Akademia e Shqiptare e Shkencave: Një kolkoz që sfidon

Akademia e Shqiptare e Shkencave: Një kolkoz që sfidon

Akademia e Shqiptare e Shkencave: Një kolkoz që sfidon
historinë

Botuar tek gazeta Panorama

Letra e hapur e Akademisë së Shkencave dëshmoi edhe njëherë se sa i mbyllur është ky institucion ndaj nevojave dhe kërkesave të kohës, rrethanave që diktohen nga konjuktura e sistemit politiko-ekonomik, ku jetojmë si dhe ndaj debatit, rrahjes së ideve dhe inovacionit. Paçka se në fakt shkenca duhet të ishte sinonim i këtyre të fundit, individët në krye të Akademisë së Shkencave vazhdojnë me një dëshpërim dhe këmbëngulje të pashoq që të mbajnë në këmbë një ngrehinë të kalbur dhe të dështuar që në themelet e veta duke mbajtur në reanimacion një ndër rudimentet më të shëmtuara të së kaluarës komuniste.

Pra në të njëjtën kohë vërtetoi sesa e nevojshme është reforma që ka parashikuar qeveria për këtë institucion. Logjika e ndërtimit të Akademisë së Shkencave sipas modelit sovjetik, nuk shërbente tjetër përveçse për të ngritur një sistem të centralizuar dhe të mirëkontrolluar të kërkimit shkencor që do shërbente për të aplikuar frymën e dirizhizmit komunist edhe në shkencë dhe për të survejuar e parandaluar debatet akademike që po të liheshin të lira padyshim që kishin për ta brejtur sistemin diktatorial. Këtyre akademive përveçse iu dhanë atributet tipike të shtetëzimit të kujtdo sektori tjetër të jetës shoqërore të kontrolluar nëpërmjet një sistemi hierarkik rigoroz të drejtuar nga lart, por iu vesh gjithashtu edhe privilegji i të qenit monopol i kërkimeve shkencore. Kjo pasi në filozofinë komuniste shkollat duhet të shërbenin vetëm si fabrika indoktrinimi apo fabrikimi të lastarëve të rinj të socializmit. Për të kuptuar absurditetin e Akademisë Shqiptare të Shkencave, kështu siç e kemi ne sot, nuk duhet të kemi parasysh akademi të tipit honorifik dhe vullnetar që ekzistojnë në Perëndim, por duhet të kemi parasysh që kjo akademi është ndërtuar me të njëjtën logjikë me të cilën është ndërtuar kombinati metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan, me logjikën e të përmbushurit të nevojave me forcat tona dhe të bërit të shkencës me forcat tona, duke hapur në mënyrë absurde tek ne institute që thjesht i shërbenin megallomanisë së sistemit të kaluar. Kjo akademi është ndërtuar me të njëjtën logjikë të kooperativave bujqësore (kolkozeve) dhe ndërmarrjeve bujqësore (sovkozeve), që nënkuptonin kolektivizimin e tokave, kafshëve, mjeteve të prodhimit dhe burimeve njerëzore me qëllim vënien e tyre rreptësisht nën kontrollin e shtetit. E pra, që kjo akademi është një relike karakteristike e komunizmit që çuditërisht me shumë lezet ka mundur t’u mbijetojë reformave të liberalizmit dhe demokratizimit të vendit tonë, këtë gjë nuk e luan as topi. Por ajo që është qesharake është se edhe në kushte të tilla, në vend që këta akademikët me licencë të bëjnë ndonjë përpjekje racionale për të gjetur një rrugë të ndërmjetme të reformës, ata janë duke bërë përpjekje radikale për të ruajtur me fanatizëm një strukturë sovjetike institucionale që është tmerrësisht të shtrenjtë dhe jo efikase. Edhe akademia kineze e shkencave nuk ka qëndruar indiferent ndaj ndryshimeve që kërkon koha dhe ka bërë reforma radikale në fund të viteve nëntëdhjetë duke përgjysmuar punonjësit shkencorë dhe duke shkurtuar një të tretën e 123 instituteve të saj (vini re që Shqipëria lilipute para Kinës me popullsi sa një lagje të Shangait ka 54 institute). Reforma që po kërkohet të bëhet është një reformë e vonuar që duhej të