Forca e ligjit dhe depolitizimi i zgjedhjeve

Forca e ligjit dhe depolitizimi i zgjedhjeve

FORCA E LIGJIT DHE DEPOLITIZIMI I ZGJEDHJEVE

botuar tek gazeta Shqip
Ndërkohë që KQZ është gati për të bërë publik rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare, gëzimi publik për mungesën e turbullirave gjatë ditës së votimit është harruar, duke qenë se u zëvendësua nga shija e hidhur e procesit të tejzgjatur, jo transparent e të tensionuar të numërimit. Ende nuk dihet nëse parregullsitë gjatë procesit të numërimit kanë qenë të atij dimensioni sa të mund të ndikonin në mënyrë vendimtare në rezultatin përfundimtar, por gjithsesi është e qartë që ato përbëjnë një njollë të madhe në procesin zgjedhor dhe në orvatjet e vendit tonë për të përmbushur standardet më bazike të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo situatë dëshmoi që nuk është problematik vetëm sistemi elektoral, por mbi të gjitha struktura administruese e zgjedhjeve. Në një farë mënyre, forca deformuese e zgjedhjeve nuk qëndron vetëm “te shpata e Skënderbeut, por te krahu që e mban”.

Fatkeqësisht, pothuaj të gjitha palët që morën pjesë në debatin e ndezur që shoqëroi reformën elektorale u morën kryesisht me shumë elementë të sistemit të ri zgjedhor dhe Kodit Zgjedhor, por nuk e vranë shumë mendjen për faktin që procesi zgjedhor iu ngarkua përsëri njerëzve të politizuar, komisionerëve, vrojtuesve dhe numëruesve partiakë. Pra jo në dorë të institucioneve të shtetit apo strukturave të pavarura të specializuara dhe nën garancinë e ligjit, por pikërisht në dorën e palëve të interesuara. Pra, procesin e zgjidhin palët dhe jo shteti garant, vetëgjyqësi dhe jo drejtësi. T‘ua japësh procesin militantëve, s‘do të thotë gjë tjetër përveçse t‘ia varësh mëlçitë në qafë ujkut.

Vetë kodi i miratuar përbënte një recetë për nëpërkëmbjen e sundimit të ligjit, përderisa lënia e procesit zgjedhor në dorë të administrimit prej njerëzve partiakë përbën një disfatë të shtetit të së drejtës përballë interesave meskine politike, një mosrealizim të një prej standardeve kryesore europiane dhe garanton mos-ndëshkueshmërinë e shkelësve të Kodit Elektoral që janë të mbuluar me imunitet politik. Gjithashtu, kjo vetëgjyqësi e institucionalizuar e procesit bëri që sërish të kishim proces të tensionuar, sikurse u vu re në raste të ndryshme, pasi garant për cilësinë e tyre nuk ka qenë shteti e ligji, por raporti apo ekuilibri i forcës së militantëve të zellshëm që monitoruan apo administruan procesin.

Në një vend me demokraci të konsoliduar, administrimi i procesit zgjedhor nga administrata shtetërore merret si i mirëqenë dhe nuk vihet në dyshim për faktin që janë zyrtarët shtetërorë ata që merren me të. Kuptohet që në vendin tonë, për të garantuar paanshmëri dhe legjitimitet, mënyra më e mirë është ndërtimi i një institucioni të pavarur, sikurse është de jure Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Administrimi i zgjedhjeve është proces teknik e për rrjedhojë edhe trupa e individëve që përmbush këtë detyrë duhet të jetë teknike. Mirëpo në rastin tonë ne kemi një lëmsh të vërtetë, pasi organi qendror hamendësohet se është institucion i pavarur, i specializuar, mirëpo kjo gjë është formale, sikurse u vu re me qëndrimet e politizuara të anëtarëve të saj, të cilët ishin thjesht zëdhënës të mesazheve të dy partive politike që i kishin votuar dhe që më tej i vinin në lëvizje si marioneta me anën e sms-ve. Ndërkohë që në terren administratorët ishin de jure dhe de facto militantë. Shqipëria dështoi që t‘i shndërronte zgjedhjet në një proces teknik pothuaj automatik, duke e politizuar tërësisht dhe duke rrezikuar madje edhe paralizimin e sistemit nëse një nga dy palët tërhiqej apo sabotonte. Gjëja më e mirë që do mund të kishim bërë ishte organizimi i një strukture menaxhuese të zgjedhjeve, që të ishte mundësisht sa më neutrale dhe jo partiake, për të garantuar integritetin e zgjedhjeve.

