Fijet që nuk priten në ekran (Manipulimi Televiziv i Historise)
Adri Nurellari
Botuar tek gazeta Shqip
Â
Në vendin tonë roli i televizionit është bërë tmerrësisht i fuqishëm në formësimin e opinioneve, bindjeve, qëndrimeve në përgjithësi dhe memories kolektive në veçanti. Kjo e fundit është në mënyrë të veçantë e kërcënuar nga televizioni pasi pjesa dominante e shoqërisë shqiptare informohet dhe krijon perceptimet e veta historike vetëm nëpërmjet televizionit. Kjo pasi lexueshmëria e librave rigoroz në Shqipëri është inekzistente, ambjentet universitare janë katandisur në shkolla të mesme të specializuara ku nuk bëhet kërkim shkencor apo debate shkencore, periodikët shkencorë janë rralluar dhe qarkullojnë vetëm në një rreth shumë të ngushtë njerëzisht. Organizatat joqeveritare që do mund të bënin pak punë në këtë fushë janë tërësisht të përshtatura ndaj interesave të donatorëve dhe ndërkohë gazetat përveçse kanë një qarkullim shumë të kufizuar janë plotësisht të dedikuara ndaj aktualitetit politik dhe kronikës së zezë. Për më tepër mosha e shqiptarëve është goxha e ulët që do të thotë se kujtesa e trashëguar dhe dëshmitë kanë shumë më pak rol në krijimin e memories kolektive dhe se njerëzit të cilëve mund t’ju ndryshohet memoria janë të shumtë.
Në të tilla kushte manipulimi i historisë që mund të bëhet nëpërmjet televizionit është shumë i lehtë dhe me impakt shumë të gjerë. Në fakt historia është një disiplinë shumë delikate dhe e ndërlikuar por që ka një subjekt që kuptohet relativisht lehtë. Dhe kjo lë iluzionin tek shumë individë të fushës së medias që mund të jenë historianë vetëm sepse njohin faktet apo kanë akses tek burimet apo dëshmitarët e historisë. Kjo shpaloset qartë të një sërë emisionesh televizive të transmetuara kohëve të fundit. Mirëpo përveç njohjes së fakteve apo ngjarjeve historia ka një metodologji të sajën që hulumton jo vetëm detajet mbi burimin, origjinën, vendodhjen apo autorësinë por edhe bën analizën e cilësisë dhe përmbajtjes së përcjellë nga ky burim dhe ajo që është më e rëndësishmja integritetin dhe kredibilitetin e një burimi.
Rasti tipik i manipulimit historik, me ose apo padashje, ka qenë dalja e Liljana Hoxhës në televizion para pak ditësh. Nxjerrja si soliste të një personazhi krejt subjektiv dhe të pabesueshëm duke mos e ballafaquar me një zhbirim rigoroz nga intervistuesi si dhe pa a krahasuar apo debatuar duke përdorur burime të tjera alternative nuk bën gjë tjetër veçse krijon një perceptim të gabuar historik. Një intervistë e tillë është një përpjekje e ulët revizionimi të historisë pasi krijonte përshtypjen që një ndër individët më të dëmshëm të historisë shqiptare, Enver Hoxha na paskësh pasur një dimension të pranueshëm njerëzor që kinse pikëllohej për fatet e shokëve të vrarë dhe që na paskësh lënë si amanet hapjen e Shqipërisë ndaj perëndimit.
Mashtrim më të madh dhe më të ulët në kontekstin e historisë së Shqipërisë zor se mund të gjendet dhe jo thjesht i ftuari i dizekuilibruar por edhe vetë emisioni ka përgjegjësi për këtë manipulim të historisë sepse ky emision shërben si një altoparlant përhapës, si një trampolinë apo tribunë nga ku këto ide apo qëndrime shumëfishohen dhe nguliten lehtë në mendjet e shqiptarëve. Si mund të thuhet njerëzor për një njeri që nuk kursehu asnjë shokë lufte duke i eleminuar ata dhe gjithë fisin e tyre pa më të voglën mëdyshje dhe si mund të thuhet se Hoxha ka dashur hapjen ndërkohë që ai  ishte shkaktar i vuajtjes më të madhe të historisë shqiptare dhe i vetmi njeri që po të donte e bënte hapjen realitet kur të donte. Ky vend ka vuajtur nga komunizmi si pak vende të tjera dhe dënimi i komunizmit në Shqipëri duhet të jetë i plotë dhe pa kompromis, për hir të humanizmit, lirisë dhe demokracisë. Këtë gjë ua kemi borxh edhe viktimave të komunizmit në Shqipëri, ia kemi borxh vetes për hir të dinjitetit tonë dhe ia kemi borxh brezave të ardhshëm të cilave do vazhdojë t’iu rëndojë barra e komunizmit.
