Me forcën e rrugës
Botuar tek gazeta Tirana Observer
Pas disa javë protestash dhe demonstratash, qeveria franceze u dorëzua ndaj presionit dhe u tërhoq nga ligji Kontrata e Parë e Punësimit (CPE Contract Premier Embauche). Bëhej fjalë për një ligj që nuk ishte shpëtimi i Francës por thjesht hap i parë drejt shpëtimit. Në kushtet kur në Francë përqindja e taksave të të ardhurave i afrohet 60 përqindëshit ndodh gjithnjë e më shumë që francezët e pasur të largohen nga Franca e mos të investojnë në Francë. Ata që përfitojnë nga ky sistem i rëndë taksash janë vetëm personat që kanë rroga të ulta ose mesatare të cilët marrin më shumë shërbime publike sesa taksat që paguajnë.
Një rasti i famshëm që ka shërbyer si një demonstrim i qartë i largimit nga Franca të njerëzve me të ardhura të larta në Francë është rasti i para disa vitesh me Leticia Kasta. Kasta u zgjodh të përdorej si model për Marinjanën, simbolin kombëtar francez, duke qenë një ndër francezet më të bukura dhe të famshme në botë. Mirëpo për t’u shpëtuar taksave të larta Kasta u largua nga Franca dhe u vendos si rezidente në Britani ku paguan shumë më pak taksa. Kjo ishte një fyerje skandaloze për krenarinë e francezëve dhe u përfol gjatë në debate publike. Mirëpo është një fakt që përqendrimi i VIP-ave francezë në Monako është mbase më i lartë se ai i Parisit.
Pra situata është e trishtuar pasi biznesmenët francezë jo vetëm që nuk fusin në punë francezë të tjerë sepse kanë frikë nga taksat e larta që duhet të paguajë punëdhënësi apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me tregun francez të punës, por edhe jeta në Francë për shumë syresh është bërë e padurueshme si pasojë e taksave të larta mbi të ardhurat. Në tregun francez të punës, problemet janë të komplikuara, ato kanë të bëjnë me taksat e larta nga një anë dhe me ngurtësinë e kodit të punës lidhur me kontratat që mund të lidhen. Për rrjedhojë po ta shohësh me vëmendje tregun e punës së Francës, nuk di se ku të ndërhysh më parë. Por nga diku duhet filluar dhe qeveria franceze vendosi ta niste me fillimin e çmontimit të sistemit të komplikuar të kontratave të punës. Dhe bëhet fjalë për një qeveri legjitime të zgjedhur me vota të lira dhe të ndershme që e ndërmerrte këtë reformë. Porse në Francë institucionet tipike të sistemit të demokracisë liberale siç është parlamenti, shpesh kanë më pak rol sesa protestat në rrugë, dhe kjo gjë njihet historikisht në Francë.
Universitetet në mënyrë të veçantë janë shquar për protesta kështu Universiteti i Sorbonës që ishte në zemër të protestave të para pak javëve, ka qenë i hedhur në një rebelim të ashpër që në vitin 1226. Por kuptohet që kulmi i rebelimit alla francez është arritur në universitetet simotra pariziene gjatë vitit 1968. Akoma më tipike për Parisin dhe Francën janë rebelimet e turmave të popullsisë së shtresave të ulta. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për komunarët e Parisit, por diku më thellë në histori. Historia e turmave që dalin në rrugë me sukses në Francë mund të niset që nga viti 1358 me rebelimin e popullsive fshatare të Francës së veriut që u quajt Zhakëri. Në atë kohë fshatarët u hodhën në kryengritje që ishte krejt kaotike pa organizim të vërtetë duke u mbledhur bashkë në mënyrë kaotike. Kur pyeteshin se kush ishte qëllimi i pakënaqësisë së tyre, ata përgjigjeshin që ishin duke bërë thjesht atë që kishin parë nga të tjerët. Kjo nuk dallon shumë nga revoltat që bënin të rinjtë pra ca javëve pasi shumë prej atyre që dolën në protesta, dilnin për solidaritet dhe për rrëmujë dhe ende nuk e kishin lexuar siç duhet ligjin e propozuar nga qeveria.
