Pas rënies së murit të Shengenit
botuar tek gazeta Shqip
Një ndër gjërat që e bën Shqipërinë të famshme në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare është izolimi i skajshëm gjatë së kaluarës komuniste duke bërë shërbyer si ilustrim klasik në literaturë sa herë përmendet termi autarki. Vetëm ndonjë vend si Korea e Veriut mund ta rivalizonte lidhur me këtë koncept Shqipërinë. është ky kontekst historik që e bën heqjen e vizave veçanërisht të rëndësishme dhe domethënëse për vendin tonë. Kjo mungesë e lirisë për të lëvizur, shoqëruar edhe me varfërinë ekstreme ku na katandisi regjimi bëri që Shqipëria të kalonte 180 gradë në të kundërt dhe sërish të merrte një vend në krye të një tjetër fenomeni antipod të marrëdhënieve ndërkombëtare, atë të emigracionit. Shqipëria është vendi kryesor në botë pas Salvadorit për sa i përket peshës së emigracionit në shoqëri.
Prandaj jo më kot heqja e vizave në Shqipëri ngelet si prioriteti numër një i politikës. Nuk është rastësi që hyrja në NATO nuk u pa nga publiku me sensin triumfal që meritonte dhe që integrimi në Bashkimin Evropian perceptohet thjeshtë si eleminimi i torturës së radhave sfilitëse para ambasadave. Fatkeqësisht heqja e vizave ka filluar të portretizohet në debatin publik shqiptar si të ishte një panacea, një ilaç çudibërës për të shëruar të gjitha sëmundjet që kanë kapur vendin tonë. Mirëpo askush nuk ka marrë kurajon ta shohë me sy më realist këtë çështje dhe të tregoj të vërtetën e gjithë kësaj viza-manie, që heqja e vizave kërkohet nga një pjesë e mirë e njerëzve për të braktisur me lehtë vendin.
Për këtë arsye është qesharake që qeveria por edhe opozita ta përdori heqjen e vizave si një tregues të suksesit të politikës shqiptare. Treguesi i vërtetë në fakt ka për të qenë nëse pasi të hiqen vizat vendi ynë nuk braktiset nga ata që deri tani skanë mundur të largohen ose skanë pasur kurajon të rrezikojnë me format ilegale të kalimit të kufirit. Pra suksesi i vërtetë i elitës politike nuk është realizimi i heqjes së vizave, sepse për këtë proces ne jemi në bishtin vendeve lindore por do jetë nëse pas heqjes së vizave asnjë nuk do e përdori këtë mundësi si trampolinë për të emigruar. Suksesi matet me aftësinë që ka pasur kjo elitë për të bindur të gjithë shqiptarët që ky vend e ka një të ardhme.
Së pari duhet vënë në dukje që edhe vetë heqja e vizave nuk mund të përdoret si tregues suksesi sepse procesi i liberalizimit të vizave nuk është një arritje bilaterale por multilaterale. Domethënë nuk është se Bashkimi Evropian po i heq vizat qytetarëve të Shqipërisë me një marrëveshje dypaleshe fal aftësisë negociatore të qeverisë shqiptare si dhe fal arritjeve të vendit tonë në fusha të ndryshme sikurse ka ndodhur me Kroacinë . Procesi i liberalizimit të vizave është një nismë e ndërmarrë nga BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (me përjashtim të
Duhet që mos të abuzohet me emocionet e publikut ndaj barrierës së vizave por të sqarohet mirë se si funksionon ky proces për të mos ta ngatërruar me hapat e procesit të anëtarësimit.
