Dita e Verës , “Bukë dhe Shfaqje”

Dita e Verës , “Bukë dhe Shfaqje”

Dita e Verës , “Bukë dhe Shfaqje”

Botuar tek gazeta Metropol

Një ndër gjerat më spikatëse tek romakët ka pas qënë dashuria e madhe për zbavitjet spektakulare. E natyrshme kjo për një popull mesdhetar si romakët, të cilët po si ne shqiptarët sot, jepeshin me kënaqësi ndaj dëfrimeve masive dhe qejfeve kolektive. Një ndër shkrimtarët më të spikatur të antikitetit ka qënë Juvenal i cili shkruajti gjerë e gjatë disa prej satirave më të goditura e të hidhura të të gjitha kohërave, për Romën që ai përjetoi. Bëhet fjalë për periudhën e shekullit të parë dhe shekullit të dytë kur Republika e Romës ishte thjesht një shprehi e së kaluarës, dhe pushteti i perandorëve shtohej e shtohej gjithnjë e më tej. Në këtë periudhë senati i dikurshëm ku kishte ligjëruar dikur Ciceroni, ishte në një proces të vazhdueshëm eklipsimi nga diktatorët që kishin zaptuar kapitolin romak.

Juvenal deklaronte se popullsia romake I kryente detyrat e veta qytetare me shumë më tepër përkushtim dhe përgjegjësi gjatë periudhës së Republikës, se sa gjatë periudhës së Çezarëve dhe ankohej se romakët magjepseshin nga “ panem et circenses” që do te thote bukë dhe cirqe ose siç e përkthejmë ne historiografinë tonë, “Bukë dhe Shfaqje” . Juvenal irritohej pse plebejtë dhe popullsia e lirë e Romës, të cilët ishin më të mëdhenj në numër se klasa e patricëve, nuk ishin aspak të ndjeshëm ndaj mungesës së punës, parave, zërit në aferat politike si dhe kushteve të këqija të jetës.

Augusti duke para kushtet e masave të romakëve, mendoi të organizonte sistemin e patronazhit të quajtur “bukë dhe shfaqje” për ti mbajtur romakët mjaftueshëm të ushqyer dhe të gëzuar sa të mos ngrinin krye për gjithçka ai bëntë. Ai iu jepte atyre ushqim nëpërmjet shpërndarjes së grurit falas, hedhjes së bukës tek spektatorët gjatë shfaqjes dhe legjislacionit për çmimet e ushqimit ndërkohë i zbaviste ata me argëtime falas si gara me karroca, beteja mes gladiatorësh në Koloseum, spektakle madhështore nëpër amfiteatro dhe nëpërmjet ndërtimit të cirkut të famshëm “Circus Maximus”

Popullsia e humbte torruan nga këto shfaqje, krijonte njëfarë varësie ndaj tyre dhe ndërkohë humbte aftësinë për të qeverisur veten duke e vrarë mendjen vetëm për qejfet e zbavitjet. Prandaj fraza “Bukë dhe Shfaqje” përdoret për të përçmuar një popullsi aq shumë të shpërqëndruar nga çoroditja dhe qejfet personale të sajuara nga lartë, sa nuk i kushtojnë më vëmendje vyrtyteve qytetare dhe problemeve të ditës, por i përkulen autoriteteve me bindje të plotë. Kjo është pra një mënyrë që përdor grupi politik në fuqi për të mbajtur në dorë pushtetin dhe kontrollin ndaj popullit.

Të tjera diktatura e kanë përdorur me efikasitet këtë metodë gjatë gjithë historisë. Tek ne ende janë të freskëta kujtimet e spartakiadave madhështore e shumëngjyrëshe, parakalimet pompoze dhe festat gjithëpërfshirëse të një majit. Porse fatkeqësisht kjo metodë nuk është vetëm një aspekt historik me të cilën do na duhej neve historianëve të merreshim, por është një pjesë përbërëse e dhimbshme e realitetit të sotshëm.

Mirë koloseumi i sotshëm është bulevardi dhe sheshi qëndror i Tiranës. Gladiatorët janë zëvendësuar nga lojtarët e futbollit ose shtangistët që marrin shpërblime të majme për ndonjë garë për sa kohë ata i japin mundësi popullit të zbavitet dhe qeveritarëve që të dalin pranë tyre. Karrocat e garave romake janë zëvendësuar nga makinat që qarkullonin dje në bulevard duke lëshuar muzikë për të rrinjtë që ecnin të ngazëllyer nëpër rrugë. Bukët romake dje ishin ballokume dhe ndërkohë ekuivalenti i çmimeve të ulta të romakëve janë prej ca kohësh kafetë me çmim të ulët që iu jepen pensionistëve në Tiranë apo. Dje nuk mungoi as Çezari që shëtiti bashkë me shpurën e vetë në bulevard duke përshëndetur me qesëndi plebejtë e ngratë që gënjeheshin nga do saze të improvizuara aty këtu.

Këto shfaqjet marramendëse të organizuara nga shteti shqiptar nuk po kanë të sosur. Ato nisin nga përkujtimorja alla Woodstock në Pezë, festat e shfrenuara të vitit të ri që shoqëroheshin nga gostia qyl që shtroi kryeministri për pensionistët, nata e bardhë që përkujtonte ditën e zezë kur pushtimi gjerman u zëvendësua nga një pushtim komunist edhe më makabër. E pastaj ato vazhdojnë me festimet për Shën Valentinin, ditën e grave, mësuesve e kushedi se çfarë tjetër rastis që të dalë para. Thua shqiptarët kanë boll arsye që të jenë kaq të lumtur e të ngeshëm sa iu takon qe veç të gëzohen e zbaviten. Por dje ishte finalja, dhe këtu nuk e kam fjalën për librin e sapo botuar nga Z. Zogaj por për festën e verës që u festua në mënyrë spontane jo vetëm aty ku i takon siç e do zakoni, por edhe në Tiranë, në piedestalin e shfaqjes. Dhe skena e Tiranës për kësilloj shakash është gati aty, Sipërmarja zbavitëse “kthimi në identitet” me ngjyrat e ndezura të telajos së kryebashkiakut, ka kohë që i rri përkashi si sfond fort i përshtatshëm metodës narkotizuese të quajtur “Bukë dhe Shfaqje”.

Kjo metodë ka treguar se ka qënë goxha frytëdhënëse edhe tek ne. Në zgjedhjet lokale pjesmarrja në votime ishte tmerrësisht e ulët, dhe ndërkohë grupmosha e të rinjve është ajo që del më pak për të votuar. Jo më kot dje degjohej muzikë ritmike për të rinjtë dhe këndonte Ermal Fejzullahu me të tjerë, sepse këta të rinj të magjepsur e çorientuar janë edhe forca elektorale vendimtare. Megjithatë mbetet për tu parë se sa ndikojnë tek shqiptarët këto maskarada për të harruar varfërinë, papunësinë, korrupsionin, kriminalitetin, mungesën e ujit, dritave, sigurisë etj… E deri sa ta marrim vesh na presin shumë festa të tjera të organizuara ashtu “spontanisht” nga lartë si dhe presin prerjet e më shumë kilomtra shirita sesa kilometra rrugë të inauguruara. Por një gjë dihet, që siç thoshte Juvenal kjo është finalja, dhe perëndimi i Romës dhe Çezarëve të saj vijoi jo larg pas popullarizimit të “Bukës dhe Shfaqjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top