Alterteksti si shembull reforme

Alterteksti si shembull reforme

Alterteksti si shembull reforme

Botuar tek gazeta Panorama

Pas një paniku të tejfryrë lidhur me mosdisponibilitetin e teksteve mësimore nëpër librari u pa qartë që u krijua shumë zhurmë për asgjë pasi pak ditë më pas u pa qartë që furnizimi ishte më se i bollshëm. Kjo gjë tregoi që paniku nuk ishte i justifikueshëm por duke njohur të kaluarën mund të thuhet se ishte një panik i kuptueshëm pasi publiku shqiptar është regjur prej kohësh me mangësinë e librave dhe prandaj nuk do të ishte për të një çudi që sërish librat e fëmijëve të tyre të mungonin në raftet e librarive sikurse shohin që nëpër shtëpitë e tyre sërish mungojnë dritat apo uji.

Reforma e teksteve mësimore meriton të lavdërohet pikërisht për këtë arritje, për këtë shkëputje nga tradita e mungesës së librave nëpër librari pasi nëpërmjet një partneriteti shembullor midis sektorit publik dhe privat duke decentralizuar vendimmarrjen tek sektori i parë dhe duke i lënë këtij të fundit më shumë hapësirë, është siguruar si asnjëherë më parë një furnizim me tekste mësimore shumë më të bollshme dhe më cilësore. Fatkeqësisht kjo reformë e realizuar eklipsohet lehtë nga shumë probleme apo reforma të premtuara e të parealizuara të sektorëve të tjerë shtetëror, por vlen të vihet në dukje si një praktikë, si një model që meriton të replikohet në fusha të tjera.

Kjo reformë shënonte njëherazi disa gola duke sjellë një ndryshim domethënës e të mirëpritur në arsimin parauniversitar. Pikësëpari kishte për qëllim që të thyente traditën e një teksti të vetëm mësimor që qëndronte stoik i pandryshuar si të ishte një libër i shenjtë. Nëpërmjet lënies së hapësirës së disa teksteve alternativë për të njëjtën lëndë bëhej e mundur nxitja e krijimtarisë së autorëve të teksteve dhe garës së pronarëve të shtëpive botuese për të krijuar dhe prodhuar tekste gjithnjë e më cilësore. Pra gara mes versioneve të autorëve të ndryshme çon në një garë që do të sjellë libra mësimorë më cilësorë, më të përditësuar, përmirësuar, gjithnjë e më shumë të ndjeshme dhe të përshtatshme për nxënësin . Tekste që do të rendin për të aplikuar të rejat më të fundit qoftë në përmbajtje dhe qoftë në metodën e trajtimit të lëndës. Ndërsa gara mes shtëpive botuese ka sjellë tashmë tekste më mirë të lidhur që nuk të ngelen në dorë pas tre shfletosjesh por që janë faqosur më bukur, me ilustrime me ngjyra më të ndezura dhe që me intensifikimin e garës kanë për të çuar padyshim në përmirësimin fizik të tyre por edhe në rënien e çmimit siç edhe ndodh me çdo produkt që i nënshtrohet konkurrencës së tregut të lirë.

Së dyti përzgjedhja e teksteve përbën një arritje në procesin e decentralizimit dhe dekoncentrimit të vendim-marrjes lidhur me tekstet mësimore që aplikohen. Më parë përzgjedhja e teksteve bëhej e unifikuar me tekste monopol për një lëndë dhe përzgjedhja e tyre bëhej nga pak individë që shpesh ishin shumë të shkëputur nga realiteti praktik dhe nevojat apo kërkesat e nxënësve në terren. Tanimë miratimi i teksteve alternative mes versioneve të ofruara nga shtëpitë botuese apo autorë të ndryshëm bëhet nga shumë më tepër aktorë duke maksimalizuar objektivitetin e përzgjedhjes. Përveç kësaj përzgjedhja e tekstit që do aplikohet konkretisht në një shkollë në mes të disa teksteve alternativë të miratuar, do të bëhet nga mësuesi në terren i cili falë përvojës ka informacion më të përditësuar dhe të prekshëm lidhur me përshtatshmërinë e njërit apo tjetrit tekst për nxënësit e vetë.

