Diskursi i Fushates Qeveritare

Diskursi i Fushates Qeveritare

Diskursi i Fushates Qeveritaremarre nga Gazeta Metropol

Kohët e fundit është vënë re se qeveria e sotme shqiptare përpiqet ti shmanget debateve ne lidhje me ecurinë e dy proceseve integruese, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, pasi ato mund të shërbejnë si dy indikatorët kryesore mates të mosarritjeve të alternativës socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2001 Partia socialiste hyri duke krijuar një koalicion për integrimin. Vetë emri i këtij koalicion është shume domethënës dhe e tregon se premtimi kryesor i kësaj qeverie ishte çuarja e vendit para në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Ligjërimi anti-Berishë ishte përdorur tanimë me shumicë gjatë fushatës së vitit 1998 dhe dukej sikur e kishte humbur disi dobinë e saj prandaj premtimi i integrimit tingëllonte si më i përshtatshmi për kohën. Megjithatë miti I vitit 1997 dhe retorika e ndezur anti-Berishë akoma nuk është shkulur nga retorika e Partisë Socialiste, aq sa po t’iu vësh veshin fjalëve të tyre sot të krijohet ideja se po të mos ishte Berisha rrugët do të ishin më të mira, nuk do të kishim korrupsion, s’do të kishim nevojë për viza, dielli do të shkëlqente më shumë, shiu do të binte më rrallë etj etj. Po kështu viti 1997 vazhdon të citohet dhe ricitohet siç bëhej dikur në librat komuniste me krahasimin e statistikave të realizmit socialist me ato të vitit 1938.
Siç dihet fare mirë, Shqipëria mbeti jashtë rrethit të të ftuarve në NATO në Pragë në nëntor 2002. Kurse firmosja e Marrëveshjes së Stabilizimt dhe Asocimit që ishtë parashikuar të arrihej në vitin 2003 është shtyrë për një periudhë të pacaktuar dhe kjo periudhë ka për tu bërë e qartë vetëm pasi të shihet mënyra e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005. Pa u futur për të diskutuar për korrektësinë e zgjedhjeve të vitit 2001 dhe saktësinë e rezultateve, del qartë se premtimi me të cilin u fituan ato zgjedhje zor se është mbajtur. Koalicioni i atëhershëm për integrim nuk ka arritur ta nxjerrë vendin nga përjashtimi që vuajmë në lidhje me anëtarësimin në Nato dhe Bashkim Evropian.
Fushata e viti 2001 nuk mundet të ripërsëritej edhe si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur brenda shtëpisë së socialistëve. Skuadra me të cilën partia socialiste u fut në zgjedhje atëhere ka ndryshuar shume dhe qeveria e reklamuar në atë kohë ka një përbërje krejt ndryshe nga kjo e sotmja. Kjo e trondit akoma më tej legjitimitetin e qeverisjes socialiste në vitin 2005, pasi kjo nuk është qeveria për të cilën është votuar në vitin 2001. Prandaj çështja e integrimit është shndërruar në një damkë disfate për partinë socialiste. Sakaq e dimë që fabulën e integrimit e ka përqafuar në retorikë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kështu qe edhe po të donte ta përdortë integrimin, partia socialiste nuk do të mundte se ia kanë marrë tashmë.
Por mos-arritjet e partisë socialiste kanë të bëjnë jo vetëm me në vënd numëronë e integrimit por edhe me varfërinë, kriminalitetin apo korrupsionin. Skandalet e njëpasnjëshme që kanë dale dhe që kanë arritur kulmin me akuzat e ndërsjellta dhe të pa-përgënjeshtruara që dolën në mbledhjen e KPD-së e bindën Partinë socialiste se dielli nuk do mund të mbulohej më me shoshë. Kjo çoi në ndryshimin e retorikës së partisë socialiste e cila nuk mund të mburrej më me arritje ose duke prekur plagën e integrimit por duke u përpjekur të thojë se në Shqipëri nuk ka një alternativë më të mirë. Reklama e qeverisë socialiste sot ngjan me moton e nje reklame të tipit “Ne të mirë nuk jemi mirë por më të mirë nuk kemi parë”. Prandaj qeveria sot nuk mburret më si më parë me ato pak rrugë që janë inauguruar kushedi sa herë por thjesht e ka përqëndruar aksionin e vetë politik tek denigrimi i opozitës.
Në këtë kurth kanë rënë me apo pa dashje shumë analistë të cilët nuk tregojnë gishtin tek institucionet përgjegjëse për problemet e Shqipërisë por flasin për fajin e gjithë klasës politike duke bërë bashkëfajtore edhe Partinë Demokratike e cila si forcarë opozitare nuk ka kurrfarë prerotagive. Këtu përfshihen mjaft aktor të shoqërisë civile siç është Mjaft-i, i cili e ka akuzuar mjaftueshëm Partinë Demokratike si përgjegjëse për mbytjen e gomones së 9 Janarit si dhe për mjaft problemet të tjera që janë hasur tek ne. Kjo propaganda nuk bën gjë tjetër veç shtimit të radhëvë të zonës elektorale gri duke rritur numrin e atyre qe nuk votojnë pasi mendojnë se të gjithë politikanët njëlloj janë. Del e qartë pra se kushdo që kapërdin idenë se opozita ështe e paaftë dhe se për problemet e Shqipërisë e ka fajin e gjithë klasa politike, nuk bën gjë tjetër veçse çon ujë tek mulliri i Partisë Socialiste.