ishte bërë të paktën një dekadë më para sikurse e bënë vendet e tjera të ish-bllokut komunist. Është absurde që në një kohë kur sistemi i një shërbimi publik si transporti, është pothuaj i gjithi privat (me përjashtim të hekurudhave që zënë një volum të papërfillshëm) ne të mbajmë të bërit shkencë shtetërore. E para, njëherë as që mund të vihet më në dyshim fakti që një institut publik zor se do të ketë rendimentin, efikasitetin dhe rezultatet cilësore të një institutit privat po ashtu siç edhe nuk e ka spitali i sotshëm publik përballë klinikave private të stomatologjisë. Mjafton një vështrim të hidhet në punën e akademisë shqiptare të shkencave për të parë sesi me pak përjashtim, ajo është e kaptuar nga mediokriteti, prapambetja, plagjarizmi dhe injoranca. Kjo jo gjithmonë për faj të punonjësve të atyshëm, por për faj të vetë sistemit apo konceptimit të kësaj akademie e destinuar për të dështuar. Vetë mënyra etnocentrike e të konceptuarit të kësaj akademike sikur ne të ishim boshti i rrotullimit të rruzullit të shkencës, sikur ndërtesa ngjitur me Parlamentin të ishte poli i këtij boshti, bën të mendosh që akademia duhet reformuar një orë e më parë. Argumentet që çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt reformimit të akademisë janë të panumërta, dihen mirë edhe nga vetë drejtuesit e akademisë të cilët këtë zell patetik nuk e kanë për të mbrojtur një gjë për të cilën besojnë, por e kanë për të mbajtur ende disa privilegje dhe detyra që nuk janë të fituara por janë të emëruara apo dhuruara nga konjuktura të caktuara politike. Për më tepër, ndryshe nga sektorët e tjerë të jetës shoqërore dhe ekonomike të vendit ku kritere si efikasiteti, rentabiliteti, cilësia apo liria e bënë të domosdoshme shkëputjen e shumë institucioneve, ndërmarrjeve apo sektorëve nga pronësia dhe kontrolli i shtetit, në fushën shkencore ekziston një tipar dallues që e bën këtë shkëputje edhe më të nevojshme. Shpesh gjeografia politike dhe ekonomike e bën natyrshëm të nevojshme praninë e shumë aktorëve apo sipërmarrjeve edhe në Shqipëri, domethënë po francezët dhe gjermanët bëjnë bukë më të mirë dhe mbase më të lirë se shqiptarët, por distanca e bën të pamundur që ne të konsumojmë bukë gjermane apo franceze dhe të prodhojmë bukë vetë. E njëjta gjë mund të thuhet për një klinikë, fabrikë mielli, serrë perimesh apo servis makine, largësia apo distanca rrit shumë koston e transfertës apo të transportit e për rrjedhojë ka shumë më tepër nevojë që këto produkte apo shërbime të prodhohen në vend. Me shkencën ndodh e kundërta, pasi shkenca sot është një ndër pararojat e procesit të globalizimit, pasi ndërsa ka ende barriera domethënëse për lëvizjen e lirë të njerëzve, të kapitaleve apo mallrave, për lëvizjen e ideve dhe informacionit këto barriera janë minimale. Sot interneti i ka shndërruar kilometrat në kilobajts për sekondë dhe nëse qindra vite më parë duhej të shkoje në një bibliotekë në Aleksandri apo Cambridge për të shtënë në dorë informacion, sot këtë gjë e bën lehtë nga shtëpia. Pra iluzioni i bërjes së avancimeve të shkencës në Shqipëri në institute shtetërore, në epokën e globalizmit është një gjë qesharake, aq më tepër kur dihet se vende shumë më të mëdhaa, më etatiste dhe të fuqishme se vendi ynë mjaftohen me blerjen e patentave të zbuluara në SHBA apo Japoni, me aplikimin e arritjeve shkencore të realizuara në laboratorët e shtrenjtë të Gjermanisë apo Britanisë si dhe me dërgimin e studentëve me bursa për të marrë dije dhe aftësi jashtë vendit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top