Dua edhe unë një pashaportë greke

Dua edhe unë një pashaportë greke

Dua edhe unë një pashaportë greke

Botuar tek Gazeta e se Shtunes

Këto javë ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut shqiptar projekti i shtetit grek për të lëshuar rreth 200 000 pashaporta për shtetas shqiptar që pretendojnë se kanë ndonjë dell greku në prejardhjen e tyre. Hidhërimi dhe indinjata e shkaktuar nga kjo nismë është në pamje të parë e justifikuar duke patur parasysh se bëhet fjalë për një tjetër situatë që nxjerr në pah dëshirën e shqiptarëve për të braktisur identitetin shqiptar sapo t’i leverdisë si dhe kompleksin e inferioritetit që ne kemi ndaj Greqisë dhe grekërve. Mirëpo kjo e vërtetë nuk është aspak ndryshe nga ajo që tashmë ka ndodhur prej kohësh dhe vazhdon të ndodh, jo me intensitetin e 200 mijë shqiptarëve njëherazi por me përmasa po aj që të mëdha. Shumë syresh që janë shprehur kundër kësaj nisme në fakt tregohen indiferentë ndaj të vërtetës së madhe që janë me qindra mijëra shqiptarë në Greqi që janë duke u rropatur vit pas viti për të siguruar rinovimin e lejeve të qëndrimit, dhe që e kanë të vështirë të investojnë apo të ecin përpara në karrierën e tyre prej emigranti në Greqi duke qenë se janë krejtësisht të varur nga rinovimi i dokumentëve. Dhe aq të varur janë nga rinovimi i dokumentëve sa janë të gatshëm të paguajnë qindra euro siguracion nga xhepi i tyre për të dëshmuar që janë të zënë me punë në Greqi dhe janë gati të heqin dorë nga identiteti fetar dhe antroponimik për ta dëshmuar veten të denjë për të qendruar në Greqi. Mbase kjo gjë nuk ngjan patriotike por duhet patur parasysh që vjen si pasojë e nevojës për mbijetesë.

Prandaj kjo politika e 200 mijë shqiptarëve që marin shtetësi greke nuk është as e re dhe as e rrallë. Në fakt po qe se Greqia do të kishte qenë një shtet normal i zhvilluar sikurse janë Anglia, Kanadaja, SHBA-ja etj. do t’ua kishte dhëne prej kohësh shtetësinë këtyre emigrantëve shqiptarë në Greqi që kanë mbi një dekadë që janë rezidentë. Pra po të kishin qenë në Angli ne do të kishim të paktën 200 mijë shtetas shqiptarë që do kishin edhe shtetësinë britanike. Problemi nuk qëndron tek të shndërruarit në shtetas grek më shumë sesa tek arsyeja pse këta bashkëkombasit tanë rendin që të mohojnë identitetin e të marrin një shtetësi tjetër. Fundja pse nuk shqetësohet kush për faktin që mbi gjysëm milioni shqiptarë aplikojnë në llotarinë amerikane për të marë një “Green Card” sakaq që edhe vetë shteti duket i dorëzuar para këtij fati duke marrë pjesë në këtë eksod të dëshiruar drejt Amerikës nëpërmjet vënies në dispozicion të shërbimeve të veçanta të postës shtetërore për aplikantët dhe fituesit.

Kjo çështja e marrjes së dyshtetësisë nuk është një kusur që po e kanë vetëm shqiptarët por ka edhe raste të tjera që kanë ndodhur në rajon. Kështu përllogaritet se ka mbi 300 000 moldavë që kanë marrë pashaportën rumune vetëm e vetëm për të patur mundësi që të udhëtojnë nëpër Bashkimin Europian. Madje ne jemi duke përjetuar pa shumë zhurmë një situatë shumë të ngjashme me minoritetin maqedonas që gjendet në Shqipëri në zonën e Prespës. I njëjti minoritet maqedonas që në vitin 2001 kur ndodhte lufta civile në Maqedoni, dilte me parrulla separatiste dhe valviste flamurin e FYROM-it, sot është duke u konvertuar me ngut në minoritet bullgar. Kjo pasi një pashaportë bullgare jo vetëm që i lejon të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë, por në fakt i bën de jure qytetarë të Bashkimit Evropian duke filluar nga janari i ardhshëm. Me këtë ritëm ne nuk do të kemi më zyrtarisht tre minoritete etnike (grek, malazez dhe maqedonas) por katër duke shtuar edhe minoritetin bullgar.

