Prapë në geto

Prapë në geto

Prapë në geto
Botuar tek gazeta Shqip

Po të pyeten lidhur me procesin e integrimit evropian, padyshim shumica dërrmuese çon menjëherë ndër mend heqjen e vizave dhe udhëtimin e lirshëm drejt vendeve perëndimore. Pikësëpari duhen qartësuar disa koncepte dhe procese. Duhet dalluar koncepti i lehtësimit të marrjes së vizave nga liberalizimi i vizave dhe nga procesi i integrimit evropian me lëvizjen e lirë si pjesë përbërëse të saj. Lehtësimi i vizave është një marrëveshje e vitit të kaluar që e bën më të lehtë marrjen e vizave shengen për kategori specifike të shoqërisë shqiptare. Me lëvizje të lirë nënkuptohet realiteti i të qenurit shtetas i një vendi anëtar i Bashkimit Evropian dhe të pasuri të drejtë për t’u zhvendosur pa kurrfarë pengese në një vend tjetër anëtar, duke u trajtuar në këtë vend pritës si të ishte vendas. Pra pa u bërë vend anëtar, shqiptarët e kanë të pamundur të gëzojnë lëvizje të lirë. Procesi i liberalizimit të vizave ndryshon rrënjësisht nga ideja e lëvizjes së lirë, pasi nënkupton që shtetasit shqiptarë të mund të udhëtojnë në vendet e zonës shengen dhe të qëndrojnë aty deri në 90 ditë pa patur nevojën e vizës.
Liberalizimi i vizave është i mundshëm edhe pa ecur shumë shpejt përpara në përpjekjet e integrimit evropian e prandaj në vitin e kaluar vendet e Ballkanit perëndimor u pajisën me një udhërrëfyes specifik i cili paraqiste të ndara në katër kategori, hapa konkrete që duheshin ndërmarrë për të mundësuar heqjen e vizave. Bëhet fjalë për masa dhe reforma që duhet të kishin për qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë së dokumenteve, masat për përmirësimin e kontrollit të kufijve dhe për luftimin e migrimit të paligjshëm, reforma për të përmirësuar sistemin e drejtësisë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe masa që synonin të garantonin standarde të larta të të drejtave të njeriut.
Lidhur me mundësinë për të udhëtuar lirshëm jashtë vendit jo vetëm që shqiptarët janë duke përjetuar në një far mënyre një vazhdim të izolimit të dikurshëm komunist por edhe një dëshpërim kolektiv të përditshëm që intensifikohet nga nëpërkëmbja që pësohet nëpër ambasada dhe nga përmallimi i shumë qytetarëve për emigrantët e panumërt që e kanë të vështirë të takohen me bashkëfamiljarët. Prandaj nëse do të ishin pyetur shqiptarët kush duhej të ishte prioriteti numër një, objektivi më i dëshiruar për t’u realizuar sa më shpejt padyshim që ky do të ishte heqja e vizave, mirëpo kjo gjë nuk është e vërtetë për elitën politike, e cila në fakt detyrë duhej të kishte pikërisht përmbushjen e nevojave dhe dëshirave të popullsisë.
Mirëpo në vend që qeveria dhe opozita të përqendrohej tek realizimi i aspiratës afatshkurtër të heqjes së vizave dhe aspiratës afatmesme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është përqendruar tek dallaveret elektorale. Reforma elektorale ka qenë epiqendra e veprimtarisë politike shqiptare për mbi tre vjet duke u shndërruar në një gangrenë konstante e jetës politike shqiptare duke shteruar një pjesë shumë të madhe të vëmendjes, kohës, burimeve dhe energjive të aktorëve politik. Ky proces shumëvjeçar ka deformuar mënyrën sesi është bërë qeverisja dhe mënyrën sesi është bërë opozita, ka eklipsuar dhe sakrifikuar të tjera prioritete më elementare të shoqërisë shqiptare duke ngadalësuar demokratizmin, integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik në vend. Përqendrimi i politikës shqiptare vetëm tek reforma elektorale, fushata dhe zgjedhja dëshmon për papërgjegjshmërinë politike të kësaj elite dhe e ka bërë të qartë që aktorët politik shqiptarë të të gjitha ngjyrave, i shohin zgjedhjet politike jo si një instrument për të mundësuar ardhjen në pushtet për të përmbushur interesat kombëtare, për të vënë në jetë të platformat apo programet politike si dhe shpalosjen e kapaciteteve apo vizionit të tyre por si një qëllim në vetvete. Prandaj dështimi në mospërmbushjen e kritereve teknike që do mundësonin heqjen e vizave në 1 janar 2010, nuk duhet parë