Pse duhen hapur tani dosjet e komunizmit

Pse duhen hapur tani dosjet e komunizmit

Pse duhen hapur tani dosjet e komunizmit
Botuar tek gazeta Panorama
  Këto ditë doli në botim dhe u promovua libri për Historinë e Shqipërisë të periudhës 1912 –2000 me autore Valentina Dukën dhe shtypur nga shtypshkronja e librit universitar.  Ky libër është me të vertetë interesant sepse trajton me kurajo një periudhë shumë delikate me një përqasje profesionale dhe metodologji moderne që shmang të folurën deterministe dhe përjashtuese dhe del në një moment kur media ka gëluar nga debati për historinë dhe është i mbushur me kujtime apo rrëfime historike. Autorja në këtë libër është përpjekur jo që të flasi politikisht korrekt por shkencërisht korrekt duke përgënjeshtuar në një farë mënyre debatet shterp  për rishkrimin apo mosrishkrimin e historisë pasi dëshmon se historia është shkencë që studiohet në mënyrë profesionale shkëputur nga përpjekjet e politikanëve që duan ta instrumentalizojnë. More...
Mirëpo ky libër pavarsisht se ka përdorur gjerësisht literaturën e huaj si dhe maksimumin e literaturës dhe arkivave të mundshëm të brendshëm nxjerr në pah vështirësinë thelbsore që has një historian që merret me këtë periudhë në Shqipëri, atë të pamundësisë për të shtënë në dorë arkivat kryesorë që hedhin dritë mbi këtë periudhë historike. Zbardhja e historisë bashkëkohore është pothuaj e pamundur në kushtet kur dosjet apo arkivat e Partisë së Punës dhe Sigurimit të Shtetit, dy institucioneve kyç të regjimit të kaluar, janë të padepërtueshme për studiuesit rigoroz.
Prandaj ka disa arsye për të cilat këto dosje duhen hapur tani. Së pari lidhet me dobinë apo prakticitetin e tyre. Në fakt nëse shikohet ndonjë aplikim praktik shoqëror për këtë disiplinë shkencore është pikërisht kuptimi i problemeve të kaluara për të bërë një diagnostikim të trashëgimive që kanë lënë sot dhe për të nxjerrë një kurë për të ardhmen. Në kohën që përjetojmë, mësimet më të volitshme që do mund të nxirrnim prej historisë do të vinin padyshim prej analizimit të historisë bashkëkohore shqiptare që do të thotë në pak fjalë se dobia maksimale nga hapja e dosjeve për zbardhjen e historisë bashkëkohore nxirret sot e jo në një të ardhme të largët. Përpos kësaj nëse na duhet të mbajmë një qëndrim etik ndaj kësaj çështje kuptohet që duke zbardhur tani historinë e regjimit ne mund të bëjmë edhe një homazh apo nderim të mirëfilltë ndaj viktimave të mbijetuara të regjimit. Të vuajturit në këtë mënyrë mund të marrin një nderim ose shpagim moral dhe xhelatët që ende vërtiten të shumtë, mirë që nuk u ndëshkuan, por të paktën kështu do mund të demaskohen e të zbohen të turpëruar nga sfera publike.
Argumenti i dytë që thekson domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve tani, ka të bëjë me vështirësitë që lindin nga vonesa në hapjen e tyre në formën e kostove oportune për rigorozitetin shkencor të disiplinës së historisë. Vonesa e mëtejshme e bën përdorueshmërinë e këtyre dosjeve shumë të vështirë pasi integriteti, cilësia apo mbijetesa e dokumentave vihet në pikëpyetje nga faktori kohë. Duke ditur kushtet ku shpesh katandisen që të ruhen këto dosje në një vend si Shqipëria, kuptohet që një ndër shqetësimet thelbësore lidhet me sigurinë e tyre lidhur me cënimet, fabrikimet, apo zhdukjen që mund t’iu bëhet nga palë të interesuara si dhe me mbijetesën e tyre fizike të varur nga kushtet e mirëmbajtjes.
