Leximi i gabuar i zgjedhjeve vendore
Botuar tek gazeta Shekulli
Mes shume ngjashmërive të shumta që ekzistuan midis zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 dhe atyre lokale të vitit 2007 spikat edhe rezultati evaziv që i lejonte të dy krahëve, të majtës dhe të djathtës, që të pretendonin shumicën e votave. Në vitin 2005 sistemi maxhoritar favorizonte bindshëm Partinë Demokratike dhe të djathtën paçka se partitë e majta së bashku kanë marrë shumë më tepër vota. Një gjë e ngjashme po duket tani ku e majta nëpërmjet maxhoritarit ka siguruar administrimin vendor të shumicës së popullsisë shqiptare pavarësisht se shumica e shqiptarëve votuan për partitë e qeverisjes ekzistuese (nuk mund të thuhet plotësisht për të djathtën pasi Partia Agrare dhe PBDNJ-ja nuk mund të quhen të djathta), sikurse vihet re nga të dhënat e fundit të dala nga numërimi. Po të kishte qenë sistemi proporcional padyshim që fitorja do të ishte në dorë të atyre që kanë marrë shumicën e votave mirëpo ky është sistemi dhe këto janë rregullat e lojës.
Në Britani partia Laburiste ka marrë 35% të votave por ka siguruar 55% të vendeve në parlament. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në SHBA, Al Gore mori shumicën numerike mirëpo shpërndarja e votave ishte e tillë që favorizoi Xhorxh Bush. Qoftë Partia Laburiste dhe qoftë Xhorxh Bush kanë qenë konsideruar plotësisht legjitim si fitues. Po të thuhej se mosmarrja shumicës së votave dëmtonte legjitimitetin e tyre do të ishte njësoj sikur të gjykonim një lojë me rregullat e një loje tjetër. Do të ishte sikur të gjykonim një lojë hendbolli me rregullat e futbollit duke quajtur faull një gol të bërë me dorë që në të vërtetë mund të jetë faull në futboll, por në hendboll goli me dorë është mënyra e vetme e pranueshme për të bërë gol.
Kjo do të thotë që pretendimi i fitores nga ana e të djathtës për këto zgjedhje nuk mund të bëhet. Por gjithashtu nuk mund të pretendohet plotësisht se këto zgjedhje kanë për të patur plotësisht të njëjtin rezultat po të ishin bërë parlamentare pasi në kushtet e zgjedhjeve parlamentare sjellja elektorale ndryshon goxha marrin pjesë më shumë votues, ka më pak kandidatë me më pak netuork personal sikurse ndodh me anëtarët e këshillave të qeverisjes vendore, ka votim strategjik, ka axhenda ndryshe nga ato qendrore etj.
Megjithatë rezultatet e zgjedhjeve japin disa prirje që të lënë hapësirë për të parashikuar ose hamendësuar se çfarë do të ndodhi në zgjedhjet parlamentare po qe se vazhdon qeverisja e deritanishme. Mes shumë tiparesh dhe mesazhesh të nxjerra nga rezultati i zgjedhjeve spikat një tendencë tronditjeje të bastioneve tradicionale të partive të ndryshme. Kjo është e vërtetë në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike e cila duke qenë në pushtet në një farë mënyre ishte edhe në peshoren e gjykimit. Duket qartë që e djathta ka fituar në zona jotradicionale rurale dhe jugore si Tepelena, Mallakastra. Në këto zona periferike humbja e të majtës fare mirë mund t’i atribuohej edhe pranisë së kandidatëve të majtë ta pavarur, përçarjes së të majtës, mungesës së monitorimit që do të siguronte rigorozitetin e procesit zgjedhor si dhe presionit që shkakton pushteti qendror nëpërmjet punësimit dhe lëvrimit të fondeve në nivelet lokale. Por le ta marrim të mirëqenë se e djathta ka fituar seriozisht në këto zona ku vota është konvertuar duke ikur nga e majta.
Përfitimi që vjen nga konvertimi i kësaj vote të majtë i shoqëruar nga kostoja e humbjes së votës së të djathtëve, kurrsesi nuk duhet të konsiderohet si fitore e të djathtës por si rezultat i populizmit. Fakti që në zona tradicionale të së djathtës si Durrësi, shumica e qytetarëve nuk marrin pjesë dhe fiton e majta tregon qartë që fitoret e qyteteve kryesore nga e majta nuk vijnë nga ndonjë shkëlqim i modeleve të majta të qeverisjes vendore por nga zhgënjimi i të djathtës. Pra qeverisja e deritanishme ka pasur nota të theksuara populizmi duke bërë për vete vota nga një elektorat amorf. Por ndërkohë ka humbur vota nga elektorati i djathtë.
Përpjekjet populiste për të bërë një politikë pragmatiste pa një identitet të qartë ideologjik, duke aplikuar një retorikë të ashpër anti-korrupsion apo anti – status quo mund të japin një epërsi elektorale të momentit, por në kushtet e Shqipërisë nuk dëshmojnë të jenë të frytshme në një periudhë afatmesme. Sorollatja midis politikave të djathta dhe të majta, nga qeverisja e vogël tek politika e kafshatës, prej përgjysmimit të taksave tek sulmi ndaj biznesmenëve që qëndrojnë në vaska të arta, nga Shqipëria një euro tek nafta pa akcizë për fermerët apo rritja e rrogës minimale nuk ka sesi mos të ketë lënë gjurmë tek elektorati i djathtë që nuk ndihet i përfaqësuar. Për mos të folur pastaj me mospraninë e rezultateve konkrete të luftës kundër korrupsion dhe flirtimit me Nanon duke i deklaruar akuzat anti-korrupsion që kishin mobilizuar për vite me rrallë shumë të djathtë apo votues të lëkundur, si deklarata elektorale pa peshë.
