Taksa e sheshtë: çelësi i zhvillimit të Shqipërisë

Taksa e sheshtë: çelësi i zhvillimit të Shqipërisë

Taksa e sheshtë: çelësi i zhvillimit të Shqipërisë

Botuar tek gazeta Panorama

 

Në kushtet e konfliktualiteti intensiv politik që po përjetojmë gjatë muajve të fundit, ndodh që shumë nisma të rëndësishme apo projekte domethënëse të ikin pa u vënë re ose të kundërshtohen dhe bllokohen plotësisht pa u peshuar mirë vetëm për hir të pozicionit politik. Një përqasje nihiliste kjo që ka kundërshtuar një ndër të paktat nisma të qeverisë që mban me të vërtetë erë reforme dhe që i shkon për shtat ashtu siç duhej edhe identitetit politik të koalicionit në pushtet. Rasti më tipik në këtë linjë është kundërshtimi që ka hasur nga opozita nisma e qeverisë për të vendosur taksën e sheshtë si dhe mungesën e debatit publik mediatik për këtë nismë. Ndërkohë që shpesh debati politik publik ka qënë i përqëndruar kryekëput tek çështje procedurash apo tek akuza të dala boje, të ngarkuara me pasion por të zbrazura nga përmbajtja, një reformim me këto përmasa i sistemit fiskal shqiptar nuk po ngjall fare debat.

Duhet vënë në dukje që taksa e sheshtë nuk është aspak e re, përkundrazi, ka qënë sistemi i vjeljes së taksave për gjithë Evropën e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Bile një pjesë e mirë e begatisë dhe zhvillimit të këtij shekulli të artë mund t’i dedikohet pikërisht këtij sistemi taksimi. Taksimi progresiv është një produkt i shekullit 20-të ku në Evropë e më gjerë fillojnë e gjejnë aplikim idetë e Marksit dhe fillon e ndërtohet shteti i mirëqënies sociale dhe të majmet administrata. Taksimi progresiv në fakt mund të bëhej i mundur në Evropë vetëm pasi Evropa u pasurua mirë duke e rritur shumë “byrekun” sikurse përdoret shpesh si figurë në diskutimet e rishpëndarjes sociale, dhe më pas shpërndarë atë edhe tek segmente të varfra të shoqërisë. Është qesharake që një vend si Shqipëria me një “mikro-byrek” të ndërtuar në ato pak 15 vite kapitalizmi, të përdor sistem taksimi progresiv sikurse bëjnë vendet ish-koloniale të pasura të Evropës Perëndimore.

Prandaj taksa e sheshtë është një domosdoshmëri për vendin tonë, bile kjo nismë është e vonuar dhe do të kishte qenë mirë të ndërmerrej kohë më parë. Në fakt taksimi progresiv deri tani në Shqipëri nuk ka qenë shumë i ndjeshëm për bizneset të cilat kanë përfituar nga pafuqia e shtetit për të imponuar taksimin dhe për të zbatuar ligjin. Në kushtet e informalitetit dhe korrupsionit të madh të administratës, ku të ardhurat me lehtësi nuk deklarohen nga njerëzit me lidhje politike ose me prirjen për të dhënë ryshfete, kuptohet që më të penalizuarit kanë qenë më të ndershmit të cilët nuk kryenin evazion fiskal. Dhe në të vërtetë sistemi aktual penalizon pikërisht më të ndershmit. Mirëpo sapo të filloj të imponohet rendi ligjor në Shqipëri e të luftohet informaliteti, të gjitha bizneset do ta ndiejnë rëndë sistemin aktual të taksimit dhe rritja ekonomike do të ngadalsohet.

Një taksë e sheshtë është mbi të gjitha e dobishme për të rritur “byrekun” e referuar më sipër. Duke e lënë kuota të ulta fikse taksash, inkurajohet sipërmarrja pasi deri tani me taksimin progresiv një biznesmen paguan më shumë për çdo para më shumë që nxjerr e për rrjedhoj dekurajohet që të angazhohet me maksimumin e tij në ekonomi. Kjo pasi kjo taksë inkurajon kursimet dhe investimet.

