Monopoli i biznesit të vogël shqiptar

Monopoli i biznesit të vogël shqiptar

Monopoli i biznesit të vogël shqiptar
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

Ekonomia jonë karakterizohet në shumë sektorë nga nivele të larta monopolizimi dhe kartelizmi që është e pritshme duke patur parasysh sistemin e zaptimit të ekonomisë nga pushteti politik sikurse ka ndodhur me qeverisjen e kaluar si dhe përmasat e vogla të ekonomisë sonë. Për disa sektorë ekonomikë përmasat janë me të vërtetë vendimtare pasi tregu i kufizuar blerës yni nuk justifikon praninë e shumë aktorëve. Kështu për shembull në sektorin e telekomunikacionit do të ishte me të vërtetë e volitshme që të kishim një aktor të tretë ose të katërt të telefonisë mobile por në të njëjtën kohë është e kuptueshme që nuk ka mjaftueshëm treg që të josh pesëdhjetë investitorë për të hapur kompani të tjera celularësh. E njëjta gjë për disa sektorë të tjerë  shumë të rregulluar nga shteti si mund të jetë për shembull  edhe sektori energjitik apo sektorë të tjerë.More...
Për këto lloj sektorësh që janë shumë të rregulluar si pasojë e standardeve, kritereve apo procedurave teknike, është padyshim më e lehtë që të krijohet një marrëdhënie monopoli. Pasi në kushtet kur duhen marrë shumë leje, përmbushur shumë standarde, kaluar shumë komisione pra labirinthe të pashmangshme rregullash që pa bashkëpunim me institucionet shtetërore nuk mund të ekzistojnë këto biznese. 
Padyshim që mënyrë më e mirë për të eleminuar kufizimet që vijnë si pasojë e përmasave të vogla të ekonomisë sonë, do të ishte integrimi i tregut tonë në Bashkimin Evropian. Në kushtet kur vendi ynë do të përfshihej në një treg të madh ndërkombëtar atëhere çdo aktor që vepron në Shqipëri njeherazi do të kishte treg në gjithë tregun rajonal e për rrjedhojë në mënyrë të natyrshme në vendin tonë do të operonin shumë aktore dhe krijimi i një monopoli  ose oligopoli, marrëveshjet për kartele do të bëheshin më të pamundura.
Mirëpo ajo që vihet re në Shqipëri është se sjellja me prirje monopolistike gjendet edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë sonë që kanë një numër të madh aktorësh. Kështu vetëm para pak javësh pothuaj të gjitha kompanitë që prodhonin beton vendosën që të mos jepnin më beton tek kompanitë e ndërtimit që nuk kanë shlyer ende detyrimet e deritanishme. Pra një mori aktorësh bien dakord si një kartel për të vepruar njësoj në interesa të përbashkëta në treg, jo konkurrencë, jo garë, por marrëveshje në dëm të palëve të tjera. Vitin e kaluar shoqata e prodhuesve të bukës që ka mbi 170 prodhues doli me një deklaratë të përbashkët që kërkonte të ngrihej çmimi i bukës si pasojë e rritjes së pretenduar së kostes së prodhimit për faj të mungesës së rrymës elektrike. Qeverisë asokohe i është dashur që të negociojë me përfaqësinë e bukëpjekësve për të siguruar një nivel konstant të çmimit. Një marrëveshje mes dy aktorësh është e arritshme dhe e kuptueshme në një farë mënyre, por është e çuditshme se me sa lehtësi mund të bien në një mendje mbi 100 aktorë të një sektori relativisht shumë dinamik sikurse është ai i prodhimit të bukës.
Por në mënyrë konstante shikohet një lloj marrëveshje mes aktorëve në një sektor akoma  më dinamik dhe më të vogël e të parregulluar siç është biznesi i bareve dhe restoranteve. Ky lloj biznesi zë padyshim numrin më të madh pas dyqaneve në vendin tonë pra ka një miriadë lokalesh, baresh, kafenesh dhe restorantesh që kanë populluar vendin tonë. Mënyra sesi organizohen këto bare është se ato furnizohen nga furnitorë të caktuar të cilët sigurojnë vetëm një numër të caktuar prodhimesh të një grupi të caktuar markash, ndërkohë që mënyrën e organizimit  e kanë që këto bare të mos furnizohen me mallra të tjera nga tregtarë të tjerë. Kështu nëse një lokal mund të porositet coca cola është e sigurtë që aty nuk gjendet pepsi ose po të porositet çaj lipton nuk ka nestea, e kështu me radhë. Është pothuaj e pamundur që të gjendet një bar që të ketë në ofertë të gjithë gamën e prodhimeve që priten nga një lokal. Pra lokalet janë një tjetër sektor i ekonomisë shqiptare ku oferta i imponohet kërkesës.
Interesante është se këto prirje të ngurtësisë së ofertës hasen edhe në rrethana të tjea akoma më banale si psh. në tregjet e hapura të mallrave apo produkteve bujqësore. Mes këtyre shitësve të vegjël krijohet një lloj solidaritetit dhe marrëveshje e paartikuluar për të mbajtur çmimet në të njëjtin nivel dhe bile këta shitësa janë agresiv ndaj dikujt që ul çmimin duke iu hakërryer se po i prish pazarin. Pra kinse të gjithë shitësit kanë “kismetin e vetë” dhe askush nuk duhet të prish pazarin.
            Në një situatë të tillë  deformimi të tregut kuptohet qartë që kërkesa, pra konsumatori, është më i dëmtuar dhe kërcënuar. Ky imponim i ofertës tregon së në vendin tonë ka akoma disa rrethana e faktorë, përveç atyre të trëditës dhe mentalitetit, që e kanë kufizuar ofertën. Fakti që oferta ka luksin që  të mos jetë e ndjeshme ndaj kërkesës dhe të qëndroj e pandryshuar tregon se në vendin tonë është e vështirë të bëhesh pjesë e ofertës , pra hapja e një biznesi që mund të sigurojë çmime më të leverdisshme se oferta ekzistuese është shumë e veshtire dhe bizneset e tanishme nuk tremben nga mundësia e daljes së rivalëve më fleksibël e agresiv. Kjo do të thotë që në vendin tonë është akoma shumë e vështirë dhe e ndërlikuar që të hapet një biznes i ri. Së dyti mungesa e aktorëve të mëdhenj ka luajtur një rol pasi ka bërë që konsumatorëve t’u mungojnë alternativat e supermerkatove të cilat nuk mund t’ia lejojnë veten riskun e të qenurit jo fleksibël. Së treti del që është e nevojshëm që jo vetëm të integrohemi në tregjet ndërkombëtare për të bërë të mundur që te jemi në një hapësirë me shumë aktorë e për rrjedhojë me shumë konkurrencë, por edhe duhet që të joshim e nxisim futjen në Shqipëri të aktorëve të huaj ekonomik.  Aktorët e huaj duke pasur një knoë hoë dhe traditë të tregjeve më të lira e konkurrent kanë për diktuar një atmosferë konkurrence edhe në vendin tonë. Gjithashtu duke qenë aktorë të huaj ata do ta kenë më të vështirë për t’u future në allish-verishet karteliste ose monopoliste që me sa duket qenkan prirje e natyrshme e shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë që në sektorë si tregtia apo ofrimi i shërbimeve publike nuk duhet të kemi kurrfarë patriotizmi ekonomik por duhet të nxisim efikasitetin dhe konkurrencën.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top