Lajthitja me Senatin

Lajthitja me Senatin

Lajthitja me  Senatin
Botuar tek gazeta Panorama
 

 

Shqipëria ka qenë dominuar këto vitet  e fundit nga pak a shumë e njëjta sërë politikanësh dhe zhvillimet e viteve të fundit tregon se politikanët e vjetër, të fillimit të tranzicionit apo më herët, tashmë janë në fund të ciklit të tyre. Një ndër tiparet kryesore të aktivitetit të këtyre politikanëve ka qenë mungesa e kurajës dhe ndershmërisë për të mbajtur përgjegjësi dhe për të dhënë llogari për gabimet apo dështimet e tyre. Një ndër format tipike të mosmbajtjes së përgjegjësisë është edhe eksternalizimi i probleme dhe veshja e fajit ndaj institucioneve, legjislacionit, mentalitetit pra ndaj faktorëve të jashtëm ose koncepteve evasive. Forma më e fundit e eksternalizimit të përgjegjësisë që është fanepsur në debatin publik shqiptar ka qenë propozimi i ndërtimit të një senati, thënë me terma politologjie, aplikimi i bikameralizmit duke krijuar një dhomë të lartë të dytë në parlament.More...
Disa prej shteteve më të përparuara në botë kanë parlamente me dy dhoma por kjo nuk do të thotë që aplikimi i sistemit me dy dhoma në Shqipëri do të na bënte të zhvilluara si këto vende. Për hir të së vërtetës duhet thënë se është një propozim krejt qesharak duke pasur parasysh kontekstin shqiptar. Ky propozim është thjeshtë një dëshirë e shprehur nga disa politikanë për të ngecur me zor në qarkullim në politikë edhe pse popullariteti i tyre ka perënduar. Fakti që propozimi po vjen nga eksponentë të djathtë të lë të mendosh se të djathtët pas humbjes së zgjedhjeve lokale po e nuhasin një rotacion të afërt të pushtetit dhe nëpërmjet propozimit të ndërtimit të senatit (që me të gjitha gjasat me sa duket kanë ndër mend ta ndërtojnë me njerëz të emëruar) dëshirojnë që të marrin masa frenuese dhe kontrolluese ndaj një qeverie të ardhshme socialiste.  E njëjta taktikë e përdorur nga socialistët dikur të cilët vendosën në krye të institucioneve që duhet të jenë të pavarura, njerëz të njëanshëm, të politizuar ose të kontrollueshëm lehtë prej tyre të cilët e kanë dëshmuar tashmë besnikërinë ndaj emëruesve duke i bërë karshi hapur qeverisë së djathtë.
Për të kuptuar se sa i papërshtatshëm dhe i padobishëm është senati për Shqipërinë mjafton të bëhet një analizë e historikut dhe qëllimeve të senateve apo dhomave të larta të vendeve të tjera. Së pari duhet patur parasysh që herët në histori senati ka qenë i lidhur me idenë e aristokracisë dhe shërbente si një tribunë për përfaqësimin dhe ndikimin në politikë të patricëve. Me përparimin e demokracisë dhe aplikimin universal të të drejtës për të votuar, ruajtja e senatit ishte një instrument konservatorizmi, një përpjekje e parisë së vendit për të mos humbur plotësisht ndikimin nga dora e plebenjve, e masave që ishin pajisur me mundësinë për të votuar dhe kandiduar. Rasti tipik është parlamenti britanik që ka pasur në dhomë të lartë lordë të trashëguar. Kuptohet që kjo është një formë anakronike e oligarkisë së dikurshme të fisnikëve që nuk përputhet me parimet e sotshme të demokracisë dhe kjo është arsyeja pse parlamenti britanik ka një dekadë që është duke u reformuar në drejtim të uljes së rolit të aristokracisë dhe gjithashtu kjo është arsyeja pse gjysëm shekulli më parë disa vende si Suedia, Zelanda e Re, Danimarka e kanë parë dhomën e lartë si një rudiment të një të kaluare aristokracie që nuk mund të gjejë më vend në epokën e demokracisë dhe barazisë para ligjit.
