Diplomacia e turbulluar dhe inferiore e Shqipërisë
Botuar tek gazeta Panorama
Para pak javësh një student imi i vitit të parë u pranua si pjesëmarrës në një seminar të organizuar në Kragujevac të Serbisë prej universitetit prestigjioz John Hopkins. Pasi mori ftesën me ngazëllim të madh duke qenë se ishte edhe përvoja e tij e parë ndërkombëtare ai u drejtua tek ambasada Serbe për të aplikuar për vizë ku zbuloi i tronditur se që jo vetëm të përmbushte një pirg me dokumente dhe kërkesa por çuditërisht i duhej që të kishte një vizë shengen të vlefshme si parakusht për të aplikuar. Pasaporta e tij ishte e zbrazët e për rrjedhojë kjo mundësi shumë e mirë studimi u eliminua. Pra sipas ambasadës në fjalë shtetasi shqiptar duhej që të ishte njëherazi i aftë për të shkuar në BE që të kishte nderin që të futej edhe në Serbi. Kjo gjë ishte padyshim pikëlluese dhe fyese. Deri para pak kohe serbët ishin të detyruar brenda konfederatës që të kishin kushte më të lehta për vizat e shqiptarëve pasi Mali i Zi i kishte hequr fare dhe është e hamendësueshme që tanimë që janë veçmas të shkëputur nga Mali i Zi ata mund ta shfrenin dufin e tyre shovinist nëpërmjet politikave agresive të vizave. Kuptohet që me logjikën e marrëdhënieve ndërkombëtare ky shtrëngim duhej të ishte shoqëruar me parimin e ndërsjelltësisë, pra si ma bën ta bëj, dhe natyrshëm do të duhej që edhe qeveria shqiptare të rreptësonte njësoj politikën e vizave.
Mirëpo para pak ditësh u pa e kundërta, vizat ndaj shtetasve serb u hoqën fare. Dhe kjo masë është me të vërtetë çorientuese duke patur parasysh që në të njëjtën periudhë lëshoheshin deklaratat relativisht të forta të presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Atëherë përse u hoqën vizat ndaj shtetasve serbë Nga ana strategjike nuk na volit aspak sepse ne duhet të jemi përkrahë vëllezërve të Kosovës dhe aleatëve perëndimor duke i bërë presion Serbisë e jo t’i japim lehtësira. A mos vallë ne kemi ndonjë volum të madh në marrëdhëniet tregtare me këtë shtetë Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Edhe sikur të pretendohej se bëhej në të mirë të turizmit, as që mund të shpresohet që serbët të rendnin në vendin tonë duke patur parasysh paragjykimet që kanë ata për vendin tonë dhe faktin që brigjet tona ata do të gjenin plot kosovarë. Për mos të folur pastaj se çfarë fuqie blerëse e për rrjedhojë përfitim ekonomik mund të kishin ata pak turistë kurajoz serb dhe nëse ky përfitim mund të krahasohej me turpin dhe nëpërkëmbjen që i bëjmë ne vetes me këtë masë. Kjo gjë nuk mund të shpjegohej as me procesin e integrimit dhe përafrimit ligjor me Bashkimin Evropian pasi Serbia është shumë prapa nesh në këtë proces. Bile Serbia ka deklaruar në mënyrë pretencioze që është e gatshme të heq dorë nga integrimi evropian për të mbajtur Kosovën. Për mos të folur pastaj për faktin që qoftë diplomacia e BE dhe qoftë ajo e SHBA-së në këto momente janë maja maja me diplomacinë serbe e cila është e mbështetur nga Rusia.
Pritej më tepër ndjeshmëri për Kosovën nga kjo administratë e djathtë, me një kryeministër që etnografikisht vjen nga ajo krahinë, me kaq shumë funksionarë që kanë punuar në Kosovë dhe për më tepër me një ministër të jashtëm që atë pak karrierë profesionale me të cilën krenohet e ka ndërtuar në Prishtinë. Është pikëlluese dhe ofenduese kur shikohet të tilla zmbrapsje të dinjitetit apo të tilla manifestime të inferioritetit nga ana jonë që materializohen me të tilla lëshime ndaj Serbisë. Fatkeqësisht kjo vjen si pjesë e traditës së një politike të jashtme shqiptare pa dinjitet e autoritet që është manifestuar nga qeveritë shqiptare edhe më parë.
