sa i përket politikave që ndjekin kur janë në pushtet. Idealistët, ata që kanë një kauzë apo ngjyrë të caktuar politike janë kryesisht simpatizantët apo votuesit besnikë të njërës apo tjetrës parti.
Ideologjizimi i partive politike do t’i jepte një moral të ri politikës shqiptare e cila deri tani është vërtitur nëpër kulisa interesash meskin, përplasje egosh të liderëve dhe nënshtrime inferioriteti ndaj të huajve. Partitë do të kishin objektiva dhe platforma të qarta dhe votuesit do ta kishin më të lehtë të monitoronin e mbanin në kontroll përfaqësuesit e tyre politik duke patur si sistem referimi kursin ideologjik që ndiqet apo nivelin e realizimit të kauzës politike të përqafuar nga një parti e votuar. Ideologjizimi politik do të shërbente edhe si katalizator i qarkullimit të lidershipit apo elitës politike shqiptare. Madje mund të thuhet se përpjekja e fundit e Ramës për të krijuar këtë fondacion mund të konsiderohet një taktikë për të shmangur apo minimizuar rolin e Nanos dhe të kastës së vjetër të Partisë Socialiste.  Pa ideologji partitë mund të konsiderohen si anije që udhëtojnë pa kurs udhëtimi e pa destinacion e ku gjithçka është në dorë të vullnetit arbitrar të liderit apo klikës drejtuese. Po kështu anëtarësia lidhet kryekëput me kryetarin e partisë që shpërndan plaçkën e luftës sapo vihet dora mbi frerët e shtetit dhe ndërkohë vetë lideri shndërrohet në pjesë thelbësore të identitetit të partisë. Me ideologjizimin e partisë roli i liderit si simbol frymëzimi zbehet përkundrejt ideve të ndryshme universale si liria apo barazia sociale dhe po kështu autoriteti apo kryeneçësia e tyre minimizohet nga thellimi i shtratit ideologjik të një partie.
Futja e debatit përmbajtjesor ideor e programor do ta pastronte në një farë mënyrë elitën politike nga korrupsioni e pandershmëria pasi do të mobilizonte më shumë aktivistë të interesuar për qëllime ideore ose programore. Po kështu do të shërbente për të mobilizuar e përfshirë në jetën aktive politike grupe interesi apo idealistë të cilët janë të papërfaqësuar deri tani duke rritur pluralitetin dhe cilësinë e lojës politike. Partive politike do t’ju jepej rëndësia e duhur dhe mekanizmi i duhur veprues, do të rritej angazhimi që do të sillte përmirësimin rrënjësor të cilësisë së lidershipit.
Ideologjizimi i partive do të sillte gjithashtu edhe uljen e frymës konfliktuale në politikën shqiptare që vjen si pasojë e personalizimit të skajshëm të veprimtarisë politike. Në mungesë të debatit mbi idetë dhe vlerat debati është kryesisht ad hominem, pra mbështillet kryesisht rrotull kujt thotë diçka dhe jo rrotull asaj që thuhet. Rrotull formës dhe jo përmbajtjes, aktorit dhe jo skenarit. Kryesisht debati zhvillohet në formë dikotomike tipit ne më të mirë ju më të këqij, ne jemi ekspertë e ju injorantë, ne jemi të ndershëm e ju dallaveraxhinj, ne jemi punëtorë e ju dembelë apo ne jemi perëndimorë e ju të prapambetur.
Ideologjizimi politik është veçanërisht i nevojshëm sot pasi elita politike e vjetër ka dëshmuar atrofizim, komprometim e paaftësi e prandaj duhet ripërtëritur e zëvendësuar si dhe ndërkohë popullsia është gjithnjë e më e re dhe më amorfe politikisht. Dallimi politik majtë-djathtë në Shqipëri ka lindur si reagim ose si qëndrim ndaj regjimit komunist ku e djathta ka qenë kundër monizmit kurse e majta ka qenë kryesisht pro ose jo detyrimisht kundër. Mirëpo sot shqiptarët kanë një moshë mesatare tridhjetëvjeçare e shumica dërmuese nuk ka një opinion të qartë lidhur me komunizmin e për rrjedhojë e kaluara historike nuk mund të shërbejë si hendeku ndarësi sikurse ka shërbyer deri tani. Zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan për rritjen e volatilitetit apo zvogëlimin e besnikërisë dhe identitetit partiak në elektorat kur u pa për shembull që e majta fitoi nëpër qytete dhe e djathta në zonën rurale.