Pikëpyetjet e vendimit për akademinë e shkencave

Pikëpyetjet e vendimit për akademinë e shkencave

Pikëpyetjet e vendimit për akademinë e shkencave

Botuar tek gazeta Panoram

 

Nuk kanë  kaluar shumë ditë nga vendimi i gjykatës kushtetuese për të kundërshtuar reformimin që ka nisur qeveria ndaj Akademisë së Shkencave. Ndërsa kundërshtimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese kishin njëfarë logjike sepse trajtoheshin të drejtat themelore që parashikohen nga kushtetuta sikurse është për shembull prona. Por një vendim i tillë që lidhet drejtpërdrejtë me një grup të kufizuar njerëzish që duan të sillen si veteranët dikur, me sulltanate të mëdha por pa kurrfarë produkti, nuk mund të konsiderohet aspak një vendim i denjë i një gjykate kushtetuese, e cilitdo vendi qoftë.

Për hir të së vërtetës duhet thënë e stërthënë që kjo reformë nuk është thjeshtë e domosdoshme por është tejet e vonuar dhe pavarësisht nga veprimtaria e qeverisë në sektorë të tjerë, kjo reformë ka për t’u konsideruar si një arritje e qeverisë Berisha. Me përjashtim të disa instituteve me rëndësi si ai i gjuhësisë, historisë, monumenteve apo etnografisë që me të vërtetë kanë bërë punë origjinale dhe punë që ka rëndësi për shtetformimin shqiptar, Akademia e Shkencave është shndërruar në një azil pleqërie për njerëz të emëruar shkencëtarë. Nuk ia vlen që ti futesh detajeve sesi një pjesë e mirë e këtyre shkencëtarëve e kanë ndërtuar autoritetin ose nëpërmjet lidhjeve që kanë pasur me diktaturën e kaluar ose duke krijuar një autoritet të rremë të siguruar nëpërmjet plagjiaturës dhe përdorimit në publikun shqiptar të zbulimeve të huaja të cilat pak njerëz kishin në dorë t’i shtinin në dorë.  As ia vlen që të diskutohet për të financuar e shpresuar arritje të shkencës shqiptare në disa sektorë të shkencave të aplikuara ku sot hidhen miliarda dollarë në kërkime ndërkohë që tek ne laboratorët janë akoma me llambushka dhe transistorë të kohës se Çu En Lait. As që buxheti akademisë është pothuaj 60% i Universitetit të Tiranës dhe se këto para të Akademisë harxhohen kryesisht për personel administrative e shpenzime operative ndërkohë që nevojat për ambiente, financime, laboratorë dhe stafe akademike në universitet është imediate. Por vlen të përmendet faktet që vendet prej nga ne kemi importuar këtë model Rusia dhe Kina, prej kohësh kanë ndërmarrë reforma radikale në këtë sektor.

Gjykata kushtetuese është gjykata më e lartë për çdo probleme kushtetuese dhe merr vendime me gjëra që lidhen sidomos me garantimin e zbatimit të kushtetutës, ndryshimin apo ri-interpretimin e saj, përplasjet mes pushteteve të shtetit, garantimin e statusit  të disa institucioneve garantuese si dhe përmbajtjen e ushtrimit të autoritetit të institucioneve shtetërore përtej autoritetit që i takon. Mirëpo vendimi i fundit i kësaj gjykate është me të vërtetë një vendim që të lë të dyshosh për qëllimin e mirë të  modus operandi-t që ka pasur deri tani kjo gjykatë. Mjafton të manifestohet një kundërshtim tipik nihilist nga opozita mbi një nismë të shumicës që kjo gjykatë të vihet menjëherë në lëvizje për ta bllokuar apo rrëzuar  një nismë të shumicës.

Kuptohet që vetë fakti që opozita ka një përqasje tipike nihiliste ndaj veprimtarisë së qeverisë duke sharë e kundërshtuar çdo nismë apo projekt të qeverisë vetëm e vetëm sepse bëhet nga shumica është qesharake dhe në fakt e dëmton objektivitetin e nismave të opozitës.  Amerikanët thonë se edhe një orë e ngelur ia qëllon që të rastis e saktë të paktën dy herë në ditë. Po kështu qeveria nuk mund të bëj vaki që ta ketë gabim në çdo hap të sajin. E megjithatë kjo lloj përqasje e opozitës edhe pse jo objektive është legjitime dhe e kuptueshme për një opozitë e cila paguan kosto elektorale për çdo gjë që bën por nuk mund të kuptohet dhe pranohet nga një gjykatë kushtetuese.

Këto kohët e fundit qeveria ka pësuar jo rrallë “shtrëngime dhëmbësh” nga institucionet e pavarura sikurse edhe ka ushtruar presion ndaj tyre. Debati publik sot është bërë goxha qesharak sepse çdo formë presioni e qeverisë konsiderohet si cënim i pavarësisë së institucioneve ose manifestim autoritarizmi. Jo se autoritarizmi nuk ka munguar por se këto institucione të pavarura nuk duhet të konsideruara si të brishta dhe të paprekshme që mund të bëjnë ç’të duan sikur të ishin çifligje personale. Këto institucione formalisht janë të pavarura por pushteti socialist i dikurshëm vendosi në to njerëz të afërt me pushtetit që ende nuk e kanë humbur besnikërinë ndaj kumbarëve që i vunë në atë post. Në fakt ideja e ndarjes së pushteteve dhe e institucioneve të pavarura bazohet tek parimi i kontrollit dhe baraspeshimit dhe garime të tilla janë të shëndetshme. Ne duhet të shqetësoheshim nëse nuk do të kishim të tilla tensione midis qeverisë dhe strukturave të tjera të shtetit pasi kjo do të nënkuptonin që këto institucione janë nën kontrollin e qeverisë e andaj nuk ka nevojë për presion nga jashtë. Gara dhe presioni janë të shëndetshme dhe kështu edhe gjykata kushtetuese sikurse prokuroria, KLD-ja meritojnë edhe kontroll e rivalitet sikurse respekt. Në fakt legjislativi dhe ekzekutivi janë dyfish nën presion pasi kanë presion nga institucionet rivale por edhe nga votuesi.

Ndërkohë vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të lë me të vërtetë të mendosh se institucionet kinse të pavarura janë të politizuara dhe meritojnë jo thjesht kontroll po ndryshim të mirëfilltë. Kjo pasi ky vendim për një çështje periferike për kushtetutën sikurse është akademia dëshmon dy gjëra. Së pari dëshmon një instrumentalizim politik të gjykatës e cila me një zell të papërmbajtur sulmon çdo nismë të qeverisë. Së dyti që anëtarët e kësaj gjykate të emëruar në kohën e pushtetit socialist, kanë funksionuar me një ndërgjegje korporate duke favorizuar kolegët ose miqtë e tyre personal akademik, duke qenë se edhe një pjesë e mirë  e tyre vjen vetë nga ambienti akademik. Me pretendimin se çdo institucion është i kërcënuar nga qeveria po legjitimohet çdo lloj prepotence apo instrumentalizimi politik të kryer nga institucionet e tjera. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese maskuar nën petkun e pavarësisë po lë përshtypjen se revanshi ka nisur.  

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top