Suksesi i politikës së jashtme të Bushit : zëri i Shumicës së heshtur më në fund po dëgjohet.

Suksesi i politikës së jashtme të Bushit : zëri i Shumicës së heshtur më në fund po dëgjohet.

Suksesi i politikës së jashtme të Bushit : zëri i Shumicës së heshtur më në fund po dëgjohet.

Botuar tek gazeta shekulli

Te shtunën filloi tërheqja e trupave Siriane nga Libani duke i dhënë fund një pushtimi prej disa dekadave si dhe duke çuar drejt rrugës së zgjidhjes së konfliktit të konfliktit të brendshëm të Libanit. Kjo ndodhi pas nje varg protestash masive të mbështetura nga një presion i fuqishëm amerikan ndaj Sirisë. Arabia Saudite për herë të parë flet për eventualitetin e organizimit të zgjedhjeve ndërsa presidenti i Egjiptit, Z. Mubarak, për te parën herë pas 24 vitesh, kërkon ndryshime kushtetuese që do të lejojnë konkurrimin për presidentë të rivalëve të tjerë politik. Në tetor u organizuan zgjedhjet e para të lira në Afghanistan prej vitit 1969. Keto zgjedhje u organizuan pas dekadash të mbushura me dhimbje e vuajtje që erdhën nga lufta e gjatë imperialiste e Bashkimit Sovjetik e cilau pasua shpejt nga nje rregjimi i dhunshëm dhe shtypës i Talebanëve. Ndryshimi erdhi katër vite më parë kur ky vend u çlirua nga Talebanët dhe Al Kaeda falë amerikanëve. Libia më në fund filloi procesin e hapjes ndaj perëndimit duke dorëzuar atentatorët e Lokërbi dhe pranuar përgjegjësinë për atentatin. Po kështu vdekja e Arafatit dhe zgjedhjet e lira që u organizuan atje fill pas, sollën në krye të Palestinës jo më një lider lufte, por një lider që zotëron legjitimitetin e demokracisë dhe që i ka hapur rrugën një klime krejt të re në negociatat për paqe me Izraelin. Po kështu revolucioni demokratik rozë që ndodhi në Gjeorgji u ndoq shumë shpejt nga revolucioni portokalli që ndodhi ne Ukrainë dhe përbën një precedent të mundshëm të suksesshëm për vende të tjera ish-komuniste ku demokracia është prangosur. Por ajo që është më e rëndësishmja është organizimi I zgjedhjeve të suksesshme në Irak ku mbi 8 milionë irakenë treguan se e përqafonin me kënaqësi sistemin demokratik që po ofronin amerikanët duke shkuar e votuar me vullnetin e tyre të lirë.

Por këto ngjarje kaq domethënëse kalojnë pa shumë bujë ne mediat tona që parapëlqejnë të paraqesin vetëm lajmet e vendit si dhe lajme me dhunë e luftëra siç edhe shikohen nga këndvështrimi i evropiano perëndimorëve. Ekranet tona janë të mbushura vetëm me pamje nga dhuna e luftës që vazhdon në Irak. Kjo është shumë e kuptueshme pasi bombat dëgjohen fort e shumë më larg se gjithçka tjetër. Shumë më tepër se rihapja e 23 universiteteve të Irakut si dhe degët e reja jo të indoktrinuara të shkencave sociale në këto shkolla. Rihapja e 10 000 shkollave ngjan e papërfillëshme para pamjeve të pengmarrjeve. Atyre pamjeve rrënqethëse të disa terroristëve të paskrupujt që marrin peng civilë të paarmatosur dhe kërkojnë shuma të majme shpërblimesh për çlirimin ndërkohë që shtiren sikur janë duke luftuar për liri. 150 gazetat e reja të hapura sot në Irak janë lënë të eklipsuar nga raportimet e pareshtura që vijnë nga Al Jazeira. Por këto sulme kundër koalicionit që raportohen janë duke u ndërmarrë nga nje grup njerëzish që nuk ka mbështetjen e popullit por atë të dhunës dhe terrorit. Zëri i tyre dëgjohet më shumë sepse ai amplifikohet nga gryka e zjarrit.

Rebelët e Faluxhah janë të përbërë nga ekstremistë suni që ende vajtojnë për privilegjet që humbën nga rrënia e Sadamit. Ndërsa milicia shiite ka maksimumi 5000 njerëz të armatosur që kurrësesi nuk mund të quhet se kanë mbështetjen e gjithë atyre qindra mijëra shiitëve që jetojnë në Irak. Ndërkohë krahu i armatosur i këtyre dy milicive përforcohet nga Fedajinët e zellshëm që vijnë nga Siria, Arabia Saudite, Jemeni, Egjipti apo vende të tjera, të cilët shkojnë e luftojnë në Irak pasi frikësohen se mos Iraku ka për të shërbyer si fillimi i një orteku demokratizues anembanë Lindjes së Mesme. Fakti që në Irak dëgjohet më shumë gjuha e armëve tregon se ende shumë mbetet për tu bërë për të qetësuar situatën pas Sadamit. Por kjo nuk do të thotë që shumica e irakenëve do të preferonin rikthimin e diktaturës së Sadamti. Në kohën e tij partia Baath mbante nën terror githë popullin iraken edhe pse përfaqësonte interesin e një minoriteti arab suni. Ndërkohë shumica e popullsisë e përbërë nga Shiitët dhe Kurdët të cilët së bashku zënë 80% të popullit iraken, mbahej kokulur dhe e heshtur.

