Për një histori pa komandë nga lart
Botuar tek gazeta Panorama
Â
Mjafton të hapen gazetat me lajmet e këtyre ditëve të fundit dhe të shqyrtohen me skrupulozitet akademik lajmet dhe diskutimet lidhur me propozimin e kryeministrit për të rishkruar historinë, për të kuptuar se çfarë mentaliteti i prapambetur mbijeton tek ne lidhur me trajtimin e shkencor të historisë. Tek fliste për reformimin e akademisë së shkencave, Kryeministri, lëshoi si Zeusi dikur rrufetë nga maja e Olimpit, një urdhër për të rishkruar historinë. Që historia shkruhet e rishkruhet, hipotezat ngrihen mbrohen, kundërshtohen e rrëzohen, kjo dihet mirë që ndodh dhe nuk ka nevojë për angazhimin e zellshëm të ekzekutivit për një çështje kaq sektoriale dhe specifike. Faktet historike zbulohen, mbulohen, plotësohen, vihen në pikëpyetje, përdoren dhe shfrytëzohen në kontekste të ndryshme për qëllime të ndryshme në mënyrë të pavullnetshme sikurse përparon çdo shkencë sot në botë. Por historia nuk avancon vetëm lidhur me gjetjen e fakteve të reja, përmirësimin e teknologjive apo teknikave që hedhin më shumë dritë apo bëjnë deshifrime për të kaluarën por edhe si pasojë e kërkesave të reja që ka shoqëria nga historia. Kështu shkenca të tjera sociale si jurisprudenca, shkencat politike, sociologjia, flirtojnë gjithnjë e më dendur me historinë për të siguruar të dhëna nga e kaluara për të përmirësuar analizat metodologjinë apo pasuruar njohuritë në disiplinën e tyre.
Kuptohet që ka tema për çështje apo periudha për të cilat nuk shkruhet më histori sepse kanë humbur interesin për publikun, për komunitetin akademik, ka një lloj konsensusi lidhur me rrjedhën e ngjarjeve, nuk ka domethënie apo dobi për realitetin etj. Por kjo nuk do të thotë që ti mohohet e drejta një shkencëtari që t’i vihet për të gërmuar sërish në këto tema nëse një dite të bukur i hipën delli për t’u marrë me këtë çështje. Po ashtu sikurse nuk pengojmë dot që një biolog të vazhdoj të merret me mikrogjallesa të papërfillshme e një astrolog të kalojë orë të tëra të jetë së vetë duke kundrojë me një gyp të gjatë diçka që ne na duket si llambushkë e zbehtë pa lidhje. Pra me pak fjalë nuk vlen të thuhet që historia duhet të fillojë të vihet në punë sikurse thotë e djathta dhe po kështu nuk ia vlen të thuhet që historia është shkruar e nuk ndryshohet sikurse thonë përfaqësues të majtë dhe sikurse me sa duket është pozicionuar debati këto ditë.
Mbase në një vend me çështje thelbësore të zgjidhura, pra me drita, me ujë, me arsim dhe shërbim shëndetësor të shëndetshëm, me mirëqenie ekonomike të lartë e me nivel sigurie maksimale ky debat do të ishte i dobishëm dhe jo rrallë nisen debate lidhur me simbole historike specifike në vende si Danimarka apo Norvegjia. Në të tilla vende të përparuara ky mbizotëron të tilla tema meritojnë të dalin në plan të parë në debate se përndryshe politika teknokratizohet në kulm e bëhet monotone. Por në Shqipëri kjo gjë është e pakuptueshme. Megjithatë problemi nuk ka të bëjë me vendosjen e debatit historik në krye të rendit të ditës por me mënyrën sesi perceptohet e debatohet lidhur me historinë.
Problemi ka të bëjë me frikën e instrumentalizimit politik të shkencës së historisë dhe lidhur me këtë aspekt ne jemi boll të ngopur nga komunizmi, një ndër sistemet politike më manipulator dhe shtrembërues të historisë. Mënyra e të konceptuarit dhe propaganduarit të materializmit dialektik ishte një armë e fuqishme për të legjitimuar një ndër regjimet më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi po ashtu sikurse u instrumentalizua dikur nga nazistët tezat e ngritura nga Darvini. Lidhja e politikës me historinë është e pashmangshme por fatmirësisht rigoroziteti dhe integriteti i lartë akademik i konsoliduar në nivel ndërkombëtar si dhe përparimi i vetë shkencës e bën të vështirë një instrumentalizim politik me kosto ndaj rigorozitetit shkencor.
Dhe problemi i propozimit të rishkrimit të historisë dhe propozimit që historia të mos rishkruhet ka të bëjë me prepotencën me të cilën aktorë politik pretendojë të drejtojnë kursin e shkencës dhe me kurajën e trashëguar dhe kultivuar nga sistemi i kaluar që kanë ata për të ndërhyrë në autonominë akademike. Ndryshe nga ç’janë mësuar të vjetërit që të përdorin në histori një version zyrtar të historisë, të botuar me pompozitet të madh nga akademia e shqiptare e shkencave, historia, sikurse çdo shkencë sociale, duhet të gëlojë nga debati akademik me versione madje kontradiktore që përplasen me njëra tjetrën derisa ndonjë hipotezë të dalë në krye të të tjerave dhe të konsiderohet si më bindës por jo detyrimisht një e vërtetë absolute. Sepse në momentin kur një hipotezë është e pakundërshtueshme atëherë nuk quhet më hipotezë shkencore por fakt dhe që të bëjmë shkencë duhet të arratisemi një orë e më parë nga nocionet e determinizmit social të ngulitura nga komunizmi.
Është e tmerrshme sesi fanepset akoma mentaliteti i tejkaluar i nxjerrjes së një versioni të ri zyrtar të historisë sikurse ishte bërë dikur me veprën me shumë vëllime të Historisë së Shqipërisë të nxjerrë nga akademia e shkencave. Dhe po kështu është e frikshme sesi vazhdon të mbrohet me besnikëri nga të tjerë versioni i vjetër zyrtarë.  Kjo vepër pasi u punua e përpunua për të qenë politikisht dhe ideologjikisht korrekt iu shit publikut si manifest i pakundërshtueshëm i historisë së Shqipërisë që do të shërbente si model për çdo tekst mësimor apo botim shkencor historik në vijim. Mynxyra të tilla që portretizohen si libra të shenjtë njollosin komunitetin akademik dhe nuk meritojnë të quhen shkencë.
Aktorët politikë me peshë nëse me të vërtetë janë të interesuar për cilësinë apo kultivimin e disiplinës së historisë duhet të përpiqen të krijojnë kushte të përshtatshme që ajo të studiohet siç duhet në Shqipëri. Që do të thotë jo thjesht krijimi i një klime të përshtatshme të jetës akademike në Shqipëri, duke mbrojtur e garantuar së pari autonominë akademike, integritetin e institucioneve shkencore, Â por ajo që është më e rëndësishme, duke nxjerrë nga burgu një ndër veglat më të shtrenjta të historianit, faktin historik. Në rastin tonë nuk mund të pretendohet të studiohet historia për sa kohë mbahen të fshehura dosjet e qeverive komuniste, arkivat e partisë së punës si dhe ato të sigurimit të shtetit. Në mos historianët shqiptarë iu duhet të presin kohë më të mira e të ndihen inferiorë ndaj kolegëve të huaj, të mjaftohen duke përdorur e cituar arkivat e huaja apo versionet e gjymtuara e shpesh të trilluara të dëshmitarëve që ende qarkullojnë.