Me kalimin e kohës në fakt zhduken edhe gjurmët apo shënjat e ngjarjeve të ndryshme historike dhe për rrjedhojë mosnxjerrja e dokumentave tani por në një kohë më të vonë e bën të vështirë rindërtimin e një ngjarjeje. Kështu për shembull burgjet e të dënuarve politik janë duke u shkatërruar nën peshën e viteve dhe do jetë shumë e vështirë që të rindërtohet apo rikonfigurohet ta zëmë një proces ku është bërë përdorimi i torturës në kushtet kur dosjet do hapen pas disa dekadash dhe vizita në vendngjarje do jetë e pamundur. Përpos kësaj ajo që është edhe më emergjente është humbja e dëshmitarëve. Biologjikisht  pas pak kohësh ne nuk do t’i kemi më dëshmitarët që i kanë përjetuar ngjarjet historike gjatë regjimit komunist dhe që mund të jepnin shpjegime apo të sqaronin kontekstin ku ka ndodhur diçka e rëndësishme. Duhet  thënë që shtypi është mbushur me rrëfime aktorësh apo dëshmitarësh të periudhës komuniste mirëpo këto janë shpesh rrëfime të gjymtuara, të papërcjella saktë nga harresa e viteve dhe nuk mund të vëmë dorën në zjarrë për objektivitetin apo ndershmërinë e këtyre dëshmive nëse panorama nuk plotësohet edhe me faktet e pakundërshtueshme të dosjeve që janë kyçur nëpër arkiva.
Nga ana tjetër shtyrja e mëtejshme e hapjes së këtyre dosjeve nuk është se ka ndonjë dobi të madhe që të justifikojë veten. Dikur, u argumentua se moshapja bëhej që të shmangte një konflikt civil që do të vinte nga nevoja për hakmarrje dhe nga nxitja e një klime konfliktuale të skajshme. Mirëpo ai polarizim social që u hamendësua, nuk u shmang nga mbajtja mbyllur e dosjeve pasi në vitin 1997 ne gjithësesi për pak u zhytëm në një luftë të përgjakshme civile po mos të vinin të huajt për të na sjellë në terezi. Gjithashtu ka shembuj të panumërt që tregojnë se marrazi ndaj një ngjarje historike nuk zbehet doemosdoshmërisht nga kalimi i kohës dhe ndërrimi i breznive. Mjafton të përmendet pasioni nacionalist që mundi të ndillte Milosheviçi në Serbi për betejën e Fushë Kosovës të ndodhur në 1389, plot  618 vite më parë.
Pastaj duhet thënë që nuk është se këto dosje janë të mbyllura, të vulosura dhë të lëna në gjumë letargjik për t’u hapur në një kohë të dytë kur abuzimi me to të mos jetë më i mundur. Ka shumë njerëz që kanë pasur dhe kanë akses tek këto dosje, që dinë për to dhe që nuk kanë hezituar që t’i përdorin për të shantazhuar, kërcanuar apo instrumentalizuar individë të tjerë që janë përfshirë në to. Janë të shumtë bashkëpunëtorët e sigurimit të cilët me siguri janë ende duke vuajtuër për një zgjedhje të gabuar dhe shpesh të shtrënguar të rinisë së tyre vetëm e vetëm sepse mbahen peng nga këto lloj dosjesh.  Nëse dosjet bëhen publike, eleminohet mundësia e qasjes ekskluzive tek dosjet që kanë pasur individë me pushtet politik apo eksponentë të rëndësishëm të regjimit të kaluar. Për rrjedhojë mundësia e shantazhimit me to eleminohet e njërëzit që janë nën kërcënimin e hapjes selektive të sekreteve kompromentuese më në fund do të çlirohen nga një makth e rehatohen duke reflektuar me keqardhje e pendesë për të kaluarën e tyre. Moshapja e dosjeve nuk bën gjë tjetër përveçse dëmton në mënyrë të pakthyeshme zbardhjen e një periudhë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare duke lënë që faktet të zhduken, gjurmët të fshihen e dëshmitarët të vdesin. Por ajo që është më shqetësuese  i jep mundësi disa individëve të veçantë të paskrupujt që të manipulojnë historinë me mashtrime e paragjykime, të instrumentalizojnë apo shantazhojnë individë të tjerë duke patur në dorë qasje konfidenciale tek arkivat
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top