 Pjesë e kësaj përpjekjë për të rishikuar figurat dhe ndryshuar qëndrimin tonë kolektiv ndaj komunizmit ka qenë edhe nxjerrja televizive për të disatën herë të diktatorit të fundit të këtij vendit, Ramiz Alisë si dhe hapësira që i lihet në shtyp këtij personazhi të zbuar qëkuri nga historia. Një përpjekje e dëshpëruar kjo për ta nxjerrë Alinë si një reformator largpamës që na paskërka komanduar në mënyrë të vullnetshme tranzicionin paqësor drejt demokracisë. Ndërkohë që dihet që Shqipëria qe dominoja e fundit që ra si pasojë e presionit që erdhi prej një revolucioni të purpurt që nisi me perejstrojkën dhe gllasnostin e Gorbaçovit e që pa tjetër do të vinte edhe në Shqipëri bile tek ne erdhi shumë më vonë sesa duhet. Sakaq Alisë iu dhanë mundësitë për të parë të gjitha skenaret dhe për ta kuptuar që nëse do t’i bënte rezistencë kësaj dallge do të kishte pasur në mënyrë të pashmangshme fundin e Çausheskut.
Por përdorimi i emisioneve televizive si detergjent për të pastruar njollat historike të disa periudhave apo si lavatriçe për të riqarkulluar disa personazhe të diskredituar nuk ka të bëjë vetëm me një të kaluar relativisht të largët si komunizmi por edhe me një të kaluar shumë të freskët. Këto emisione politike më shumë se emisione kanë qenë misione të mirëfillta politike që kanë pasur qëllim përmbushjen e axhendave të caktuara përkundrejt synimit të nxjerrjes të së vërtetës. Kjo u pa qartë e turpshëm me përpjekjen për të nxjerrë si shërbëtorë të denjë të shtetit apo heronj të papërlyer emra të një dekade më parë që kujtohen me rrënqethje nga shumë viktima dhe që gjenden të përmendur dendur në arkivat e raporteve të Human Rights Watch, Amnesty International apo Këshillit të Evropës. Këto intervista apo emisione, historike jo e jo që nuk mund të quhen, por nuk janë të denja as për t’u quajtur hard talk. Sepse në një hard talk Tim Sebastian e mban nën presion të vazhdueshëm të ftuarin, i bën pyetje të papritura, zhbiruese dhe të pamëshirshme qoftë edhe për hir të të bërit avokatin e djallit, dhe ç’është më e rëndësishme, nuk lodhet nga kërkimi i të vërtetës. Në një ‘hard talk’ alla shqiptar atmosfera është e ngrohtë dhe miqësore si të ishte takim diplomatik, pyetjet në më të shumtën e rasteve janë treguar, diskutuar dhe përgatitur më parë dhe objektivi i intervistës në më të shumtën e rasteve është instrumental, pjesë e një orkestrimi politik.
 Po kështu e turpshme ka qenë përpjekja për të prezantuar të rishikuar historinë e vitit 1997 duke bërë një prezantim të njëanshëm dhe të keqinterpretuar të fakteve dhe duke thirrur dëshmitarë që të inspiruar nga zelli politik apo karrierizmi nuk e kanë për gjë të shtrembërojnë faktet dhe të revizionojnë versionet që kanë dëshmuar më herët.
Mbase të tilla shtrembërime të historisë do të ishin deri diku të padëmshme për publikun po të bëhej fjalë për periudha të largëta të tipit epoka e Skëndërbeut apo rilindja e hershme shqiptare. Në raste të tilla sharlatanizmi apo manipulimi nuk do të ishte i dëmshëm por shumë i dëmshëm shndërrohet kur bëhet fjalë për historinë e vonë kusuret e së cilës jemi duke i vuajtur ende. Aq më tepër kur bëhet fjalë për glorifikimin e xhelatëve ndërkohë që viktimat janë akoma në qarkullim dhe plagët e shkaktuara janë ngelen hapur.
Ky manipulim i paskrupull që i bëhet historisë për qëllime meskine është fatkeqësisht i lehtësuar nga fakti që arkivat e ngjarjeve të fillimit të tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë arkivat e Partisë së Punës dhe ato të Sigurimit janë të mbyllura. Kjo i ka dhënë mundësi shumë individëve që kanë pasur qasje në arkiva të mbyllura për publikun apo studiesit, që të përfitojnë nga statusi i tyre zyrtarë që të nxjerrin në mënyrë selektive e publikojnë apo citojnë ato burime që iu leverdisin e të heshtin për shumë fakte të tjera. Ndërkohë që për të tjerët pa qasje në këto arkiva është e pamundur që të verifikohen këto fakte, të shqyrtohet konteksti apo besueshmëria i tyre si dhe të gjenden fakte të tjera që mbase do të hidhnin një dritë të plotë mbi këto ngjarje historike. Ngelet turpi i kësaj qeverie kinse të djathtë që nuk hap më në fund arkivat dhe dosjet që më në fund të zbulohen ato fije të mpleksura dikur që ende nuk priten e që të marrim vesh kush vazhdon të shantazhohet nga kush.
Â
Â