Keqinterpretimet për pasojat e sistemit të ri zgjedhor

Keqinterpretimet për pasojat e sistemit të ri zgjedhor

Keqinterpretimet për pasojat e sistemit të ri zgjedhor
Botuar tek gazeta Shqip

Tanimë që rezultati i zgjedhjeve është duke u qartësuar plotësisht dhe qe mbështetja elektorale për qeverinë në fuqi është duke u konfirmuar kanë rifilluar menjëherë justifikimet për rezultatin dhe mveshja e fajeve. Në këtë valë justifikimesh në qendër të tabelës së qitjes është vendosur sistemi zgjedhor, i cili po bëhet një ndër valvulat kryesore shfryrëse të përgjegjësisë për rezultatet. Sistemi i ri zgjedhorë e ka dëshmuar veten një dështim të plotë për pretendimet e mbështetësve të tij, qoftë sepse deformon vullnetin publik e penalizon me të padrejtë faktorët alternativë, por edhe sepse nuk garantoi cilësi në administrimin në terren të votave. Megjithatë sistemi elektoral nuk mund të përdoret si rrugëdalje justifikuese për dështimin dhe paaftësinë e aktorëve specifik politik të cilët po e përdorin për të justifikuar mungesën e mbështetjes publike të dëshmuar në 28 qershor.
Pikësëpari nuk mund të përdoret ky sistem për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë që do vij në fuqi në shtator me pretendimin që e majta ka marrë më shumë vota se e djathta dhe për rrjedhojë pushteti i takon të majtës. Si fillim dallimi ideologjik i majtë i djathtë në Shqipëri është i papërfillshëm sikurse edhe e ka predikuar vetë lideri i opozitës dhe vetë rregullat e lojës zgjedhore që sapo u konsumua ishin propozuar prej tij. Prandaj të pretendosh që partia socialiste ka fituar sepse ka marrë më shumë vota është njësoj sikurse në një lojë futbolli të pretendohet që ka fituar skuadra që e ka mbajtur më gjatë topin, dhe jo ajo që ka bërë më shumë gola, në këtë rast ka marrë më shumë mandate. E njëjta gjë ngjau edhe në vitin 2005 ku numri i votave të marra nga Partia Demokratike ishte më i ulët se ai i Partive Socialiste dhe është qesharake që i njëjti argument të përdoret nga të njëjtit eksponentë të së majtës edhe tani. Për më tepër që këtu ka edhe një spekulim logjik, nuk mund të thuhet që po të ishte me sistem ndryshe, pra me proporcional kombëtar, fitoren do e kishte marrë Partia Socialiste, sepse harrohet që me rregulla të tjera loje edhe Partia Demokratike do luante ndryshe, duke u përqendruar në marrjen masive të votave, dhe jo në goditjen e përqendruar për të kapitalizuar në mandate në zona të caktuara si Elbasani, Berati apo Korça. Fundja e njëjta taktike u përdor nga krahu i majtë në zgjedhjet lokale gjatë të cilave përqendroi fushatën për të shtënë në dorë bashkitë më të rëndësishme të vendit dhe ia doli në këtë mënyrë të bënte gol, ndërkohë që koalicioni opozitar në rang vendi mori diku tek 150 mijë vota më pak sesa koalicioni qeverisës. Megjithatë zgjedhjet lokale të vitit 2007 mund të konsiderohen me plote gojën fitore e së majtës. Nuk është e ndershme që eksponentët e majtë t’i shmangen përgjegjësisë për humbjen duke përdorur standarde të dyfishta, duke evokuar votën proporcionale kur i leverdis, dhe numrin dhe rëndësinë e bashkive kur nuk i leverdis të përmend rënien në proporcional.
