Risitë e zgjedhjes së presidentit të ri

Risitë e zgjedhjes së presidentit të ri

Risitë e zgjedhjes së presidentit të ri

Botuar tek revista Klan

 

 

Tanimë që kanë kaluar disa javë nga zgjedhja e Bamir Topit si president i Shqipërisë ndodhja e tij në këtë karrige duket gjithnjë e më e natyrshme dhe e gjithëpranueshme. Deklaratat e serta të ngarkuara me maraz të lëshuara fillimisht nga përfaqësuesit e opozitës u zëvendësuan nga dorëzimi ndaj ligjshmërisë se procesit duke bërë që posti i presidentit të marrë sërish konsolidimin dhe institucionalizimin që i takon të ketë. Mënyra sesi rrodhën ngjarjet në fakt e lanë të topitur mbarë opozitën si dhe një pjesë të mirë të opinionistëve të cilët në përgjithësi analizën e bazonin tek precedenti i pesë viteve më parë sesa tek argumente të tjerë që do merrnin në konsideratë kontekstin e vitit 2007 i cili padyshim është shumë më ndryshe se ai i vitit 2002.

Bile aq i ngurtësuar dhe i konformizuar ishte këndvështrimi që mbizotëronte opinionbërësit sa dukej sikur vendi të ishte shtrënguar si në një darë ndërmjet presidentit konsensual ose zgjedhjeve të parakohshme. Pa alternativa të tjera. Dhe ndërkohë presidenti konsensual i propozuar nga opozita portretizohej si e mira më e mundshme ndërkohë që zgjedhjet e parakohshme shtiheshin në publik si e keqja më e madhe. Duhet thënë që as njëra dhe as tjetra nuk këto dy alternativa nuk qëndrojnë . Presidenti i propozuar nga opozita mund të jetë baraspeshë ndaj mazhorancës për sa kohë kjo mazhorancë është në pushtet. Por po të ketë një rotacion në vitin 2009ë Ç’duhet të bëjmë atëherë që të shmangim një shumicë që e ka presidentin me vete sikurse është motivi që kërkon sot një president të propozuar nga opozitaë Nga ana tjetër pastaj që t’i shesësh zgjedhjet e parakohshme si një të keqe për publik është një lajthitje më vete. Në teoritë e demokratizimit madje këshillohet për vendet në tranzicion ose që dalin nga kriza është bile e volitshme që zgjedhjet të jenë sa më të shpeshta siç edhe ka qenë rasti i Kosovës në vitet e para pas luftës. Interesi publik është dhe ngelet që të ketë sa më shumë zë në vendimmarrje dhe në kushtet kur vullneti i shprehur prej publikut në vitin 2005 ishte deformuar me metamorfoza nga më të çuditshme si prania e partive të së majtës në qeverisje apo flirtimi me ish liderin e socialistëve.

Mirëpo mënyra sesi u rrokullisën ngjarjet në fakt solli disa risi që në fakt duhen konsideruar si zhvillime shumë të rëndësishme dhe të dobishme por që fatkeqësisht janë eklipsuar nga intensiteti i debatit politik. Si fillim duhet thënë që në sistemin tonë politik u rikonfirmua tipari mazhoritar i cili vjen natyrshëm në Shqipëri. Pra fakti që president në Shqipëri bëhet dikush i propozuar nga shumica konfirmon prirjen e lojës politike shqiptare për t’u drejtuar nga mazhoritari. Kjo është rrjedhja e natyrshme dhe e pritshme e zhvillimeve politike në vendin tonë, është kompromisi i bërë në vitin 2002 ai që duhet parë si anormalitet, si një arnë që u qep si pasojë e një dëmtimi që ndodhi në atë kohë. Vjedhja brutale që iu bë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2001 solli një shtrembërim të theksuar të kursit të evoluimit politik të Shqipërisë në përgjithësi dhe të legjitimitetit të pushtetit në veçanti. Kjo ishte arsyeja pse atëherë u pa nevoja për një veprim ad hoc, për një kompromis me opozitën e asaj kohe për të zgjedhur në krye të disa prej institucioneve kryesore të shtetit  individë të propozuar nga e djathta. Ky veprim u ndërmor për të  bërë të mundur kompensimin në një farë mënyrë të zbrazëtisë së legjitimitetit të pushtetit dhe jo sepse ishte detyrimisht gjëja më e mirë dhe e natyrshme që duhej bërë.

Pavarësisht nga tensioni apo problemet që i shoqëruan, zgjedhjet e vitit 2005 ishin më se legjitime dhe qeveria që erdhi si rezultat i tyre ishte legjitime. Në të tilla kushte konteksti politik vitit 2007 ishte radikalisht i ndryshuar nga ai i vitit 2002 e për rrjedhojë mazhoranca nuk kishte pse të lëshonte më shumë sesa ishte e detyruar nga raporti i forcave. Përpos kësaj mënyra sesi janë koklavitur aktorët politik dhe institucionet në vendin tonë e bën këtë tendencën mazhoritare shumë të volitshme, sepse e bënë më të lehtë vënien para përgjegjësisë dhe mbajtjen e llogarisë. Po të kishte marrë opozita presidentin apo të ishte vazhduar edhe dy vite me Moisiun, mazhoranca ekzistuese do vazhdonte të përdorte alibinë e obstruksionizmit dhe sabotimit nga ana e presidentit , për të justifikuar dështimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Kuptohet që edhe pa prokurorin qeveria ngelet përgjegjëse për nivelet e larta të korrupsionit sepse ka boll mjete për të luftuar korrupsionin siç janë kontrolli i brendshëm, derregullimi apo privatizimi. Mirëpo prapëseprapë akuzat e ashpra kundër prokurorit ngelen një rrugëdalje shumë efikase prej përgjegjësisë. Tani që mazhoranca ka në dorë presidentin dhe për rrjedhojë edhe çelësin për ndryshimin apo reformimin e sistemit të drejtësisë, kjo mazhorancë ngelet pa asnjë justifikim për të mbuluar paaftësitë apo dështimet. Dhe në vitin 2009 ka për të qenë 100% përgjegjëse për bilancin pa pasur kurrfarë mundësie që t’ia mveshi fajin ofiqarëve si Sollaku apo sabotimit të shkaktuar nga mosbashkëpunimi i opozitës. Kjo është jashtëzakonisht e dobishme si për ciklimin e elitave ashtu edhe për reformimin e të djathtës.