Mirëpo kaq e rafinuar dhe në të njëjtën kohë efikase është kjo taktikë fushatimi, sa edhe vetë pjestarë të opozitës nuk kanë ditur ti kundërvihen. Opozita vazhdon me retorikën akuzuese anti qeveritare duke denoncuar për ço paaftës apo skandal që shkaktohej prej qeverisë. Debati mes pozitës dhe opozitës I ngjan një disktutimi të tipit : “Opozita: -Ju jeni të këqinj, ju jeni të këqinj, – ndërsa pozita : -ne jemi të këqinj por ju nuk jeni më mirë-.” Vetë kryeministri Nano nuk e ka pasur për gjë të thojë se ai është kritikuesi më i madh i qeverisë së vetë dhe dendur pranon hapur paaftësine e qeverisë për të eleminuar ekonominë informale, për të luftuar korrupsionin apo për të siguruar infrastrukturë. Ajo që mungon këtu është reagimi i duhur ndaj pohimit të fundit të debatit imagjinar t ë mësipërm, pra Partia Demokratike duket se akoma nuk ka mundur ti përgjigjet akuzës se demokratët nuk janë më të mirë.
Situata dikton nevojën për ta bërë më të qartë pse partia demokratike është ndryshe. Ligjërimi i opozitës përqëndrohet kryesisht tek denoncimi i qeverisë për korrupsion dhe mosbatim të ligjit. Kjo gjë vjen me të drejtë pasi detyra kryesore e një partie opozite është që ti bëj karshi qeverisë dhe ta monitorojë dhe demaskojë sa herë lind nevoja. Kjo nevojë bëhet barrë akoma më e rëndë për Partinë Demokratike kur dihet se media dhe gjyqësori shqiptar të cilat duhet të merren zakonisht me këto çështje, nuk funksionojnë siç duhet. Mirëpo këto çështje janë kryesisht çështje teknike dhe përqendrimi tek to e ka larguar vëmendjen nga temat e filozofisë politike qe e bëjnë të qartë ndarjen e të majtës nga e djathta. Në fakt me këto denoncime të shpeshta doktor Berisha thjesht tregon simptomat e një sëmundje të mirënjohur qe ai e diagnostikon si qeveria e Zemunit, por nuk shpjegon bindshëm pse marrja e barnës “Parti Demokratike” ka për ta përmirësuar gjendjen.
Për popullin e thjeshtë kjo përqasje është e mjaftueshme dhe bindëse pasi tregon se opozita I ka identifikuar problemet. Mirëpo për klasen e mesme, akademikët, biznesmenët, që në më të shumtën e rasteve janë të plogësht, kjo nuk është mjaftueshëm. Këta të fundit janë deklaruar si partnerët e zgjedhur për të ardhmen nga Partia Demokratike. Mirëpo që të shkundet nga apatia dhe të bëhet për vetë kjo elitë e shoqërisë shqiptare duhet të përdoret një komunikim ndryshe nga ai që bëhet në udhëtimet e ditëve të shpresës.
Kjo kërkon transformimin nga qasja konsekuentaliste në një qasje deontologjike. Në filozofinë e moralit teoritë deontologjike janë ato teori që besojnë se veprime te caktuara janë në vetvete të ndaluara ose te pranueshme kurse teorite konsekuentaliste deklarojnë se mund të themi që një veprim është I drejte apo I gabuar në varësi të pasojave të shkaktuara nga ky veprim e për rrjedhojë në varësi të rrethanave kur ndërmerren këto veprime.
Partia socialiste deri tani ka treguar se ka vepruar në mënyrë konsekuentaliste. Që do të thotë se pavarsisht se është parti e majtë ka ndërmarrë privatizimin e sektorëve strategjik. Në një situatë të caktuar siç ishte KPD-ja, kryeministri Nano akuzoi disa kolegë të vetë si të korruptuar dhe pak kohë më pas I fut në qeveri ngaqe rrethanat ishin ndryshuar. Në një ambjent deklarohet si prioritet ndërtimi I ekonomisë së tregut mirëpo në një rrethanë tjetër liçensa e telefonisë mobile I jepet vetëm dy firmave. Në momente te caktuara është nxjerrë në pah partneriteti me Italinë duke folur madje për protektorat ose është shpallur si përparësi integrimi në Evropë. Por në një rrethanë tjetër kryeministri ynë ka dale pro ndërhyrjes në Irak të amerikanëve dhe kundër evropianëve tek global post duke I quajtur shtetet kryesore evropiane mosmirënjohëse.
Ndërsa qeveria socialiste dendur I ka përkulur e përdredhur qëndrimet në varësi të rrethanave, partia demokratike duhet të deklarohet hapur deontologjikisht për çështjet më të rëndesishme të sotshme dhe se ka për tu vepruar më nje frymë të caktuar dhe jo me pragmatizëm e oportunizëm. Duhet deklaruar psh që sipas PD-së ligji është I barabartë për të gjithë, që prona private do trajtohet si e shenjtë dhe që tregu I lirë ka për tu konsideruar si prioritet. Përqafimi i një filozofie të caktuar qeverisje dhe premtimi i një vije të caktuar politike do ta bëj më të lehtë kontrollin që elektorati do të ushtronte ndaj një qeverie të mundshme demokratike, dhe do ti bindte votuesit skeptikë që të votonin. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top