Procesin në fakt e nisi Komisioni Evropian në vitin 2008 për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duke iu dhënë një udhëzues që përmbante kushte specifike për tu përmbushur si kriter për të hequr vizat. Më pas Komisioni ka shqyrtuar përmbushjen apo mospërmbushjen e këtyre detyrimeve në çdo vend një e nga një dhe ka propozuar për ata që i kanë realizuar që të hiqen vizat. Konkretisht serbët, malazezët dhe maqedonasit i përmbushën që vjet kriteret e udheëtojnë tashmë prej dhjetorit të kaluar pa viza shengen, kurse ne dhe boshnjakët kemi ngelur prapa e shpresohet që të na hiqen vizat sivjet. Këtu duhen eleminuar edhe pretendimet qesharake që vërtiten kafeneve se gjithë këto koncensione energjitike ndaj Italisë apo lëshime politike ndaj Greqisë me kufirin, shkollat, varrezat e regjistrimin janë bërë për hir të mundësimit të procesit të liberalizimit. Në fakt ky proces është kryesisht teknik dhe mundësohet si lidhje e shkurtër me Brukselin, pa ndërmjetësimin e Romës apo Athinës. Madje nëse do shikohet nëse këto vende po na shpaguajnë ndonjë gjë lidhur me lëshimet që kemi bërë deri tani duhet parë se si trajtojnë aplikantët e vizave shqiptare në këtë periudhë. Vështirësia më e madhe e hasur nga qytetarët shqiptarë për të nxjerrë viza vjen pikërisht nga këto dy vende që kanë edhe përqindjen më të madhe të refuzimit të aplikimeve për viza.
Megjithatë të tregohemi largpamës e ta kthejmë vëmendjen tek impakti i heqjes së vizave në Shqipëri. Pikësëpari ka mjaftueshëm arsye për të menduar se heqja e vizave do shoqërohet me një eksod të ri shqiptarësh drejt BE-së. Kjo bindje motivohet jo vetëm nga niveli i lartë i emigracionit të deritanishëm, por edhe nga vazhdimësia e kalimit klandestin të kufirit, nga numri i madh i përpjekjeve në vijim të bashkimeve familjare, nga çmimet e larta të vizave shengen në treg të zi, nga numri i madh i qytetarëve që duan të bëhen të ashtuquajturit homogjenë apo që kanë ndryshuar fenë e kombësinë për të siguruar dokumenta udhëtimi e qëndrimi në Greqi si dhe nga fakti që mbi 700 000 mijë shqiptarë aplikojnë çdo vit për llotarinë amerikane të emigrimit Green Card. Këto indikatorë duke u shtuar me zymtësinë e zhvillimeve politike që po hasim dhe me stanjacionin ekonomik me të cilin po përballemi e zhvleftësonë pretendimin se numri i atyre që do ikin do jetë i ulët sepse “kush deshi të iki ka ikur tashmëâ€. Në fakt janë të shumtë ata që duan të ikin por që nuk ikin sepse largimi ilegal në të vërtetë ngelet i rrezikshëm dhe i shtrenjtë. Rrethanat e tanishme më bëjnë mua të hamendësoj se në pak vite pas heqjes së vizave të paktën 10% e popullsisë shqiptare ka për t’u larguar.
Rasti i Rumanisë ku mbi dy milione qytetarë ose mbi 10% e popullsisë 22 milionëshe kanë shkuar në emigrim pas heqjes së vizave në 1 janar 2002 (duke iu shtuar 1.5 milionëve që tashmë ishin emigrantë) është një rast tipik ilustrativ që paralajmëron deri diku çfarë pritet të ndodhi tek ne. Për më tepër që rumunët ndryshe nga ne, janë larguar masivisht nga një vend që ka pasur një rritje stabël ekonomike, ka pasur më shumë mirëqënie, administratë më cilësore, shërbime publike më efikase dhe infrastrukturë më të mirë se jona si dhe ka pasur motive më shumë si shoqëri për të qenë optimiste përderisa e kishin të qartë datën 2007 të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.Interesant ka qenë edhe një lajm i ardhur nga Maqedonia dymilionëshe në fillim të janarit që pavarsisht nga domethënia pati shumë pak jehonë në shtypin shqiptar. Në datën 9 janar Ministria e Brendshme e Maqedonisë deklaroi se prej heqjes së vizave në datën 19 dhjetor , rreth 150 000 qytetarë maqedonas ishin larguar drejt vendeve Shengen dhe prej tyre vetëm 60 ishin kthyer.
