SHQIPTARET DUARLART!
Adri Nurellari
Sipas shpalljes përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të bërë prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëhet e ditur se kanë marrë pjesë 1.566.079 zgjedhës nga 3.084.946 që ishin në listën zgjedhore. Në pamje të parë duket numër i madh, sepse edhe numri i votuesve nëpër lista ishte shumë më i madh sivjet, mirëpo në fakt si përqindje kjo është 50.77%, duke përbërë edhe përqindjen më të ulët të zgjedhjeve që kemi pasur ndonjëherë. Në zgjedhjet e mëparshme pjesëmarrja në votim ka qenë 51.8% (mirëpo 2.6% e votave ka qenë deklaruar e pavlefshme) kurse në vitin 2001 përqindja e atyre që kanë hedhur votë ka qenë 58.5% (3.6% të pavlefshme). Për mos të folur pastaj për zgjedhjet e vitit 1997 ku dalja në votim ka qenë 72.6%. Pra kemi një tatëpjetë për sa i përket pjesëmarrjes në votim që tregon konsolidimi e një prirje drejt apatisë politike.
Kuptohet që një element me rëndësi ka qenë edhe dimensioni i emigracionit dhe se një pjesë e mirë e emrave në lista janë emigrantë e për rrjedhojë përqindja reale i bie të jetë diçka më shumë. Megjithatë, edhe po të merret në konsideratë fakti që lista përmbajnë emra të individëve që kanë shumë kohë që e kanë lënë vendin, gjithsesi ky fenomen sa ka ardhur dhe është zbehur çka e konfirmon rënien e pjesëmarrjes në votime. Domethënë, emigracioni nuk është aq masiv sa më parë dhe për rrjedhojë pesha e përqindjes së emigrantëve në total është zvogëluar ndjeshëm. Përpos kësaj edhe mes emigrantëve është rritur niveli i legalizimit dhe i gjendjes ekonomike kështu që gjithnjë e më shumë emigrantë e kanë të mundur që të kthehen në Shqipëri gjatë zgjedhjeve krahasuar me vite më parë kur pjesa dërrmuese e tyre qëndronte në mënyrë të paligjshme dhe rrinte vite me radhë pa u kthyer në Shqipëri.
Pjesëmarrja në votim në përgjithësi ka pësuar një rënie edhe në vende të tjera, mirëpo kjo rënie ka qenë shumë më e butë, ka ardhur në kuadër të shumë dekadave dhe ka ardhur gjithashtu si pasojë e një zëvendësimi me alternativa të tjera të pjesëmarrjes politike. Studimet krahasimore në nivel ndërkombëtar tregojnë se gjatë periudhës 1990-2001 pjesëmarrja në votim në Europën Lindore ka qenë mesatarisht 72% kurse në vendet e Europës Perëndimore 78%, në Australi dhe në shtetet e tjera vërdallë ka qenë 79%, shtetet e Amerikës Veriore, Qendrore, asaj Jugore dhe të Karaibeve kanë pasur një pjesëmarrje që vërtitej diku te 65%, ndërsa Afrika e ka pasur 64%. Në një tjetër analizë të bërë nga instituti IDEA për vitet 90-të në 32 shtete demokratike mesatarja e pjesëmarrjes nis nga 88% në Islandë e 83% në Izrael e përfundon te 47% në SHBA dhe 37% në Zvicër. Këto dy shtete duket se janë të vetmet shtete demokratike që kanë pasur një përqindje pjesëmarrjeje më të ulët se 50% në këtë analizë ndërshtetërore. Megjithatë, këto shtete nuk mund të merren si analogji për të ngjallur shpresë për demokracinë e shqiptarëve, pasi jo vetëm që problemet politike që ngelen për t‘u zgjidhur janë të vogla në këto dy vende, por ato zotërojnë edhe një tipar tjetër justifikues që ka të bëjë me praninë e shtigjeve të tjera paralele për të mundësuar përcjelljen e vullnetit politik publik, si dhe me lodhjen nga frekuenca dhe intensiteti i zgjedhjeve të panumërta. Kështu, këto shtete kanë një prani të fortë të demokracisë së drejtpërdrejtë në terren nëpërmjet nismave qytetare, mbledhjeve apo takimeve publike, si dhe referendumeve, duke hequr goxha nga barra që i takon demokracisë përfaqësuese. Gjithashtu, zotërojnë media të fuqishme me nivel të lartë integriteti që u vjen përkrah interesave të publikut sikurse shoqëri civile që gëlon dhe lobe apo grupe interesi goxha efikase.
