Shtypi politik, i vetmi tabloid shqiptar

Shtypi politik, i vetmi tabloid shqiptar

Shtypi politik, i vetmi tabloid shqiptar
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

Para pak javësh vendi ynë u turbulluar si rrallë herë më parë nga një artikull negativ i shkruajtur nga një farë Adrian Gill i cili me një cinizëm thë përçmim therës kishte bërë një prezantim shumë të hidhur mbi Shqipërinë. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe agresiv nga shumë aktorë ndërkohë që ai artikull ishte një manifestim tipik i përdorimit të lirisë së shtypit në formën e tabloideve. Kushdo që ka jetuar sadopak në Angli dhe që ka mundur të vëzhgojë me imtësi shtypin anglez e di që ky lloj artikulli, edhe pse i ndyrë, është pjesë e përditshme e normalitetit anglez. Bile gazetat tabloide që botojnë kësilloj artikuj (Daily Mirror, the Sun ) në fakt zotërojnë një pjesë të madhe të lexuesve. Me shtyp tabloid nënkuptohen ato gazeta që përqëndrohen tek përmbjajtje jo dhe aq serioze ose që përqëndrohen tek njerëzit e famshëm, sportistët, ngjarjet sensacionale të krimit apo të ngjashme. Ndërkohë me tabloidet lidhet edhe një term tjetër britanik i quajtur red top që i referohet titujve të mëdhenj sensacional që karakterizojnë faqet e para të këtyre gazetave. Britania ka një traditë të konsoliduar në këtë lëm bile njihet gjithashtu edhe si atdheu i papparazz-ëve të cilët janë pjesë përbërëse e shtypit që merret me sensacionet, skandalet, vip-at e thashethemet. More...
Prandaj në atë kohë mendova se ashpërsia e reagimit i atribuohej përvojës së shkurtër të shqiptarëve me shtypin e lirë dhe mungesës së gazetave tipike skandalistike në Shqipëri. Mirëpo në fakt lidhur me ketë lloj gazetarie Shqipëria karakterizoht nga nje paradoks i mirëfilltë sepse po të studiohen me vëmendje duket qartë se të vetmet gazeta tabloide në vendin tonë janë gazetat partiake të dy partive kryesore. Keto gazeta janë të mbushura dhe të tejmbushura me fyerje, poshterime, shpifje, sulme personale, akuza sensacionale e agresive. Dikur RD-ja mbante kampion kurse tani në vend të parë qendron ZP-ja me një përqasje fyese dhe poshtëruese që me të vërtetë të lë përshtypjen e një tabloidi klasik.
 Paradoksi këtu është se të dy këto gazeta janë organe zyrtare të dy partive kryesore kombëtare shqiptare dhe duhet të ishin përfaqësueset kryesore të të folurës zyrtarisht nëpërmjet gjuhën e ashtuquajtur politically correct. Ky lloj ligjerimi politikisht korrekt do të thotë një të folur të kujdesshëm dhe të matur që të shkaktojë minimumin e fyerjes, poshterimit apo nëpërkëmbjes së dikujt. Kjo është në mënyrë të veçantë e vërtetë kur bëhet fjalë për grupe etnike, racore, seksuale, kulturore apo fetare të ndryshme. Kështu fjalët përzgjidhen me kujdes për të shmangur fyerjet  apo përçmimet dhe thuhet hebre në vend të çifut, me ngjyrë  e jo zezak, rom e jo cigan, gay e jo pederast, mbipeshë e jo trashaluq me prapambetje mendore e jo të çmëndur; e kështu me radhë.  Dhe organet zyrtare janë ato që  iu takon që të bëjnë çmos të mbajnë maksimumin e të folurës politikisht korrekt pasi ato mbajnë përgjegjësi publike më të madhe dhe mund të hidhen fare lehtë në gjyq ose të ndikojnë për keq për reputacionin e institucionit ku janë të asociuara.
Gazetat partiake shqiptare sillen tek ne krejt në të kundërtën duke mos e patur hiç për problem që të ndërmarrin sulme personale që me qëllim përdorin fjalor të rëndë të mbartura me mllef e marraz që synojnë të shkaktojnë maksimumin e fyerjes dhe poshtërimit tek individë të ndryshëm që janë kundërshtarë politik apo që nuk pajtohen me ndonjë qëndrim apo nismë të partisë. Kështu jo rrallë gjenden në gazetën RD artikuj që denigrojnë individë të caktuar dhe që nxjerrin akuza pa fijen e përgjegësisë. Këto akuza përdoren ose për shantazh ose për të denigruar figurën e ndonjë personi dhe aq, pa shkuar më tej. Në një shtet ligjor me demokraci dhe institucione të konsoliduara kushdo mban përgjegjësi për baltën që hedh, e në mos përgjegjësi ligjore të paktën përgjegjësi morale. Mirëpo kur bëhet fjalë për akuza që parashtrohen nga organe zyrtare të partive përgjegjësia është e rëndë dhe fare mirë mund të jetë përgjegësi ligjore. Në fakt akuzat që hasen në dy gazetat e partive politike kryesore shqiptare janë aq të rënda sa mosvërtetimi i këtyre akuzave farelehtë duhet t’i vinin këto gazeta para përgjegjësisë ligjore. Bile edhe pa patur ndonjë ankesë apo kundërakuzë për shpifje nga ana e personave që janë akuzuar e qe ndihen se janë akuzuar me të padrejtë, vetë prokuroria duhej të tregohej e vëmendshme per faktin qe shpesh ato akuza bëhen për shkelje aq të rënda ligjore, ose për krime të mirëfillta që në fakt prokuroria duhet të ndërmarrë hetime ndaj këtyre akuzuesve për moskallzim krimi.
 Dhe nuk është aspak gjë e rrallë që në këto gazeta të hidhen akuza për korrupsion, vrasje, krime, trafiqe pa fijen e përgjegjësisë dhe të kujdesit. Në këtë situatë padyshim që gazeta Zëri i Popullit mban kampionin ndërkohë që RD-ja është qytetëruar dhe rafinuar goxha vitet e fundit. Kështu para pak javës një lajm i tmerrshëm i ZP-së  ka qenë ai që akuzonte kryeministrin se kishte shkaktuar djegien e një kulle në Tropojë. Se çfarë motivi malinj apo irracional kishte ky artikull nuk merret vesh por akuza ishte e lemerishme dhe insinuatat po ashtu. Çfarë qëllimi kishte ky artikull përveçse të nxinte figurën e liderit të pozitës, të nxiste hakmarrjen dhe të ndezte gjakrat që këta njerëz të cilëve iu dogj shtëpia të identifikonin si armik kryeministrinë Ky lloj shkrimi që nuk është as i pari dhe as i fundit i kësaj gazette që ka kohë që ka nisur një sulm të ulët kundër familjes së kryeministrit. Kjo gazetë duket më shumë si një fletërrufe apo bodec, si një rudiment i diktaturës komuniste ku kundërshtarët apo armiqtë denigroheshin pa të keq me gënjeshtra e fyerje mbi çdo gjë që iu përkiste atyre.
Nga ana tjetër në shtypin e lirë privat që nuk ka lidhje institucionale si organet e partisë, shpesh vihen re disa norma të tepruara të të folurës politikisht korrekt që në fakt mund edhe të dëmtojnë dobinë e një mass media të lirë e të zhvilluar. Kështu po të shihet në shtypin shqiptar askush nuk guxon të shajë apo kritikojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrimin evropian apo institucionet e BE-së etj.
 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top