Shqipëria e Realit dhe Shqipëria e realitetit
botuar tek gazeta Shqip
Prej një jave vazhdon jehona e fikjes së dritave të stadiumit Qemal Stafa në ndeshjen midis Realit të Madridit dhe Gramozit, duke uzurpuar hapjen e revistave kryesore të lajmeve në televizione, faqet e para dhe titujt kryesorë të shtypit shqiptar si dhe duke u bërë subjekt debati për opozitën politike e mbarë tavolinat shqiptare të mbushura me kafe e llafe. Kuptohet që ngjarja në vetvete është tragjikomike por kurrsesi nuk meritonte atë shqetësim, angazhim apo mobilizim të gjithë aktorëve të gjallë të shoqërisë shqiptare sikur të kishte ndodhur ndonjë gjëmë e madhe. Mirëpo reagimi kaq i ekzagjeruar në fakt tregon diçka tjetër, faktin që ekziston një hendek i thellë që sa vjen e zgjerohet midis masës së gjerë të shoqërisë dhe elitës ose atij segmenti të shoqërisë që ka përqendruar në dorën e vetë pushtetin politik dhe ekonominë e që mund të thirret ndryshe oligarki, kastë apo klikë. Menjëherë u ngritën në këmbë prokuroria, policia, ministritë duke hapur hetime, ngritur akuza, pushuar njerëz e shoqëruar në polici të dyshuar, më një zell të paparë që nuk është hasur në raste të tjera më serioze si për shembull përmbytjet e Shkodrës apo aksidentet fatale në minierat e Bulqizës. Oruelli për këtë situatë do të thoshte që në Shqipëri të gjithë janë të barabartë por ca janë më të barabartë se të tjerët.
Pikësëpari ekzistencën e ekstremeve të kundërta në shoqërinë tonë e ilustron vetë ironia e ardhjes së asaj skuadre me ato shuma marramendëse të paguara pikërisht pa u zgjidhur kriza e përmbytjeve. Ndërkohë që vendin tonë po e pllakos varfëria, shtohet papunësia dhe rrugët janë të mbushur me fëmijë të braktisur lypsarë jepen 2.5 milionë euro për një shfaqje megallomaniake duke sjellë Real Madridin në Shqipëri. Kjo situatë të kujton organizimin qëmoti të Miss Europa apo sjelljen e La Bouche në koncert në vendin tonë në kushtet kur deti ishte i mbushur me gomone shqiptarësh që vërshonin me kokën në torbë në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. Përpos që ishte e paarsyeshme si shpenzim sepse po të shtoheshin edhe 2 milionë eurot e ndeshjes së Milanit me Tiranën mund të mjaftonin për të ndërtuar një ekip shqiptar me blerje edhe sportistësh të huaj mjaftueshëm të fortë sa të ecte përpara në eliminatoret e garave ndërkombëtare si Liga e Kampioneve dhe t’i sillte skuadrat më të mira të Evropës të vinin natyrshëm në Shqipëri e jo në mënyrë artificiale duke i joshur me shuma të majme.
Por ajo që tregon më së miri disnivelin në shoqërinë tonë dhe faktin që vendi ynë po ecën me dy marshe shpejtësie është pikërisht reagimi ekstrem i përfaqësuesve të elitës sonë “thua gjithçka në vendin tonë është duke shkuar fjollë , dhe ky aksident i poshtër na shembi një reputacion që me aq shumë mund dhe meritë e kemi ngritur lartëâ€. E kundërta është e vërtetë, ajo që ndodhi me fikjen e dritave në stadium është më se e natyrshme dhe e pritshme për një vend si yni që e ka traditë këputjen e rrymës prej dekadash tashmë. Mungesa e profesionalizmit dhe defektet e shërbimeve publike në Shqipëri janë të pranishme në çdo sektor, rastësi do ishte po të shpëtonte stadiumi nga këto rrenga që ne hasim çdo ditë. Pse gjithë kjo çudi e hakërrim xhanëm , a nuk është ky i njëjti stadium për të cilin hëngrëm një gjobë sepse nuk kishte ujë të ngrohtë për futbollistët e Danimarkës. Reagimi kaq agresiv ndaj cënimit të ndeshjes së Realit ky ishte përqendruar vëmendja e shumë mediave ndërkombëtare është në një far mënyre materializimi i shprehjes shqiptare “ më mirë të ikë syri sesa namiâ€. Pra në një far mënyre ne e pranojmë si normale dhe gëlltisim çdo situatë apo problem në vendin tonë, por vetëm jashtë mos të na tregojnë me gisht e të tallen me ne.