vetëm tek paaftësia e qeverisë por edhe tek paaftësia e opozitës për ta vënë këtë çështje në qendër të vëmendjes dhe për të bërë presion ndaj qeverisë që kriteret të përmbusheshin në kohë. Shqipërisë i është dorëzuar udhërrëfyesi në qershor të vitit 2008 ndërkohë që raporti i parë paraprak është bërë në nëntor 2008 ndërsa raporti i dytë në maj të këtij viti. Dhe për ironi të fatit në periudhën kur Shqipëria vizitohej nga ekspertë eurokrat që mbikëqyrnin përmbushjen e kërkesave, në mars të këtij viti sistemi elektronik TIMS (Total Information Management System) i menaxhimit të koordinuar dhe përqendruar të kufirit kishte dalë jashtë funksionit sepse ishte harruar që të paguhej riabonimi. Një gabim banal që ilustron në një far mënyre papërgjegjshmërinë e pafalshme me të cilën janë trajtuar kriteret aq delikate që na janë kërkuar të përmbushim.
Por dështimi nuk duhet parë vetëm si i nivelit teknik dhe administrativ, por edhe i nivelit të politikës së jashtme dhe diplomacisë. Dihet mirë që në rrethana të caktuara gjeopolitike Bashkimi Evropian ka përdorur edhe standarde të dyfishta duke “bërë një sy mbyllur dhe një vesh shurdh” duke toleruar mosrealizimin e disa kërkesave apo kritereve specifike. Kështu Kroacia e ka marrë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit fill pasi u rrëzua qeveria nacionaliste e Partisë HDZ drejtuar nga Tuxhman, pa u dorëzuar ende të akuzuarit për krime lufte Bebetko dhe Gotovina. Maqedonia e fitoi ironikisht marrëveshjen e stabilizimit dhe asocimit në mes instabilitetit të konfliktit civil të vitit 2001. Edhe Serbia e mori marrëveshjen vitin e kaluar pa dorëzuar ende ndonjë nga të kërkuarit e gjykatës së Hagës dhe duke vazhduar që të jetë faktor destabiliteti brenda Kosovës. Pra në një far mënyre ka pasur edhe hapësira diplomatike për të mundësuar përshpejtimin e procesit në këmbim të heqjes dorë nga mjetet që këto vende kanë pasur në dorë për të shkaktuar destabilizim. Pra marrëveshje stabilizim asocimi në këmbim të heqjes dorë nga destabilizimi. Një mundësi e qartë për të bërë “pazar” diplomatik në kushtet kur një palë kishte në dorë të destabilizonte rajonin. Dihet që dhjetëvjeçarin e fundit çështja shqiptare ka qenë çështja thelbësore e Ballkanit dhe Republika e Shqipërisë ka pasur shumë mundësi në dorë që ta shfrytëzonte këtë konjukturë. Mirëpo në politikën e jashtme është parë një pasivitet dhe paaftësi e theksuar gjatë gjithë kësaj periudhe sepse as interesat kombëtare shqiptare në vendet fqinje nuk janë mbrojtur me devotshmëri nga shteti ynë por as nuk është siguruar gjë në këmbim të shpërfilljes së tyre. Domethënë mirë që nuk jemi përpjekur për realizimin e interesave kombëtare shqiptare si detyrë kushtetuese që e kemi por as nuk kemi përfituar ndonjë gjë nga dorëzimi apo heqja dorë prej këtyre interesave, sikurse kanë përfituar serbët dhe maqedonasit. Këta të fundit kanë pretenduar dhe siguruar përkrahje dhe përfitime prej Bashkimit Evropian duke përdorur të drejtat e shqiptarëve si plaçkë negocimi ndërkohë që ne i kemi lënë shqiptarët e shteteve fqinjë jetimë në fatin e tyre. Kësaj i thonë njësoj sikur të bëhesh spiun pa para, që mirë spiunon, por as nuk përfiton.
Në 15 korrik Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për malazezët, serbët dhe maqedonasit dhe shënoi edhe dështimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë në realizimin e një ndër nevojave dhe dëshirave më të zjarrta të shqiptarëve. Vitin e ardhshëm rasti i Shqipërisë do rimerret sërish në konsideratë me shpresën që nëse ecën gjithçka në rregull edhe neve të na hiqen vizat në 2011. Tanimë që dëshira e publikut dhe udhërrëfyesi evropian e treguan se nuk ishin mjaftueshëm nxitëse për elitën tona që ta motivonte për të përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, të shpresojmë të paktën që shtysa të vijë nga xhelozia e zilia ndaj komshinjve tanë, të cilët duke filluar nga janari i ardhshëm s’do sorollaten më ambasadave evropiane sikurse do vazhdojmë ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top