Energjia bërthamore: Pse Jo!ë

Energjia bërthamore: Pse Jo!ë

Energjia bërthamore: Pse Jo!ë
Botuar tek gazeta Panorama
  Që vendi ynë ecën me dy marshe të ndryshme kjo gjë duket qartë nga disniveli i jashtëzakonshëm ekonomik, nga standardet e skajshme të jetës, nga stili i jetës me ekstremet e veta që variojnë nga makina luksi e pushime në vendet me ekzotike të botës tek një segment masiv shoqërisë që mbijeton me një bujqësi me vegla mesjetare. Dhe kuptohet që ky lloj oligarkizimi i shoqërisë shqiptare manifestohet edhe në mënyrën e ligjërimit dhe përfaqësimit politik ku duket qartë që ka një elitë tmerrësisht të shkëputur nga konteksti apo interesat dominante të shoqërisë shqiptare. Ky hendek që sa vjen e thellohet midis realitetit shqiptar dhe elitës politike manifestohen ne shume forma, por njera nder tyre eshte edhe debati publik dhe menyra sesi shtrohen apo trajtohen çështjet që dominojne rendin e ditës.More...
Rasti më i fundit është ai i energjisë bërthamore ku qëndrimi i mbajtur nga opozita i ngjan më shumë një qëndrimi ekstravagant ambjentalist të Evropës së Veriut sesa qëndrimit të një opozite të majtë në kushtet e një vendi të varfër në zhvillim e sipër.
Zelli i madh për t’u shkëputur nga një e kaluar socialiste të diskredituar dhe të dominuar nga personaliteti dhe mjeshtëria e spikatur e Nanos ka shtyrë lidershipin aktual që të promovojë një të majtë të re duke u përpjekur që të inkuadrojë në Shqipëri, rrugën e tretë, ose Blerizmin. Mirëpo kjo gjë po bëhet duke përkthyer mot à mot pa e shqipëruar në harmoni me realitetin apo kontekstin shqiptar. Për ata që e kanë ndopak haberin nga kjo fushë, dihet mirë që ambjentalizmi dhe agraria vështirë se pajtohen në politikë. Kjo sepse bujqit duan gjithnjë e më shumë kullota dhe toka buke të përdorura me rendiment të lartë kurse ambjentalistët duan gjithnjë e më shumë pyje nëpër këto kullota e biodiversitet gjithnjë e më të lartë të përhapur në sa më shumë territor dhe përdorim sa më të kufizuar të pesticideve, insekticideve apo plehërave kimik që janë vendimtarë për rendimentin e lartë të tokës. Pra është e vështirë se mund të pajtohen këto interesa të kundërta në politikë paçka se në Shqipëri ka një sterile dhe amorfe të titulluar parti agrare dhe ambjentaliste. Dhe duke u kthyer tek Blerizmi, është normale që atje rruga e tretë të përqëndrohet tek ambjentalizmi në shoqërine e parë botërore që u shkëput nga bujqësia duke u industrializuar dhe më tej sot duke qenë në një shoqëri kryekëput shërbimi, ku jo më me tokën, por as me industrinë nuk janë të lidhur më njerëzit.
E si mund të merret kallëp një realitet politik i kontekstit britanik dhe të transplantohet në shoqërinë shqiptare e cila ende varet në mënyrë bindëse nga bujqësia e vetëm dekadën e fundit ka nisur një proces të mirëfilltë urbanizimi. Prandaj ambjentalizmi alla Tony Blair është mish i huaj në një të majtë që e ka bazën elektorale tek segmentet konservatore rurale shqiptare. Dhe kësaj përpjekje për ta bërë Partinë Socialiste të blertë, meqë edhe Xhuveli nuk e bëka sa duhet këtë punë, me fat i doli në shteg një nismë e ekzekutivit për të stimuluar përdorimin e energjisë bërthamore në Shqipëri. Dhe e gjithë artileria e rëndë e PS-së dhe oborrit përkatës është vënë kundër energjisë bërthamore, sikurse luditët dikur kundër makinerive e teknologjisë.
Në fakt vendi ynë ka vend për ambjentalizëm dhe nëse PS-ja ka zgjedhur ambjentin përkundrejt zhvillimit, kjo është punë për këtë forcë politike. Por kur flitet për ambjentin jam i sigurtë që përpara frikës nga centrali bërthamor ka shumë më tepër prioritete të prekshme si erozioni, prerja e pyjeve, smogu i qyteteve (shkaktuar në një pjesë të mirë nga gjeneratorët), mostrajtimi paraprak i mbeturinave urbane apo kërcënimi i biodiversitetit të faunës dhe florës shqiptare.
Sulmi nihilist ngjyer jeshil që po i bëhet energjisë bërthamore dhe arritjeve të shkencës në këtë fushë është me të vërtetë vite dritë larg realitetit shqiptar por gjithashtu përmban edhe spekullime faktesh  pasi jepen fakte të njëanshme dhe nuk pasqyrohet e gjithë panorama. Ndërkohë që qëndrimi i PS-së ndaj termocentralit të shumëdebatuar të Vlorës ka qenë krejt ndryshe.
