Më ka zënë belaja me studentët

Më ka zënë belaja me studentët

Më ka zënë belaja me studentët

Botuar tek Revista Klan

Një ndër gjërat që duhet vënë në dukje për tranzicionin në Shqipëri është fakti që është një ndër tranzicionet më të koklavitur të botës ish-komuniste edhe për faktin që regjimi ynë komunist ishtë në vetvete tmerrësisht ndryshe nga pjesa tjetër e bllokut komunist. Mjafton të përmendet fakti që ne ishim një autarki e vertetë, domethënë një vend tërësisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe se ne ishim i pari vend që u deklaruam zyrtarisht si vend ateist për të kuptuar se çfarë do të vijonte më pas me rrënimin e totalitarizmit do të kishte disa nuanca që nuk hasen në vendet e tjera.

Komunizmi tek ne ra i fundit, pasi të tjerët i kishin larë hesapet me të më herët, dhe vendi ynë u përfshi njeherazi nga disa procese intensive paralele sikurse nuk kishte ndodhur tjetërkund. Kështu në mënyrë simultane procesi i kalimit nga monizëm në pluralizëm u shoqërua nga ndryshimi i strukturës së ekonomisë nga tërësisht publike në tërësisht private, nga kalimi nga vend i izoluar në vend i hapur, nga vend ateist në vend me liri fetare për të kaluar pastaj edhe tek ndryshime të tjera më specifike sikurse ishte kalimi nga shoqëri rurale në shoqëri urbane. Pra një mish mash i vërtetë transformimesh që vështirë se janë hasur tjetërkund. Kështu përshembull vendet e tjera të Ballkanit e kishin kaluar procesin e urbanizimit gjatë viteve gjashtëdhjetë, nuk kishin hequr dorë nga feja dhe zhveshja nga pronësia private nuk ishte aq gjithëpërfshirëse sikurse kishte ndodhur tek ne.

Megjithë këto ndryshime radikale që kanë ndodhur dhe që ende nuk kanë të sosur, është me të vërtetë tronditëse fakti që ende ballafaqohesh me stilema të trashëguara nga e kaluara por që nuk ka ndonjë gjë të përbashkët me sistemin e vlerave që po rrekemi të përqafojmë. Dhe mua gjatë mësimdhënies më shfaqen gjithmonë pa rreshtur dy rrethana për ta manifestuar këtë rudiment qëndrimesh apo opinionesh që ngelen të palëkundura edhe në sistemin e ri. Bëhet fjalë për preferencat e studentëve mes Don Kishotit dhe Sanço Panços apo mes Athinës dhe Spartës.

Kur diskutoj për lëndën e qytetërimit evropian gjithmonë përdor si ilustrim të shekullit XVI kryeveprën e Servantesit mirëpo gjithmonë më rastis që shumica dërrmuese e studentëve për mos të thënë të gjithë, marrin anën e Sanço Panços dhe kanë përçmim e mospëlqim ndaj të ngratit Don Kishot. Nuk më ka rastisur qoftë një student i vetëm që të flas me mirëkuptim dhe njëfarë keqardhje për kalorësin e fytyrës së vrerosur e jo më të pritej që dikush të fliste për admirim apo vlerësim. Në fakt Don Kishoti përfaqësonte rastin tipik të një kalorësi romantik naiv që jetonte në një botë ëndrrash dhe që ishte në kërkim të një lavdie utopike. Padyshim që kjo përpjekje e katandis në rrethanat nga më qesharaket dhe bajatet por gjithësesi këto rrethana nuk i heqin asnjë presje fisnikërisë së përpjekjes apo motivacionit të tij. Gjithkush mund të thojë që ishte një i lajthitur Don Kishoti por gjithësesi nuk mund të quhet personazh negativ i padenjë për ndonjë vlerësim. Aq më tepër, si mos të ndihet pak keqardhje kur në një moment të fundit Don Kishoti vjen në terezi, rimerr në dorë kontrollin e truve të vetë, dhe qartësohet për iluzionet që kishte ushqyer duke marrë fund në melankoni e zhgënjim. Nga ana tjetër të gjithë bëhen me Sanço Pançon, një batakçi, dembel e dallaveraxhi që përpiqej të përfitonte nga çdo rrethanë e ti bënte bisht çdo pune apo impenjimi. Por helbete ky ishte përfaqësuesi inteligjent i proletariatit dhe Don Kishoti ishte një tutkun i shtresës së lartë që kurrësesi nuk mund të matej me inteligjencën e masave.

Ndërkohe e njëjta situatë më shfaqet gjatë lëndës së marrëdhënieve ndërkombëtare ku për të trajtuar manifestimin e hershëm të realizmit si dhe përpjekjet e para për negociata apo marrëveshje ndërshtetërore për të cilat kemi informacion të bollshëm, përdor Luftën e Peloponezit të shkruajtur nga Tuqiditi. Vështirë se gjej dikë që të marri krahun e Athinës në konfliktin që kjo e fundit pati me Spartën. Është e kuptueshme që gjatë komunizmit të mbijetonte një admirim i thellë për Spartën dhe spartanët të cilët si shqiptarët, që fëmijë fillonin e angazhoheshin në stërvitje fizike ushtarake dhe organizoheshin si shoqëri me vetë disiplinim dhe vetëmohim e gatshme për t’i bërë ballë çdo kërcënimi që mund të vinte nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Por është e pakuptueshme që sot të mos ndihet parapëlqim për Athinën e Perikliut e karakterizuar nga demokracia e liria si dhe nga shpërthimi i artit, kulturës dhe filozofisë. Një Athinë jashtëzakonisht e zhvilluar dhe e lulëzuar kur krahasohet me Spartën e vrazhdë, të dhunshme dhe oligarkike të asaj kohe. Dhe prapaseprapë ende sot studentët e mi bëhen me Spartën.

Këtu dy tendenca shijesh anakronike që has tek diskutoj me studentët e mi padyshim që lënë të mendosh se pavarsisht nga ndryshimet e shumta ne vazhdojmë të trashëgojmë shije, qëndrime apo përshtypje që i përkasin regjimit të kaluar dhe se sistemi i vlerave apo modelet që ne ndjekim në shoqërinë tonë nuk janë mjaftueshëm të përshtatshme për sistemin që aspirojmë të ndërtojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top