Kusuret e shkences se Historise

Kusuret e shkences se Historise

KUSURET E HISTORISË

Botuar tek Gazeta e se Shtunes

Zor se mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë lëm shkencor më shumë popullaritet në Shqipëri sesa popullariteti që po gëzon sot Historia në Shqipëri. Kudo është duke u folur për histori, jo vetëm në vendodhjen klasike ku i takon të lëvrohet zakonisht historia, sikurse janë katedrat e shkollave dhe raftet e librarive apo bibliotekave, por edhe në media. Gjithnjë e më dendur shikohet që në televizione dhe gazeta t’i dedikohen historisë hapësira të mëdha mbulimi. Kjo gjë nuk ka sesi të ketë të bëj thjeshtë me nostalgjinë e popullsisë shqiptare apo me faktin që shqiptarët në përgjithësi kanë alergji nga librat dhe preferojnë që historinë ta mësojnë të përmbledhur në artikuj gazetash apo të lexuar me ilustrime në televizion. Kjo ka të bëjë me një modë të mirëfilltë për të përdorur disiplinën shkencore të historisë për të kuptuar dhe shtjelluar realitetin.

Pra nuk është se e tanishmja në Shqipëri është bërë monotone dhe rutinë e mërzitshme dhe për të mbajtur shpirtrat ndezur kënaqemi duke gërmuar me kureshtje në histori. Kjo gjë mund të ndodhë mbase në një vend si puna e Suedisë apo Zvicrës që kanë dy shekuj që nuk njohin luftë apo turbullira politike. Por sepse gjithnjë e më shpesh historia po bëhet nga intelektualët dhe opinionbërësit e vendit tonë si instrumenti i preferuar për të shpjeguar realitetin tonë dinamik.

Po pse historiaë Çfarë aftësie çudibërëse ka historia për të dhenë zgjidhje apo përgjigje pyetjeve që ne ngrejmë sotë Në fakt nuk ka të bëjë aspakt me aftësinë e historsë si disiplinë shkencore për të dhënë diagnoza apo receta për probleme aktuale por me tiparet karakteristike të vetë disiplinës. Sepse në histori është shumë e lehtë që çdokush të ndihet ekspert apo kompetent për sa kohë ka lexuar pesë libra kujtimesh, ka memorizuar dy data e dhjetë fakte historike. Historia ka fatin që të jetë një disiplinë që preket dhe shijohet shumë lehtë nga masat e gjera të cilët e kanë shumë të lehtë të kuptojnë dhe absorbojnë librat historik. Kjo në fakt është një hile e kësaj disipline sepse nga njëra anë është e lehtë të bëhesh konsumator i historisë sikurse është e lehtë që të vëmë në përdorim një produkt kimik, por nga ana tjetër është shumë e vështirë që të shkruajmë vetë apo prodhojmë vetë këtë produkt historik apo kimik. Dallimi qëndron tek fakti që ngjarjen historike mund ta kuptojnë të pothuaj të gjithë kurse nga formulat e ndërlikuara kimike shumë pak njerëz marrin vesh. Domethënë me pak fjalë në qarkullim është rritur numri i atyre personave që mendojnë se marrin vesh nga historia paçka se kur raportojnë ose mbulojnë ngjarje historike nuk bëjnë thjesht gabime apo shtrëmbërime në autenticitetin e fakteve dhe ngjarjeve por bëjnë gabime të jashtëzakonshme metodologjike dhe riprodhojnë në kohët e sotshme një përqasje primitive të materializmit dialektik apo të historiografisë së dikurshme etnocentrike shqiptare, që nuk ka kurfarrë vlere shkencore historike.

Për hir të së vërtetës duhet thënë që aktualiteti shqiptar mund të kuptohet dhe shpjegohet deri në një farë mase edhe me historinë porse Shqipëria është një vend model për sa i përket mos-vazhdueshmërisë lineare të historisë apo pikave të shpeshta të kthesave, ndërprerjeve apo të përmbysjeve. Vetë rrugëtimi i hallakatur historik shqiptar në etapa të tipit, protektorat, monarki me monark të huaj, republikë, monarki, pushtim-aneksim, pushtet popullor komunist që ka kaluar nga periudha të qenies satelit të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe më pas Kinës në periudha krejt të ndryshme të izolimit total, për të kaluar pastaj në një tranzicion të stërgjatur me të paktën një pikë kthese të vitit 1997, e ka bërë të vështirë përdorimin e argumentave historik të hershëm për të shpjeguar realitetin e sotshëm.

Prandaj aktualiteti shqiptar mund të shpjegohet shumë më lehtë dhe me rigorozitet dhe saktësi shumë më të lartë nëpërmjet disiplinave të tjera shkencore si sociologjia, ekonomia, shkencat politike, jurisprudenca apo psikologjia. Këto shkenca sociale zotërojnë bagazhin e diturisë, metodologjinë dhe teknikat e duhura për të shpjeguar dhe analizuar shumë dukuri bashkëkohore pa patur nevojë që të rrëmojmë kujtimet e Eqerem Bej Vlorës apo rrëfenjat e shumta ish-ushtarakëve që dëshmojnë për bëmat e nomenklaturës.

Problemi është se këto disiplina lënë shumë pak hapësira për amatorë dhe sharlatanë ose për vetë-iluzione. Me historinë shumica mjaftohet me memorizimin e thatë të të dhënave gjë që në të vërtetë është kronologji dhe jo histori e mirëfilltë. Paaftësia apo injaranca në këto lëme të tjera më të përshtatshme shkencore ka bërë që debatet historike jo dhe aq profesioniste të zëjnë vendin e monopolit në atmosferën publike shqiptare. Zor se zhvillohen në media apo në podiume të tjera debate ekonomike, sociologjike, juridike apo të shkencave politike mbi realitetin.

Një rast tipik për të demonstruar inflacionin e argumenteve historik është argumenti dominant në qarkullim që pretendon se mungesa e zhvillimit të Shqipërisë vijnë nga fakti që shteti ynë është një shtet i ri dhe ne nuk kemi traditë shtetëformuese. Kuptohet që shkencat politike, ekonomike apo juridike do të dinin të jepnin një kundërpërgjigje më të përshtatshme ndaj këtij argumenti por edhe një trajtim më rigoroz i historisë e tregon sa i pavlefshëm është ky argument. Para se ne të pranoheshim në Lidhjen e Kombeve, kjo organizatë kishte vetem 42 shtete anëtare (shumica e territorit të botës asokohe ishte ende koloni) dhe sot pak para se të pranohet Kosova si anëtar i OKB-së kjo organizatë ka 192 anëtarë ( sovrane në botë njihen në fakt 193 pasi Vatikani nuk dëshiron anëatërsinë në OKB). Në dy tabelat në vijim janë radhitur së pari shtetet qe kanë fituar pavarsinë pas Shqipërisë dhe së dyti indeksi i fundit zhvillimit njerëzor sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD-i). Del qartë që ka plotë shtete që kanë fituar pavarsinë shumë më vonë se ne e që janë goxha më të zhvilluar se ne, që rrëzon argumentin që morrëm në shqyrtim e që do të thotë se hershmëria e shteti nuk luan ndonje rol kushedi se çfarë në gjendjen tonë të tanishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top