Rroga minimale si rudiment i komunizmit

Rroga minimale si rudiment i komunizmit

Rroga minimale si rudiment i komunizmit
Botuar tek revista Klan
 

 

Kohët e fundit qeveria e koalicionit të djathtë ka hedhur idenë e rritjes së rrogës dysheme si një përpjekje për të ndihmuar shtresën më të varfër të shoqërisë shqiptare. Kjo është një politikë ideologjikisht tipike e majtë që nuk ka kurrfarë suksesi bile edhe duke marrë të mirëqenia qëllimet sociale të majta dihet mirë që ka një pasojë krejt të kundërt nga impakti i synuar nëpërmjet kësaj politike. Rroga minimale hamendësohet se si të ishte një shkop magjik do ulte varfërinë dhe do të rriste mirëqenien e atyre që paguhen më pak. Nëse varfëria do mund të luftohej vetëm me një vendim politik që rrit rrogën minimale atëherë pse mos ta vinim shumë të lartë këtë rrogë minimale dhe mos të kufizoheshim tek 140 mijë lekë të vjetra. Pse jo mos të tregoheshim më shumë bujar dhe ta vendosnim 500 mijë lekë rrogën dyshemeë More...
Nuk e bëjmë dot për faktin e thjeshtë se rrogat nuk mund të rriten me vullnetin e padishahut, por fal krijimit të pasurisë dhe begatisë ekonomike nëpërmjet rritjes së produktiviteti. Sa më shumë që të prodhojë për frymë një shoqëri aq më shumë të ardhura do ketë për të shpërndarë nëpërmjet tregut duke rritur rrogat, ulur çmimet, rritur cilësinë apo nëpërmjet përfitimeve të tjera.
Për më tepër duhet thënë se kjo politikë nënkupton një pandehmë marksiste, nocioni që të punuarit është një marrëdhënie shfrytëzimi dhe se punëdhënësi asnjëherë nuk do t’i rriste vullnetarisht rrogat e punëtorëve të vetë. Andaj me këtë mendje shteti duhet të shtrëngojë këta punëdhënës ‘të pashpirt’ që të rrisin rrogat minimale se përndryshe punëdhënësit do t’i mbanin rrogat gjithnjë të vogla.
Prandaj fillimisht duhet thënë që kjo ide është qesharake në kushtet e Shqipërisë pasi pandeh që shteti kontrollon lehtësisht të ardhurat e çdo punëtori. Kjo do të ishte e mundur në një ekonomi të planifikimit të centralizuar ku të gjithë do të punonin për shteti totalitar, por nuk është aq e mundur në një ekonomi si kjo jona ku ka një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare është rurale dhe konsiderohet e vetëpunësuar. Si mund t’i kërkohet një individi të vetëpunësuar të paguajë më shumë veten ose të vendos një dysheme për të ardhurat e tijë Po kështu  ekonomia jonë është tmerrësisht informale dhe kjo rrogë do ishte e pamundur që të imponohej në sektorin privat shqiptar.
Megjithatë edhe sikur ta zinin se një vendim i tillë mund të zbatohet, le të diskutojmë impaktin e kësaj përpjekje. Në një ekonomi të lirë tregu, sikurse ka nxjerrë në pah nobelisti Hayek, çmimi është vendimtar për të përcjellë informacionin dhe për të kanalizuar burimet e ndryshme drejt përdorimit më të mirë. Pa një çmim të lirë nuk ka ekonomi të lirë dhe kjo moto nuk përjashton edhe çmimin e krahut të punës. Liberalizimi i pagave bën të mundur që burimet të dedikohen me efikasitet në aktivitete ku mund të sigurohet shfrytëzimi optimal i krahut të punës por cënimi i kësaj lirie nëpërmjet vendosjes së rrogës minimale e dëmton mekanizimin kërkesë ofertë të tregut të punës. Politikanët e shumë vendeve, përfshi politikanët shqiptarë i përdorin këto lloj politikash populistë për të lënë përshtypjen e zemërgjerësisë dhe për të siguruar përfitime elektorale afatshkurtra. Mirëpo në periudhë afatgjate kjo politikë ka një efekt shumë të dëmshme duke i zënë frymën tregut të punës.
Në fakt është paradoksal fakti që politika e rrogës minimale, nëse do të zbatohej rigorozisht në Shqipëri, do të godiste pikërisht ato segmente të shoqërisë shqiptare të cilat hiqet se do që t’i ndihmojë. Godet pikërisht punëtorët e pakualifikuar dhe të rinjtë pa përvojë duke i lënë të papunë.
Nëse për një punë të rëndomtë të pakualifikuar imponohet një rrogë minimale më e lartë se ajo që do të jepnin kushtet e tregut, ta zëmë për një hamall, atëherë nevojtari për krah pune fare mirë do të vendoste që ta bënte transportin vetë dhe të hiqte dorë nga hamalli. Pra nëse ta zëmë një elektricist do t’i duhej që të paguante hamallin po aq sa paguhet vetë për të bërë një gjë që mund ta bënte vetë, atëherë ky elektricist që ndërron shtëpinë nuk e pajton fare hamallin.
Po kështu të rinjtë që do të ishin të gatshëm që të paguheshin me rroga shumë të ulta ose të punonin fare falas vetëm e vetëm për të mësuar tamam zanatin dhe për të marrë përvojë në një punë do të penalizoheshin rreptësishtë. Dihet që ka gjithnjë e më shumë të rinj që do të donin të bënin një praktikë pune (quajtur ndryshe stazh apo internship) sepse do t’i ndihmonte në fillimin e karrierës së tyre. Mirëpo punëdhënësit do të mateshin dy herë  që t’i merrnin në praktikë këta të rinj nëse do t’iu duhej që t’i pagonin me një rrogë të diktuar nga shteti. Ndërkohë që aplikimi i njohurive në praktikë pasi mbarohet shkolla, perfeksionimi i një profesioni në terren, shtimi i disa rreshtave përvoje në CV nuk kanë të paguar dhe janë shumë më të çmuara se rrogat minimale që ofron shteti.
Në Shqipëri duhet që të shkëputemi nga mënyra anakronike marksiste e të konceptuarit të ekonomisë dhe duhet të kuptojmë që puna është një shërbim që duhet të sillet në treg lirshëm sikurse mallrat. Po ashtu sikurse nuk ia ndalon një biznesi që të ul çmimin që cakton për dhënien e një shërbimi ose shitjen e një malli, po ashtu nuk duhet t’ia ndalojë një punëtori që të punojë me një çmim më të ulët. Në një shoqëri të lirë qeveria nuk ka pse të fus hundët në caktimin e rrogave por duhet që t’ia lërë tregut që të vendos për çmimet qofshin këto çmimet me të cilat paguhen punëtorët që iu shërbejnë punëdhënësve dhe qofshin çmimet me të cilat paguhen kompanitë që janë në shërbim të konsumatorëve. Prandaj jo vetëm që nuk duhet të ngrihet rroga minimale, por edhe ajo rrogë minimale që është duhet të hiqet fare.
 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top