Shteti paramodern
botuar tek gazeta Shqip
Fatmirësisht po duket se kriza e përmbytjes po shkon drejt mbylljes dhe falë Perëndisë mëshirëplotë dhe angazhimit vetëmohues të shumë njerëzve që morën pjesë në përballimin e kësaj krize, shpëtuam pa viktima. Tani që kaluam fazën ku rrinim me zemër të ngrirë nga frika e përkeqësimit apo rrezikut të jetëve njerëzore, kjo situatë meriton të shqyrtohet e analizohet me kthjelltësi. E keqja më e madhe që mund të na ndodhë në këtë situatë është që të mos nxjerrim mësim nga ky pësim dhe ta lëmë të harrohet çfarë ngjau, duke shpresuar në mënyrë dritëshkurtër që mos të na e sjellë sërish fati të tillë situatë.
Fatkeqësisht kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet e jashtëzakonshme, sepse fatkeqësitë natyrore dhe prag-katastrofat në Shqipëri janë bërë normalitet, duke pasur parasysh sa të shpeshta e të rregullta janë bërë. Nëse pak javë më parë në Kopenhagën mblidheshin liderët botërorë për të diskutuar zvogëlimin e impaktit të njeriut ndaj natyrës dhe kthimin në dorë të natyrës së më shumë pushteti, kjo sfidë nuk ka kurrfarë lidhje me realitetin shqiptar. Ne ndodhemi në një pozicion diametralikisht të kundërt, sepse ende nuk e kemi bërë zap natyrën. Në kushtet tona duket se qytetërimi shqiptar nuk ka arritur të nënshtrojë forcat e natyrës, pasi shumë prej fateve tona varen pikërisht nga tekat apo vullneti i natyrës.
Kur s’bie shi, nuk kemi energji elektrike, detyrohemi të rrimë me orë të tëra në terr, industria shkatërrohet e populli depresionohet. Kur bie shumë shi, kemi përmbytje. Kur është shumë nxehtë, plasin zjarre e detyrohemi të angazhojmë gjithë shtetin dhe të kërkojmë ndihmën e avionëve grekë për të fikur zjarret e jugut. Shpesh nuk ia dalim t’i fikim e lutemi që të ndërrojë era apo të bjerë ndonjë shi, ose thjesht presim që të mbarojë vetë zjarri, pasi të ketë shkrumbuar ç’ka gjetur përpara. Mirëpo nuk gjejmë rehati as kur është e kundërta, pra kur është tepër ftohtë fillojnë ngricat e shkatërrohen mbjelljet në bujqësi. Kur bie shumë borë bllokohen rrugët dhe humbet komunikimi me një pjesë të mirë të Shqipërisë malore dhe shumë fshatra futen në gjumë letargjik e furnizohen nga ajri. Madje disa zona, si Vermoshi, gjatë dimrit lidhen me pjesën tjetër të Shqipërisë, duke udhëtuar për në Mal të Zi nëpërmjet pikës kufitare të Gërnçarit në Plavë e Guci e mandej zbresin në Han të Hotit për t’u futur në Shkodër. Dhe gjithë këto telashe ndodhin në një vend me një klimë relativisht të butë dhe jo me kushte ekstreme moti.
Ballafaqimet me fatkeqësitë janë të panumërta, sa janë bërë gati-gati normalitet, në Peshkopi ndodh tërmeti, pastaj del Gjanica nga shtrati, ndonjëherë del edhe Shkumbini, pastaj fillon e sulmon karkaleci arat, më pas shpërthen zjarri. Po kështu vendi ynë ka një ndër nivelet më të larta të erozionit në Europë dhe nuk është rastësi që vetëm para pak ditësh disa shtëpi rrëshqitën në Hekal duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të tyre. Në këto rrethana nuk është përgjegjësi apo triumf i shtetit që këtyre individëve t’u jepet ndihma e duhur kur ju ka ndodhur gjëma, por përgjegjësi apo arritje është kur identifikohen paraprakisht zonat e rrezikuara dhe merren masa që këto rreziqe të minimizohen.
Duke u nisur nga rasti i Hekalit, për shembull, do të kishte qenë me vlerë që jo vetëm të ndërpritej shpyllëzimi, por të pyllëzoheshin këto zona me rrezik shkarje e erozioni, sikurse në vendet e rrezikuara nga përmbytja të ndërtoheshin argjinatura më efikase. Holanda ka gjysmë mijëvjeçari që e ka pothuaj një të tretën e territorit dhe mbi gjysmën e popullsisë nën nivelin e detit e ia ka dalë me efikasitet ta fitojë betejën me detin, ndërkohë që sot në Lezhë, në epokën e internetit dhe satelitëve, duhet të mbajmë sytë nga qielli për të shpresuar që përmbytjet të bëjnë ndonjë vit pushim e mos të shfaqen siç e kanë bërë zakon çdo vit.