Një tjetër moment karakteristik në historinë e turmave të rrugës së Francës, ka qenë edhe rebelimi i “Frondaveâ€. Frondat ishin Hejbe që përdoreshin për të hedhur gurë. Bëhet fjalë për kryengritjen e turmave të Parisit që u hodhën në protestë kundër Mazarinit dhe Rishëliesë, dhe pati dy dallgë kryengritjesh. Fronda e parë 1648-49 dhe Fronda e dytë 1650-53 u bënë simbol i kryengritjes kundër pushtetit.
Rasti më i famshëm i turmave që marrin për kot dhe bëjnë kërdinë është ai i sonkylotëve (sans-culottes) të revolucionit francez. Ky grupim përbëhej prej punëtorëve të varfër të cilët ishin të frymëzuar nga jakobinët dhe përdoreshin për t’iu vërsulur aktiviteteve kundër-revolucionare. Nëpërmjet forcës së hordhive të sonkylotëve jakobinët bënë një grusht shteti në parlament dhe hoqën qafe fraksionin Zhirondin. Sonkylotët u bënë armë efikase të dhunës në dorën e diktaturës jakobiniste që kishte në krye Robespierin.
Në të njëjtën traditë kanë vazhduar rebelimet e muajit të kaluar dhe ato të fundvitit të kaluar. Dalja në rrugë dhe protestat agresive apo grevat janë në një farë mënyre një sport kombëtar për francezët që konkurron seriozisht futbollin. Ky lloj eksternalizimi i problemit që bëhet nga fshatarë apo turma popullore franceze janë mbase një ndër karakteristikat kryesore të kombit francez. Kështu ndryshe nga popullsia gjermane apo të vendeve të tjera të veriut të Evropës, francezët e kanë të vështirë të pranojnë një problem tek vetja dhe priren që ta eksternalizojnë problemin. Nëse një fermer francez falimenton, ai i ankohet qeverisë, kërkon subvencionime ose bllokon rrugët apo portet duke penguar futjen në Francë të mallrave të importuara nga Maroku apo Tunizia. Me këto manifestime të theksuara dhune mund të thuhet se jo më kot Franca është atdheu i markezit dë Sade. Nëse një fermer gjerman do të falimentonte, do të kishte shumë gjasa që ky gjerman të ndryshonte karrierë dhe në rastin më të keq të depresionohej, të pinte më shumë alkool duke e kërkuar problemin tek vetja. Kjo është një sjellje si të thuash tipike e atdheut të baronit Mazok.
Kështu heronjtë sot në Francë nuk konsiderohen biznesmenët që mbijetojnë në kushte ekstreme, në shantazhin e vazhdueshëm të punonjësve të tyre dhe nën peshën e barrave të llahtarshme të taksave dhe rregullimeve apo procedurave ligjore. Por heronj quhen francezët e hedhur të tipit Jose Bove të shoqatës Attack, të cilët mezi presin të gjejnë rasti të hidhen në protesta të dhunshme dhe të djegin dyqanet Mcdonalds apo të markave të tjera që gjenden në rrugë.
Pra parë në analizë historike del qartë se tërheqja që bëri qeveria nuk është gjë tjetër veçse një deja vu historik i një taktike tipike të shpërfilljes se institucioneve legjitime duke vepruar me forcën e turmave që dalin dhunshëm në rrugë. Kjo situatë denigron thellë demokracinë e një vendi si Franca sepse zëri i shumicës së heshtur që ka votuar për golistët e Shirakut dhe Vilëpënit është bllokuar nga gërthitjet e minoritetit të turmave revolucionare që dalin nëpër rrugë.