Oh sa mirë me qenë analist!

Oh sa mirë me qenë analist!

Oh sa mirë me qenë analist!

Botuar tek revista Klan

 

Demokracia përfaqësuese shqiptare siç edhe u vu re nga zgjedhjet e fundit, ka ngelur në nivel embrional dhe dëmet e kësaj prapambetjeje vihen re kudo sidomos në formën e ngurtësimit të sistemit të elitave. Si pasojë e dobësisë së sistemit të përfaqësimit nëpërmjet votës vihen re një sërë anomalish në institucionet shqiptare dhe në procesin e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë. Një pasojë tipike që vihet re është edhe rritja e nivelit të partitokracisë ose më saktë superioriteti i rolit të dy partive kryesore në Shqipëri. Sistemi elektoral maxhoritar dhe bipartizanizmi i institucioneve kryesore garantuese të zgjedhjeve i japin këtyre dy partive një pozicion duopoli të pakundërshtueshëm. Gjyqësori shqiptar dihet mirë që është goxha politizuar dhe i shantazhi i bërë lidhur me korrupsioni ia zbeh paanshmërinë. Po të shtohet këtu edhe ndarja e pushteteve, dihet që në sistemet parlamentare kryesore të Evropës, nuk ekziston një ndarje e mirëfilltë midis legjislativit dhe ekzekutivit, pasi ekzekutivi, pra qeveria, vjen si derivat i drejtpërdrejtë i raporteve të parlamentit. Pra ajo parti që ka shumicën në parlament padyshim që zotëron edhe pushtetin kryesor në shtetin shqiptar. Kuptohet që pjesëmarrja si kandidat për një nga dy partitë gjë që vendoset nga kryetari partive respektive si dhe marrëveshjet paraelektorale të partive të vogla me një nga partitë e mëdha është vendimtare në përzgjedhjen si anëtar i parlamentit janë të vetmet mënyra për t’u bërë deputet.

Në të tilla kushte është bërë gjithnjë e më  e vështirë shndërrimi në protagonist në demokracinë e përfaqësimit për këdo aspirant politikan pasi sistemi është shumë i ngurtë dhe është shumë në dorë të kryetarëve të dy partive kryesore.  Për rrjedhojë ka një lloj oligarkie pushteti që është në dorë të atyre që kontrollojnë partitë kryesore. Në kushtet  e mangësive të demokracisë përfaqësuese shkaktuar nga ky ngurtësim dhe nga proceset e komprometuara, ka evoluar demokracia përfaqësuese, që ka të bëjë me pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes dhe procesit politik në përgjithësi nëpërmjet angazhimit aktiv plurale duke përdorur të drejtën e fjalës dhe procesin e dialogimit, debatimit dhe analizimit me qellim ndikimin e opinionbërësve dhe vendimmarrësve.

Lulëzimi i industrisë së medias në Shqipëri, pavarësisht nga krijimi i një sistemi klientelizmi apo lotimi, ka pasur një rol të theksuar në përmirësimin e demokracisë pjesëmarrëse në vendin tonë. Jo për altruizëm, por për pragmatizëm të pastër, që të kenë ndikim për të favorizuar apo mbrojtur interesa të tretë të pronarëve, mediave iu është dashur të bëhen gjithnjë e më popullore në kushtet e një konkurrencë në zgjerim e sipër. Për rrjedhojë mediat gjithnjë e më tepër janë nënshtruar gjykimit të lexuesit apo shikuesit duke u drejtuar drejt një hapjeje konstante.

Nëse para gjashtë ose shtatë viteve numëroheshin me gishtat e dorës televizionet që transmetonin në Shqipëri, tanimë ato janë bërë të shumtë e të larmishëm në kushtet e një gare të ashpër. E njëjta gjë për gazetat ku është bërë gjithnjë e më e lehtë për të gjetur një kolonë ku të mund të shprehësh një opinion, bësh një analizë apo paraqesësh një propozim. Po kështu edhe brenda mediave të ndryshme elektronike është rritur ndjeshëm larmia e emisioneve të transmetuara, dhe nëse deri dje duhej të kishe mik apo lidhje me ndonjë gazetar të privilegjuar që kishte monopol në emisionet politike televizive, tanimë rritja e pluralitetit mediatik ka bërë të mundur që thyhen listat e mbyllura të personave të pakët që kishin akses mediatik për të shprehur idetë apo bindjet e tyre në publik. Në kushtet e sotshme kanë lulëzuar talk shoë-ët, që të diktuara nga konkurrenca thërrasin pa diskriminim këdo individ interesant që paraqet një temë të re, një fabul, një gjë të veçantë një stil ndryshe, pra që bëhet mediatikisht tërheqës. Mjafton të përmendet roli vendimtar i emisioneve televizive shumë të shikuara si Zona e Lirë, Top Shoë të cilat kanë demokratizuar ekranin dhe i kanë ofruar publikut shqiptar një shumëllojshmëri të panumërt individualitetesh dhe çështjesh që përndryshe do të kishin ngelur të paartikuluara publikisht.

Në kushtet kur është rritur mundësia për të marre pjesë në debatet publike është rritur edhe mundësia për t’u shndërruar në të ashtuquajtur analist. Tregu mediatik plural, konkurrent dhe dinamik, i detyruar të ketë sa më shumë prodhim vendas si pasojë e luftës kundër piraterisë, shoqëruar me faktin që shqiptarët kanë alergji nga librat dhe shkollat dhe i pëlqejnë gjërat të shtjelluara apo shkoqitura në një kolonë gazete, ka krijuar një lloj kaste ose specializimi të vërtetë analistësh. Dhe të qënurit analist është shndërruar në një post tmerrësisht komod dhe efikas, aq shumë efikas, sa ka joshur edhe politikanë, ish politikanë dhe aspirant politikanë që të zgjedhin si trampolinë ose instrument të bërjes së politikës, bërjen e analizave. Të futesh në parti, pa patur mbështetjen e pakufizuar të liderit është e panevojshme pasi në kushtet e Shqipërisë, anëtarësia dhe aktivizimi brenda një partie katandiset në impenjim për ngjitjen e posterave gjatë fushatës, ose vëzhgimin, mbrojtjen dhe numërimin e votave gjatë zgjedhjeve.  Centralizimi i dy partive kryesore lë pak hapësirë që partitë të luajnë rolet karakteristike të partive sikurse janë krijimi dhe përpunimi i platformave dhe ideve qeverisëse, kultivimi i liderëve dhe kandidatëve, ndërlidhjen e qeverisjes me publikun etj.

Në të tilla rrethana është shumë më e leverdishme të ndikosh tek këto parti në veçanti dhe në çështjet publike në përgjithësi në mënyrë transversale, nga jashtë, nëpërmjet komenteve, opinioneve ose analizave mediatike, pra duke përdorur demokracinë pjesëmarrëse. Sesa duke përdorur angazhimin konvencional politik të demokracisë përfaqësuese duke u angazhuar nëpër parti. Për sa kohë që nuk sigurohet garantimi i votës, pluraliteti dhe garimi karrierist brenda partive, kemi për të parë gjithnjë e më shumë ofiqarë, ish ofiqarë dhe pretendent ofiqarë të të gjitha ngjyrave si autor të kolonave nëpër gazeta apo protagonist emisionesh televizive. Në kushtet e mungesës së funksionalitetit të demokracisë përfaqësuese është më mirë të jesh analist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top