Një tjetër abuzim me interpretimin e sistemit është pretendimi se partia socialiste humbi për faj të ndryshimit të sistemit zgjedhor. Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse edhe me sistemin e kaluar zgjedhor Partia Socialiste në 2005 kishte numerikisht diku tek 25 mijë vota më shumë Partia Demokratike fitoi deputetë në më shumë zona elektorale. Kjo gjë tregon që votat e Partisë Demokratike janë të shpërndara në mënyrë më proporcionale e të balancuar nëpër Shqipëri ndërkohë që Partia Socialiste me sa duket penalizohet nga disporpocionaliteti i ndarjes së Shqipërisë në zona elektorale. Ndryshe nga çfarë pretendohet nga komentatorë apo analistë të cekët, bazuar në literaturën e partive politike, mund të thuhet me gojë plotë që PD-ja është më kombëtare si parti, ndërkohë që PS-ja ka më shumë vota të përqendruara me tepri në bastione. Madje sistemi i ri e ndan vendin në 12 zona zgjedhore kurse ai i mëparshmi e ndante në 140, që do të thotë që mundësia për disporpocionalitet është minimizuar me këtë sistem. Partia socialiste ka pasur po atë probabilitet për të përfituar nga ky sistem sa e ka pasur edhe Partia Demokratike. Madje ky kod maksimalizon peshën e dy koalicioneve të partive të mëdha në raport me rivalët, pasi kanë vjelur e kapitalizuar nga çdo votë të hedhur për siglat e partive të tyre si dhe ato të hedhura për aleatët. Është qesharake që humbja apo fitorja e Partisë Socialiste të lidhet me fatin e LSI-së kur nuk kanë qenë në të njëjtin koalicion. Dëmi që PS i ka bërë vetes me këtë sistem të ri është që ka qenë shumë më tepër efikas në efektin e dëshiruar për të cilin e krijuan sistemin. Pra e ka dëmtuar aq shumë LSI-në, sa kjo e fundit ka marrë një numër tepër të madh votash që nuk janë kapitalizuar në mandate deputetësh, e për rrjedhojë ka marr një numër aq të vogël deputetësh sa nuk mund të shërbejë si kamerdare shpëtimi për dështimin elektoral të koalicionit të udhëhequr prej Partisë Socialiste.
Keqkuptimi i tretë domethënës që është duke u bërë, është ai i partive të vogla që ishin në koalicion me partitë e mëdha. Pretendimi se këto parti të vogla satelite të partive të mëdha kanë ngelur jashtë parlamentit për faj të sistemit është krejtësisht i pabazë. Sistemi elektoral dhe kodi dëmton drejtpërdrejtë koalicionin e LSI-së dhe Polin e Lirisë si dhe partitë e treta ekzistuese ose që mund të dalin në të ardhmen, të cilat nuk bëhen aleate në koalicionet kryesore duke krijuar duopol politik pasi garanton supremacinë e dy partive politike kryesore shqiptare dhe satelitëve të tyre dhe eliminon në mënyrë arbitrare ata aktorë politik që nuk iu nënshtrohen bindjeve, qëndrimeve, vullnetit apo autoritetit të tyre Mirëpo në fakt partitë e vogla që bëhen pjesë e koalicioneve të mëdha marrin madje edhe më shumë sesa iu takon fal pranisë së dy metodave të numërimit në kod. D’Hondt do përdoret për garën e nivelit të parë mes partive dhe koalicioneve ndërsa Sainte Laguë për të bërë ndarjen e mandateve ndërmjet subjekteve politike që i përkasin një koalicioni. Ky kombinim i dy formulave dëmton partitë politike të vogla që nuk janë pjesë e koalicioneve të mëdha sepse mandatet e tyre përllogariten me d’Hondt ndërkohë që favorizon partitë brenda koalicioneve të cilave mandatet iu përllogariten sipas Sainte Laguë. Konkretisht në këto zgjedhje LSI mezi mori një deputet me mbi 5% të votave në Tiranë dhe Partia Republikane e siguron një deputet me më pak se 2% të votave vetëm fal kodit të ri zgjedhor. Kjo do të thotë që parti të ndryshme si PSD, PAD, PDS e tjera me radhë që ishin në dy koalicionet kryesore, jo vetëm që nuk janë dëmtuar nga sistemi i ri zgjedhor por kanë qenë të favorizuara, sikurse ilustron rasti i mësipërm i Partisë Republikane.
