Berluskonianizimi i politikës kosovare

Berluskonianizimi i politikës kosovare

Berluskonianizimi i politikës kosovare

 botuar tek gazeta Panorama 

Zgjedhjet në Kosovë përveçse sollën një përmbysje të vërtetë në spektrin politik kosovar duke shënuar edhe një pikë kthese ne historinë e shkurtër politike të Kosovës së çliruar, nxorrën edhe një fenomen të ri që në ambjentet e atyre që studiojnë fushatat politike dhe sjelljen elektorale ka filluar të quhet Berluskonianizimi i politikës. Ende vazhdon numërimi e nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë porse në këto momente partia Aleanca Kosova e Re me në krye Behgjet Pacollin, ka marrë mbi 12% të votive duke u pozicionuar si partia e tretë më e fuqishme në Kosovë. More...
Me Berluskonianizim nënkuptohet pak a shumë hyrja në garë elektorale të një njeriu shumë të pasur që aplikon një ligjërim politik populist dhe shfrytëzon pasurinë, e për rrjedhojë zotërimin e mediave ose blerjen e bollshme të marketingut politik gjatë fushatës elektorale për t’ju përveshur kundër partive apo klasës ekzistuese politike. Në vitin 1993 Berluskoni tronditi politikën e Italisë duke u future në lojën politike të vendit dhe duke përfituar ndjeshëmnga kalbëzimi i elitës ekzistuese. Asokohe procesi madhështor anti-korrupsion i quajtur mani pulite kishte diskredituar të gjitha partië kryesore dhe një pjesë të mirë të lidershipit politik të Italisë duke i lënë mundësi Berluskonit që të portretizonte veten si një alternativë të përshtatshme. Ky i fundit shfrytëzoi pasurinë e tij të madhe dhe zotërimin e grupit kryesor mediatik të Italisë për të bërë një propagandë populiste dhe për të marrë në dorë pushtetin. Rasti i Berluskonit në fakt ka qenë tronditës pasi paraqiste shembullin më ekstrem të ndërthurjes së interesave të biznesit me politikën. Që këto dy sektorë të shoqërisë flirtojnë apo konfliktohen pa reshtur me njëri tjetrin kjo gjë dihet dhe është një normalitet i pranuar në jetën e përditshme politike të vendeve të zhvilluara porse që të dy të trupëzohen në një kaq shqeto apo troç, vështirë se kishte ndodhur më parë.
Ky fenomen ishte interesant në mbarë Evropën jo vetëm për sa i përket çuarjes së vëmendjes drejt debatit midis legjitimitetit dhe ligjshmërisë, pasi dihet që Berluskoni e shfrytëzoi pozicionin për të siguruar imunitetin për shumë çështje të hapura ndaj tij e që tashmë ngelen nderë. Por ishte veçanërisht interesant për sa i përketë funksionimit dhe domethënies së demokracisë dhe institucioneve që lidhen me të. Duke bërë një thjeshtëzim ekstrem mund të thuhet në një farë mënyre se demokracia është rritur, zgjeruar e konsoliduar si një kundërpeshë ndaj pushtetit të parasë apo privilegjeve të trashëguara por të pamerituara. Me pak fjalë pushteti politik i parasë së një pakice të pasur në një shtet pluralist kufizohet dhe balancohet falë shumicës së votave të një shumice të varfër. Të pasurit kanë avantazh të krahasuar në ekonomi ama në vendim-marrje, votat, përndryshe nga të ardhurat, janë të barabarta për çdo individ e shumica e individëve ka supremacinë. Këto janë pak a shumë rregullat e lojës së sistemit politik më të mirë të mundshëm që ka ndërtuar deri tani shoqëria njerëzore. Në momentin kur një i pasur shdërrohet edhe në mbartësin e legjitimitetit të demokracisë atëhere ekuilibri dhe pluraliteti i shoqërisë demokratike vihet në pikëpyetje