Pikësëpari për të garantuar ndershmërinë e zgjedhjeve nuk është e nevojshme vetëm paanshmëria, pavarësia, integriteti dhe transparenca e organit administrues, por edhe llogaridhënia, pasi garantuesi numër një i gjithë procesit duhet të ishte forca e ligjit. Dhe tani palët e lënduara kanë një shans për t‘i bërë mirë të ardhmes së Shqipërisë, duke mos lëshuar pe, por duke kërkuar hetimin si dhe vënien para ligjit të individëve konkretë që kanë shkelur ligjin e vënë duart mbi votën e qytetarëve. Për sa kohë nuk bëhen shembuj konkretë të dënimit të disa individëve që kanë vjedhur vota gjatë numërimit, ne mund të jemi të sigurt që vjedhja ka për të vazhduar, madje e amplifikuar, sepse ligji e drejtësia janë të pafuqishme. Po kështu, ky moment përbën edhe një shans për prokurorinë që t‘i rikthejë besimin vetes në publik e t‘i shërbejë demokracisë dhe shtetit ligjor, duke u treguar aktive në hetimin real të shkelësve të kodit, duke çuar para gjyqit të paktën një grusht bukëshkalës, që me pandershmërinë e tyre dhe vjedhjen e votave mbajnë të kalbur shtyllën e demokracisë shqiptare, procesin zgjedhor. Prokuroria nuk mund të rrijë pasive përpara akuzave kaq të rënda të bëra lidhur me vjedhjet në terren dhe nuk mund të vazhdojë të bëjë punën e saj vetëm duke nxjerrë akuza e të dhëna në cilësinë e provës nëpër media, por duke përveshur mëngët e duke nxjerrë para ligjit hajdutë të përveçëm të votave.

Për të parandaluar cenimin e integritetit të zgjedhjeve, hapi i parë që duhej bërë ishte padyshim çarmatosja e militantizmit dhe kushdo tjetër që të vihej në administrimin e zgjedhjeve, edhe burokratë të administratës, gjithsesi do ishin më mirë sesa militantët të cilët kanë një mijë e një motive për të vjedhur vota sapo t‘u jepet mundësia. Përfaqësuesit e partive mund të ishin vëzhgues, por nuk mund të ishin këta kuzhinierët. Është e vërtetë që administrata është deri diku e politizuar, por kurrsesi jo aq e politizuar sa vetë militantët. Përpos kësaj mund të ishte menduar që procesi t‘u lihej në dorë atyre buxhetorëve shtetërorë që mund të mendohet se janë më së paku të korruptueshëm e të politizuar e që gëzojnë më shumë respekt e besueshmëri në publik. Të tillë mund të ishin fare mirë mësues të zgjedhur në mënyrë rastësore me short, të cilët jo vetëm që kanë një sens më të madh detyre për komunitetin, por janë relativisht më të edukuar, arsimuar e përgjegjshëm, duke e bërë më të mundur profesionalizmin dhe integritetin e strukturës menaxhuese. Administrator të procesit zgjedhor në terren mund të ishin edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë, qoftë kjo prokuroria apo gjyqësori, duke qenë se këta janë më të përgjegjshëm për ligjin dhe janë më pak të shantazhueshëm nga pushteti qendror apo lokal politik për vendin e tyre të punës. Kësaj trupe mund t‘i shtoheshin edhe noterët, të cilëve tashmë u kemi dhënë shumë besim. Përderisa njerëzit e sistemit të drejtësisë vendosin tashmë për gjëra të rëndësishme, si liria e prona, që për qytetarët e zakonshëm vlen më shumë se vota, pse mos t‘i ngarkojmë edhe me procesin e administrimit të zgjedhjeve.

E mira do ishte që ne të besonim te faktori njeri, por meqë njerëzit na dalin kaq lehtë të korruptueshëm, të ndikueshëm apo manipulues, atëherë një hap tjetër që mund të përdorej mund të ishte shtimi i besimit tek faktori makinë, duke rritur nivelin e automatizimit të procesit. Rasti i provimit të automatizuar të maturës është një dëshmi konkrete e vlerës së teknologjisë në garantimin e integritetit të një procesi, pasi ka hequr qafe provimet e denigruara të pranimit në universitet dhe ka fituar mirëbesimin publik masiv tashmë. Janë të shumta vendet perëndimore që prej dekadash përdorin me sukses fletët e votimit që shpohen apo që shënohen nga votuesi e që numërohen në mënyrë automatike nga makina shumë të sakta të cilat bëjnë skanimin optik të këtyre fletëve. Nëpër botë njihen edhe forma akoma më të sofistikuara të numërimit, siç është numërimi i kompjuterizuar në formën e regjistrimit të drejtpërdrejtë të votës. Bëhet fjalë për makineri të ngjashme me makinat e tërheqjes së parave të bankave, ku votuesi shkon dhe shënon zgjedhjen e tij duke prekur ekranin, sikur të ishte duke u futur fshehurazi në llogarinë e tij bankare për të tërhequr para. Kostoja e aplikimit më të madh të teknologjisë nuk është asgjë para rëndësisë së cilësisë së zgjedhjeve. Madje mund të konsiderohen edhe më ekonomike, pasi blihen njëherë e përdoren shumë herë dhe kursejnë paratë me të cilat do paguheshin numëruesit. Teknologjia padyshim që do e bënte procesin më të thjeshtë, të sigurt, të besueshëm, të shpejtë, të saktë dhe më ekonomik, kështu që e gjitha ka si emërues të përbashkët vullnetin politik për të mundësuar zgjedhje të ndershme, apo për të bërë ç‘është në dorën e tyre për ta kthyer në të manipulueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top