Arsyeja tjetër e ekzistencës së dhomës së lartë lidhet me federalizmin, me përpjekjet për të ruajtur decentralizimin e pushtetit edhe në kolonën legjislative të pushtetit duke i dhënë mundësi shteteve që të kenë përfaqësimin e tyre brenda legjislativit. Të tilla janë rastet SHBA-ve, Indisë, Gjermanisë, Australisë, Zvicrës etj. Po kështu në mënyrë të ngjashme me federalizmin, aplikimi i një sistemi bikameral në legjislativ ka të bëjë edhe me decentralizimin në nivel rajonal si dhe me tiparet heterogjene të disa shteteve. Duke parë që rajone të ndryshme në disa shtete  nuk mund të kishin domethënie elektorale në një parlament njëdhomësh, është parë e arsyeshme që të sigurohet përfshirja në legjislativ e këtyre rajoneve nëpërmjet dhomës së lartë. Të tilla janë rastet e Italisë, Hollandës, Filipineve, Gjithashtu ka disa shtete me përbërje të larmishme etnike apo kulturore që kanë gjetur bikameralizmin si një mënyrë për të përfshirë në legjislativ minoritete të caktuara. Kësilloj janë Spanja dhe Belgjika.
Duket qartë pra që vendi ynë duke mos patur ndonjë traditë aristokracie të përfaqësuar në senat. Atë pak aristokracie çifligarësh protomoderne të paraluftës që kishim e ka shfarosur prej kohësh komunizmi. Edhe ta mendosh dhomën e lartë si një kuvend pleqsh të urtë të cilët me përvojën e tyre të pasur e të vyer në politikë të ndihmonin në shoshitjen e disa problemeve legjislative prapë nuk shkon në kushtet e Shqipërisë me kaq pluralizëm jetëshkurtër. Fatkeqësisht nuk kemi pleq idealistë aq të moçëm sa të trashëgojnë e përcjellin tek ne virtytet dhe idealizmin e rilindjes kombëtare apo lëvizjes për pavarësi dhe krijimin e shtetit shqiptar të fillim shekullit 20. Këta pleqtë që janë në qarkullim në politikën shqiptare nuk kanë ç’të sjellin nga e kaluara e jetës së tyre ndonjë përvojë, përveç asaj të komunizmit si dhe rrëmujën dhe dilentatizmin e periudhës së tranzicionit. Një dhomë e lartë e konceptuar si kuvend i pleqve ose i të urtëve në rastin më të mirë do të ishte vetëm një shëmbëlltyre dublikuese e dhomës së ulët dhe në rastin më të keq do të katandisej në një azil pleqsh senil e steril që do të garantonte një mbyllje të rehatshme të jetës për politikanët e dalë nga loja.
Gjithashtu duke qenë se Shqipëria është shtet unitar pa rajonalizim domethënës, pa përmasa të mëdha territoriale dhe demografike  si dhe një ndër vendet më homogjene të Evropës,  nuk ka nevojë për një parlament me dy dhoma. Shumë vende ose i kanë trashëguar ose janë detyruar nga konteksti që të mbajnë parlamente me dy dhoma. Sistemi i liberal-demokracisë i bazuar në barazinë e ligjit dhe të drejtën universale të votimit realizohet më saktë dhe më thjeshtë nëpërmjet një parlamenti unikameral (kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për dhoma të larta ku anëtarët nuk përzgjidhen me votim të drejtpërdrejtë po emërohen ose trashëgohen). Parlamenti një dhomësh konsolidon unitetin e vendit dhe e bën më të lehtë për publikun që të shpreh vullnetin e tij duke mos e hallakatur në votime të dyfishta për senatin. Ndërlikimi i legjislativit me shtimin e senatit jo vetëm që do të rriste kostot operative të parlamentit shqiptar por do ta vështirësonte dhe ngadalësonte shumë procesin legjislativ në Shqipëri në një kohë kur tek ne nevojitet efikasiteti dhe shkathtësia në procesin legjislativ në këto sfida të përafrimit legjislativ me acqui communautaire të BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top