Ne jo vetëm që nuk duhet të bëjmë të tilla tërheqje por duhet të jemi më agresiv duke përdoru si mjet presioni ose pazari konjukturën ekzistuese ndërkombëtare. Një shans i pashfrytëzuar nga diplomacia shqiptare është padyshim ai minave të vendosura në territorin tonë pranë kufirit Shqipëri Kosovë gjatë vitit 1999. Qeveria shqiptare e para gjashtë viteve u ngut për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Serbinë pa u kujdesur as për shlyerjen e shkeljes së shenjtërisë territoriale të kryer nga ushtria jugosllave dhe marrjen përsipër të përgjegjësisë për çminosjen e territorit në Verilindje. Për mos të folur pastaj që për hir të dinjitetit kombëtar të kishte bërë presion për lirimin e të burgosurve kosovarë që gjendeshin ende në Serbi, dorëzimin e kriminelëve të luftës dhe zbulimin e informacionit për të zhdukurit e panumërt që ende vajtohen në Kosovë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim që drejton programin e çminimit raporton se zona ku gjenden minat dhe materialet luftarake të pashpërthyera të vendosura aty prej forcave serbe gjate luftës në Kosovë shtrihen përgjatë 120 kilometrave kufi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe futen deri në 20 kilometra në thellësi të territorit shqiptar. Si pasojë e kësaj shkelje flagrante të integritetit territorial shqiptar dhe të të drejtës ndërkombëtare të paktën 34 persona kanë vdekur dhe 238 të tjerë janë plagosur si pasojë e këtyre e minave. Mes tyre 30% kanë qenë fëmijë dhe të paktën 13 policë kanë vdekur ose janë plagosur si pasojë e këtyre minave. Ndër të lënduarit mbi 100 kanë pësuar amputimin e gjymtyrëve dhe 17 kanë humbur shikimin. Dhe këtu bëhet fjalë për Veri-Lindjen zonën më të varfër dhe më të izoluar të Shqipërisë ku sërish si pas raporteve të PNUD-it, mbi 56% e popullsisë është në asistencë sociale, 30% janë të papunë dhe të paktën 70% e popullsisë nuk ka qasje në shërbimet shëndetësore. Për mos të folur për dëmin ekonomik të shkaktuar nga tokat, kullotat, pyjet dhe rrugët e minuara që kanë dalë jashtë përdorimit.
Jo vetëm që nuk pritet që për hir të interesave kombëtare dhe shtetërore, diplomacia shqiptare të bënte një prapsim të tillë me heqjen e vizave për serbët, por do të ishte shumë e natyrshme në kushtet e një shteti normal që të kërkonte në gjyqe ndërkombëtare nga shteti serb dëmshpërblim për viktimat e minave të vendosura nga ushtria serbe dhe të kërkonte gjithashtu mbulimin e shpenzimit të çminimit si dhe shpagim të kostos oportune që ka ardhur nga mosvënia në funksionim i atyre mijëra hektarë tokë e kullota që nuk janë përdorur si pasojë e minimit. Edhe nëse ky dëmshpërblim mbase do ishte i pamundur kërcënimi për një gjyq të tillë do të shërbente si një mjet më shumë presioni në këtë situatë të brishtë negociatash për pavarësinë e Kosovës. Edhe nëse në rastin më te keq nuk kemi këllqe e karakter që të ndërmarrim politika të jashtme dinjitoze të paktën të na kursehen nga liderët e shtetit këto retorika të zbrazëta romantike që përgënjeshtrohen menjëherë nga veprime konkrete që shkojnë në drejtim krejt të kundërt.