Këtu vlen për t’u theksuar se një tjetër faktor që ka për të kontribuar në largimin e shtetasve tonë ka për të qenë edhe sensi i fortë i mikëpritjes. Domethënë dihet që një emigranti shqiptarë po t’i shkojë një familjar apo mik i ngushtë ka për t’i bërë konak, duke hapur divanin apo një krevat portativ për ta bujtur. Kjo do të thotë që një numër shumë i konsiderueshëm shqiptarësh që banojnë këtu kanë mjaftueshëm të afërm emigrantë që mund të shërbejnë si bazë për një fazë të parë të largimit. Fundja kështu ka funksionuar edhe më parë ku një emigrant i suksesshëm tërhiqte kryesisht ilegalisht një mik ose person të familjes.
Është e vërtetë që heqja e vizave do të thotë udhëtim drejt vendeve Shengen për një afat maksimal prej 90 ditësh në një periudhë gjashtëmujore dhe nuk është njësoj si lëvizja e lirë e pakufizuar që aplikohet pas procesit të anëtarësimit në BE, por gjithësesi është shumë më tepër sesa kalimi në këmbë i Gramozit, me skafe i Adriatikut apo me dokumenta të shtrenjta fallco. Pasi skadojnë këto 90 ditë këta individë konsiderohen ilegal por tashmë janë qindra mijëra shqiptarët që prej vitesh jetojnë e punojnë ilegal nëpër vende të BE-së pa iu hyrë ndonjë gjemb në këmbë. Për më tepër që edhe një pjesë e madhe e atyre që qëndrojnë legalisht në vendet pritëse punën e bëjnë gjithësesi në të zezë.
Duke parë këtë prespektivë vërshimi potencial emigrimi do të ishte shumë me vënd të bëheshin nga institucionet përkatëse shtetërore projeksione lidhur me impaktin që do të ketë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në veçanti dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi. Nëse do të ketë një dallgë të re emigracioni ky padyshim ka për të ardhur kryesisht nga periferia apo zonat rurale ku kushtet e jetës janë mizerabël. Bujqësia shqiptare (20% e ekonomisë sonë ) ka për tu dëmtuar rëndë duke ulur ndjeshëm prodhimin vendas, duke rritur koston e produkteve për shoqërinë, duke rritur importin dhe duke thelluar më tej defiçitin tregtar e largimin e valutës.
Një tjetër sektor që ka për tu prekur rëndë ka për të qenë padyshim turizmi. Deri tani shqiptarët e kanë pasur të pamundur të udhëtojnë drejt perëndimit e kanë qenë të kushtëzuar ti kalojnë pushimet verore në bregdetin tonë. Mirëpo në kushtet kur hiqen vizat jo vetëm nga kurioziteti për të parë atë që deri tani e kanë shijuar nëpërmjet ekraneve, jo vetëm për t’u çmallur me të afërmit por edhe për të provuar shërbime turistike më cilësore e shpesh më të lira se tonat një pjesë e madhe kanë për ta braktisur bregdetin e Jonit dhe Adriatikut. Nga ana tjetër një pjesë e madhe e turistëve tonë përbëhen nga emigrantët të cilët vijnë t’i kalojnë pushimet në Shqipëri për të kombinuar shlodhjen me çmalljen me të afërmit. Vlen gjithashtu të përmendet edhe mundësia e largimit të turistëve që vijnë nga Maqedonia tanimë që ata mund të udhëtojnë lirshëm si dikur për në bregdetin grek. Në kushtet kur fal heqjes së vizave të afërmit e tyre mund të venë vetë t’i vizitojnë në vendet perëndimore gjatë vitit, një pjesë e madhe e emigrantëve do rreshtin së ardhuri në bregdetin shqiptar për pushimet e kanë për të ardhur vetëm shkurtimisht për sebepe familjare.