Edhe tani shumica e popullsisë irakene është e heshtur dhe pret me ankth momentin kur forcat anti-demokratike të shkatërrohen. Situata e Irakut, Afganistanit dhe Kosovës nuk dallojnë shumë nga ndërhyrjet e amerikanëve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe në atë kohë amerikanët ndërhynë me forcat e tyre të armatosura në Japoni, Itali e më tej kundër rregjimeve totalitare nazi-fashiste. Kjo luftë shkaktoi shumë pakënaqësi në kohën e tyre dhe shkaktoi shumë viktima civile. Mendohet se gjatë përparimit të anglo-amerikanëve prej Siçilisë drejt veriut të Italisë, i cili u shoqërua me bombardime të rënda të qyteteve italiane, kanë vdekur mbi 200000 civilë italianë. Ndërhyrja e amerikanëve arriti deri aty sa të fusnin duart edhe në votimet e para të pasluftës nga frika e fuqizimit politik të partisë komuniste italiane e cila ishte partia më e madhe komuniste në botë pas asaj sovjetike, me mbi 2 milione anëtarë. E megjithatë ata quhen çlirimtarë sepse populli italian arriti të shijonte frutat e lirisë që erdhi nga ndërhyrja anglo-amerikane. Edhe Japonia nuk e ndryshoi kushtetutën e imponuar nga amerikanët në 1955 sepse lirisë që ajo siguronte ata i kanë borxh begatinë ekonomike. Pa kaluar shumë vite plagët e luftës u fashitën nga bollëku i mrekullive ekonomike që përjetuan dhe nga hapësira e gjerë e lirisë që gëzonin këto vende.

Është e çuditshme se si është përhapur kaq shumë bindja që populli iraken është kundër koalicionit të drejtuar nga amerikanët dhe se si mund të besohet qe periudha nën Sadamin ishte më mirë se periudha e tanishme. Aq më shumë është i çuditshëm fakti që këta evropianë që sot gjoja pikëllohen për popullin iraken as që kujtoheshin për vuajtjet e irakenëve të shkretë nën diktaturën e Sadamit. Ku ishin këta njerëz që përkrahnin “status quo”-në e embargos gjatë së cilës vdiqën mbi 1.3 milionë njerëz dhe ndër ta 500000 fëmijë. Ndërkohë kjo embargo ishte vendosur me aprovimin gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra përfshi këtu nga po ato vende që sot janë kundër ndërhyrjes në Irak. Si mund të mendohet se populli i përvuajtur iraken ka dëshirë të madhe për të luftuar akoma, pas peripecive të pandërprera qe ka kaluar gjatë gjithë këtyre dekadave.

Fatkeqësisht këto çeshtje veshtrohen përciptaz nga opinioni publik i yni i cili mendon se gjithçka që vjen nga Evropa duhet kapërdirë si e drejtë pa e vrarë shumë mendjen. Zhvillimet e fundit po tregojnë se evropianët që dilnin në demonstrata kundër luftës me shirita të bardhë lidhur në krah dhe me flamujt e ylbertë nuk përfaqësonin qytetarët e Irakut të cilët fjalën e tyre e thanë nëpërmjet zgjedhjeve. Të njëjtit njerëz dilnin kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe ndërkohë ne shqiptarët e dinim fort mirë se në cilën anë qëndronte e drejta dhe e vërteta. Këta njerëz zhurmëmëdhenj të mbrujtur me mendimin politik të 1968-ës dhe akoma në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shtetin e 1984-ës do të sulmojnë gjithçka që ka të bëjë me Amerikën duke mos kursyër Hollivudin, sanduiçet e McDonalds-it dhe Koka Kolën. Ata përfitojnë nga prirjet e medias për të qënë gjithmonë e më tepër në kërkim të sensacionit dhe bujës dhe duke shfrytëzuar aftësitë propaganduese përpiqën që të mbysin çdo zë tjetër. Porse përvoja njerëzore ka treguar se zgjedhjet e lira janë rruga e vetme për ti dhënë zë shumicës së heshtur. Ato janë mjeti themelor i demokracisë dhe nuk mund të zëvendësohet as nga zhurma e armëve dhe as nga media që ndjek veç sensacionin. Dhe faktet po tregojnë qartë se fal politikës neo-konservatore të Bushit, një erë demokratizimi po fryn në lindjen e mesme dhe më tej. Në pak vite të presidencës së Bushit, ka pasur më shumë zhvillime politike drejt demokracisë se në gjithë dekadën e mëparshme. Dhe po duket e afërt dita kur zërat e lumtur të libanezëve që çlirohen nga sirianët si dhe ato të arabëve, afganëve, gjeorgjanëve dhe ukrainasve që do shijojnë frutat e para të demokracisë, do të oshëtijnë në Evropë më shumë se zhurma e armëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top