Revoltat e rinisë së Francës: mbreti nuk është lakuriq
Botuar tek gazeta Tirana Observer
Â
Studimet thonë se arsyeja kryesore pse femrat nuk shkojnë të vizitohen për të parë nëse kanë kancer në gji, nuk është siguria se asgjë nuk ka për t’i gjetur, por frika se mos zbulojnë se kanë kancer. Dhe kjo frikë i shtynë ato që të mohojnë plotësisht mundësinë e ekzistencës së një rreziku të jashtëzakonshëm dhe shumë real për gratë. Një mohim i ngjashëm ndoll edhe me një pacient në agoni që refuzon të marrë ilaçin që mund ta shërojë dukë bërë në një farë mënyre një gjest mohimi ndaj realitetit.
Kjo është pak a shumë ajo që po ngjet sot me Francën dhe francezët. Bëhet fjalë për protestat që kanë lindur kundër ligjit të ri të titulluar Kontrata e Parë e Punësimit (CPE Contract Premier Embauche). CPE është një ligj i nisur nga kryeministri Villepin që synon që të gjallëroj disi tregun e punës në Francë për ta nxjerrë nga stanjacioni ekonomik që po pëson. Nivelet e papunësisë në Francë janë galopante, dhe krijimi i punëve në Francë pengohet nga një legjislacion socialist që e bën të pothuaj të pamundur për një punëdhënës që të heq nga puna një punëtor po qe se nuk i paguan atij dëmshpërblime të mëdha. Kjo gjë e ka minimizuar në ekstrem fleksibilitetin dhe konkurrueshmërinë e tregut të punës gjë që e pengon që të hapi vende të reja pune. Kështu në kushtet kur punëdhënësit nuk shkojnë mirë me shitjet e prodhimeve të tyre, e kanë të vështirë që të ulin prodhimin sepse e kanë të pamundur që të heqin njerëz nga puna. Ndërsa një makineri mund ta fikin për ta rindezur atëherë kur të rritet kërkesa në treg, bizneset e kanë të pamundur që të shmangin koston e vazhdimit të punësimit gjatë periudhës kur nuk kanë shitje. Kjo situatë ka bërë që kompanitë franceze të ndihen në dizavantazh me kompanitë e vendeve të huaja sepse nuk janë mjaftueshëm fleksible e iu duhet të mbajnë me zor njerëz të punësuar. Mungesa e fleksibilitetit, shoqëruar me sasitë e mëdha të parave që punëdhënësit duhet të paguajnë si sigurime shoqërore, e bëjnë shumë të vështirë dhe të ngurtë tregun francez të punës.
Prandaj punëdhënësit francez detyrohen të bëjnë çfarë është e mundur që të mbajnë një numër sa më të vogël të mundshëm punonjësish dhe të maten dy tre herë para se të punësojnë dikë tjetër nga frika se mos nuk do mund t’i heqin kur të mos shesin dot gjë. Dhe për të mbajtur punonjësit në minimum industrialistët francezë bëjnë ç’është e mundur që të rrisin shkallën e automatizimit në proceset e punës duke aplikuar robotë apo teknologji të tjera të avancuara vetëm e vetëm që të mos kenë nevojë për të pajtuar punëtorë të rinj. Për ato procese pune që nuk i automatizojnë dot dhe që kanë nevojë në mënyrë të pashmangshme për krah pune si psh rrobaqepësitë, kompanitë franceze kanë gjetur si zgjidhje largimin nga vendi duke bërë outsourcing dmth duke transferuar në vende në zhvillim ku tregu i punës është i lirë, fleksibël dhe me pretendime modeste, ato pjesë të zinxhirit të prodhimit që kanë nevojë për shumë punonjës. Për rrjedhojë Franca është një ndër vendet evropiane që largon më shumë kapital jashtë vendit dhe zor se thith investime të huaja.
Kjo është arsyeja pse mes rinisë franceze papunësia është shumë e lartë dhe shumë të rinj francezë detyrohen të emigrojnë jashtë vendit. Rasti tipik i emigrimit është moda e të sapodiplomuarve francezë që shkojnë për të punuar në Angli. Në fakt sot në Londër gati gati mund të flitet për një eksod të tretë pasi ka rreth 300 mijë francezë që punojnë aty. Flitet për eksod të tretë pasi eksodi i parë ishte ai i protestantëve hygenotë që gjetën strehë në Britani nga luftërat franceze fetare të shekullit XVI ndërsa i dyti ai i aristokracisë dhe oborrit mbretëror gjatë revolucionit francez.
Për të përballuar këtë situatë kryeministri francez krijoi një ligj që do të zvogëlonte koston e hapjes së vendeve të reja të punës duke i lejuar punëdhënësit që të pajtojnë në punë të rinj që janë nën 26 vjeç për një periudhë të kushtëzuar dyvjeçare gjatë të cilës ata mund të hiqen nga puna pa kompensim. Gjatë gushtit të kaluar një ligj i ngjashëm u fut për të lejuar kompanitë e vogla që kanë më pak se 20 punonjës që të heqin punonjësit që janë në provë, pa u përballur me procedurat e komplikuar dhe të rënda që e bëjnë të pamundur për kompanitë që të pajtojnë dhe të heqin nga puna njerëz sipas kërkesës së tregut. Në më pak se pesë muaj këto kompani të vogla kanë krijuar 335000 vende të reja pune. Sipas institutit francez IFOP, një e treta e këtyre vendeve të lira ishin pasojë e drejtpërdrejtë e ligjit të ri.
Papunësia në Francë është rreth 10% porse papunësia mes të rinjve është mbi 25% kurse për të rinjtë e paarsimuar mirë siç janë edhe të rinjtë që banojnë nëpër periferitë franceze, les banlieus, arrin tek rreth 40%. Është e vërtetë që revoltat qe u zhvilluar në periferitë franceze gjatë nëntorit të kaluar kishin më shumë një burim etnik sesa social, porse padyshim që pakënaqësia sociale ka qenë një motiv i rëndësishëm. Dhe ishin pikërisht protestat e periferive ato që e shtynë qeverinë franceze për të zgjedhur këtë ligj si zgjidhje.
Mirëpo një pjesë e mirë e studentëve francezë, që në fakt do të ishin edhe përfituesit e drejtpërdrejtë e këtij ligji, i janë kundërvënë këtij problemi, po ashtu sikurse edhe të sëmurët nuk pranojnë të pinë ilaçin paçka se rrezikojnë nga një fund fatal. Kaq mjaftoi që opozita dhe sindikatat ta merrnin flamurin e kundërshtimit dhe të solidarizoheshin me studentët duke u përfshirë në një seri protestash, demonstratash dhe grevash që fatkeqësisht janë disi në modë në Francë. Kjo është një situatë tipike për një vend ku historia shpesh ka treguar se dalja në rrugë është më e fuqishme se parlamenti.
       Por ky është problemi që hasin pak a shumë të gjitha vendet evropiane që kanë një sistem të ekzagjeruar të mirëqenies sociale. Ndërsa më parë në Bashkimin Evropian për një person jo aktiv ka pasur dy persona të punësuar që me taksat e tyre pagonin pensione apo asistencat sociale, tanimë raporti është i përmbysur. Për çdo person në gjendje pune ka dy persona joaktiv, për mos të folur pastaj për kërcënimin që sjell konkurrenca e jashtëzakonshme që bëjnë tregjet e punës së vendeve në zhvillim si ai i Kinës apo Indisë. Kjo gjë që e bën të domosdoshme çmontimin e sistemit tradicional të mirëqenies sociale në këto vende, pasi ndryshe nuk mund të ecin dot para.