Të krijohet përshtypja e fabulës së fshatit në dasmë që indinjimin më të madh e ka kur vijnë krushqit nga tjetërkund dhe ndodh ndonjë prapësi në dasmë që i nxjerr llafin e keq nëpër dynja. Apo ajo situata ku gangsterë që janë marrë me gjithfarë trafiqesh apo paudhësish indinjohen e turpërohen më shumë jo kur e mësojnë njerëzit se janë kriminelë por kur iu prishet makina luksoze në mes të bllokut dhe lënë shije të keqe në sytë e rinisë trendy të Tiranës. Pse u dashka të na ndodhë kjo situatë me Realin e Madridit apo të lexojmë një shkrim sarkastik të Adrian Gill për t’u acaruar për njollat që na vendosin jashtëë Pse duhet të vinte Reali që ne të kuptojmë realitetinë Ne fundja reputacionin e keq ia vendosim vetë Shqipërisë. Kryeministri shoqëruar nga isoja e mazhorancës në parlament e akuzon liderin e opozitës si kryetarin e opozitës si drejtuesin e mafias më të rrezikshme të Evropës. Pra i nxjerr bojën Shqipërisë sepse i bie që vendi ynë s’ka bërë asnjë hap përpara në përmbushjen e kritereve integruese të Kopenhagenit për të vendosur shtetin ligjor përderisa kemi mafien më të fuqishme në gjirin tonë dhe e kemi aq të fortë sa ka shtënë në dorë gjithë opozitën. Kuptohet që kur lideri i shtetit e thotë troç këtë gjë vetë dhe raportohet nga Reuter, AFP e të tjera agjenci të huaja lajmesh ky fakt skalitet në memorien e evropianëve dhe s’ka sesi të pinë ujë më reklamat dorëshpuara të ministrisë së kulturës në Euroneës e CNN. Edhe nga ana tjetër opozita konkurron në garën e përbaltjes se vendit tonë duke nxirë me përkushtim të madh qeverinë dhe shtetin tonë sapo i bie rasti të komunikojë me të huaj duke e krahasuar kryeministrin me Ahmedin Nexhadin apo Çavesin. Në këtë lojë nuk ngelen prapa edhe aktorë të ndryshëm të medias që aktorët kryesorë të politikës i etiketojnë si Adolf Hitler, pervers etj etj.
Po edhe sikur të mos ishin kaq të zellshëm personalitet kryesore të elitës shqiptare për “ të larë jashtë shtëpisë ato rroba të pista†që fundja vetë i ndyjnë, prapëseprapë nuk mund të pritet që ne të kemi një imazh diametralikisht ndryshëm nga realiteti dominues i vendit tonë. Ajo që ndryshon është oazi i vogël në Tiranë që mund të jetë me të vërtetë në Evropë për sa i përket stilit apo standardeve të jetës por pjesa tjetër është krejt ndryshe. Individë nga elita shqiptare ballafaqohen dhe indinjohen me problemet e pjesës tjetër shqiptare vetëm në raste sporadike si për shembull ikja e dritave nga semaforët dhe bllokimi i trafikut si rrjedhojë apo ikja e dritave në stadium. Nuk e dinë që në Shqipërinë rurale këputja e dritave vazhdon rregullisht dhe voltazhi i furnizimit është shumë i ulët. Individë të kësaj sëre indinjohen sepse nuk ka ëi Fi në një lokal të Tiranës ndërkohë që në Bulqizë minatorë në kushtet e skajshme të skamjes vdesin një e nga një tek mbledhin mineralin e kromit në dorë. Nga një anë është shoqëria e stilit big brother me të rinj ekstravagantë e në modë e nga ana tjetër spikat bujqësia shqiptare në kushtet mesjetare ku mungon mekanika bujqësore e toka plugohet ende me kafshë apo korret me vegla dore. Nga një anë nga elita artikulohen debate bashkëkohore postmoderne që lidhen me çështje si pirja e duhanit, martesat brenda gjinisë apo ndotja ambjentale ndërkohë që një pjesë e mirë e shoqërisë ndodhet në kushte protomoderne me sfida mbijetese. Nga një anë jemi në pararojë të futjes së teknologjisë dixhitale televizive në Evropë por nga ana tjetër kemi mijëra të ngujuar nga gjakmarrja.
Ilustrime të tilla të ekstremeve të shoqërisë sonë janë të panumërta dhe dëshmojnë për një realitet të hidhur që po përvijohet dukshëm në Shqipëri, atë të oligarkisë. Me oligarki nënkuptohet zotërimi i pushtetit politik, ekonomik dhe i sigurisë nga një grusht njerëzish të cilët pengojnë pjesën tjetër të shoqërisë që të fus hundët e marrë pjesë në këto sfera. Ky disnivel realitetesh shqiptare është një dëshmi që tregon që vendi ynë është larg nga të qenurit një ekonomi tregu ku konkurrenca e lirë ta pamundësonte kontrollin e ekonomisë nga një numër i kufizuar biznesmenësh me mbështetje politike si dhe larg të qenurit një demokraci ku qeverisja të ishte në shërbim të të qeverisurve dhe nën kontrollin e vullnetit të shumicës. Kjo situatë e riqarkullimit të elitave dhe kalcifikimit të një oligarkie na shpie larg nga realiteti evropian, e na afron më shumë me realitetin e Amerikës Latine. Edhe atje në shumicën e shteteve pjesa më e shoqërisë është e vetëdijshme që nuk ka shans të ndryshojë statusin e vetë e të bëhet pjesë e lojës së madhe politike, prandaj mjaftohet të këndojë, kërcejë, prodhojë e shikojë telenovelas, e të ëndërrojnë të bëhen të pasur duke vënë loto apo duke luajtur futboll. Këtu ironia e fatit na ndërlidh sërish me botën amerikano latine. Edhe ne vdesim për telenovela. Edhe tek ne masat po ndihen të përjashtuara nga loja e madhe politikës dhe ekonomise, po shtojnë cinizmin dhe apatinë politike dhe përqëndrohen gjithnjë e më shumë tek jeta e përditshme gjëra më bajate sipërfaqësore si muzika tallava e stilit BBF apo tek lotaritë e panumërta. Por analogjia mund të bëhet edhe me rastin tipik të Realit të Madridit dhe “bukën dhe cirkun†që ata dhanë në Tiranë në datën 20 ( edhe pse jo me lavdinë e impaktin që pritej). Edhe andej vdesin për shfaqjet e magjepsëse ndërkohë që një pjesë e madhe e shoqërisë është në varfëri ekstreme. Mjafton të përmendet Rio de Janerio në Brazil që nga një anë ka 750 favelas me pothuaj një milion e gjysëm banorë dhe nga ana tjetër cdo fund shkurti e fillim marsi organizon karnavalet më masive në botë dhe në 2016 do organizojë lojërat olimpike.