Berluskonianizimi nuk është kufizuar vetëm tek Silvio Berluskoni por ka pasur edhe  raste të tjera të mëtejshme, më i ngjashmi është ai i pasanikut serb Bogoljub Kariç i cili mbështetur në modelin e Berluskonit, ndërtoi lëvizjen e tij politike të quajtur Forca e Braçe Serbisë. Familja Kariç, ardhur nga Peja e Kosovës, ka siguruar një pjesë të mirë të pasurisë në Rusi dhe është pa frikë  familja serbe më e pasur dhe ndërkohë një ndër familjet më të pasura në botë. Kariç me partinë e tij mori në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale pothuaj 20% të votave duke dalë në pozicionin e tretë. Ndërkohë që dy të parët që kaluan në balotazh ishin kandidati nacionalist Tomisllav Nikoliq me 30.4% dhe  Boris Tadiç me 27.6%.
Rasti i Pacollit vetë në një frekuencë me fenomenin Berluskoni për shumë arsye. Bëhet fjalë për një pasanik kosovar i cili më përpara nuk ka treguar interes të spikatur për politikën e Kosovës, nuk njihet as si ndonjë kontribues i shquar i kauzës kombëtare sikurse janë të shumtë shqiptarët e diasporës që kanë mbajtur në këmbë me para një sistem qeverisës paralel ndaj pushtetit të Millosheviçit. Madje shikohej disi me dyshim nga faktori shqiptar për faktin që bënte biznes me Rusinë aspak miqësore si dhe me vende të kalbura në korrupsion e diktaturë sikurse janë Stanet e Azisë Qendrore. Befas në një moment kyç, kur në Kosovë fillojnë privatizimet masive e ç’është më e rëndësishmja fillon procesi i ndërtimit të një shtetit të pavarur e sovran, shfaqet Behgjet Pacolli me formacioni e tij politik Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe në pak muaj me  një fushatë të bollshme dhe të shtrenjtë mediatike dhe në terren, ia del të bëhet partia e tretë në Kosovë duke lënë prapa parti si AAK, LDD apo Ora. Dhe kjo është tronditëse kur shikon se i vetmi vizion apo platform e qartë politike që paraqet Pacolli është ajo e ndërtimit të Kosovës, ndërtimit të infrastrukturës ose premtimi për të zgjidhur problemet nëpërmjet fondacionit të tij duke të lënë për të menduar se ai e trajton Kosovën si të ishte kompania e tij e ndërtimit Mabetex.
AKR gjatë gjithë fushatës është vërtitur rreth figurës së Pacollit si njeri i suksesshëm, ndërtues i famshëm që ‘tash do të ndërtonte’ Kosovën. AKR ka ngërthyer gjatë fushatës një larmi ingredientësh për t’ju shitur publikut duke variuar nga përqëndrimi tek suksesi pesonal me të ardhura i Pacollit apo rekrutimi i teknokratëve të suksesshëm kosovarë nga perëndimi, tek premtime për veprime investime, subvencionime, ndërtime e për të përfunduar tek joshja në terren i elektoratit me thesë me miell  apo lopë  a forma të tjera të ngjashme. Elektorati kosovar i lodhur nga zvarritja sfilitëse e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe e zhgënjyer dhe distancuar nga elita ekzistuese politike përbënte një terren shumë fertil për përqasjen populiste të Pacollit. Shumë kosovarë të zhgënjyer nuk dolën farë në votime por një pjesë e të zhgënjyerve kanë parë Pacollin si një njeri alternativ ndaj kastës ekzistuese politike, si një mënyrë për t’i ndëshkuar ata. Dhe kjo përshtypje u theksua më tepër kur në mes të fushatës gjithë partitë e Kosovës bënë një gabim trashanik taktik duke përforcuar imazhin e Pacollit si njeriu që kërcënon oligarkinë ekzistuese politike dhe si njeriu i ndryshimit, duke e sulmuar në unison Pacollin. Ky sulm që erdhi nga të gjitha krahët ka patur një efekt bumerang duke e faktorizuar e fuqizuar Pacollin. Në fakt popullsinë e Kosovës në mënyrë të veçantë e ka pezmatuar plogështia dhe korrupsioni i shumë qeveritarëve dhe shumë prej  të zhgënjyerve kanë  menduar se ky Pacolli është tashmë i pasur e nuk po ka nevojë për të vjedhur.
Depresioni i shoqërisë kosovare është demonstruar më së miri nga pjesëmarrja shumë e ulët në votime që me sa duket vështirë se ka kaluar 40%. Në të tilla kushte ekziston një  mundësi e madhe që nga padurimi e mërzia e skajshme me status quo-në elektorati të përqafojë alternativa të guximshme jokonvencionale apo jotradicionale. Të tilla janë rastet e votimit masiv në Francë për ekstremistin Jean-Marie Le Pen të cilit iu dhanë më shumë vota se socialistit Jospin apo rasti më i prekshëm i Shqipërisë i referendumit për sistemin qeverisës në vitin 1997. Të dëshpëruar në kulm nga katastrofa e këtij viti të mbrapsht mbi 40% e Shqiptarëve votuan për monarkine paçka se republikanizmi është i ngulitur në Shqipëri dhe se komunizmi ia kishte dalë të shpërlante nga identiteti shqiptar krishtërimin 2000 vjeçar apo islamin 500 vjeçar e jo më memorien kolektive për 14 vite monarki. Pjesë e depresionit të shoqërisë së Kosovës është edhe thellimi i varfërisë që ka bërë shumë të varfër të mendojnë se Pacolli duke ardhur në pushtet do të replikoj suksesin e vetë tek të tjerët. Në kushtet e varfërisë ekstreme ku gjendet një segment në rritje e shoqërisë së Kosovës vështirë se ka vend për pasione ideologjike politike apo besnikëri të hershme ndaj partive të vjetra politike pasi të dy krahët iu duken njësoj. Aq më tepër mungesa e shërbimeve publike si energjia elektrike, uji apo infrastruktura bën që këta të varfër të mërzitur me gjendjen aktuale pasi janë edhe më të prekurit, shpresojnë për një individ operacional që është menaxher i zoti dhe që di t’ju dalë për zotë punëve, të japë rezultate, duke e administruar shtetin me të njëjtin efikasitet sikurse menaxhohet një biznes privat. Kësaj shprese iu përgjigj fuqishëm Pacolli duke shitur imazhin e tij si njeriu i suksesshëm i biznesit.
Tashmë politika kosovare gjendet me AKR-në  të futur si pykë mes aktorëve konvencionalë duke e turbulluar keq skenën politike. Ngelet për t’u parë se si do të jetë kombinimi i koalicionit qeverisës por të gjithë skenaret e nxjerrin AKR-në si një faktor të rëndësishëm. PDK-ja mund ta fusë në qeverisje AKR-në duke e blinduar akoma më tej si faktor me mundësitë që ofron pushteti . Por skenari tjetër është akoma më i keq, nëse PDK bën një koalicion të madh me LDK-në, atëhere LDK defaktorizohet e venitet si parti dhe AKR ngelet partia kryesore opozitare.
   

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top