Koha për të legalizuar hashashin

Koha për të legalizuar hashashin

Koha për të  legalizuar hashashin

botuar tek gazeta Shqip
Ndër pamjet më të  shpeshta që kanë filluar të dalë në lajmet televizive kanë qenë operacionet policore kundër mbjelljes e trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Fakti që hashashi është përhapur tashmë anembanë vendit, edhe në zona që nuk janë mbajtur më parë për prodhues masiv, si dhe operacionet e policisë që përfundojnë pa ndonjë të arrestuar konkret, por thjesht me prerjen e djegien e bimëve  që kanë hedhur shtat tregojnë qartë që masat represive të policisë kundër mbjelljes së hashashit kanë dështuar. Nga ana tjetër pamjet makabre të 7 gushtit e bëjnë të duket paksa qesharake luftën kundër hashashit në Shqipëri, ndërkohë që krimi i rëndë i organizuar ngelet ende i pranishëm në mënyrë kërcënuese. Mbjellja e hashashit tek ne sot është bërë aq i përhapur sa edhe mbjellja e vendit me ndërtime të paligjshme një dekadë më para, prandaj masiviteti kërkon ndryshim të trajtimit të çështjes së drogave të lehta duke e bërë legalizimin e hashashit si një zgjidhje të nevojshme.

Ndërkohë pak ditë më parë qeveria me një nismë që vjen si rrufe në qiell të kthjellët ka marrë përsipër që të legalizojë martesën e homoseksualëve. Kjo nismë mund të jetë ose një diversion për të devijuar vëmendjen nga problemet politike dhe deflacioni që po pllakos në vendin tonë ose një përpjekje  e dëshpëruar për ta portretizuar Shqipërinë si të emancipuar në sytë e perëndimit duke dashur të kompensojë shijen e keqe që lanë zgjedhjet e rrëmujshme që sapo kaluam. Parimisht ky vendim mund të konsiderohet si një deduksion i logjikshëm i të drejtave themelore  të njeriut dhe si diçka që de facto është i papengueshëm, porse është krejtësisht jashtë kontekstit dhe prioriteteve të shoqërisë shqiptare. Ajo që është shqetësuese, nuk është nisma në vetvete, por gëlltitja e këtij elementi  të axhendës dhe debatit të përditshëm të vendeve perëndimore në mënyrë mot a mot në Shqipëri. Andej shumë liri e të drejta thelbësore janë kopsitur tashmë dhe lëvizja për të drejtat e komuniteteve të lezbikeve, biseksualëve, gay-ve dhe transeksualëve është mjaftueshëm e mobilizuar dhe e fuqishme sa e ka përqendruar vëmendjen e publikut tek temat e tyre ndërkohë që konteksti ynë është krejt ndryshe pasi nuk janë zgjidhur e konsoliduar tashmë të drejta më bazike e thelbësore që prekin në mënyrë më gjithëpërfshirëse gjithë shoqërinë shqiptare. Është krejt pa vend të mendohet për  legalizimin e kësilloj të drejtash që mund të konsiderohen të skajshme ndërkohë që Shqipëria vuan nga gangrena e mosrealizimit të drejtës së pronës, procese zgjedhore të pandershme, keqtrajtime në paraburgim etj etj. Megjithatë importimi në mënyrë absurde të papërtypur mirë në një mënyrë që vështirë se mund të tretet lehtë nga stomaku i shqiptarëve nuk është gjë e re. Plotësisht i ngjashëm me këtë rast është edhe ligji kundër duhanit i cili ishte i dyti për nga niveli i rreptësisë në Evropë por që në terrenin shqiptar është bërë për t’u hedhur në plehra sepse kurrkund nuk zbatohet.