Mirëpo sistemi elektoral ka bërë një gjë tjetër, sepse helbete edhe ky sistem i sterrosur zgjedhor rastis ta ketë diçka të mirë. Partitë e vogla kanë marrë votat që iu takojnë drejtpërdrejtë atyre e jo votat që siguronin me makinacionet e Dushkut ( kuptohet duke përjashtuar deformimin e shkaktuar nga vjedhjet që mund t’iu jenë bërë gjatë numërimit në kurriz të tyre). Ky sistem i jep Çezarit atë që i takon Çezarit, ose më saktë Gjinushit, Milos e Cekës atë që iu takon e jo serumin që përfitonin fal taktikave alla Dushk që sajonin dy partitë e mëdha. Në sistemin e mëparshëm partitë e vogla ishin të volitshme për dy partitë e mëdha sepse mundësonin votimin strategjik, duke transferuar tek to votat në proporcional, për të marrë nëpërmjet tyre ato mandate të proporcionalit korrektues që nuk kishin të drejtë ti merrnin vetë drejtpërdrejtë. Pra partitë e vogla ishin si ata pionierët qëmoti që mblidhnin me drapër në dorë e bënin dua kallinjtë e grurit që linin prapa dy autokombajnat PS e PD kur korrnin votat gjatë zgjedhjeve. Mirëpo me këtë sistem elektoral këto parti satelite nuk iu hynin më në punë dy partive të mëdha prandaj edhe ato vendosën që t’ua hiqnin serumin që i mbante në jetë. Këto parti deri tani kanë përfituar mandate ose nëpërmjet Dushkut, ose nëpërmjet garimit në një zonë të caktuar si kandidat i përbashkët i një koalicioni me partitë e mëdha. Ato nuk kanë pasur programe të veçanta, përveç emrave që i drejtonin s’kanë pasur asnjë ndryshim në qëndrime, platforma, ideologji apo përqasje nga partitë kryesore.
Të vetmet momente kur këto parti kanë ngritur zërin e kanë dalë jashtë orbitës së dy planetëve ku gravitojnë kanë qenë kur është diskutuar kodi zgjedhor apo marrëveshjet paraelektorale gjatë të cilave kanë dashur të shfrytëzojnë konjukturën, si dhe kur janë ndarë postet gjatë formimit të qeverive. Ato qartazi i kanë mbajtur në këmbë strukturat vetëm nëpërmjet klientelizmit, patronazhit, emërimeve nëpër ofiqe administrative, garantimit të imunitetit për veprimtari të paligjshme dhe dhënien e licencave apo tenderëve favorizues. Edhe në mënyrën e organizimit këto parti nuk kanë qenë aspak më të mira se dy partitë kryesore duke u karakterizuar nga përqendrimi i pushtetit në dorën e liderit dhe përjashtimin e zërave ndryshe apo figurave të spikatura me personalitet të pavarur. Rasti më tipik për ta ilustruar këtë është Partia Socialdemokrate gjatë jetës të së cilës kanë dalë më shumë skizma sesa nga partitë e mëdha. Kështu prej kësaj partie ka dalë Teodor Laço e Arian Starova duke krijuar Bashkimin Liberal Demokrat, grupimi i Dhori Kules dhe Ylli Pangos që u bashkua me PD-në, ka dalë Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos si dhe Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet e kryesuar nga Gaqo Apostoli. Në këtë aspekt sistemi i ri zgjedhor ka sjelle një hap pozitiv pasi për herë të parë kemi nuancat e para të qarkullimit të elitës, ku detyrohen të ikin individë që kanë qenë protagonistë që në hapat e para të tranzicionit demokratik. Qarkullimi apo rifreskimi i elitash është e nevojshme për të zhbllokuar karrierën për individë të rinj premtues, për të anashkaluar individë që kanë përvojë politike por përvoja e të cilëve nuk është kushedi sesa e dobishme për të ardhmen pasi këta individë kanë qenë bashkëfajtorë e bashkëpërgjegjës për prapambetjen politike të vendit. Rinovimi i elitave madje është domosdoshmëri sepse i jep frymëmarrje sistemit demokratik dhe mundëson çuarjen përpara të vendit.
Sistemi elektoral dhe kodi shoqërues padyshim që kanë probleme të mëdha të tjera për të cilat meriton të kritikohet e të ndryshohet. Kështu ai cënon parimet kushtetuese të barazisë së votës dhe të mundësive, e konsolidon oligarkinë duke luftuar pluralizmin e vërtetë politik, është rezultat i një procesi jolegjitim, dëmton më tej demokracinë e brendshme të partive, cënon shtetin e së drejtës me administrimin e procesit prej militantëve si dhe mbjell përçarjen krahinore. Megjithatë nuk mund të përdoret për të vënë në dyshim legjitimitetin e fitores së Partisë Demokratike, për të kamufluar humbjen e liderit të opozitës apo si justifikim për dështimin e partive të vogla satelite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top