Së treti dhe çfarë është më e rëndësishme kjo reformë është një masë shumë e goditur dhe efikase kundër korrupsionit duke ndërprerë lidhjet nepotiste të mëparshme midis komisioneve të teksteve, shtëpive botuese dhe sistemit të shpërndarjes së librave. Nga aprovimi i një teksti të vetëm nga komisione ku shpesh kishte anëtarë nga grupet e autorëve të teksteve prej vitit të kaluar është kaluar në një sistem ku është rritur në mënyrë eksponenciale larmia e aktorëve që marrin pjesë në miratimin e versioneve alternative të teksteve të një lënde të caktuar mësimore. Për rrjedhojë edhe mundësia e korruptimit të një numri shumë më të madh prej qindra komisionerësh dhe për rrjedhojë komprometimi i procesit është minimizuar. Për mos të folur pastaj që tanimë nuk bëhet fjalë për një tekst të privilegjuar por për një tekst alternativ mes disa të tjerëve që edhe po u miratua pa e merituar do të duhet të kaloj në një filtër tjetër që për nga përmasa zor se mund të manipulohet me ryshfete, në atë të mbi 30 000 mësuesve të cilët do të vendosin se cili tekst mes teksteve alternativë të miratuar do të përdoret në klasat e tyre.

Po kështu korrupsioni minimizohet për mos të thënë eliminohet kur bëhet fjalë për shtëpitë botuese dhe sistemin e shpërndarjes. Më parë porositeshin shpesh në mënyrë nepotiste disa shtypshkronja të privilegjuara që i merrnin fondet direkt nga shteti dhe e bënin punën shkel e shko pa e vrarë mendjen për cilësinë e librit. Po kështu shpërndarja kalonte kryesisht në tregun e zi sepse fondet nga ministria ishin vjelur tashmë pavarësisht nga cilësia apo mbërritja e librit të subvencionuar në dorën e nxënësit. Dhe kjo është më se e natyrshme në një sistem ku porositësi ose blerësi është shteti. Në skemën e mëparshme në mënyrë të kuptueshme shtypshkronjat apo libraritë e përqendronin vëmendjen tek fitimi i pëlqimit, favorit apo kënaqja e konsumatorit shtet, që në rastin konkret do të thotë bërja për vete nëpërmjet korrupsionit të atyre ofiqarëve që kishin në dorë të bënin porositë apo përcaktimet. Në rastin e altertekstit i cili po hyn me sukses në vitin e dytë të praktikës prodhuesit e librave mësimorë detyrohen që të ndryshojnë 180 gradë vëmendjen e tyre, tanimë për shitjen e librave e tyre nuk do të vendosin më me një firmë të vetme burokratët e korruptueshëm por dhjetëra mijëra mësues dhe nxënës të cilët vendosin nëpërmjet blerjes ose mosblerjes së një teksti alternativ, për rrjedhojë nuk vlejnë më ryshfetet por nevojiten përkushtimi dhe investimi tek cilësia dhe çmimi i produktit.

Në këtë aspekt vendimtar duhet edhe të nxirret shembull në përgjithësi për mënyrën e administrimit të fondeve publike nga qeveria. Pra duke aplikuar parimin që subvencioni, nëse jepet, duhet të shkojë tek destinacioni që synohet e jo tek instrumenti i shpërndarjes. Në rastin e kësaj reforme paratë e subvencionimit nuk derdhen tek shtypshkronjat apo sistemi i shpërndarjes që e ka të lehtë të abuzojë, shpërdorojë e përfitojë në mënyrë të paligjshëm nga këto fonde, por drejtpërsëdrejti tek konsumatori i cili në këtë rast nuk ka interes të blejë librat në tregun e zi apo libra të pacertifikuar e pa faturë pasi fatura dhe certifikata e tekstit janë të doemosodshme që të merret subvencionimi. Shteti shqiptar në varësi të ideologjisë që e drejton mund të bëj rishpërndarje por dihet mirë që nuk është menaxher i mirë prandaj teknika e out-sourcing që nënkupton pajtimin e shërbimeve apo blerjen e prodhimeve të sektorit privat nga shteti për qëllime publike është shumë efikase dhe mund të gjej aplikim në shumë aspekte të tjera. Për shembull i njëjti parim mund të aplikohet nëse do të vendosej një sistem kuponësh subvencionimi për arsimin e lartë ku studentët, që sipas politikave të shtetit meritojnë të subvencionohen, pajisen me kuponë për të zgjedhur vetë se ku do të donin t’i shpenzonin kuponët që iu takojnë për të ndjekur studimet gjë që do të sillte një garë të mirëfilltë midis universiteteve jo vetëm private por edhe brenda sektorit publik, për të shtënë në dorë kuponët e këtyre studentëve. Dhe më pas këto kuponë mund të shndërrohen në para të paguara nga qeveria sikurse edhe faturat e alterteksteve kthehen në subvencione. Po kështu subvencionimet, nëse akordohen, duhet të shkojnë direkt tek konsumatori apo nevojtari dhe jo tek prodhuesi i produktit apo shërbimit edhe në raste të tjera sikurse është telefonia fikse, energjia elektrike apo ujësjellësi të cilat duhet që të privatizohen një orë e më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top