Një tjetër risi shumë e rëndësishme ka të bëjë me formën me të cilën u konsumua procesi. Ky ishte një proces politik endogjenoz përndryshe nga proceset me tipare të theksuara ekzogjenoze që kemi përjetuar gjatë tranzicionit. Kjo do të thotë që presidenti shqiptar u zgjodh në mënyrë të brendshme, pa ndërhyrjen nga jashtë të ndërkombëtarëve sikurse është bërë zakon të ngjajë në vendin tonë. Edhe kriza që lindi me datën dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve lokale në fillim të vitit 2007 u desh të zgjidhej nëpërmjet ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar jo thjesht si interlokutor por si arbitër i mirëfilltë. Dhe ajo situatë ishte me të vërtetë pikëlluese pasi dëshmonte sesa virtual i kemi ne institucionet dhe aktorët e brendshëm dhe në ç’pikë të hallit është sovraniteti i shtetit tonë. Me të dhënat apo faktet që janë zbardhur deri tani si dhe duke gjykuar procesin dhe rezultatin përfundimtar duket se pjesëmarrja apo ndikimi i misioneve diplomatike në përfundimin e procesit ka qenë minimal për mos të thënë inekzistent dhe ky është lajm i mirë.

Vlen për t’u theksuar gjithashtu dimensioni apo rëndësia që mori parlamentarizmi në këtë proces. Roli i një deputeti mori përmasa vendimtare duke bërë që liderët partiak të kthenin vëmendjen tek ai institucion të cilit i takon të jetë në qendër të sistemit tonë liberal demokratik. Deputetët janë para më shpërfillje, si ushtarë të bindur dhe kur janë bërë listat e kandidatëve për deputet nga liderët e dy partive nuk i është vënë shumë veshi cilësisë, kapaciteteve apo integritetit të tyre. Përbërja e këtij parlamenti nga ana cilësore ka lënë për të dëshiruar që kur bëri betimin pasi në të ka pasur persona që jo vetëm janë futur aksidentalisht falë dushkut por edhe individë që kanë paguar ryshfete për t’u bërë kandidatë e për mos të folur se sa kanë paguar për t’u zgjedhur. Kjo rrjedhë ngjarjesh padyshim që ka bërë që partitë në të ardhmen të jenë më të kujdesshme për cilësinë e përfaqësuesve të kuvendit dhe të maten dy herë para se të pranojnë që të bëhen kandidatë për deputetë individë të fortë apo shumë të hapur ndaj gjithfarë kompromisesh, individë pa identitet të qartë ideologjik, individë që nuk kanë një angazhim apo kontribut të mirëfilltë partiak që edhe do t’i  mbante më të lidhur me forcën politike që përfaqësojnë,.

Në aspektin më teorik të shkencave politike rruga që u ndoq për të nxjerrë Topin president dëshmon për një zhvillim tjetër. Deri tani zhvillimet politike kanë qenë të kontrolluara mirë nga dy liderët e partive kryesore si dhe faktori ndërkombëtar dhe aksionet politike dukeshin më shumë si përballje e raportit të forcave sesa si produkt manovrash apo taktikash të ndërlikuara. Mirëpo me sa u pa proceset politike në Shqipëri nuk mund të analizohen më me një  mënyrë sipërfaqësore të të peshuarit të politikës me anën e rregullës së treshit. Tashmë shohim se zhvillimet politike tanimë mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet teorisë së lojës, pasi terreni është ndërlikuar dhe pluralizuar. Zgjedhja e Topit si president ka ardhur si rezultat i ndërthurjes së veprimit të shumë aktorëve dhe faktorëve, nga një aksion kolektiv strategjik që ka kombinuar raportet e interesave të shumë aktorëve njëherazi. Për të kuptuar hullinë ku po futet politika shqiptare duhet të kuptohet se bëhet fjalë për ndërveprime strategjike ndërmjet aktorëve racionalë të cilët  dhe se nuk për të kuptuar, komentuar, analizuar dhe dhënë një opinion për mënyrën sesi po zhvillohet loja politike nuk mjafton më analiza psikologjike e dy-tre liderëve që heqin vallen, nuk mjafton më avantazhi që vjen nga njohja e disa fakteve të fshehura apo aksesi tek disa prej aktorëve dhe as kreativiteti i lartë në sajimin e hamendjeve. Më zhvillimin e fundit të zgjedhjes së presidentit  u tregua se loja politike shqiptare nuk është më një lojë për amatorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top