Kopeja e turizmit shqiptar
Botuar tek revista Klan
Â
Një ndër sjelljet tipike që verehen në shoqëri me ndjesi të theksuara kolektivizmi është ajo që quhet Herd Behaviour, në shqip sjellja e kopesë. Në shkencat sociale e aplikueshme edhe në shkencën e ekonomisë ky koncenpt nënkupton një grup individësh që veprojnë së bashku pa një drejtim të planifikuar. Ekonomi vihet re sidomos kur bëhet fjalë për tregun e aksioneve, apo fushat e ndryshme të investimeve që kryhen në mënyrë ku sikurse kopetë e kafshëve, njerëzit vërshojnë në tufë. Fatkeqësisht kjo lloj sjellje me sa duket po aplikohet në turizmin shqiptar në formën e një vërshimi masiv, kolektiv e intensive investimi të shqiptarëve në këtë fushë. Numri i hoteleve të ngjashme po shumëfishohet nga viti në vit dhe po kështu po shtohet edhe numri i shtëpive të dyta për pushime të blera nga qytetarët shqiptarë.
Â
Mirëpo çfarë garancie kanë këto investime masive të bëra në një sektor kaq delikat sa ç’është turizmië Për të bërë një projeksion të mundësive të zhvillimit të këtij sektori duhet bërë një analizë e shkurtër retrospektive e zhvillimit të turizmit deri tani. Dhe këtu vlen për t’u ndalur se kush janë kategoritë ose grupimet tipike të turistëve që frekuentojnë infrastrukturën tonë turistike.
Grupi i parë i madh është padyshim ai i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë të cilët vizitojnë vendin tonë për një kombinim moral dhe leverdije. Nga një anë bëhet fjalë për një dëshirë për turizëm patriotik ku kosovarët kanë një zell të madh për të harxhuar paratë dhe kohën e tyre në shtetin amë dhe nga ana tjetër për një shtrëngim logjistik që ka të bëjë me faktin që një pjesë e mirë e vendeve në botë nuk i njeh fare dokumentat e UNMIK e jo më të jap lehtësisht viza hyrje për mbajtësit e tyre. Mirëpo këto dy rrethana janë krejt konjukturale dhe të përkohshme ndërkohë që një investim në një hotel është padyshim të paktën një investim afatmesëm. Gjatë këtij viti pritet që Kosova më së fundmi të marrë pavarsinë, dhe kosovarët të marrin dokumenta udhëtimi dinjitoz që t’ju lejojnë të udhëtojnë gjithnjë e më lirisht nëpër shumë vende të tjera. Përveç kësaj, me një shtet të Kosovës të tyren padyshim që lidhja me shtetin e Shqipërisë ka për t’u zbehur dhe motive patriotik ka për t’u fashitur. Prandaj në një projeksion të thjeshtë mund të thuhet se nuk mund të besojmë që ky grup masiv turistësh do të vazhdojë të vij në Shqipëri sikurse ka bërë deri tani.
Grupi i dytë përbëhet nga emigrantët shqiptarë të cilët i shfrytëzojnë pushimet e beharit që marrin nga punëdhënësit e tyre në vendet pritëse për të kaluar më shumë kohë me familjen e tyre nga vendi i origjinës. Dhe janë pikërisht këta emigrantë shqiptarë që sikurse dëshmohet nga studime të ndryshme në këtë fushë harxhojnë sasi të konsiderueshme parash nga kursimet e tyre dhe që kthehen gjatë verës në vendin e tyre dhe kombinojnë çmalljen me familjen me pushimet në bregdetin shqiptar. Mirëpo dihet mirë që lidhja e ngushtë me familjen nuk vazhdon pafundimisht. Këta emigrantë sa vjen e bëhen gjithnjë e më të integruar dhe asimiluar në shoqërinë ku janë vendosur dhe kjo bën që lidhja e tyre me familjen dhe vendlindjen të minimizohet e ftohet. Në vendet pritëse ata ndërtojnë familjet e tyre të reja dhe shpesh duke qenë se kanë siguruar vetë dokumenta, janë të stabilizuar dhe kanë përmisuar gjendjen e tyre ekonomike sociale ata fillojnë të tërheqin familjarët e tyre më të afërt me proceset e bashkimeve familjare që po bëhen gjithnjë e më dendur. Kjo do të thotë që këta dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Itali, Angli, SHBA do të fillojnë të sillen si shtetasit e vendeve ku janë vendosur duke u larguar gjithnjë e më tepër nga Shqipëria.
Grupi i tretë padyshim që janë vendasit, që për nga fuqia blerëse nuk janë më domethënësit por që janë masiv. Vihet re gjithnjë e më shumë një tendencë për të udhëtuar jashtë dhe kjo tendencë do të vij duke u rritur me lehtësimin e udhëtimit për shqiptarët. Tashmë disa dhjetëra mijëra shqiptarë kalojnë udhëtimet jashtë Shqipërise dhe pak e nga pak duke u mësuar me këtë prirje, marrë më shumë informacion, lehtësuar procesin e vizave dhe zbuluar më tepër mundësi të reja ky numër ka për tu shumëfishuar. Aq më tepër që kurioziteti për të udhëtuar i një kombi të izoluar si ky yni është goxha i lartë.
Për sa i përket të huajve e ardhmja është e zymtë duke patur parasysh namin e keq që kemi, infrastrukturën e dobët tonë me mungesa rrugësh, dritash, uji dhe shërbimesh cilësore si dhe çmimet tepër të larta për ato që ofrohen. Përpos kësaj ndodhemi në zemër të mesdheut aty ku ndeshen luanët më të mëdhenj të botës së turizmit dhe ku ne jemi tmerrësisht të vonuar dhe të papërfillshëm për të garuar.Â
Për rrjedhojë mbase ky entuziazëm i tepruar i shqiptarëve për të investuar në tufë në turizëm duhet të ftohet pak nga disa doza realizmi dhe cinizmi sepse rrrezikohet që sasi të mëdha fondesh të kanalizohen në një sektor që sipas të gjitha gjasave nuk është shumë premtues. Po kështu edhe qeveria duhet të jetë më e matur kur kanalizon fonde infrastrukturore në bregdet për një projekt të zhvillimit të turizmit që më shumë ngelet dëshirë sesa mundësi ndërkohë që zonat kryesore ekonomike të Shqipërise si Tirana e Durrësi ngelen pa drita, ujë, rrugë dhe elementë të tjerë të infrastrukturës.