Shpërthimi i nostalgjisë për artin e realizmit socialist

Shpërthimi i nostalgjisë për artin e realizmit socialist

Shpërthimi i nostalgjisë për artin e realizmit socialist

Festat e fundvitit manifestuan si rrallë herë një rikthim të çuditshëm nostalgjik tek e kaluara. Nuk bëhet fjalë vetëm për vazhdimin me fanatizëm të zakonit të blerjeve masive të ushqimeve para Vitit të Ri që vazhdon për inerci edhe sot paçka se tanimë ka bollëk nëpër dyqane e jo më hollona e racione. Por për një nostalgji të rrallë ndaj artit të realizmit socialist që është bërë në modë në periudhën e sotme.

Reminishencat e artit të periudhës totalitare kanë një farë kohe që janë shfaqur gjithnjë e më dendur. Kështu është qesharake mënyra sesi televizioni public shqiptar vazhdon me organizimin e pandalur të një programi variete për Vitin e Ri me të njëjtën formë, përmbajtje dhe njerëz që e organizonin dy dekada më parë. Pjesë e të njëjtës prirje është edhe reportazhi ndaj Vaçe Zelës. Festivali i RTSH-së ishte akoma më tronditës për sa i përket zhvarrosjes së të kaluarës. I mbushur me himne e lavdi ndaj muzikës, autorëve dhe këngëtarëve të së kaluarës, ai eklipsoi totalisht prodhimet e reja të muzikës shqiptare dhe rrymat bashkëkohore të muzikës. Bile edhe grupe të rinjsh që normalisht këndojnë Rap, u katandisën duke kënduar një këngë të mijëvjeçarit të kaluar, sikurse ishte “Djaloshi dhe Shiu”. Ky festival do të ishte i denjë për një requiem të muzikës së realizimit socialist ose si një dokumentar historik por kurrsesi nuk I shërbente rolit të nxitësit të muzikës së sotme shqiptare.

Kjo simptomë nuk manifestohet vetëm tek televizioni publik që në mënyrë të natyrshme është goxha më konservator, por edhe tek televizionet private. Kështu edhe programi më i ndjekur televiziv i zbavitjes sikurse është Portokalli, nuk ka ngelur i imunizuar ndaj kësaj tendence dhe ka filluar që të rikthejë në skenë personazhe humori, këngëtarë me këngë të epokës së komunizmit. Manifestim i kësaj tendence është edhe suksesi I rrallë i emisionit Këngët e Shekullit të televizionit Klan. Ky emision u pasua edhe me prodhimin e një CD-je që qe në shitjet e saja qe po aq e suksesshme sa edhe emisioni.

Popullariteti i muzikës së realizmit socialist ishte I kuptueshëm në kushtet e izolimit të dikurshëm komunist ishte i pashmangshëm, por sot që jemi zhytur në vorbullën e globalizimit është i pakuptimtë. E si mund të mendohet të shijohet ende me pasion të madh “Lemza” e viteve gjashtëdhjetë sot kur qarkullon nëpër botë hiti i ri “The saints are coming” i U2 me Green Day. Ekzistenca e një nostalgjie që shkon kaq prapa në kohë është e natyrshme për Italinë, një ndër kombet më të plakura në botë me një moshë mesatare 41 vjeç. Një pjesë e mirë e italianëve kanë kaluar vitet më të bukura të jetës së tyre me muzikën e Çelentanos dhe për rrjedhojë edhe sot Çelentano si artist ngelet tmerrësisht popullor. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shumicën e shqiptarëve, kombit më të ri në Evropë, të cilët në kohën e Vaçe Zelës, ende ‘lëkundeshin’ në ëndrrat e baballarëve të tyre.

Me sa duket në shqiptarët paskemi një prirje të natyrshme konservatore dhe rasti tipik është ai I përdorimit të dyfishtë të lekëve të reja dhe lekëve vjetra mbi dyzetë vjet pasi është bërë ndryshimi i monedhës. Kjo situatë e ringjalljes së artit të realizmit socialist kërkon studime sociologjike më të thella duke zbatuar një rigorozitet shkencor, por në pamje të parë gjithsesi mund të thuhet se ka të bëjë ose me mos de-komunistizimin e mirëfilltë të shoqërisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të elitës së vendit, ose me vazhdimin e një lloj izolimi të kësaj shoqërie ndaj ndikimeve ndërkombëtare, ose me një kombinim të të dyjave.

Fakti që në Shqipëri elita transmeton në media apo në shfaqje të tjera, muzikë, art të kësaj periudhe dëshmon qartë që në vendin tonë nuk ka pasur një qarkullim të mirëfilltë të elitave. Tregon që elita e sotshme është mbjellë dhe kultivuar në atë periudhë dhe ka formësuar shijet e veta gjatë komunizmit, për rrjedhojë tani që 15 vite më pas është zbehur ndjeshmëria e viktimave të komunizmit ndaj rregjimit, përfaqësuesit e kësaj elite nuk e kanë për gjë që të shprehin hapur publikisht pasionin e tyre për një pjesë të rregjimit të kaluar sikurse ishte arti I realizmit socialist.

Nga ana tjetër me sa duket kjo elitë ose kjo e kaluar nuk ka qenë konkurruar siç duhet nga e reja. Krijimtaria artistike në Shqipëri në më të shumtën e rastit karakterizohet nga plagjarizma të këngëve turbo-folk bullgare ose turke që për nga vlera artistike padyshim ngelen prapa origjinalitetit të këngëve të dikurshme. Por mund të thuhet padyshim që mungesa e futjes së prirjeve të reja, dhe konservatorizmi, në Shqipëri ka së pari të bëj me faktin që rinia shqiptare procesin e socializimit e ka kryekëput tek familja. Socializimi ka të bëjë me procesin e të mësuarit të sjelljes në shoqëri, formësimit të opinioneve, përshtypjeve, bindjeve, parimeve, normave dhe shijeve, zhvillimi i aftësive dhe njohurive të duhura për të , zhvillojnë aftësitë dhe shijeve, zhvillimi i aftësive dhe njohurive të duhura për të për të funksionuar siç duhet në ambientin ku jetohet. Në procesin e socializimit të një fëmije e pastaj të një adoleshenti marrin pjesë institucione të ndryshme si familja, komuniteti, shokët, bashkëmoshat rët. Në Shqipëri roli i shkollës është minimale jo vetëm si pasojë e rënies së cilësisë dhe rigorozitetit por edhe duke patur parasysh se në vitin 1989 numri i viteve të shkollimit për frymë ka qenë 12.5 dhe sot është 9.5 vite shkollë. Pra rolin kryesor në kultivimin e brezave të rinj e kryejnë familjet të cilat mes të tjerash riqarkullime, në mënyrë të natyrshme ringjallin shije demode sikurse është kjo mania e fundit për këngë të dekadës së mëparshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top