Megjithatë diskutimi për martesat e homoseksualëve në këtë artikull nuk ka këtë çështje në vetvete në qendër të vëmendjes, por rreh të tregojë që nëse na qenkan pjekur rrethanat etike apo morale për të legalizuar martesat brenda gjinisë, padyshim që legalizimi i drogave të lehta duhet të ishte pararendës i këtij vendimi.  Pikësëpari kultivimi, tregtimi dhe përdorimi i hashashit në vendin tonë është aq masiv sa vetë këto veprime nuk konsiderohen të papranueshme apo moralisht të dënueshme ndërkohë që homofobia është shumë e zhvilluar ne vendin tonë. Madje në periferi prodhuesit dhe tregtarët e hashashit konsiderohen si heronj që mbajnë gjallë familjet dhe i japin jetë komuniteteve lokale apo madje simbole burrërie siç ndodh me lazaratasit. Së dyti  sikurse nuk mund t’iu ndalohet bashkëjetesa mes dy njerëzve të së njëjtës gjini, de facto në Shqipëri edhe hashashi po hedh rrënje gjithnjë e më të thella e është bërë pjesë e përditshmërisë ku ndëshkimi i prodhuesve apo trafikantëve është rastësi e jo norma. Një tjetër argument akoma më i fortë është argumenti anti-prohibicionist i pësuar dhe mësuar në kurriz të amerikanëve kur ata u orvatën që të ndalonin prodhimin, tregtimin e përdorimin e alkoolit të shtyrë nga motive morale. Prohibicionizmi jo vetëm që nuk e ndërpreu prodhimin, tregtimin dhe përdorimin por përkundrazi, pati një efekt bumerang duke i shtuar dëmit të alkoolit, edhe krijimin dhe fuqizimin e një rrjeti solid ilegal të prodhimit dhe trafikimit të tij. Ishte pikërisht alkooli veprimtaria që mbolli dhe ushqeu në mënyrë masive bandat e mëdha të Al Kapones me shokë. Jo më kot SHBA-të u detyruan ta pranonin që konsiderimi i alkoolit si i paligjshëm ishte kundërprodukti duke e hequr prohibicionizmin. I njëjti efekt pritet të vij edhe në Shqipëri nëse legalizohet hashashi, duke i hequr krimit shqiptar një burim të majmur fitimi e duke ua dobësuar fuqinë ekonomike dhe lidhjet e mbështetjen e komuniteteve të varfra prodhuese. Prej legalizimit të hashashit krimi në fakt goditet dyfish pasi jo vetëm që ngushtohet ndjeshëm gama e veprimtarive të paligjshme fitimprurëse por edhe lirohen duart e strukturave të policisë dhe drejtësisë nga një barrë shumë e madhe, për t’i përqendruar këto burime më tej tek shkelje ligjore më të rënda e domethënëse apo për të luftuar droga më të rënda. Padyshim që do ishte më e dobishme që më para e energji të harxhohen për të përgatitur e mbështetur policë që trajtojnë krime të rënda sesa për të paguar policë që çohen të korrin me kosore kanabis sativa të mbjellura nëpër skuta të humbura të kodrave shqiptare.

Një tjetër argument në favor është ai ekonomik pasi legalizimi i hashashit do mundësojë taksimin e aktiviteteve ekonomike që lidhen me të duke rritur të ardhurat e brishta të shtetit. Madje mund t’i japë një dorë të mirë edhe turizmit shqiptar duke shtuar një motiv për ta bërë Shqipërinë të vizitueshme për rininë evropiane. Ky element ka treguar deri diku se është i tanimë i vlefshëm duke qenë se janë parë tashmë shumë të rinj italian që kanë ardhur në brigjet e rivierës sonë, jo se i kemi më të bukura se Pulja apo Kalabria, por sepse shoqërohen me  garniturën ndjellëse të barit çudibërës bio e shumë të lirë që prodhohet me aq përkujdesje nëpër fshatrat e shumta të jugut.

Edhe kur bëhet fjalë  për dëmin ndaj shëndetit dhe krijimin e varësisë ndaj hashashit, janë të panumërta studimet që tregojnë se nuk dallon shumë nga alkooli i cili në Shqipëri nuk është i paligjshëm. Edhe pse tek ne alkool mund të pijnë pa shumë problem edhe të rinjtë dhe çmimi i alkoolit është i ulët ne nuk kemi ndonjë numër të madh shqetësues të alkoolizuarish. Dihet tashmë që pothuaj gjysma e të rinjve të Evropës Perëndimore e ka provuar apo përdorur tashmë hashashin pa krijuar varësi prej tij. Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë prej Drogës  në të dhënat që nxjerr e tregon qartë që prodhimi i dhe tregtimi i kanabisit është një çështje domethënëse në mbarë Evropën dhe është shndërruar në një realitet që ka kërkuar forma të reja reagimi. Përderisa nuk mund të ndalohet prodhimi dhe tregtimi i hashashit mund të rregullohet duke e bërë këtë veprimtari sa më pak të rrezikshme, sa më pak kriminale e të dëmshme si dhe sa më të kontrolluar. Jo më kot vende si Hollanda, Zvicra dhe Spanja e kanë legalizuar tashmë hashashin ndërkohë që vende të shumta të tjera si Italia, Gjermania, Portugalia, Austria, Belgjika etj,  e kanë dekriminalizuar hashashin duke i përqendruar forcat e rendit në gjëra më të rëndësishme.
Your browser may not support display of this image.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top