Miti i turizmit shqiptar

Miti i turizmit shqiptar

Miti i turizmit shqiptar
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

Edhe gjatë verës së këtij viti çështja e turizmit ka qenë në qendër të vëmendjes për opinionin publik shqiptar. Sërish u vazhdua që të përflitej për potenciale të pashfrytëzuara, brigje të virgjëra, toka të paeksploruara, sekretin e fundit të Evropës, dhe kjo gjë u shoqërua sërish me investime të mëdha në ndërtime hotelesh,  apartamentesh pushimi dhe të infrastrukturës përkatëse. Në fakt po të shikohet hollë dhe me gjakftohtësi kuptohet lehtë se pretendimi për turizëm të zhvilluar shqiptar që të konkurrojë në tregje ndërkombëtare është një mit i vërtetë  që vështirë se mund të bëhet realitet. Percepsionet që kemi ne sot për turizmin shqiptar janë të ndikuara nga disa kontekste, faktorë dhe konjuktura që kanë për të qenë afatshkurtra ndërkohë që investimet në turizëm janë investime afatmesme  e afatgjata, për rrjedhojë kanoset një rrezik që këto investime të shkojnë dëm apo të dështojnë. Kjo pasi niveli relativisht i lartë i turizmit shqiptar sot nuk vjen si pasojë e potencialit tonë por nga disa deformime rrethanore që sipas të gjitha gjasave kanë për të ndryshuar. More...
Kështu për shembull vlen të theksohet se një pjesë e mirë e shpenzimeve që harxhohen për turizmin në Shqipëri vjen prej xhepave të emigrantëve të cilët vetëm në përiudhën e pushimeve mund të shkojnë të takojnë të afërmit në Shqipëri prandaj gjatë verës vetëm në Shqipëri mund të shkojnë. Dhe këta emigrantë harxhojnë një sasi shumë të madhe parash gjatë përiudhës që janë kthyer në vend për të kaluar kohë të këndshme me familjen. Mjafton të shikohet sesi janë dyndyr makinat me targa greke dhe italiane në Durrës e Vlorë. Mirëpo ajo që vihet re me emigrantët në përvojën e vendeve të tjera është se me kalimin e kohës lidhjet me familjen dhe vendin zbehet duke ecur paralel me nivelin e integrimit në jetën shoqërore të vendit pritës. Përpos emigrantët fillojnë e ndërtojnë jetën e tyre aty ku emigrojnë, martohen, blejnë shtëpi, marrin kredi për blerjet e tyre dhe lidhen kryekëput me vendin ku jetojnë. Gjithashtu deri tani emigrantët detyrohen të kthehen sepse të afërmit e tyre e kanë shumë të vështirë për t’i vizituar aty ku janë . Porse po qe se lehtësohen procedurat e bashkimit familjar sikurse pritet të ndodhë se shpëjti, dhe të lehtësohet gjithashtu mundësia e udhëtimit drejt vendeve të Evropës Perëndimore, padyshim që emigrantët do të kenë më pak arsye për të vizituar Shqipërinë. Kjo lë të mendosh se në një të ardhme jo dhe aq të largët ne kemi për të patur gjithnjë e më pak emigrantë që të kthehen për të kaluar pushimet në Shqipëri.
Çështja e pamundësisë për të udhëtuar jashtë kushtëzon edhe qytetarët e Shqipërisë për të kaluar pushime në infrastrukturën e bregdetit të Shqipërisë. Dhe këtu bëhet fjalë më tepër për problemin e vizave sesa të kostos, pasi për kosto këtu tek ne konkurohet denjësisht me çdo vend perëndimor. Po t’i shtohet këtu edhe mungesa e informacionit për mundësi apo alternative të arritshme jashtë vendit si në Turqi, Egjipt, Mal të Zi, Tunizi etj kuptohet pse ne kalojmë me shumicë pushimet këtu në Shqipëri. Mirëpo  duket qartë që ka një tendencë ndryshimi në këtë linjë. Tashmë dhjetra mijëra shqiptarë kalojnë pushimet në vendet ku mund të shkohet pa vizë si Turqia dhe me në kohën kur shqiptarët të mund të udhëtojnë lirshëm në perëndim apo në Evropën Qendrore, atëhere kuptohet që një pjesë edhe më e madhe e shtetësve tonë do të dëshirojë që pushimet ti shfrytëzojë për të vizituar ato vende të cilat deri tani i ka shijuar nga televizioni. Pra pamundshmëria e udhëtimit ka për t’u zvogëluar në të ardhmen dhe kjo do të thotë që shumë shqiptarë që janë të detyruar të pushojnë këtu kanë për të zgjedhur vende të tjera.