Ky distancim i emigrantëve prej Shqipërisë ka për të rënduar më tej situatën e sektorit të ndërtimit (14% e ekonomisë) i cili i mbanë sytë nga emigrantët që vijnë në gusht e dhjetor për të hequr qafe stoqet e shumta banesave të përfunduara tashmë prej vitesh. Për më tepër që shkeputja e mëtejshme e emigrantëve dhe rritja e bashkimit familjar ka për të sjellë uljen e remitancave që përbëjnë limfën e ekonomisë sonë. Po kështu vetë largimi i më shumë qytetarëve prej periferisë drejt perëndimit heq një munër të madh potencial blerësish banesash që mund të transferoheshin drejt qendrës si dhe rrit koston e krahut të punës pasi ajo do pakësohet. Uljen e kërkesës për punë e për rrjedhojë rritjen e kostos së krahut të punës kanë për ta vuajtur edhe të tjerë sektorë të ekonomisë. Keq kanë për ta pësuar edhe investimet private në disa sektorë specifik shërbimesh si shëndetësia dhe shkollimi. Bëhet këto lloj shërbimesh qytetarë kanë një ndjeshmëri të veccantë për cilësinë dhe nuk kanë luksin të investojnë disa here kur kanë nevojë pasi mund të jetë tepër vonë prandaj maten mirë. Prej kohësh ka nisur në Shqipëri një lloj turizmi shëndetësor që ka për t’u masivizuar kur të mundësohet që njerëzit të venë e të kurohen në klinika të mira perëndimore pa patur pengesën e vizës duke shpërfillur klinikat private shqiptare. Edhe arsimi privat mund të ketë të njëjtin fat pasi më shumë njerëz do lëvizin lirshëm, zbulojnë e kuptojnë që arsimi në perëndim është shumë më cilësor në shumë shtete është falas dhe kostoja e jetës është e përballueshme. Një shuplakë të fortë kanë për të pësuar nga heqja e vizave edhe tregtarët, sidomos ata të disa produkteve relativisht të shtrenjta si elektroshtëpiaket, veshjet dhe mobiliet. Këta tregtarë nuk do konkurrojnë më me dy tre dyqane të tjera me të cilat mund të bien ujdi për ti mbajtur ccmimet të fryra por me qindra dyqane të mëdhaja që janë më efikase dhe më profesionale të Greqisë dhe Italisë. Tregtarët do kenë të bëjnë me klientë që janë më mirë të informuar, që do kenë më shumë mundësi zgjedhje dhe për të cilët shpesh do jetë me më shumë leverdi që mallrat e shtrenjta t’i blejnë vetë në perëndim.
Kuptohet që të parët që kanë për t’u larguar kanë për të qenë njerëzit më të pakënaqur që do të thotë se edhe opozita ka për t’u dëmtuar deri diku pasi ka për t’u zbehur presioni nga poshtë dhe nga ka për t’u larguar një pjesë e elektoratit potencial. Emigracioni është një valvul sigurese tipike për të shkarkuar e larguar trysninë sociale që do të thotë që edhe presioni nga poshtë për një qeverisje më të mirë dhe efikase ka për t’u zvogëluar.
Pra ndryshe nga sa është duke u portretizuar në mënyrë dritëshkurtër nga gjithë faktorët dhe aktorët e rëndësishëm të shoqërisë sonë, sipas të gjitha gjasave heqja e vizave jo vetëm që ska për të shëruar plagët e vendit tonë, por ka për t’i majisur më tej. Heqja e vizave nuk ka për ta zbukuruar realitetin tonë por ka për ta nxjerrë në pah të plotë dhe të vërtetë këtë realitet. Ka për ta nxjerrë nën dritën e dielllit, duke treguar që ky vend është katandisur nga ata që e drejtojnë në një vend të pajetueshëm nga një pjesë e mirë e shoqërisë që mezi pret të largohet. Rënia e murit të shengenit ka për të qenë një rishfaqje e dhimbshme e atij fenomeni që i ka lënduar shqiptarët gjatë gjithë valles së moteve, kurbetit.