Dorëheqja politike si evoluim në politikën shqiptare
Botuar tek gazeta Panorama
 Â
Dorëheqja e ministrit të drejtësisë, e cila ndodhi një ditë pas doreheqjes dhe akuzave të bëra nga ish drejtori i përgjithshëm i burgjeve, shënon një precedent me shumë rëndësi në politikën shqiptare. Atë të mbajtjes së përgjegjësisë personale dhe reagimit të menjëhershëm ndaj akuzave konkrete. Kuptohet që rrethanat qe e kanë çuar në dorëheqje ministrin e drejtësisë, Ilir Rusmajlin, mund të jenë të ndryshme pasi dorëheqja si akt mund të jetë qoftë pragmatik, pra një veprim prej shahisti që e rrëzon vetë mbretin kur e kupton se pas disa lëvizjesh do të zihet gjithësesi mat, ose si një akt moral, një manifestim indinjate për një akuzë që pretendohet se është bërë me të padrejtë dhe titullari vendos të zhvishet nga çdo lloj pushteti për të lënë hapësirë e terren të pastër për zbardhjen e rrethanave. Kjo e fundit u deklarua nga ministri. Por kuptohet që mund të ketë qenë edhe versioni i parë ku provat mund të ishin aq të pastra e të qarta sa dorëheqja e ngutur thjesht do i paraprinte ndonjë pushimi nga puna. Ngelet për t’u parë se cili nga këto dy versione është i vërtetë, megjithatë ajo që vlen të përmendet me të madhe ëshë se ky veprim shënon një arritje në spektrin politik shqiptar pasi në vetëvete dorëheqja është akti më i lartë etik i mbajtjes së përgjegjësisë individuale. Dhe duhet theksuar gjithashtu që kjo dorëheqje nuk po bëhet përpara zgjedhjeve ku normalisht do të shërbente si një strategji marketingu për qeverinë duke e portretizuar veten se qeveria di të rigjenerohet e pastrohet përbrenda e për rrjedhojë ta meritojë votën politike. Kjo dorëheqje po bëhet në mes të mandatit dhe si akt moral përgjegjësie ka për t’u harruar deri në zgjedhjet e vitit 2009. Â
Një ministër ka katër forma kryesore të të mbajturit përgjegjësi individuale lidhur me veprimtarinë e ministrisë së tij. Së pari është informimi dhe shpjegimi, kjo është forma themelore e mbajtjes së përgjegjësise ku ministri informon dhe shpjegon para parlamentit zhvillimin e veprimtarisë që është nën kontrollin e tij. Së dyti ministri mund të kërkoj falje për një gabim apo dështim në një politikë apo nismë të caktuar duke mbajtur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë përsonale ose të vartësve të vetë për diçka që ka shkuar gabim Së treti të marrë masa për të ndryshuar apo riparuar një gabim duke siguruar që nuk do të përsëritet më. Së treti është akti i dorëheqjes që është forma më e lartë e mbajtjes së përgjegjësisë dhe llogaridhënies së një një ministri. Â
Përgjegjësia individuale e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë është një ndër pikat kyçe të një demokracie të konsoliduar por fatkeqësisht në vendin tonë ky është një dukuri pothuaj e panjohur. Rasti i famshëm i Fatos Nanos i cili në vitin 2005 dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare ngjalli shumë entuziazëm për një politikë që po i afrohej standardeve evropiane të llogaridhënies porse ky entuziazëm u venit gjatë vitit të fundit kur u dëshmua se ajo nuk ishte dorëheqje e mirëfilltë por lëvizje taktike, një tërheqje për të rigjeneruar forcat e rikonsoliduar pozitat për të rezultuar pastaj në një kundërmësymje të re. Â
Me anën e dorëheqjes nuk mbahet thjesht përgjegjësi personale por edhe shmanget përgjegjësia kolektive. Kështu nëse një ministër jep dorëheqjen, lehtësohet ose përmirësohet përgjegjësia publike e vetë kabinetit qeveritar dhe bëhet e mundur një qarkullim i pandërprerë me anëtarë të rinj në qeverisje gjë që garanton maksimumin e efiçencës dhe cilësisë. Â
Në rastin e kësaj qeverie apo legjislature rrethanat apo akuzat që janë bërë ndaj zyrtarëve të ndryshëm kanë qenë shumë më të forta dhe drejtëpërdrejta sesa rrethana në fjalë e vëllait të Z. Rusmajli. Gjithësesi nuk ka pasur asnjë reagim përgjegjësie të niveleve më të përmbajtura sikurse janë marrja e masave riparuese apo kërkimi i faljes publike dhe shprehjes së pendesës para publikut, e jo më të bëhet fjalë për aktin final të llogaridhënies që është dorëheqja. Kështu për shembull kemi pasur rastin e shumëpërfolur të ish drejtorit të transportit ajror, Z. Gazmend Dibra, rast në të cilin edhe pse ekzistonte një regjistrim audio i qartë shantazhi asnjë përgjegjësi nuk u mbajt. Përkundrazi e vetmja formë justifikimi ishte kundërsulmi me anë të të cilit në një farë mënyre u aprovua në mënyrë të heshtur që kërcënimi ishtë bërë ndaj Albatros-it, porse Albatros kishe bërë aq të këqija sa e meritonte të kërcënohej. Po kështu pandjeshmëria shumë e lakuar lidhur me akuzat konkrete më e fundit ka qenë ajo e zotit Basha, i cili nuk ndërmorri as aktin e parë të përgjegjësisë individuale që do të ishte paraqitja para prokurorisë për të dhënë shpjegime e hollësi lidhur me rrugën Durrës Morinë. Â