Asnjë nga këto tipare nuk është e vlefshme për hapësirën politike shqiptare. Përveç këtyre shtigjeve në këto dy vende për shkak të tipareve specifike kushtetuese, konkretisht decentralizimit të theksuar, organizohen zgjedhje të panumërta në shumë nivele, gjë që shkakton një lodhje te votuesi. Në SHBA ka jo vetëm zgjedhje federale për Presidentin, për senatorë e kongresmenë, por edhe zgjedhje në nivel shtetëror për guvernatorin dhe kuvendin e shtetit, si dhe në nivel lokal ku organizojnë zgjedhje madje edhe për gjykatësin e kontest. Po kështu edhe në shtetin federal të Zvicrës ku organizohen referendume të panumërta në nivel kantoni edhe për çështje të papërfillshme urbanistike.
Nga ana tjetër, problemet politike që kanë nevojë të zgjidhen dhe impakti i madh që ka politika te jeta e përditshme e individit shqiptar do të bënte të mendohej se shqiptari do të ishte shumëfish i interesuar dhe angazhuar në politikë. Prandaj krahasuar me pjesëmarrjen mesatare në votim të rajoneve të ndryshme të globit duket qartë që pjesëmarrja në votim në Shqipëri është goxha e ulët, sidomos duke pasur parasysh sa e lartë është kjo pjesëmarrje në vende të tjera të Europës Lindore.
Rënia në pjesëmarrjen në votim me sa duket nuk është tipar vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë, por i mbarë shqiptarëve. Dalja në votim e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore në zgjedhjet e fundit ka qenë realisht më e ulët se 20%. Ndërkohë, në Kosovë është përjetuar një pikiatë drastike të përqindjes së votuesve nga zgjedhjet e pasçlirimit te zgjedhjet e fundit të nëntorit 2007. Në zgjedhjet lokale të vitit 2000 dolën 79% e votuesve, në ato parlamentare të vitit 2001 dolën 64.3%, në zgjedhjet lokale të vitit 2002 ra në 53.8%, në të përgjithshmet e 2004, 49.5%, ndërsa në parlamentaret e vitit 2007 u arrit një pjesëmarrje prej 40.1%, por që përflitet të ketë qenë edhe më e ulët realisht. Siç shihet edhe në Kosovë partia kryesore fituese e zgjedhjeve është partia e abstenuesve.
Këto tendenca të rënies së pjesëmarrjes në votime janë me të vërtetë shqetësuese, sepse vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisjes dhe demonstrojnë një thellim të distancës midis elitës politike dhe masave qeverisësve dhe të qeverisurve. Dalja në votim bën pjesë në kategorinë konvencionale të pjesëmarrjes politike dhe përveç votimit brenda kësaj kategorie bëjnë pjesë edhe të tjerë indikatorë si shkrimi i letrave apo peticioneve, intensifikimi apo zbehja e kontakteve me deputetin lokal, angazhim vullnetar nëpër fushata, kontributet vetjake financiare në fushata zgjedhore si dhe numrat e të kandiduarve. Të gjitha këto nuk është se janë shtuar që të mund të thuhet se ka ndryshuar forma e pjesëmarrjes politike. Ndryshim mbase bën numri i kandidatëve, i cili për faj të sistemit të ri zgjedhor sivjet ishte 3800 po ku shumica ishte fiktive nga nevoja për të paraqitur lista shumëemërore të plota dhe maksimumi 200 prej tyre kishin ndonjë shans të vërtetë për të qenë kandidat potencial. Gjithashtu, nuk është se shihet ndonjë transferim apo transformim i zellit dhe angazhimit politik te forma të tjera jokonvencionale të pjesëmarrjes politike.
Të tilla janë demonstratat paqësore, protestat, përleshjet e mitingjeve, rebelimet, lufta civile, revolucioni apo vrasjet politike. Edhe këto forma jo-institucionale të përcjelljes së pasionit, dellit apo qëndrimeve politike në fakt në Shqipëri sa kanë ardhur dhe janë zbehur. Njësoj mund të thuhet edhe për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Pra kemi thjesht të bëjmë me apati të mirëfilltë politike dhe jo ndryshim të formës së pjesëmarrjes. Do të ishte me të vërtetë më e dobishme që analistët dhe studiuesit e ndryshëm të mos merren vetëm me psikanalizën e liderëve apo aktorëve të rëndësishëm të politikës, por të shihnin më vëmendje edhe elemente të tjerë të zhvillimeve politike, sikurse është rritja e plogështisë politike. Ky fenomen është me të vërtetë shqetësues dhe meriton të trajtohet dhe analizohet qoftë për burimet e shumta që e shkaktojnë qoftë edhe për domethënien dhe pasojat e tij. Megjithatë, në pamje të parë mund të thuhet se shqiptarët kanë një prirje për t‘iu nënshtruar rrjedhave politike duke ndenjur gjithnjë e më shumë duarkryq, pra paskan një prirje për t‘u dorëzuar.