Mbase për Partinë Demokratike dhe drejtuesit e saj është e pranueshme sakrifikimi i identitetit politik sipas rrethanave të momentit për hir të qëllimit të pushtetit. Dihet mirë se partitë politike në Shqipëri kanë një mangësi ideologjike dhe funksionojnë si grupe klienteliste që motivohen nga shtënia në dorë e favoreve shtetërore kur partia vjen në pushtet. Kjo mendësi motivon shumë anëtarë dhe eksponentë partiak të partive tona prandaj taktikat pragmatiste, racionale të ndërmarra nga lidershipi i Partisë Demokratike gjatë vitit të fundit nuk i demobilizojnë anëtarët e partisë. Në të tilla kushte vështirë se dështimi i zgjedhjeve të fundit ka për të sjellë ndonjë reformim ose rebelim të Partisë Demokratike.
Por shpesh vendim-marrësit ngatërrojnë anëtarët militantë të partisë me simpatizantët e një partie, dhe i trajtojnë të dy njësoj. Qoftë duke aplikuar një retorikë agresive të vrazhdë e luftarake dhe qoftë duke përkulur ose braktisur pa të keq identitetin e djathtë politik. Shpesh ata e konsiderojnë politikën si një veprimtari plotësisht racionale ku votuesit janë thjesht materialistë që mësyjnë të sigurojnë maksimizimin e përfitimit të tyre material. Kjo gjë mjafton për të mbajtur militantët të angazhuar duke i joshur me ndonjë vend pune, tender apo “shkelje syri†për shkelje ligjore, por jo simpatizantët të cilët nuk kërkojnë medoemos një përfitim të drejtpërdrejtë. Rasti tipik ilustrues është a i legalizimit nga i cili përfituan drejtpërdrejtë shumë të sapoardhur të zonave qytetare që jo detyrimisht votuan për Partinë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Gjithë anëtarët e mirëfilltë aktiv të partive politike nuk bëjnë 100 mijë veta ndërkohë që numri i votuesve e kalon milionin. Pra ajo që motivon ata pak militantë nuk do të thotë që do të motivojë simpatizantët e shumtë.
Angazhimi politik ka në përbërje të saj një përmasë të madhe subjektive, irracionaliteti, që do të thotë se shumë votues votojnë një parti për pasion, bindje, qëndrime, identitet, ideal apo besim dhe jo detyrimisht për një përfitim material të drejtpërdrejtë ose thjesht për forcë zakoni. Një pjesë e mirë e votuesve të vitit 2005 kanë votuar Partinë Demokratike dhe liderin e saj Sali Berishën sepse konsideroheshin si përfaqësuesit më të denjë të pasionit, identitetit apo edhe besimeve të tyre dhe jo sepse donin thjesht që PD-ja dhe Berisha të vendoseshin në pushtet.
Për rrjedhojë leximi i rezultateve të zgjedhjeve lokale duhej të nxirrte në pah jo thjesht mosdorëzimin e premtimeve të prekshme nga qeverisja apo përgjegjësitë individuale të disa “kokave të turkut†që vështire se kanë pasur autonomi apo autoritet për të bërë me kokën e vetë, por së pari faktin që Partia Demokratike ka humbur kontaktin me simpatizantët tradicional të djathtë. Vendimi për të ndryshuar thjesht anëtarë të kabinetit qeverisës pa u përkujdesur për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes në vetvete dhe ndjekjen e një kursi të qartë ideologjik, është një formë eksternalizimi i problemit që nuk e zgjidh krizën por thjesht thellon keqkuptimet dhe jep një ndjesi placeboje. Fakti që në mbledhjen e parë të qeverisë u morën sërish vendime tipike populiste të majta si vendimi për të rritur subvencionet për barnat dhe rrogat për punonjësit e shëndetësisë padyshim që tregon se mesazhi i zgjedhjeve nuk është lexuar siç duhet. Nëse ky kontakt me elektoratin e djathtë nuk rivendoset nëpërmjet politikave koherente të djathta, e ardhmja e PD-së ka për të qenë me të vërtetë e rrezikuar.
Duke parë se ky stil populist qeverisje ia doli që brenda 18 muajve të largojë nga PD-ja qytete të rëndësishme si Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani e Lushnja, mund të thuhet që po të vazhdojë me këtë ritëm në dy vite e gjysëm mandat të ngelur, zgjedhjet e vitit 2009 nuk është çudi që të shndërrohen në një katastrofë të vërtetë elektorale. Humbja e votës qytetare patjetër që duhet parë edhe si pararendëse e asaj që do të ndodhë në një kohë të dytë me vetë votën rurale pasi dihet që opinioni publik formësohet dhe piqet në ambient urban e më pas masivizohet në zonat rurale. Nuk është çudi që me këtë rritëm konsumi dhe braktisjeje të ndodh skenari më i keq i mundshëm ku e majta të fitojë mbi 84% të vendeve në parlament dhe ky do të ishte një kërcënim i mirëfilltë për demokracinë shqiptare e jo thjesht për të djathtën.Â