Nuk ka nevojë që të gjendet ndonjë fajtor që ka hapur më vonë sesa duhej digat për të nxjerrë përgjegjësinë e shtetit shqiptar përballë kësaj nëpërkëmbjeje që i bëjnë forcat e natyrës shoqërisë sonë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këtë qeveri, por për të gjitha qeveritë të cilat e kanë ndjerë veten në pushtet aq të përkohshme dhe rastësore, sa prej dekadash nuk kanë investuar për të mirëmbajtur apo përmirësuar infrastrukturën që u paraprin problemeve që mund të vijnë nga natyra. Prandaj do të ishte mirë që qeveria mos të krenohej me reagimin prej zjarrfikësi, sepse indikator suksesi duhet të kishte qenë parandalimi.
Kjo qeveri mund të krenohet vetëm pasi të ketë bërë një strategji që t’i paraprijë çdo lloj eventualiteti të ngjashëm, si dhe duke krijuar kapacitete njerëzore e mbledhur bazë materiale që të tilla operacione humanitare të mos përballen më në mënyrë amatore duke improvizuar me mjetet rrethanore, por të ballafaqohen në mënyrë profesionale. A mos vallë duhet që (larg qoftë) të na ngjajë edhe ne një tërmet i madh që të vihet në veprim qeveria për të studiuar siç duhet ndërtesat e reja, me leje e pa leje, për të parë nëse përmbushin standardet minimale sizmike, sikurse bëri Turqia vetëm pasi e pësoi në mënyrë tragjike tërmetin e vitit 1999ë A duhet që të shkrumbohet bashkë me njerëzit një pallat i tërë për të kuptuar që një pjesë e mirë e ndërtimeve tona nuk respektojnë normat bazë të sigurisë kundër zjarrit, se shtimet e reja të qyteteve s’kanë hidrovolantë apo shkallë zjarri e madje në shumë skuta nuk futet dot as makina e zjarrfikësveë!
Një tjetër element dytësor, por simbolik, që la mbresë tek flitej për përmbytjet është viti 1988. Është për të ardhur keq kur dëgjon të të përmendet kaq dendur nga zyrtarët rregullorja e vitit 1988 dhe pikërisht viti 1988 të përmendet si garanci cilësie e sigurie. Ka një simbolikë shumë ilustruese fakti që si mënyrë për të justifikuar qeveritarët thonë ka tridhjetë vite që nuk është vënë dorë, duke harruar që në këto tri dekada, gjatë njërës dekadë pushtetin në dorë e ka pasur partia në fuqi, dhe në një tjetër opozita.
Për mos të folur pastaj që në kushte alarmi duhet të kthehemi tek ekspertët e kohës së “xhaxhitâ€, se pas tri dekadave nuk ia kemi dalë si vend që të prodhojmë breza të rinj ekspertësh që të maten me të vjetrit. Gati-gati të krijohet përshtypja se ky shtet ecën për inerci nga e kaluara e jo se dikush sot e mban në këmbë.
Në situatën e sotshme, përgjegjësia e shtetit nuk qëndron thjesht te shkarkimi i vonuar i digave, por edhe te fakti që nuk mban në nivel funksional hidrovoret dhe sistemin e irrigimit, bile duke prishur ato shtëpi që i bllokojnë apo dëmtojnë. Qëndron edhe te fakti që lejon të shkatërrohet shtrati i lumenjve prej kompanive të ndërtimit që marrin inerte, duke i bërë këta lumenj gjithnjë e më të rrezikshëm. Për mos të folur pastaj që përveçse Lanës apo ndonjë përroi tjetër në të tjera qytete të Shqipërisë, lumenjtë e mëdhenj nuk janë të disiplinuar në shtretër artificialë prej betoni apo guri, sikurse është bërë shekuj më parë në mbarë qytetet europiane.
Të gjitha këto sfida, që përmenden natyrore, janë sfida tipike me të cilat përballeshin shoqëritë para-industriale. Në historinë e njerëzimit, përballja me sezonin e shirave dhe përmbytjeve lumore në fakt është një ndër indikatorët thelbësorë të etapave të zhvillimit të qytetërimeve. Qytetërimet më të hershme lidhen pikërisht me nënshtrimin e mandej vënien në shfrytëzim të luginave lumore, konkretisht Tigri, Eufrati, Nili, Indusi dhe Lumi i Verdhë.
Ndërtimi i hershëm i sistemeve të kullimit dhe vaditjes bëri që ato zona të kërcënuara çdo mot nga përmbytja, të bonifikoheshin e të shndërroheshin nga moçale, në burime begatie e për rrjedhojë zhvillimi, kulture, fuqie e lavdie. Është me të vërtetë dramatike të mendosh që nga një anë sumerianët e Mesopotamisë mbi 7 mijë vjet më parë krijuan sistemin e parë të irrigimit dhe hodhën hapat e parë të bujqësisë duke shndërruar Tigrin dhe Eufratin nga barrë në aset, dhe nga ana tjetër të shohësh sot shqiptarët që vazhdojnë ta shohin Drinin me frikë sikurse përmendej edhe në tregimet e moçme shqiptare.
