Keshi antikushtetues
Botuar tek Revista Klan
Situata e zgjedhjeve bëri që çështja e kushtetutës të përsëritej pafundësisht gjatë krizës së datës dhe mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Kushtetuta është nxjerrë në qendër të argumenteve duke u portretizuar si e shenjtë dhe e paprekshme ndërkohë që ka rrethana të tjera ku nëpërkëmbja e kushtetutës ndodh në mënyrë të hapur, publike dhe shumë të dhimbshme. Bëhet fjalë për shkeljen e kushtetutës që bën Korporata Energjitike e cila duke qenë kompani publike shtetërore i takon të menaxhohet konform ligjit dhe kushtetutës.
Kështu neni 18 i Kushtetutës së Shqipërisë garanton se shtetasit shqiptarë janë të barabartë para ligjit dhe se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore. Mirëpo KESH është duke e bërë hapur diskriminimin në furnizimin me energji elektrike që në këtë rast është një e mirë publike që ofrohet nga një kompani shtetërore. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për trajtimin ndryshe të njërit apo tjetrit territor të Shipërisë që ka ngjallur reagime apo debate nëse ky është një diskriminim i politizuar apo pragmatist i lidhur me nivelet e arkëtimeve. Bëhet fjalë për një trajtim të qartë dhe të pastër diskriminues të popullsisë fshatare e cila pothuaj në rang republike. Sakaq kjo popullatë e përbërë nga shtetas shqiptarë e nevojit dhe e paguan energjinë elektrike me të njëjtin çmim sikurse edhe qyteti.
Kjo situatë është shumë e ngjashme me komunizmin e dikurshëm kur fshatarët në Shqipëri trajtoheshin si bujkrobër dhe mbaheshin larg nga shërbimet e privilegjuara që gëzonin banorët e qytetarëve. Një formë tipike absurde diskriminimi ka qenë ushqimi ku fshatarët bujkrobër shqiptarë punonin dhe prodhonin në toka grurë dhe furnizoheshin vetëm me bukë misri. Dhe kur shkonin në qytet shitëset refuzonin që t’iu shisnin bukë sepse i dallonin nga veshja e varfër dhe nga fytyra e rrahur nga dielli. Një ndër kujtimet më tronditëse të fëmijërisë sime ka qenë pikërisht përsëritja e situatës ku banorë të fshatrave përreth Beratit na luteshin ne fëmijëve “qytetarë†që t’u blinim bukë gruri nëpër dyqane se po të shkonin ata vetë do të pikaseshin si fshatarë dhe nuk do t’iu shitej gjë. Nderkohe e njëjta gje po verehet sot kur fshatrat ne menyre të hapur janë duke iu dhënë furnizim me rrymë elektrike shumë më pak sesa jepet në qytete.
Por kushtetuta është duke u nëpërkembur prej shumë vitesh nga KESH edhe me konceptin e furnizimit me energji elektrike në varësi të sasisë të arkëtimit. Kështu në mënyrë krejt hapur, sikurse edhe bëhet diskriminimi i mësipërm, KESH diskriminon banorë të një qyteti apo zone të caktuar sepse mesatarja e përgjithshme e arkëtimit në këtë qytet apo zonë është më e ultë se diku tjetër. Duke qenë se KESH është i paaftë që të ndërpresë dritat individualisht debitorëve dhe të sigurojë arkëtimin e borxheve të mbledhura atëhere ndodh edhe ndëshkimi kolektiv që bën që të njomët digjen me të thatët dhe paguesit e rregullt. Kjo formë diskriminimi nuk është një gjë tjetër përveçse një formë kolektive ndëshkimi që cenon parimin kushtetues të çdo vendi demokratik që thotë se përgjegjësia para ligjit është kolektive. Ashtu sikurse në komunizëm për hir të një të afërmi të familjes, shkatërrohej jeta e shumë individëve që nuk kishin asnjë përgjegjësi personale ndaj veprimeve të këtij të afërmi, edhe sot shumë individëve është duke iu privuar e drejta e furnizimit me energji elektrike pasi njerëz që jetojnë afër tyre nuk janë duke paguar energji elektrike. Dhe kështu të njomët digjen me të thatët pasi individët shëmbullorë që kanë ndërgjegjen qytetare dhe ndjesinë e zbatimit të ligjit dhe detyrimeve të tjera dhe shkojnë e paguajnë rregullisht rrymën elektrike, janë duke u ndëshkuar për një faj që ata nuk e kanë kryer. Këta individë që po diskriminohen në fakt duhet të ishin shpërblyer dhe inkurajuar si modele shembullore se në këtë situatë motoja “paguaje që ta kesh†është një gënjeshtër e vërtetë. Bile këta individë penalizohen akoma më tepër nga ndëshkimi kolektiv sepse pritet që energjia të rritet për të kompensuar për paaftësinë e KESH-it për të ulur humbjet dhe rritur arkëtimet.
Në fakt kontrata për furnizimin me energji elektrike është një kontratë individuale dhe jo kolektive kështu që një veprim arbitrar i heqjes së dritave më gjatë ndaj një zone ku nuk paguhen rregullisht dritat është i pajustifikueshëm.
Këta individë janë duke vuajtur jo vetëm si pasojë e mungesës së ndershmërisë së fqinjëve të tyre por edhe si pasojë e paaftësisë së KESH-it për të siguruar arkëtime në zonat apo qytetet ku ata banojnë.
KESH duhet që për këta individë që paguajnë rregullisht dritat por që gjenden në zona ku nuk paguhen rregullisht dritat, dhe për të gjithë individët që paguajnë rregullisht, të ndihet mirënjohës dhe kokulur pasi kontratat janë me detyrim nga të dy palët dhe përderisa është KESH që nuk përmbush detyrimin për furnizim të rregull, penalizmin duhet ta pësonte KESH-i. Normalisht po të ndodhte një thyerje e kontratës , pala e dëmtuar do e hidhte palën tjetër në gjyq, po a është e mundur dhe sa vlerë ka që të hedhësh në gjyqin shtetëror një kompani shtetërore. Edhe sikur gjykata shtetërore të vendoste në favor të qytetarit dhe t’i kërkonte KESH-it që të dëmshpërblente qytetarin prapë fondet e demshpërblimit KESH-i do t’i merrte nga buxheti i shtetit domethënë nga taksat e qytetarit.