Një krizë artificiale për presidentin

Një krizë artificiale për presidentin

Një krizë artificiale për presidentin

Botuar tek gazeta Panorama

 

Ende pa përfunduar procesi i zgjedhjeve vendore në Shqipëri është ndezur në maksimum dhe ka pushtuar vëmendjen e debatit publik çështja e presidentit. Dhe debati ka hapur rrugën e dhjetëra skenareve të mundshëm përfshi këtu edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme që do ta fusnin vendin në një qorrsokak të çuditshëm. Një skenar tjetër i çuditshëm por edhe i rrezikshëm është ai i ndryshimi të mënyrë së zgjedhjes së presidentit, duke hedhur tezën e një presidenti të zgjedhur nga populli. Ky version ka gjetur nismëtarë dhe përkrahës nga eksponentë kryesorë të dy partitë kryesore dhe është me të vërtetë shqetësuese sepse synon të eleminojë ose minimizojë rolin e dialogut në politikën shqiptare.

 

Përzgjedhja e presidentit nuk do të ishte aspak një problem po qe se nuk do të gjendeshim të ndikuar nga dy rrethana që e kanë sjellë këtë çështje në qendër të vëmendjes. Së pari kuadri legjislativ shqiptar e ka bërë dialogun dhe konsensusin një conditio sine qua non për të zgjedhur presidentit. Dhe ky nuk duhet parë si një ngërç kushtetues por një garanci që procesi politik , sikurse i takon, të ketë në thelb të tij  edhe negocimin, debatin, lëshimin pe dhe konsensusin, dhe jo thjesht përplasjen e interesave dhe ideve. Palët duhet të ulen patjetër në diskutime se përndryshe procesi politik kufizohet vetëm tek zgjedhjet, sepse ndërkohë midis zgjedhjeve gjithçka do i lihej në dorë raportit të forcave të caktuara nga zgjedhjet.

 

Nevoja për një konsensus me opozitën lidhur me zgjedhjen e presidentit nuk është nevojë, por është një domosdoshmëri duke patur parasysh kontekstin politik shqiptar. Ne ende kemi të gjallë në kujtesën kolektive vitin 1997 kur niveli i polarizimit dhe konfliktualitetit në Shqipëri shkoi aq lart sa vendi u zhyt në një vakuum ligjor, për mos të thënë luftë civile. Të mos harrohet që edhe pse vendi më homogjen etnikisht në Ballkan, tek ne është dashur që të ndërhyjnë forcat ushtarake të huaja pikërisht për të ringritur një shtet të dështuar si pasojë e konfliktit brenda elitës politike të të njëjtës etnie.  Në kemi shumë të freskët periudhën para disa muajve, lidhur me zgjedhjet vendore të fundit ku mungesa e  vullnetit të të dy palëve për të lëshuar pe e negociuar bëri që të shkelej çdo afat kushtetues lidhur me organizimin e zgjedhjeve. U desh sërish presioni i përfaqësuesve të komuniteti ndërkombëtar që dy palët më në fund të uleshin në tavolinë e të binin dakord për të vendosur për rregullat e lojës dhe datën e shtyllës së sistemit tonë demokratik, zgjedhjeve.

 

Kjo është arsyeja pse kuadri kushtetues ekzistues është i dobishëm duke e pajisur opozitën me një fuqi bllokuese për të penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit politik shqiptar. Kohët e fundit ka pasur edhe zëra të lajthitur brenda shumicës që për të dëshmuar zellin ndaj liderit dhe partisë akuzojnë si të paligjshme dhe kriminale opozitën. Mirëpo pluraliteti dhe roli garantues i opozitës është një ndër të paktat arritje të demokracisë shqiptare, dhe ky rol garantues garantohet në mënyrë të veçanta nga përfshirja e pashmangshme e opozitës në procesin e përzgjedhjes së presidentit.

 

Rrethana e dytë ka të bëjë me pushtetin e presidentit, dhe janë dëgjuar zëra që sugjerojnë ndryshimin e rolit të presidentit në Shqipëri. Nuk është aspak e vërtetë që presidenti ynë ka fuqi ekzekutive të veçantë dhe nuk është aspak e nevojshme që të rishikohet autoriteti i presidentit. Kuadri kushtetues i presidentit tonë, nuk dallon shumë nga ai i republikave të tjera evropiane që kanë institucione të ngjashme me tonën dhe president të dobët si Italia dhe Gjermania. Atje rizgjidhja e presidentit nuk shkakton aspak krizë politike sikurse ka gjasa të ndodhi tek ne, por ndodh në mënyrë të pandjeshme të shtruar dhe pa bërë shumë bujë. Dallimi i vendit tonë nga këto vende evropiane nuk qëndron aspak tek roli i fortë i presidentit që kinse paskemi ne por tek vullneti i papërmbajtur i partive politike për të futur duart, politizuar dhe instrumentalizuar institucionet e pavarura. Si partitë e majta kur qenë në pushtet ashtu edhe shumica e djathtë nuk e ka fshehur vullnetin për të krijuar një patronazh politik me institucionet e pavarura nëpërmjet presidentit. Pra nuk është autoriteti i presidentit në vetvete problemi, por grykësia për të shtënë në dorë pushtet dhe kontroll edhe atje ku duhet te mbizotërojë paanshmëria, ligji dhe ekspertiza.

 

Për rrjedhojë mënyra ekzistuese e përzgjedhjes së presidentit si dhe prerogativat e tij të tanishme jo vetëm që nuk janë të dëmshme por janë të dobishme për të siguruar një stabilitet, vazhdueshmëri dhe konsolidim të demokracisë sonë. Të vetmet gjëra të dëmshme që po shkaktojnë krizë në këtë situatë është mungesa e vullnetit për të marrë në konsideratë zërin e opozitës legjitime duke u ulur në tavolina negocimesh të mirëfillta si dhe një tundim i tepruar për ta shtrirë pushtetin përtej kornizës që lejon kushtetuta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top