Ajo që duhet venë në dukje është se një pjesë e mirë e komunitetit shkencor ndërkombëtar është shumë i bindur se energjia bërthamore është jo vetëm efikase por edhe shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë si termocentralet që e mbushin qiellin me tym e hidrocentralet që kryejnë një mutacion drastik në terrenin, florën e faunën përreth. Kjo është arsyeja pse sikurse tregojnë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, 17% e rrymës sigurohet nga energjia bërthamore; Franca dhe Lituania sigurojnë tre të katërtat e energjisë nga centralet bërthamore, Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Kore e Jugut, Suedia, Sllovenia sigurojnë mbi 1/3-ën ndërsa Japonia, Gjermania e Finlanda sigurojnë 1/4-ën e totalit të prodhuar. Dhe kuptohet ndjeshmëria apo përkushtimi ndaj ambjentalizmit i vendeve si Zvicra, Suedia apo Finlanda është shëmbullore në gjithë globin.
Pra pa hyrë në detajet teknike që iu takojnë profesionistëve të fushës, analogjia e shumë vendeve të zhvilluara dhe të përkushtuara ndaj ambjentit dëshmon se shkenca e ka bërë të mundur sot që energjia bërthamore të shfrytëzohet pa penalizuar rëndë ambjentin.
Kundërshtimi ndërkombëtar ndaj përdorimit të energjisë bërthamore ka më shumë të bëj me një shqetësim strategjik ndaj sigurisë sesa ndaj ambjentit në vetëvete. Së pari në historinë bashkëkohore, e sidomos gjatë Luftës së Ftohtë, opozita kundër përdorimit të energjisë bërthamore vinte nga lëvizjet pacifiste e kishte të bënte më tepër me frikën që shkaktonte përdorimi ushtarak i kësaj industrie. Teknologjia që i shërbente pasurimit të uraniumit fare lehtë mund të përdorej për të prodhuar pluton për bomba bërthamore. Edhe sot shumë nga rezervat ndaj kësaj energjie ka të bëjë me faktin që nuk ka garanci për qëllimet finale të disa vendeve që po zhvillojnë kapacitete të prodhimit të energjisë bërthamore si Irani apo Korea e Veriut. Mirëpo për qëllime grabitqare as që mund të kihen dyshime për vendin tonë kur dihet se me sa shume zell jemi ndër vendet e para në botë që ka shkatërruar tërësisht lëndët helmuese luftarake, minat kundër njerëzve apo edhe teknikën dhe municion konvencional ushtarak paçka se jemi në një situatë e rajon aspak të volitshme ndaj vendit tonë.
Së dyti ka të bëj me sigurinë teknike të këtyre centraleve dhe këtu lidhet me panikun e shkaktuar nga aksidenti i Çërnobilit në vitin 1986. Dëmi i shkaktuar nga një aksident i tillë është me të vërtetë i jashtëzakonshëm por me avancimet e teknologjisë sot dhe me ndjeshmërinë, përkujdesjen apo monitorimin e autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj sigurisë teknike sot, një përsëritje është pothuaj e pamundur. Aksidenti vinte jo thjesht si rezultat i pamundësive teknike për të garantuar sigurinë por edhe me dekadencën tipike që po pësonte Bashkimi Sovjetik si dhe me një neglizhencë të theksuar të sovjetikëve ndaj ambjentit. Mjafton që të përmenden katastrofa ambjentale si ato të pellgut naftëmbajtës në Baku apo transformime të tjera gjiganteske ekologjike si i lumenjve Amur e Sir Darja apo detit të Aralit, për të kuptuar se një vend totalitar i imunizuar ndaj presionet ndërkombëtare nuk e kishte për gjë që të tregohej shpërfillës ndaj ambjentit e sigurisë teknike. Mirëpo sikurse e detyruan Bullgarinë të mbyllte reaktorët atomik të vjetëruar me standarde të dyshimta sigurie, edhe neve, që jemi ushtarë ku e ku më të bindur të BE-së, padyshim që do të na imponoheshin standarde e kushte jashtëzakonisht të rrepta për të garantuar përdorimin e energjisë bërthamore nga çdo aksident të mundshëm. 
Së treti ka pasur të bëjë me mënyrën e trajtimit të skorjeve dhe faktit që shpesh vendet e zhvilluara i plandosnin këto skorje për pak para në vendet e botës së tretë apo ish kolonitë. Shqipëria është aktor i dobët në nivel ndërkombëtar, dhe shumë i varur nga standardet e imponuara nga organizatat ndërkombëtare dhe vendet Perëndimore, andaj as që mund të mendohet që vendi të abuzonte me skorjet nëse do të ndërtonte centrale bërthamore. Prandaj duke qenë se bëhet fjalë për një sektorë nevralgjik si energjia dhe se bëhet fjalë një nismë afat-mesme që mund t’i japi vendit tonë një avantazh të krahasuar në ekonominë ndërkombëtare dhe duke ditur se mundësitë e vendit tonë për avantazhe të krahasuara janë tmerrësisht të kufizuara, unë mendoj se çështja e energjisë bërthamore duhet të zhvishet nga zelli politik i momentit e trajtohet me më shumë gjakftohtësi e largpamësi nga opozita.
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top