Problemet që dalin nga krijimi i qendrës albanologjike
Botuar tek gazeta Panorama
Më në fund iu dha fund procesit të reformimit të Akademisë së Shkencave, të fundmit akademi shkencash të ish bllokut komunist që vazhdonte me kokëfortësi t’i qëndronte besnike modelit të sajdisur dikur në Kremlin. Ky institucion qëndronte stoik i qëllimit të shtetit totalitar për të pasur hulumtime shkencore të kontrolluara kryekëput nga shteti duke rrjepur keq buxhetin e shtetit dhe duke shijuar privilegje dhe trajtime aspak të merituara. Ndërsa dikur ky institucion ka qenë i dobishëm për shtetin komunist shqiptar të izoluar nga gjithë bota e që përpiqej të realizonte gjithçka brenda vendit, përfshi këtu shkencën, sot në kushtet e globalizimit ky institucion qëndronte krejt anakronik, pa kurrfarë prodhimi origjinal apo arritje shkencore, i tejfryrë me njerëz si dhe duke harxhuar pothuaj gjithë buxhetin për shpenzime operative. Ndërkohë një prioritet shumë më domethënës për shtetin shqiptar, arsimi universitar kishte shumë më tepër nevojë e meritonte shumë më tepër burime financiare, njerëzore dhe materiale. Për këtë arsye reforma e propozuar nga qeveria për të bashkangjitur institutet e akademisë ndaj universiteteve dhe për të transferuar një pjesë të stafit, buxhetit dhe bazës materiale në universitete, është një veprim shumë i goditur dhe do të ketë një impakt pozitiv në kultivimin e shkencës në Shqipëri shumë më të madhe sesa ka pasur akademia gjatë dy dekadave të fundit. Mirëpo entuziazmi për këtë reformë të vonuar të venitet kur shikon se makrostruktura e akademisë së shkencave pjell një strukturë tjetër artificiale sikurse mund të konsiderohet qendra e albanologjisë.
Vetë termi albanologji ngjall debat për vlefshmërinë e saj pasi hamendëson një disiplinë shkencore më vete sikurse janë sociologjia, psikologjia e kështu me radhë. Pra niset me premisën që shqiptarët, pra albanët, janë aq të veçantë, aq sui generis, sa meritojnë të bëhen subjet i një shkence me një emër të sajin të quajtur albanologji. Kjo gjë mbase i shkonte për shtat regjimit të shkuar totalitar në Shqipëri i cili qëndroi për dekada me radhë si një rast klasik i autarkizmit aq sa ende sot Shqipëria përmendet në tekstet mësimore të marrëdhënieve ndërkombëtare si manifestimi më tipik i autarkisë. Në kushtet kur vendi ishte krejtësisht i izoluar dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm qoftë të armikut të jashtëm dhe qoftë të armikut të brendshëm, regjimi e shikonte të volitshme që të improvizonte një shkencë safi shqiptare të quajtur albanologji, si për të çertifikuar e legjitimuar shkencërisht atë që regjimi kishte shkaktuar politikisht.
Në këtë reformë të akademisë së shkencave është parë e arsyeshme dhe kjo është deri diku e kuptueshme, që të paktën perkohësisht të mos shkrihen disa institute të cilat kanë ndërtuar dhe akumuluar njohuri, aftësi dhe struktura që janë të një rëndësie të veçantë për identitetin tonë kombëtar. Mbase mund të ishin gjetur forma më të përshtatshme për të ruajtur produktet, arritjet apo traditat me vlerë shtetëformuese të këtyre instituteve porse per sa kohë nuk është gjetur ndonjë mënyrë më e përshtatshme, për momentin ruajtja e formës ekzistuese është parë nga qeveria si rruga më e drejtë. Veçse kjo gjë duhet bërë duke garantuar dhe siguruar rigorozitetin shkencor dhe në frymën e emancipimit shoqëror që ka pësuar vendi ynë prej komunizmit. Që do të thotë që ky ristrukturim i ri me frymë etnocentrike menjëherë të kujton prirjet izolacioniste të vendit tonë gjatë komunizmit dhe nuk i shkon aspak përshtat frymës që ka motivuar reformimin e akademisë së shkencave.
Arkeologjia, historia, linguistika e kështu me radhë janë shkenca universale, disiplina që studiohen me rigorozitet në gjithë botën dhe nëpërmjet këtyre disiplinave shkencore mund të studiohen edhe tema që kanë të bëjnë me kulturën, identitetin apo të kaluarën e shqiptarëve. Pra studimet për Shqipërinë e shqiptarët mund të konsiderohen si një nga temat e shumta ku secila prej këtyre disiplinave mund të fokusohet, por në faktë me qendrën albanologjike hamendësohet e kundërta, sikur albanologjia është jo thjesht një disiplinë shkencore më vete por është sipër këtyre shkencave të tjera. Kjo gjë është qesharake dhe reflekton një prirje etnocentrike të dalë boje. Mbase do të ishte më mirë që veçmas dhe paralel instituteve që janë përfshirë brenda qendrës albanologjike, të ekzistonte një qendër e studimeve shqiptare se sufiksi logjike është çorientues, e cila të nxisë e koordinojë kërkimet e ndryshme që kanë interes për problemet shqiptare.
Në traditën akademike perëndimore ekziston një analogji e zbehtë që mund të justifikojë ekzistencën e qëndrës së studimeve albanologjike, dhe ëshë tradita e studimeve rajonale, më saktë studimet e kahershme të ashtuquajtura orientale. Por edhe kur bëhet fjalë për qëndrat kërkimore orientale sot ekziston një prirje për t’iu shmangur stigmatizimeve të tilla tani që kemi një zhvillim të studimeve postkoloniale. Ekzistojnë edhe qendra të studimeve europiane apo amerikane por që padyshim ato janë aty si qendra që koordinojnë studime multidisiplinare që kanë tematikë të përqëndruar ndaj çështjeve apo realiteteve evropiane apo amerikane por kurrësesi nuk pretendojnë të rivalizojnë apo të shërbejnë si çadër sipër disiplinave klasike si historia apo arkeologjia sikurse po bëjmë ne. Bota shkencore nuk rrotullohet rreth realitetit shqiptar dhe as realiteti shqiptar nuk është aq endemik, sui generis apo unik si fenomen sa të vlejë të konsiderohet si një shkencë më vete.
Përpos nevojës për t’iu shmangur traditës shkencore etnocentrike, nuk është e arsyeshme që studimet për problemet shqiptare të jenë akoma të përqendruara në institucione shtetërore. Duhet të merren masa për të kaluar në një fazë tjetër ku hulumtimet për problemet shqiptare të mos jenë të centralizuar a komanduara nga lartë por të jenë të lira, spontante dhe krejtësisht në dorën e komunitetit akademik. Nëse me të vërtetë shteti do të donte që të nxiste kërkimet për probleme shqiptare fare mirë mund të komisionojë kërkime shkencore, nëpërmjet shpalljes të garave në nivel kombëtar e ndërkombëtar duke ftuar institucionet kërkimore apo akademike më në zë në botë për t’u angazhuar. Ashtu sikurse kemi hequr dorë që të prodhojmë vetë televizorë Lura e Adriatiku në Durrës sepse ato që blejmë nga Philipps apo Samsung na leverdisin më mirë, po kështu kërkimet shkencore për Shqipërinë të realizuara nga akademikë të huaj mund të jenë shumë më cilësore dhe të leverdishme për vendin tonë se mbajtja e një qendre permanente për kërkime shkencore për problemet shqiptare.