Një aspekt tjetër vendimtar i taksës së sheshtë ndershmëria e këtij sistemi që ka të bëjë me respektimin e parimit kushtetues që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Me këtë sistem të gjithë taksohen mbi të ardhurat pa diskriminim dhe në këtë mënyrë eleminohen favorizimet apo trajtimet e ndryshme që iu bëhen segmenteve të ndryshme apo sektorëve të ndryshme të shoqërisë. Një taksë e sheshtë i trajton të gjithë qytetarët njësoj pavarsisht nga përkatësia, vendndodhja, sektori ku punojnë sikurse ka ndodhur me sistemin aktual.

Thjeshtësia e kësaj takse do të minimizoj korrupsionin që bëhet masivisht nga institucionet tatimore në Shqipëri pasi do të thjeshtojë në maksimum mënyrën e matjes së taksave dhe do të shmang ato mbivendosjet, sistemet e referencës, autoritetin diskrecional të burokratëve të institucioneve tatimore që edhe janë burime të korrupsionit. Për më tepër do të çarmatos politikanët nga një mjet i mirë patronazhi që kanë pasur deri tani. Politikanët nuk do të kenë më mundësi që të instrumentalizojën sistemin fiskal për të favorizuar biznese, sektorë apo elektorate të caktuara që përkojnë me interesat e tyre ekonomik apo elektoral. Me taksën e sheshte nuk do mund të caktohet se kush është humbësi apo fituesi në sistem dhe nuk mund të favorizohen besnikët e penalizohen opozitarët e një partie në pushtet.

Thjeshtësia nuk do të shkaktoj vetëm minimizimin e korrupsionit administrativ dhe politik por do të përshpejtojë procedurat dhe minimizojë kostot e transaksionit që lidhen me procesin e pagimit të taksave.

Në fakt vlen të përmendet që taksa e sheshtë është shumë e rëndësishme edhe duke patur parasysh kontekstin shqiptar. Informaliteti në Shqipëri është aq i lartë dhe aq i konsoliduar, dhe mentaliteti i popullit tonë lidhur me pagimin e taksave është aq pak rigoroz, sa nëse shteti aspiron që të ul evazionin fiskal, duhet që së pari të ndërtoj një sistem tatimor që të jetë i ndershëm, transparent, i thjeshtë dhe ajo që është më e rëndësishme, që mos të jetë shumë i rëndë. Një biznesi që deri tani ka bërë evazion fiskal do t’i binte si bombë aplikimi me forcë i taksimit progresiv ndërkohë që taksa e sheshtë do të ishte diçka më e zbutur dhe më inkurajuese për procesin e formalizimit të ekonomisë.

Taksa e sheshtë, nëse me të vërtetë bëhet, do të ishte një zgjidhje e jashtëzakonshme për problemet e ekonomisë sonë pasi do të nxiste zhvillimin, rriste transparencën dhe ndershmërinë në sistemin tatimor, do të inkurajonte formalizimin e ekonomisë dhe do të na bëntë më konkurrues në tregun ndërkombëtar të investimeve të drejtpërdrejta të huaja.

Dihet mirë që mungesa e infrastrukturës, nami i keq, krahu i pakualifikuar i punës, instabiliteti politik, korrupsioni dhe moszbatueshmëria e ligjit si dhe të tjera tipare negative që gjenden tek vendi ynë nuk na bëjnë shumë konkurrues në ekonominë ndërkombëtare. Nëse për problemet e mësipërme duhet goxha kohë për përmirësimet, qeveria mund të bëjë konkurrente të paktën sistemin fiskal. Bile edhe në këtë fushë jemi goxha të vonuar dhe kemi goxha konkurrencë. Taksa e sheshtë është vënë prej një dekade në vendet Baltike (Estoni, Lituani, Letoni) dhe ka pasur një impakt jashtëzakonisht pozitiv në ekonminë e këtyre vendeve duke ndikuar që këto vende të quhen tigrat baltik. Këtë shembull kanë ndjekur edhe vende të tjera si Rusia, Ukraina, Sllovakia,  Çekia, bile edhe fqinjët tanë si Serbia, Romania dhe Maqedonia. Dhe tanimë mes vendeve të ngjashme me tonin në Evropën lindore nuk bëhet fjalë më për garë mes vendeve me sistem tatimor progresiv apo të sheshtë por kush e mban kuotën më të ulët të taksës së sheshtë. Në të tilla rrethana në një farë mënyre jemi në fakt të detyruar të ecim me hapin e kohës dhe të vendosim një taksë të sheshtë sa më të ulët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top