Megjithatë rasti më konkret i papërgjegjshmërisë së një ofiqari ka qenë ai i kryeprokurorit Sollaku i cili pavarsisht nga akuzat jashtëzakonisht serioze të ndërmarra ndaj tij dhe situatës veçanërisht të ndjeshme të detyrës së tij, prapëseprapë nuk dha dorëheqjen. Jo vetëm që nuk dha dorëheqjen por madje e ka përdorur pushtetin e tij për t’i garantuar vetes imunitet duke shantazhuar e sulmuar kundërshtarët sikurse është rasti i hetimeve të prokurorisë ndaj rrugës Durrës Morinë. Kryeprokurori nuk denjoi të ndërmerrte hetime për këtë rrugë për sa kohë presidenti i mëparshëm ia kishte garantuar se nuk do ta hiqte dhe për sa kohë ishin të gjalla shpresat që një president pasaardhës do vendosej me kompromis nga opozita duke i garantuar ofiqin. Mirëpo në momentin kur me zgjedhjen e Topit si president ndryshoi në mënyrë radikale situate, atëhere prokuroria u ngut që të niste hetimet konkrete ndaj një politikani në pushtet siç është ish ministri i punëve publike, porse dy vjet pas fillimit të kësaj legjislature, për t’u heroizuar ose viktimizuar duke dëshmuar në një farë mënyre se ai po hiqej për motive politike vetëm sepse kishte guxuar të prekte interesat e qeverisë duke hetuar rrugën Durrës Morinë. Â
Prandaj pavarësisht nga hollësitë apo rrethanat që kanë shoqëruar dorëheqjen e zotit Shehri dhe për rrjedhojë edhe dorëheqjen e ish ministrit Rusmajli, duhet thënë që veprime apo reagime kaq imediate janë të shëndetshme për kulturën politike tonën duke dhënë shpresë për një përafrim me kulturën politike të Evropës Perëndimore. Më herët kemi pasur raste të panumërta ku pavarsisht nga sa të rënda kanë qenë akuzat e medias, apo opozitës, pavarsisht nga sa të forta apo të qarta kanë qenë provat që kanë mbështetur këto akuza, prapëseprapë nuk kemi pasur ndonjë rast të ngjashëm dorëheqjeje. Ofiqarët e panumërt që janë përballur me akuza të ngjashme të mbështetura me boll evidenca kanë bërë çmos që të shmangin përgjegjësinë publike dhe politike duke u kacavjerrë me sa e çfarë të mundnin ndaj karriges së tyre dhe duke shteruar çdo lëvizje për të siguruar mosmbajtjen e përgjegjësisë. Tamam si ai lojtari që edhe pse e sheh veten në disfavor të qartë në kutinë e shahut shpreson deri në momentin e fundit, deri kur i ngelet mbreti e i humbet ushtari i fundit, që kundërshtari të bëj ndonjë gabim, që të mund të gjejë ndonjë rrugëdalje qoftë edhe duke shkelur rregullat e lojës. Â
Nëse dorëzohet më herët ky lojtar do të thotë që rregullat e lojës janë konsoliduar dhe rezultati përfundimtar që vjen nga zbatimi rigoroz i rregullave është i pashmangshëm. Kjo është pozitive kur dihet që politikanët apo zyrtarët e tjerë durojnë derisa të ndryshohet raporti i forcave që të largohen. Pra Sollaku po pret që ta shkarkojë Topi. Po kështu shumë qeveritarë gjatë traditës së tranzicionit politik shqiptar nuk marrin masa gjatë mandatit por thjesht presin ndëshkimin që vjen prej zgjedhjeve të reja me shpresën ndërkohë që ato zgjedhje ata mund ti manipulojnë ose deri atëhere kundërshtarët do e kenë bërë ndonjë gabim taktik. Â
Duke mos dhënë dorëheqjen në kohë por duke pritur harxhimin e të gjitha letrave që kanë në dorë në fakt këta politikanë dhe ofiqarë harxhojnë kohë të vyer me kosto oportune të pallogaritshme, çojnë dëm energji e vëmendje, delegjitimojnë e diskreditojnë institucionet apo pozicionet që ata mbajnë në kurriz të zhvillimit dhe integrimit Euroatlantik të Shqipërisë. Për të mirën e llogaridhënies, pra efikasitetit të demokracisë, por edhe për një kthim të moralit dhe etikës në politikën shqiptare këto lloj dorëheqjesh duhet të shpeshtohen dhe të kryhen sa më lehtësisht dhe jo detyrimisht pak para zgjedhjeve ku qëllimet janë elektorale. Â
Â
Â