Kosovarët zënë gjithashtu mbase shumicën e pushuesve në Shqipëri. Edhe ata vuajnë na problemi i udhëtimit pasi pashaportën e UNMIKUT e përbuzin shumë vende dhe bashkëkombasit tanë jashtë kufirit e kanë edhe më të vështirë se ne për të udhëtuar jashtë vendit. Kështu Shqipëria përbri Malit të Zi ngelen destinacionet më të mundshme të turizmit. Një tjetër motiv është i ashtuquajturi turizëm patriotik që i shtyn shumë prej tyre që të kalojnë pushimet në bregun  e Shqipërisë. Mirëpo patriotizmi dhe dashuria e madhe ndaj Shqipërisë ka qenë e zjarrtë për sa kohë Kosova ka qenë e pushtuar, mirëpo me kalimin e kohës kur Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe të konsolidohet ka për të patur një ndjenjë më të zbehur dashurie ndaj Shqipërisë. Gjithashtu kurioziteti pas vizitave të shumta tashmë të bëra ka për t’u tretur pasi ç’kuptim ka të vizitosh më shumë se psh tre herë varrin apo kalin e Skënderbeut apo ballkonin ku Ismail Qemali ka ngritur flamurin. Pastaj edhe mes kosovarësh herët a vonë ka për t’u zbehur motive i turizmit patriotik në favour të një turizmi pragmatik.
Një tjetër derformim që ka shkaktuar këtë zellin ndaj turizmit ka qenë edhe vala e investimeve masive apo apartamenteve që janë blerë që nuk janë bërë me motiv ekonomik apo për dëshirë për turizëm por më tepër si një taktikë për të pastruar para.  Trafiqet në Shqipëri kanë rënë dhe kanë për të rënë më shumë cka do ta uli në mënyrë të natyrshme edhe zellin për investime në turizëm. Reputacioni i vendit tonë është jashtëzakonisht i keq mes të huajve të cilët nuk para guxojnë të na vizitojnë për pushime, me përjashtim të ndonjë turisti backpacker kurajoz apo të atyre pak të huajve që kanë të njohur në Shqipëri. Nëse raportohet se është rritur numri i turistëve të huaj në Shqipëri bën vaki që kjo rritje të ketë të bëjë më shumë me faktin që shumë emigrantë shqiptarë më në fund po marrin pashaportën e vendit pritës, më shumë sesa me të huaj të huaj që duan të eksplorojnë vendin tonë.
            Dhe kështu vazhdon lista e gjatë e arsyeve të tipit mungesa e traditës, çmimet tmerrësisht të larta, infrastrukturës, aftësive menaxheriale, kulturës së shërbimit etj. që lënë të mendosh se turizmi në Shqipëri nuk ka për të pasur ndonjë boom kushedi se çfarë ndonjëherë. Ky artikull nuk po i përmend këto deformime për fatalizëm por për realizëm. Pavarsisht nga përpjekjet e qeverisë për të përimrësuar infrastrukturën dhe për të hedhur investime në fushën e turizmit, ka faktorë të tjerë që mund të bëjnë që turizmi ynë të mos ngrihet në fluturim sikurse shpresojnë jashtëzakonisht shumë veta. Kjo ka të bëjë jo vetëm me keqperceptimet që ne kemi ndërtuar si pasojë e shumë deformimeve rrethanore apo të tranzicionit, por edhe me izolimin dhe mungesën e mobilitetit të shtetasve shqiptarë. Shumë qytetarë të vendit tonë janë të padalë dhe i njohin përciptaz vendet fqinje, çka do të thotë se e kanë të vështirë të kuptojnë avantazhin e krahasuar që mund të ketë Shqipëria. Për ta rrëzuar edhe këtë iluzion mjafton të përmendet që për nga ana kulturore ne jemi tërësisht të eklipsuar nga Italia që ka sasinë më të madhe të monumenteve të kulturës në Evropë ndërsa nga ana e bregdeti jemi tërësisht të eklipsuar nga bregdeti kroat dhe ai grek. Bregu kroat është 5835 km i gjatë ndërsa ai grek është rreth 15147 km përkundrejt bregdetit shqiptar prej 362 km të gjatë.  Sa do kemi ne mundësi që të konkurrojmë me potencialin e vendeve të tjera fqinjeë Aq më tepër kur një avantazh të mundshëm që do të ishte mbase çmimi, ne nuk e kemi. Prandaj para se të vazhdojmë të hedhim me zell para në turizëm mbase do të ishte me mend të bënim pak reflesion dhe të vrisnim mendjen nëse kjo prirje do i mbijetojë kohës në Shqipëri. Vlen të shtrohet pyetja se sa të sigurta i kemi investimet drejt turizmit dhe a jemi të sigurtë që turizmi është sektori më frytdhënës.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top