Prandaj në parim nuk duhet pasur ndonjë qëndrim shumë agresiv ndaj këtyre 200 mijë pashaportave që do t’u jepen shtetasve shqiptarë sepse gjithçka bëhet në kushtet e vullnetariatit dhe nuk është se kanë për të ndikuar kushedi se çfarë në politikën shqiptare. Në kushtet e vullnetariatit sepse njerëzit që do të marrin këto pashaporta nuk kanë për të qenë të detyruar me forcë për t’i marrë ato, por kanë për të qenë njerëz të rritur e të vaksinuar që në kushtet e pjekurisë dhe lirisë së veprimit kanë për të rendur që të marrin këto pashaporta. Nuk kanë për të ndikuar kushedi se çfarë në politikën shqiptare sepse ata që janë grekofil dhe me ndienjën e kompleksit të inferioritetit tashmë e kanë mendjen top si t’u jepet apo mos t’u jepet shtetësia greke. Këtyre nuk kemi çfarë t’u bëjmë apriori, përveçse të sigurojmë një zhvillim sa më të shpejtë të vendit tonë në mënyrë që të qënurit shqiptar të mos shikohet më si barrë. Ndërkohë që ka shumë nga ata që hiqen grekofil nga zori për të siguruar vizat, lejet e qëndrimit në Greqi apo udhëtimin e lehtësuar për në Bashkim Evropian. Nëse do të kenë në dorë pashaportat greke ata nuk do të jenë të shantazhuar më dhe nuk do të kenë më nevojë të servilosen para konsullatave greke dhe të shtiren më “katolikë se papa”. Këto pashaporta në fakt për shumë shtetas shqiptarë kanë për të shërbyer si gërshërë për të prerë varësinë e tyre me shtetin grek pasi këto pashaporta kanë për të bërë të mundur që ata si qytetarë të BE-së të gëzojnë lëvizjen e lirë nëpër gjithë Bashkimin Evropian dhe të vendosen dhe punësohen fare lehtë në të tjera vende më të kamura të Bashkimit Evropian, ku edhe vetë grekët shkojnë shpesh si emigrant. Ky procesi i përdorimit të Greqisë si trampolinë për vende që janë më të zhvilluara ka ndodhur dendur edhe më parë.

Mund të thuhet gjithashtu që këto pashaporta ndaj shtetasve shqiptarë kanë për të zvogëluar hendekun midis Shqipërisë dhe BE-së pasi në kushtet kur ne kemi tashmë disa qindra mijëra shqiptarë që janë rezident të ligjshëm në vende të BE-së dhe jepen tashmë disa qindra mijëra viza shengen në vit shtetasve shqiptare po të shtohen edhe 200 mijë shtetas shqiptarë që kthehen në të njëjtën kohë në shtetas të BE-së , ne në fakt kthehemi në një ndër vendet e Evropës Lindore më të integruara demografikisht në Evropën Perëndimore. Mbajtja e barrierës së vizave ndaj shtetasve shqiptarë ka për të qenë e irracionale kur pothuaj 1/3 e popullsisë shqiptare të lëvizë lirshëm për në BE dhe të intensifikojë procesin e bashkimit familjar. Bile mund të thuhet se ndikimin më të madh këto pashaporta kanë për ta pasur brenda Greqisë ku 200 mijë vota kanë për të pasur goxha peshë elektorale në zhvillimet e brendshme, ndërkohë që ndikimi i Greqisë më i madh se sa ç’është nuk ka ku të vejë.

Nëse do të na duhej të shqetësoheshim për ndikimin e Greqisë në Shqipëri dhe të kërkonim llogari para qeverisë ne nuk duhet të mendojmë thjesht për pashaportat pasi ato nuk po ua jep kush me zor bashkështetasve tonë. Ajo që po na jepen me zor dhe për të cilat duhet të shqetësohemi e të kërkojmë llogari janë varrezat e profanuar të fshatrave jugore shqiptare dhe varrezat e rreme historike që janë duke u ndërtuar, peshqeshet jo me aq reputacion të mirë historik që grekët po na japin për kishën “autoqefale” orthodokse të Shqipërisë, hapjen e shkollave në gjuhë greke në territore shqiptare, çmimet e kripura të celularëve dhe naftën që nuk është hiç e ndjeshme ndaj rrënies së çmimeve të naftës në tregun botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top