Sistemi proporcional: një burim korrupsioni
Botuar tek Revista Klan
Â
Çështja e zgjedhjeve vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së publikut në vendin tonë dhe jo vetëm që nuk ka ndër mend të dalë në periferi si çështje por me sa duket po përshkallëzohet në skenare të reja të tipit revolucion të sistemit elektoral në Shqipëri. Vullneti për të pranuar një ndryshim të sistemit elektoral duket se gjendet tek të gjitha palët pavarësisht se jo të gjitha palët do të përfitonin nga një sistem ndryshe elektoral. Mungesa e kurajës për të pranuar përgjegjësinë për moszbatimin rigoroz të sistemit elektoral ekzistues dhe bazës së saj ligjore shoqëruese ka bërë që të gjitha palët, që në një mënyrë apo tjetrën kanë pasur mundësi të ‘ngjyejnë gishtin’ me ndonjë votëzë të vjedhur kur kanë pasur në dorë pushtetin, të mos pranojnë përgjegjësitë tek vetja por t’ia ngjeshin fajin sistemit.
Pra kinse nuk na e kanë fajin komisionerët hajdutë të pandëshkuar, mungesa me dashje e dokumenteve identifikuese dhe listave të sakta të votuesve apo të tjera shkelje ligjore por fajin e ka sistemi. Sistemi në pak fjalë është kthyer në ‘kokë turku’ që po anatemohet nga të gjithë. Pothuaj mungojnë zërat që kërkojnë përmirësimin e sistemit ekzistues ndërkohë që po dëgjohet një kor që kërkon zëvendësimin e sistemit me proporcionalin.
Edhe sikur të konsiderohej e arsyeshme nevoja për të bërë një zëvendësim të sistemit aktual miks më një tjetër, duhet thënë që alternativa proporcional është mbase alternativa më e papërshtatshme. Kjo sepse sistemi proporcional ka për të pasur një ndikim shumë negativ në jetën politike në përgjithësi, dhe lidhur me korrupsionin në veçanti.
Korrupsioni thjesht ka për t’i bërë politikanët më të papërgjegjshëm dhe të korruptuar se tani. Kjo pasi së pari do i shkëpus krejtësisht kandidatët për deputet nga ndonjë zonë apo rajon periferik i Shqipërisë dhe të gjithë deputetët e vendit do të vendoseshin nga lista shumëemërore që nuk do të kalonin nëpër sitën e votuesve por që do të siguroheshin nëpërmjet allish-verisheve me krerët e partive kryesore. Zgjedhjet e vitit 2005 treguan se cilësia e kandidatit kishte shumë rëndësi për sjelljen elektorale të votuesve, pasi u pa shumë qartë që në shumë zona me një nuancë të caktuar politike, votuesit votuan për kandidatët që nuk i përkisnin partisë së tyre vetëm sepse nuk pëlqenin kandidatët. Maxhoritari i detyron shumë deputetë ose që të ballafaqohen në terren me votuesin dhe strukturat e partisë, të kalojnë nëpër filtrat e votuesit si dhe të dëshmojë për aftësitë e tij organizative dhe menaxheriale gjatë fushatës dhe të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me zonën dhe votuesit. Në kushtet e proporcionalit deputetët do të shndërroheshin në një kastë të vërtetë bllokmenë që do të vinte në pushtet vetëm nëpërmjet kompromiseve me liderët e partive. Këta të fundit nuk do e kishin për gjë që të fusnin nëpërmjet proporcionalit individë të diskredituar dhe të korruptuar që përndryshe kurrë nuk do të ishin gëlltitur nga votuesit.
Por forma kryesore e nxitjes së korrupsionit nga proporcionali ka për të ardhur si pasojë e shkaktimit të fragmentizimit të skenës politike. Proporcionali ka për të sjellë në mënyrë të pashmangshme copëtimin e skenës politike duke bërë që dy partitë e mëdha të shkërmoqeshin dhe terreni politik të dominohej nga një numër i madh partish. Cilido qoftë pragu pengues, përvoja ka treguar në vende me proporcional të pastër dhe me pragje të larta, copëtimi është i pashmangshëm. Kjo është veçanërisht e mundshme në një vend si Shqipëria ku partitë nuk kanë ideologjizim të lartë dhe nuk kanë kohezion të madh ideor, copëzimi do të ishte shumë i lehtë. E vetmja gjë që i mban anëtarët e dy partive bashkë është fakti që jashtë këtyre partive fitorja, sigurimi i pushtetit, do ishte e pamundur. Çdo skizmë e deritanishme nga partitë kryesore nuk ka pasur ndonjë sukses të veçantë si pasojë e sistemit. Mirëpo me proporcional, figurat e dyta të partive kryesore do të preferonin të hapnin një parti tjetër me rreth 10% të votave sesa të prisnin që të zinin vendin e liderit të partisë ku ata aderojnë.
Fragmentizimi i spektrit politik do të bënte që qeveritë që do formoheshin pas vendosjes së proporcionalit do të bazoheshin në koalicione të gjera që do të përfshinin parti nga më të larmishmet dhe të ndryshmet. Kjo qeveri e Xhuvelit nuk është asgjë para mutacioneve politike pa identitet që do të improvizoheshin në kushtet e proporcionalit vetëm për hir të pushtetit. Mirëpo koalicionet pa parti dominuese do të sillnin një instabilitet politik me qeveri jetëshkurtra ( mesatarja e qeverive italiane kur kishin proporcionalin ishte 11 muaj) që vështirë se do të ndërmerrnin apo zbatonin reforma apo projekte politike pasi ato do të kërkonin një konsensus të paarritshëm brenda koalicionit.  Në rastin e dështimit partitë e shumta në një qeveri të dalë nga proporcionali, do t’ia hidhnin fajin njeri tjetrit duke bërë që faji të ngelet jetim. Votuesi do të çarmatosej sepse do të votonte kundër një partie të caktuar dhe ndërkohë partia e tij për hir të pushtetit do të hynte në një koalicion pa shumë hezitime  me këtë parti. Plus që nëse do të donte të votonte kundër një qeverie të dështuar do ta kishte të pamundur të tregonte me gisht kush do e kishte fajin për një dështim. Pra politikanët do të liheshin pa presion pasi nuk do të bëhej e mundur që dikush t’u kërkonte llogari për dështimet apo korrupsionin.
Ndërkohë që partitë do e kishin të vështirë që të angazhonin apo ndillnin votues me ide, politika, reforma apo projekte pasi në një qeveri afatshkurtër me një koalicion laraman do e kishin të pamundur. Për rrjedhojë, në mungesë të ideologjisë, e vetmja mënyrë për të siguruar përkrahje do të ishte klientelizmi. Partitë do mund të mbanin e shtonin anëtarësinë dhe votuesit, pra mbijetonin, vetëm nëpërmjet një sistemi patronazhi ku ata do të shpërndanin favore, poste, leje, tenderë apo imunitet. Mjafton të shikohet mënyra sesi funksionojnë parti si PSD, PAA e PAD që përfitojnë nga ai pak proporcional që ne kemi për të parashikuar çdo të ndodhë shumëfish nëse vendoset një proporcional i pastër. Këto parti në ide, propozime, program dhe performancë dallojnë shumë pak nga dy partitë kryesore por mbeten në këmbë vetëm nëpërmjet klientelizmit që sigurojnë nëpërmjet pazarit me partitë e mëdha. Ky klientelizëm korruptim periferik i tanishëm me proporcionalin do të shumëfishohet dhe shndërrohej në institucion.