Prandaj është e domosdoshme që kapitulli i përmbytjeve të mos mbyllet me kaq, por që ky vetëdijesim dhe solidaritet të shndërrohet në angazhim për të hartuar dhe zbatuar plane mbarëkombëtare, për t’u paraprirë problemeve që mund të ndodhin me natyrën në të ardhmen. Përpos kësaj do të duhej që të organizoheshin për të ardhmen struktura të specializuara e të pajisura mirë të ndihmës humanitare apo të emergjencës. Ne kemi pasur raste të shumta të tërmeteve, përmbytjeve, zjarreve, madje edhe të epidemive, si ajo e kolerës dhe poliomielitit, dhe është e pafalshme që nuk kemi ndërtuar struktura siç kanë qenë dikur repartet e Mbrojtjes Civile të Republikës, që të jenë të profesionalizuara për të përballur këto fatkeqësi.
Deri më sot kemi parë që kur ka stuhi, duhet thirrur Roja Bregdetare italiane për të shpëtuar anijet, se vetë nuk e kemi këtë shërbim; shërbimi ynë tercial mjekësor është i pamjaftueshëm dhe shpesh viktimat e fatkeqësive apo aksidenteve duhen fluturuar për në Itali për të marrë shërbim të kualifikuar; analizat e gripit duheshin çuar në Rumani; kur na përfshin keq zjarri, duhet të thirren avionët grekë e kështu me radhë. Edhe në menaxhimin e kësaj krize të përmbytjes u pa qartë që, pavarësisht nga angazhimi i zellshëm i gjithë strukturave, veprimet ishin amatore dhe të improvizuara, mjetet që përdoreshin ishin rrethanore, shpesh kishte dublikime strukturash apo inkoherencë në veprime. Nuk kishte procedura standarde, protokolle, strategji apo plane-veprimi të menduara mirë kohë më parë për t’i bërë ballë situatës.
Për të ilustruar më mirë këtë mangësi në plane, mjete dhe njerëz të specializuar për kësilloj rrethanash, mjafton të përmendet fakti që pamjet televizive tregonin Repartin për Eliminimin dhe Neutralizimin e Elementeve të Armatosur (RENEA) që kishte çuar mjete dhe njerëz për t’u përballur me këtë situatë. Është bërë traditë që këta heronj të vërtetë të çohen kudo në çdo rrethanë e të mos përdoren vetëm për të luftuar kriminelët më të rrezikshëm, por edhe të shkojnë palombarët e tyre për të gjetur trupa të njerëzve të mbytur apo t’i shohim siç ndodhi kësaj radhe, me barka, duke evakuuar njerëz në rrezik.
Duke pasur parasysh që këto situata janë bërë traditë në vendin tonë, do të ishte mirë që të paktën të nxirrnim një mësim të mirë nga gjithë ajo që sapo kaluam. Mbase edhe në kuadër të NATO-s do ishte mirë që ne të specializoheshim në ndërtimin e strukturave ushtarake që përballen me kriza humanitare. Duke çuar me bursa të punësuar të shtetit për të marrë ekspertizë e fituar përvojë në këtë fushë, duke krijuar ekipe të profilizuara menaxherësh, mjekësh e inxhinierësh për situata emergjence apo humanitare, duke investuar në bazë materiale xheniere si ura portabël apo automjete amfibe, duke blerë helikopterë të mëdhenj transporti apo spitale fushore, duke krijuar rezerva veshmbathjesh, ilaçesh, çadrash apo kapanonesh të montueshme enkas për të tilla situata. Kjo gjë mund të bëhet jo vetëm që ne mos të gjendemi më të papërgatitur, por që kjo përvojë e hidhur të na shërbejë që të paktën të kemi një avantazh të krahasueshëm në një fushë për të cilën ka gjithnjë e më shumë nevojë.
Izraelitët për shembull, duke pasur problem permanent terrorizmin, kanë zhvilluar në antiterrorizëm një ekspertizë marramendëse dhe e eksportojnë këtë ekspertizë qoftë në formën e trajnimeve e qoftë në formën e kompanive private të sigurisë që operojnë në gjithë botën. Pakistani, për shembull, duke pasur një problem të vazhdueshëm konfliktin për Kashmirin me Indinë, që zhvillohet në lartësitë e Himalajeve, ka krijuar një mjeshtëri të luftimit në alpe dhe tanimë ajo ekspertizë shfrytëzohet edhe nga ushtarakë amerikanë e anglezë para se të venë në Afganistan. Nëse do të mund të krijonim ekipe të specializuara në shkollat më të mira të botës për këtë punë, madje mund të bëheshim të dobishëm edhe për vendet tona aleate dhe t’i jepnim vetes një reputacion të mirë ndërkombëtar, duke fshirë njollën që kemi tashmë, nëpërmjet angazhimit të kësaj strukture hipotetike nëpër kriza të ndryshme humanitare nëpër botë, sikurse është ajo e Haitit sot, apo tërmeti në Itali vjet.